Qabja, vend i shenjtë

Kur’ani është kozmos që flet, kozmosi është Kur’an që hesht! (Ibn Arebiu)

Kubi i zi në formë kutie është mjaft i njohur për njerëzit e të gjitha besimeve, për shkak të pamjeve që përcillen nga Arabia Saudite çdo vit gjatë kohës së kryerjes së haxhit. Zakonisht, kur njerëzit hasin këto pamje, gjithë vëmendja e tyre përqendrohet te kubi i zi që qarkohet nga mijëra mijëra adhurues të Zotit. Kjo është Qabja.

“Allahu e bëri Qaben, Shtëpinë e Shenjtë, një vend jetësimi (për çështje të fesë dhe të jetës) për njerëzit, për muajin e shenjtë dhe kurbanin...”(Kurani, 5:97)

Qabja është vend i shenjtë në fenë Islame, ndërkohë që kibla është drejtimi që myslimanët marrin kur i drejtohen ritit të faljes. Quhet Qabe, ngaqë ka një formë të tillë, fjal ka’b, në gjuhën arabe do të thotë kub. Ka raste që Qabja njihet edhe si El Beit, El Atik, apo shtëpi e lirisë. Profeti Muhamed ka thënë se i është vënë ky emër për shkak se Zoti e mbrojti Qaben nga rënia nën sundimin e tiranëve.(1)
Qabja është ndërtuar me gur graniti të sjellë nga kodrat pranë Mekës, ajo është 15 metra e lartë, ndërsa përmasat anësore 10.5 X 12m. Sot, Qabja është e mbuluar me një cohë mëndafshi të zi të zbukuruar me një shkrim të qendisur me fije të arta, që njihet ndryshe si Kisuah.
Në pjesën jugperëndimore të Qabes ndodhet një mur gjysëm-hark, që përfaqëson kufirin, ose siç njihet ndryshe el hatim. Hyrja për në Qabe mundësohet përmes një porte 2.13 metra të lartë, që ndodhet nga ana veri-lindore e murit. Brenda, dyshemeja është prej mermeri dhe muret janë të veshura po me mermer, deri në gjysëm lartësi.

Nga tradita profetike kemi mësuar se bashkëshortja e tij e dashur, Aishja, e ka pyetur për murin dhe derën. Ajo thotë: “E pyeta të Dërguarin e Zotit në lidhje me murin, nëse ishte pjesë e Qabes. Mora përgjigje pohuese. E pyeta më pas se përse nuk përfshihej në Qabe? M’u përgjigj se njerëzit e tu nxitojnë për t’iu kthyer punës. E pyeta: Po dera? Pse është kaq e lartë? M’u përgjigj se njerëzit mund të dilnin e të hynin kur të dëshironin. “Për shkak se njerëzit janë ende në hapat e para në Islam dhe janë ende më pranë kohës së paditurisë, druaj se do ata do të bënin pas, nëse do të më shkonte në mendje të përfshija murin në Qabe dhe ta sillja derën në nivel rrafsh me tokën.(2)
Ajetet kuranore janë shkruar në lastra të vendosura në brendësi të mermerit dhe pjesa e sipërme e murit të brendshëm është e veshur me cohë në ngjyrë të gjelbër dhe zbukuruar me shkrime të qëndisura me fije të arta. Llampadari është i varur në një shtyllë transversale, atje ndodhet edhe një tryezë e vogël për aromatizuesit. Kujdestarët e Qabes e parfumosin edhe mermerin e veshur me aromatizues vajor. I njëjti aromatizues përdoret për të vajosur edhe pjesën e jashtme të Gurit të Zi.
Guri i Zi, një gur i lashtë dhe i shenjtë, është i vendosur në pjesën lindore të Qabes, një metër e gjysmë mbi tokë. Profeti Muhamed ka thënë: “Guri i Zi ka zbritur nga Xheneti dhe ka qenë më i bardhë se qumështi, por gjynahet e bijve të Ademit e kanë bërë të zi”(3)
Studiuesit e Islamit ndajnë mendime të ndryshme se kush e ka ndërtuar Qaben. Disa thonë se është ndërtuar prej engjëjve. Të tjera janë të mendimit se babai i njerëzimit, Ademi (a.s.), është ai që ndërtoi Qaben, por pasi kaluan disa shekuj moskujdesjeje, ajo qe rrënuar, për shkak edhe të trazirave të kohës. Më pas u rindërtua nga Profeti Ibrahim (a.s.) dhe djali i tij Ismail (a.s.). Të gjithë bien në një mendje se Qabja është ndërtuar a rindërtuar nga Profeti Ibrahim (a.s.).
“Dhe (kujto) kur Ibrahimi dhe (djali i tij) Ismaili ngritën themelet e Shtëpisë (Qabes në Mekë), (duke thënë) “Zoti ynë! Prano(këtë shërbim) prej nesh. Me të vërtetë, Ju jeni i Gjithëdëgjueshmi, i Gjithëdijshmi”. (Kurani, 2:17)

Që nga ajo kohë, Qabja është rindërtuar disa herë. Nga amalekitët, fisi i Jurham-it, Qusayy ibn Kilaab, nga fisi i kurejshëve dhe disa herë të tjera pas shpërfaqjes së Islamit. Shkurt, përpara se të niste misioni i profetit Muhamed (a.s.), Qabja ishte e ndërtuar me gurë, pa çimento, dhe nuk ishte më e lartë se një bojë njeriu; njerëzit patën vjedhur thesaret nga Qabja, kështu që kurejshët vendosën ta rindërtojnë dhe t’i vënë çati.
Çdo fis mblodhi materiale ndërtimi dhe punuan së bashku deri sa erdhi koha që të vendosej në të edhe Guri i Zi. Për shkak të bujës që shkatoi vendosja e Gurit të Zi, argumentet shpërthyen sheshit. Abu Umaiyah ibn al Mugirah, një prej më të vjetërve në moshë, tha: “ O kurejshë, bini në një mendje për çka po sherroseni. Lereni të parin që do të vërë këmbë në këtë Portë, që të vendosë për çështjet tuaja”.


I pari që vuri këmbë në derë ishte Muhamedi, i njohur deri asokohe si al amin (besniku). Ai dha mendimin që ta vendosnin Gurin e Zi në një pelerinë, secili nga fiset të mbante një një cep të saj dhe fama do të shpërndahej njëtrajtësisht mes fiseve. Guri i Zi mbërriti në Qabe pikërisht në këtë mënyrë, dhe më pas, Muhamedi e vendosi gurin në vendin e tij. Qabja përbëhet nga katër qoshe. Së fundi, është mjaft e rëndësishme të kuptohet se myslimanët nuk adhurojnë Qaben apo çfarë gjendet rrotull saj. Ajo është thjesht një kibla, një drejtim të cilin marrin myslimanët për t’u falur. Prandaj edhe mbart kaq rëndësi.

Aisha Stacey
Përktheu: Zamir Gjurgji
kmsh



Referencat:

[1] At Tirmidhi
[2] Saheeh Muslim
[3] Ibid


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)