Pozita, roli dhe të drejtat e femrës në shoqëri dhe në Fenë Islame

Fjala e Kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës në tryezën shkencore me temën “Roli i Islamit në parandalimin e dhunës në bazë gjinore”.

Të flasësh dhe të bësh një përshëndetje në një tryezë që për temë diskutimi ka parandalimin e dhunës në bazë gjinore është një nder dhe privilegj, mirëpo për kohën në të cilën jetojmë është edhe përgjegjësi e cila i takon çdo pjesëtari të shoqërisë Kosovare.
Kjo për faktin se pozita, roli dhe të drejtat e femrës në shoqëri dhe në Fenë Islame në veçanti është si një temë debati e cila shtjellohet, elaborohet në tryeza, forume, seminare të ndryshme.
Do të mundohemi që në këto minuta nga pozita e Kryetarit te Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë dhe profili i një teologu të paraqesë konsideratën më të lartë për pozitën të cilën femra gëzon dhe e ka në Fenë Islame ku do të shohim qartë se Islami i jep gruas pozitë të lartë në shoqëri duke i ofruar asaj barazinë, lirinë të drejtën në emancipim, edukim, arsimim dhe trashëgim.

Pozita e gruas në Kur’an
Të diskutosh për pozitën e gruas ne Fenë Islame pa shfletuar dhe konsultuar literaturën fetare burimore është një sulm që i behet jo vetëm Islamit si Fe Qiellore mirëpo është edhe një sulm dhe diskriminim që i behet gjinisë femërore.
Islami si Fe obligon barazinë e të drejtave, përgjegjësive dhe detyrave të dy gjinive sepse Islami si Fe bazohet në dashuri tolerance dhe respekt për njeriun pavarësisht gjinisë.
Kur diskutojmë për këtë barazi shohim se njëra nga mrekullitë e shumta të Kur’anit është edhe mrekullia numërike në Kur’an, ku termin burrë e gjejmë të përmendur 24 herë po aq herë është i përmendur edhe termi grua.
Femra në Kur’an ka një pozitë të veçantë, ku kemi një kaptinë të tërë e cila quhet Nisa, kaptina për femrën. Kemi kaptinën Merjem, me emrin e nënës së Isasë a.s
Kur jemi te detyrat dhe obligimet, Allahu në Kur’an na bënë të qartë se detyrat, obligimet dhe përgjegjësitë e grave janë të njëjta me ato të burrave për më tepër gjatë kryerjes së këtyre obligimeve burrat dhe gratë duhet të ndihmojnë dhe mbështesin njeri tjetrin.
Zoti i Madhërishëm thekson se besimtarët do të shpërblehen në të njëjtën mënyrë për veprat e tyre pavarësisht nga gjinia. CITOJ
“Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qofte apo femër.” (Ali-Imran: 195)
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahel: 97)
Në Kur'an gjenden edhe shumë citate të tjera që shprehin qartë se burrat dhe gratë janë ekzaktësisht të barabartë në lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, dhe gjithashtu edhe në shpërblimet apo dënimet e tyre. Ka disa dallime të cilat shërbejnë për mbrojtjen dhe prehjen e gruas. Kur’ani merr parasysh dallimet fizike mes dy gjinive që janë rezultat nga krijimi i tyre.
Në lidhje me martesën, detyrat dhe përgjegjësitë e çiftit ndaj njëri-tjetrit kërkojnë barazi. Zoti kërkon që të dy bashkëshortët të jenë mbrojtës dhe mbikëqyrës të njëri-tjetrit. Kjo shprehet kështu në Kur'an:
Ato (gratë) janë prehje (mbulesë) për ju dhe ju jeni prehje (mbulesë) për to. (El Bekare: 187)
Shumë rregulla e urdhëresa, në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të gruas për martesë gjenden, në Kur'an. Kështu martesa ne Islam bazohet në dëshirën e lirë të të dy palëve, ku burri duhet të ofrojë mbështetje ekonomike për gruan e tij.

Emancipimi i gruas me ardhjen e Islamit
Islami solli vendosjen e drejtësisë në marrëdhëniet burrë-grua dhe i dha fund praktikave të dëmshme që rridhnin nga zakonet dhe traditat e shoqërive para-Islamike kur në ato shoqëri gruaja nuk ishte subjekt që të luan rolin e saj, por ishte objekt i sulmit, vrasjes, nënçmimit dhunimit, persekutimit etj.
Për këtë Ana King, një muslimane e konvertuar në Islam, shpjegon emancipimin e grave me ardhjen e Islamit si vijon:
Së pari, Islami i dha grave të drejta në një kohë kur gratë nuk ishin asgjë tjetër veçse pronë e burrit. Islami i dha grave të drejtë të blejnë e të shesin vetë, të kenë bizneset e tyre dhe të shprehin pikëpamjet e tyre politike. Po ashtu Islami e inkurajoi gruan të studiojë dhe të marrë dituri Islame, duke thyer kështu një nga ndalesat që kishin vënë fetë tjera të cilat i ndalonin gratë të merrnin dituri fetare as edhe t'i preknin tekstet fetare. Islami i dha fund praktikës kur gruaja martohej pa pëlqimin e saj. Ndaj, dikush duhet të jetë tepër kokëfortë të refuzojë faktet dhe provat se Islami me të vërtetë ishte çliruesi i parë i gruas.
Tendencat që shihen përsëri sot për ta trajtuar femrën me inferioritet e cila nuk ka të drejtë të arsimohet dhe duhet të veçohet totalisht nga shoqëria vetëm për shkak të bindjes së saj fetare është edhe një krim në vete.


Përfundim

Në përfundim mund të themi se mentaliteti që i përbuz gratë, i përjashton ato nga shoqëria dhe i konsideron ato si qytetarë të shkallës së dytë është vetëm një zakon i mbrapshtë pagan (jo-fetar), i cili nuk ka vend në Islam.
Prandaj është ë pamundur për një musliman që të tregohet fanatik me gratë. Në një shoqëri ku praktikohen normat e vërteta morale Islame, grave i tregohet respekt dhe simpati e pamasë, dhe atyre u sigurohet të jetojnë në liri dhe rehati.
Dua te përfundoj me një thënie të myftiut Naim Tërnava: “Femra është gjysma e shoqërisë, por është edhe nëna e gjysmës tjetër të shoqërisë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram