Definicioni i rrizkut


Çështja e rrizkut është një ndër çështjet doktrinare të besimit, e cila ka një lidhje të ngushtë me besimin dhe përcaktimin, po ashtu ajo është e lidhur edhe me besimin e myslimanit dhe me bindjen e tij.

Fjala “rrizk” në aspektin etimologjik ka kuptimin “dhënie” dhe përfshinë çdo gjë nga e cila përfitohet.(1) Thuhet: rrizku i Zotit, do të thotë ajo që e jep Allahu. I Madhëruari ka thënë: “...dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj.)” (2), do të thotë, u kemi dhënë atyre.

Koncepti dhe esenca e rrizkut sipas shkollave akaidologjike, mutezilëve dhe elhi sunetit

Xheberinjtë janë të mendimit se rrizku është i caktuar nga Zoti për individin, ai as nuk shtohet e as nuk pakësohet, dhe se nuk ka kurrfarë lidhje me angazhimin apo me veprat e të ngarkuarit, në këtë rast të njeriut. Ky është mendim i pavend.
Rrizku sipas mutelizëve, do të thotë: “Çfarë përfitohet nga ai dhe që tjetri nuk mund ta pengojë nga ai, për këtë ndryshon gjendja, ndërmjet asaj që i furnizuari a është kafshë apo njeri.”(3)
Rrizku është i krijuar, ashtu siç janë të krijuara të gjitha gjërat e tjera. Zoti xh.sh. ka thënë: “Allahu është krijues i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.”(4)
Fjala rrizk e përmendur shumë herë në Kuran, nuk mund të përkufizohet vetëm me një kuptim. Kjo fjalë bart në vete domethënien, varësisht nga tematikat e përmendura në Kuran. Ndaj edhe komentatorët e Kuranit ndajnë mendimin se fjala “rrizk” është përmendur në Kuran në kuptime të shumta. Zoti xh.sh. ka thënë: “Hani nga ato gjërat e lejuara e të mira që ju ka dhënë Allahu. Frikësojuni Allahut, të Cilit ju i keni besuar.”(5)
Rrizk, në kuptimin për të dhënë – dhuruar, pra nga ajo që ju kam dhënë, e japin në rrugën e Zotit xh.sh.: “...dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj.)”,(6)do të thotë, u kemi dhënë atyre.
Rrizku në kuptimin e ushqimit. Zoti xh.sh. ka thënë: “...Sa herë që atyre u jepet si ushqim ndonjë frutë...”Rrizku në kuptimin e shiut: Zoti xh.sh. ka thënë: “Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar.”(7)
Nga ajo që e cekëm më lart, mësojmë se Zoti xh.sh. e krijoi rrizkun dhe se Ai është që dhuron dhe shpërndan rrizkun në kuptim të përgjithshëm, ndërsa përqindja e ndarjes dhe dhurimit tek individi është çështje që i nënshtrohet ligjit të punës, angazhimit, pra ligjit të Zotit xh.sh., i Cili thotë: “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar.”(8)
Siç e cekëm edhe më herët, Zoti xh.sh. e ka krijuar rrizkun për krijesat e Tij, me një drejtësi absolute hyjnore, e cila i takon vetëm Atij, duke mos e dëmtuar dhe pa i bërë padrejtësi askujt nga krijesat e Tij. Nga kjo, ne duhet të mësojmë, se rruga e fitimit nga ajo që e ka krijuar Zoti xh.sh., nga rrizku për individin, është përpjekja dhe puna, apo angazhimi i vazhdueshëm i njeriut, sepse nuk ka rrizk pa punë-angazhim, përpjeke e përkushtim.
Zoti e ka krijuar rrizkun për çdo krijesë, pavarësisht se ku jeton ajo. Rrizku sigurohet dhe shpërndahet në mënyrë të drejtë e racionale ndërmjet krijesave të Zotit, gjithherë duke i lënë përgjegjësinë dhe rolin kyç që ka njeriu si mëkëmbës mbi sipërfaqen e tokës. Ne sot jemi dëshmitarë të asaj se, nëpër botë, pra nëpër vende të shumta, çdo ditë kemi numër të konsiderueshëm të njerëzve që vdesin nga uria, para nesh tashmë shtrohen edhe pyetje të shumta, si kjo: Nëse rrizku është i caktuar nga Zoti dhe se njeriu nuk mund të marrë as më shumë e as më pak nga ajo që i është caktuar nga Ai, atëherë pse nuk arriti në gojën e tyre ky rrizk, pse ata vdiqën nga uria?!

