Robërit e Allahut nuk dëshmojnë rrejshëm

Sedat ef.Islami

“A t’ju rrëfej për mëkatet më të mëdha? Po, gjithsesi, o i Dërguari i Allahut- i thanë. Ato janë: T’i bësh ortak Allahut, të jesh arrogant ndaj prindërve, dhe tha: Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vërtet, para Kiametit do të ketë dëshmi të rrejshme, ndërsa ajo e vërteta do të fshihet”. Hz. Muhamedi a.s.

Besimtarë të nderuar!
Në pjesën e parë të ajetit të 72-të nga kaptina el-Furkan: “(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm ...”(El-Furkan,72).
Zakonisht, në ligjërata ky tipar shpjegohet bashkërisht me tiparin vijues, i përmendur po në këtë ajet, i cili ka të bëjë me ruajtjen e karakterit, por ne, duke e parë si shumë të rëndësishme që një ligjëratë komplete t’i kushtohet tiparit në fjalë, vendosëm që për tiparin tjetër të flasim në hytben e ardhme, inshaAllah. Arsyetim kemi paralajmërimin profetik, të regjistruar në Musnedin e Imam Ahmedit: “Vërtet, para Kiametit do të ketë dëshmi të rrejshme, ndërsa ajo e vërteta do të fshihet”.

Rëndësia e dëshmisë

Dëshmia është peshojë e dallimit të së vërtetës nga e kota, dhe mur që ndan akuzat e vërteta nga ato të pabaza. Dëshmia, siç e quajnë disa, është shpirt i të drejtave; Allahu i ngjalli njerëzit me shpirtra të pastër sikurse i ngjalli të drejtat me dëshmi të sinqertë. Dëshmia është domosdoshmëri për jetën shoqërore dhe mbarëvajtjen e saj. Shurejhu, një gjykatës i zoti nga gjeneratat e para, pati thënë: “Dispozita është sëmundje, ndërsa dëshmia shërim, andaj shërimin (ilaçin) hidhja sëmundjes”!
Bazuar në këtë, është obligim (farz) që dëshmia të jetë e vërtetë. Allahu ka thënë:”… dhe dëshminë zbatojeni për hir të All-llahut…“ (Et-Talak, 2).
E nga kjo, nuk është çudi të shohim se si Allahu, në kaptina të tjera, jashtë kësaj nga e cila po vjelim tiparet e besimtarëve të sinqertë, këtë tipar e radhit prej tipareve të besimdrejtëve: “Edhe ata që dëshminë e vet e zbatojnë (nuk e mohojnë, nuk e fshehin).” (El-Mearixh, 33).

Dëshmia e rrejshme, botëkuptimet dhe llojet e saj

Dëshmia e rrejshme është gënjeshtra e qëllimshme në dëshmi për të zhvleftësuar të vërtetën. Po kështu ka kuptimin edhe të fshehjes së dëshmisë për t’u zhvleftësuar e vërteta. Është lloj i rrezikshëm i gënjeshtrës që për synim ka qëllime jashtëzakonisht të ulëta. Kurtubiu e ka përkufizuar si: ‘Dëshmi të rrejshme për të
ardhur deri tek e kota, shkatërrim njeriu, marrje pasurie, lejim ndalese (harami) apo ndalim lejimi (hallalli) qoftë...’Të tjerë mendojnë se dëshmia e rrejshme nuk përkufizohet vetëm brenda këtyre, ajo nënkupton edhe pamjen e së keqes dhe heshtjen para saj apo pëlqimin – pajtimin me të. Dahhaku dhe Ibni Zejdi dëshminë e rrejshme e kanë kuptuar si politeizëm (shirk), Muxhahidi si këngë, Ibni Xhurejxhi si gënjeshtër apo festë të jomyslimanëve, Katadeja si ndenjje me karakter të keq, kurse Ibni Abbasi e sheh si shpifje ndaj Allahut dhe përgënjeshtrim të Tij.
Përgjithësisht, mund të thuhet se ez-zur (dëshmi e rrejshme) është përshkrimi i gjerave në anën e kundërt të tyre. Është gënjeshtër e kulluar, e cila improvizohet aq mirë, saqë duket sikur të jetë e vërtetë.

Citatet kuranore dhe profetike përkitazi me ndalimin e saj?

Allahu i Madhëruar, siç e përmendëm edhe në fillim, ka mohuar që dëshmia e rrejshme të jetë pjesë e identitetit të besimtarëve të sinqertë, që nënkupton se vetëm dyfytyrëshat veçohen për një veçori të tillë. Madje jo vetëm kaq, në Kuran, ky mëkat është përmendur paralelisht me politeizmin. Allahu ka thënë: “...pra, largohuni nga ndyrësitë e idhujve dhe largojuni fjalës shpifëse.” (El-Haxh,30).
E pikërisht këtu ishte mbështetja e Ibni Mes’udit kur pati deklaruar: “Dëshmia e rrejshme është baras me politeizmin”. Kjo ishte pa dyshim inspirim edhe për Pejgamberin, alejhi’s selam, që këtë mëkat ta radhiste ndër më të mëdhatë.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebi Bekrete: “Një ditë, derisa ishim tek Pejgamberi, a.s., tha: “A t’ju rrëfej për mëkatet më të mëdha? Po, gjithsesi, o i Dërguari i Allahut- i thanë. Ato janë –filloi Pejgamberi, a.s. me numërimin e tyre: T’i bësh ortak Allahut, të jesh arrogant ndaj prindërve, - sepse rrinte i mbështetur, u ul dhe tha: Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme. Vini re! Edhe dëshmia e rrejshme. E përsëriti aq –rrëfen transmetuesi- saqë thamë: Ah sikur të heshtte!”
Pejgamberi, a.s., përmendi edhe një detaj tjetër të dëshmisë së rrejshme. Në fakt, kjo është një pasojë e saj, e cila shkakton defekte në botën e adhurimit aq sa arrin t’i zhveshë nga shpërblimi adhurimet.
Buhariu transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë: “Kush nuk braktis dëshminë e rrejshme dhe veprimin sipas saj, ai nuk do të ketë shpërblim nga agjërimi, ngase Allahu nuk ka nevojë për askënd prej jush që ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij.”
Dijetarët janë munduar të numërojnë disa aspekte, që këtë mëkat e radhisin ndër më të mëdhatë:
- Gënjeshtra dhe shpifja, e Allahu ka thënë: “... S’ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon në rrugë atë që e tejkalon dhe është rrenës”. (Gafir, 28).
-I ka bërë padrejtësi atij që ka dëshmuar rrejshëm kundër tij.-I ka bërë dëm dhe atij në favor të të cilit ka dëshmuar, ngase i ka sjellë diç që në fakt nuk është e tij. Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë: “Nëse dikujt (për shkak të dëshmisë së rrejshme) i kam ndarë diçka nga e drejta e vëllait të tij, atëherë le të mos e marrë, ngase kështu i ndaj një pjesë në zjarr!” Buhariu.
Ka lejuar diç qe Allahu e ka ndaluar. Shfajësimin e kriminelëve dhe mëkatarëve nëpërmjet dëshmisë së tij të rrejshme. Devijimin e gjykatësve nga e vërteta dhe shkaktimin e gjykimit të kotë.
Pejgamberi, alejhi’s selam, në pjesën e parë të hadithit që sapo cituam: thotë: “Vërtet, unë jam njeri dhe ju paraqitni ankesat tuaja tek unë, kështu që ndodh
që ndonjëri prej jush të jetë më argumentues se tjetri dhe, rrjedhimisht, edhe unë të gjykoj sipas asaj që dëgjoj...”.

Shkaqet e dëshmisë së rrejshme

Mendoj se do të bënim mirë sikur të mësonim edhe për disa nga shkaqet që çojnë në dëshminë e rrejshme. Së pari, dobësia e besimit, sepse përndryshe, besimtari i sinqertë vëllait ia do atë që do për vete dhe nuk mund të imagjinohet që të dëshmojë rrejshëm kundër tij. Së dyti, zilia, e cila e “detyron” njeriun që t’i bëjë keq tjetrit me çdo kusht, e në këtë rast edhe të dëshmojë rrejshëm kundër tij. Së treti, afërsia, e cila njeriun e shtyn ta përkrahë verbërisht të afërmin, ani pse ai nuk është me të vërtetën. Kjo nuk bën të jetë pjesë identifikuese e besimtarit, ngase ai e thotë të vërtetën pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë. Së katërti, interesi material që realizojnë për një dëshmi të rrejshme.

Vëllezër të nderuar!
Do të doja që në ndarje, porosi të marrim Fjalën e Allahut, e cila përmbledh tërë çështjen rrjedhshëm dhe shumë qartë. (Shih:En-Nisa,35).
Pra, le të mos na shtyjë asgjë të dëshmojmë rrejshëm, le të kemi parasysh se e tërë ajo që bëjmë, nuk i fshihet Allahut dhe se një ditë, kur nuk do të mund të përmirësojmë gabimet më dhe as që do të vlejë pendimi, do të japim llogari për gjëra të mëdha dhe për gjëra të vogla. Atë ditë, edhe sikur e gjithë pasuria e botës të jetë në duart tona, nuk do të bëjë dobi. Atë ditë, vetëm zemra e pastër dhe vepra e mirë, e prej tyre pa dyshim edhe dëshmia e vërtetë, do të bëjnë dobi!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi