Lutja e prindërve për fëmijët e tyre


Njëri prej obligimeve më të mëdha të prindërve është edukimi i fëmijëve dhe udhëzimi i vazhdueshëm në atë që është e mirë për ata në këtë dhe në botën tjetër.
Fëmijët në Kuran janë përshkruar si stoli e kësaj bote, siç thotë i Lartësuari:
“...Fëmijët janë stoli e kësaj bote...” (El - Kehf, 46)
Në vijim, e sjellim një lutje në gjuhën shqipe të cilën mund ta lexojnë të gjithë prindërit për fëmijët e tyre.
Është e bazuar në Kuran dhe rekomandimet e Muhamedit, s.a.v.s. Në lutje kërkohet nga Allahu, xh.sh., që t’i ndihmojë prindërit në edukim, që t’i furnizojë me urtësi, forcë dhe durim, ndërsa fëmijëve t’u dhurojë jetë të bukur, udhëzim, lumturi dhe sukses në të dy jetët.
- Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Gjithë falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut. Salavati dhe selami qoftë mbi Muhamedin, familjen e tij dhe sahabët e ndershëm.
O Allah, mi fal mëkatet e mia dhe i pranoj te Ti gabimet e mia. E di që edukimi i fëmijëve është detyrë e rëndë, andaj me përulje drejtohem kah Ti dhe kërkoj ndihmë!
Të lutem, më dhuro urtësi dhe durim!
O Allah, fëmijët janë emanet nga Ti që t’i ruajmë dhe edukojmë ashti siç je Ti i kënaqur. Të lutem, që këtë obligim ta kryej në mënyrën më të mirë!
Më ndihmo aty ku më nevojitet ndihma, përmirëso gjendjen time, më furnizo me urtësi dhe durim, dhe pastro nijetin tim, kështu që veprat e mia të jenë vetëm për hir Tëndin!
O Allah, më ndihmo që të jem shembull i mirë për fëmijët e mi, që të jem shembull i tyre në fe dhe dynja. Bën që unë dhe pasardhësit e mi të jemi besimtarë të mirë, ta falim namazin, të lexojmë Kuranin, të agjërojmë, të japim zekatin dhe t’i ndihmojmë të varfërit dhe të sëmurët!
O Allah, Ti e di çfarë u nevojitet fëmijëve tanë. Na ndihmo që të lutemi për ata, dhe i mbroj nga çdo e keqe!
O Allah, i ruaj trupat, mendjet dhe ndjenjat e tyre, nga çdo e keqe dhe dëm!
O Allah, të lutemi Ty, që t’i mbrosh fëmijët tanë nga fatkeqësitë, lëndimet, sëmundjet e rënda dhe nga çdo formë tjetër e dëmit!
O Allah, jepu fëmijëve tanë udhëzim dhe zemër që të duan Ty dhe që të përmendin Ty! Largo nga ata kryelartësinë, mendjemadhësinë, hipokrizinë, lakminë, koprracinë dhe bërjen e mëkateve!
O Allah, dhuroju fëmijëve tanë aftësinë që të sjellin vendime të mira dhe gjithmonë le t’i tërheqin gjërat e mia dhe të hajrit!
O Allah, të lutemi që fëmijët tanë asnjëherë mos të devijojnë nga rruga e Drejtë dhe u dhuro ardhmëri të bukur!
O Allah, mbroji fëmijët tanë nga gjuhët dhe shikimet e këqija, nga e keqja e shejtanëve dhe xhinëve!
O Allah, udhëzoji fëmijët tanë që ta falin namazin dhe të binden Ty, ta pasojnë praktikën e Pejgamberit, a.s., dhe të na respektojnë neve si prindër!
O Allah, të lutemi që fëmijët tanë të duan, vlerësojnë dhe sillen bukur ndaj njerëzve tjerë dhe në mes vete!
O Allah, të lutemi që me fëmijët tanë të përjetojmë momente të bukura derisa të jetojmë në këtë botë dhe që të na bashkosh së bashku në kopshtet e Xhenetit!
Amin!


Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Arsim ef. Morina - Pjesë nga Kurani