Rrizku sipas ehli sunetit

Shumica nga dijetarët e elhi sunetit janë të mendimit se, tërë ajo me të cilën ushqehet njeriu është rrizk i tij, qoftë hallall – i lejuar, apo haram – i ndaluar, dhe se askush nuk mund ta hajë rrizkun e tjetrit. El Ixhiu ka thënë: “Çdo gjë që i ka dhënë Allahu robit dhe që ky e ha atë, është rrizk i tij prej Zotit, qoftë hallall apo haram.”(9)
El Xherxhaniu e definon me të njëjtin definicion dhe e quan atë: “Ajo që Allahu ia dërgon kafshës dhe kjo e ha, kështu që ajo përfshinë hallallin dhe haramin.”(10)
Ai e sheh më të përgjithshme atë që arrin te njeriu dhe tregon lidhjen e rrizkut me kuptimin e tij terminologjik dhe me atë etimologjik.Rrizku në kuptimin etimologjik do të thotë nxjerrja e fatit te tjetri për të përfituar nga ai, pastaj përdorimi i tij është përhapur në traditën dhe në aspektin terminologjik në atë që Allahu ua jep kafshëve që të përfitojnë nga ai.(11)
Es Sabuni, njëri prej dijetarëve maturidi, e vërteton kuptimin, ashtu siç përshkruhet nga doktrinat e tyre se: “Rrizku është ai që e ha njeriu, qoftë e lejuar apo e ndaluar.”(12)
Në ndarjen e mendimit të Imam Eshariut, para gjithë këtyre, shfaqet se rrizku është më i gjerë sesa vetëm ajo që e ha kafsha ose ajo që Zoti e bëri ushqim për të dhe forcë për trupin e saj, për të, rrizku përfshirë atë që është e lejuar dhe e ndaluar, dhe se në secilën prej tyre ka ushqim, përveç disa nga llojet e rrizkut që Allahu ia jep njeriut.(13)
Imam Raziu në përkufizimin e rrizkut e vërteton kuptimin e aspektit etimologjik se ai është fat i njeriut dhe se është hise e tij, çfarë është e veçantë për të dhe jo për dikë tjetër. Ai thotë: “Disa kanë thënë: “Rrizku është çdo gjë që hahet apo përdoret”, kjo është e pavlefshme, ngase Allahu i Madhëruar na urdhëron të japim nga ajo që Allahu na ka furnizuar dhe thotë: “Dhe jepni nga ajo që Ne ju kemi dhënë juve.”(14), sikur të ishte rrizku nga ajo që hahet, nuk do të ishte mundësia e dhënies së saj.”(15)
Gjithashtu, ky e sheh se ka prej llojeve të rrizkut që nuk posedohen, ngase rrizku është më i përgjithshëm sesa ai që posedohet ose se ai që nuk posedohet. Ai është më i përgjithshëm se ai që hahet dhe që përdoret, dhe i kundërshton të gjithë ata që thonë se ai është që posedohet. Ai thotë: “Kjo është e pavlefshme, sepse njeriu mund të thotë: “O Zot, më furnizo me një fëmijë të mirë ose me një bashkëshorte të mirë, dhe se ai nuk e posedon as fëmijën e as bashkëshorten.”(16)
Imam Bejhekiu e vërteton se rrizku është më i përgjithshëm sesa ajo që e posedon, ajo me të cilën vepron, nga e cila jep, gjithashtu ai është ajo me të cilën ushqehet kafsha, që është e lejuar dhe ajo që është e ndaluar, ajo që e pinë fëmijët nga qumështi i nënave dhe që nuk e posedojnë atë, ajo që e hanë kafshët dhe që nuk ka qenë pronë e tyre, ngase fëmijët dhe kafshët nuk kanë mundësi posedimi, pronësimi, për ata rrizku është ai që i forcon dhe i lë të mbijetojnë.(17)
Imam Sharavi shton dhe thotë: “Ai është ajo që njeriu përfiton dhe se ky përfitim ka dy drejtime, përfitim material, me të cilin njeriu e ruan jetën e tij dhe përfitim moral, me të cilin njeriu e pasuron jetën e tij.”(18)
Nga këto përkufizime të elhi sunetit, vijmë në përfundim se rrizku është i përgjithshëm në gjithçka që Zoti ua jep krijesave ose kafshëve. Ne jemi fokusuar te njeriu, i cili është rob i ngarkuar me obligime, nga përfitimet që hahen dhe ato që nuk hahen, që futen nën pronësi ose që nuk futen, nëpërmjet lejueshmërisë pa përfitime ose me fitim dhe përpjekjes nëpërmjet shkaqeve, qoftë i mirë apo i keq, qoftë i lejueshëm apo i ndaluar, qoftë i kësaj bote apo i botës tjetër, qoftë financiar apo moral. Allahu i Madhëruar është krijues i gjithë kësaj dhe se Ai është Furnizuesi Absolut.


_____________________
1. Muhamed bin Mukrem ibën Mendhur “Lisanu el-arab” botimi 3, 1414h, Daru sadir, Bejrut, 10/115.
2. El Bekare, 3.
3. El-Kadi Abdulxhebar “Sherhul usuli el-hamse”, (korrigjoi: Abdulkerim Uthman), botimi3, 1996 m, Mektebetu vehbe, Kajro, fq. 784.
4. Ez Zumer, 62.
5. El Maide, 88.
6. El Bekare, 3.
7. Edh Dharijat, 22.
8. En Nexhm, 39.
9. Abdurrahman bin Ahmed el Ixhi, “El-Meaufiku fi ilmi kelami” (korrigjoi Muhamed El-Azazi), botimi1, 1971m, Darul-kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, fq. 320.
10. Ali bin Muhamed bin Ali el Xhurxhani “Et-tarifat”, botimi1, 1403h-1983m, Darul-kutub el-ilmijeh, Bejrut- - Liban, fq. 97.
11. Ali bin Muhamed bin Ali el Xhurxhani “Hashjetu esejid el Xhurxhani ala el keshafi li ez-Zehmasheri”, 1/132.
12. Nurudin es Sabuni “Kitabul bidajeti minel kifajeti fil hidajeti fi usuli dini” (korrigjoi: Fet’hullahi Halif ), botimi 1, 1969m, Darrul-mearif, Egjipt, fq. 131.
13. Ali bin Ismail el Esharij “Mekalatu el-islamijin” (korrigjoi: Muhamed Muhjidin Abdulhamid), botimi1, 1411h-1990 m, El-Mektebetu el-asrijeh, Sajda – Bejrut, 1/322.
14. Munafikun, 10.
15. Muhamed bin Umer bin el Hasen err Rrazi “Tefsirul Kebir”, 1/30.
16. Muhamed bin Umer bin el Hasen err Rrazi “Tefsirul Kebir”, 1/30.
17. El-Bejheki “El-Itikadu vel-hidajetu ila sebili rishadi ala medhhebi selefi ve as’habil-hadithi” (korrigjoi: Ahmed bin Ibrahim ebu el Ajnejn), botimi1, 1420h-1999 m, Darul-Fedileh, fq. 39.
18. Raxhih Abdulhamid dhe Salih El-Hatib “Mefhumi er-rrizk bejne el-mutezile ve ehli es-suneh”, fq. 144.



Enisa Bekteshi
Dituria Islame 362


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Arsim ef. Morina - Pjesë nga Kurani