Hafiz Rushid Emra (1861-1940)

Hafiz Rushid Emra është djali i Ali efendi Emrës, lindi në Gjakovë, në mëhallën e “Haxhi Ymerit” në vitin 1861.

Rrjedhë prej një familje të njohur gjakovare që ka dhënë burra të shquar, intelektual të dalluar, trima të kulluar, si Qazim Emra, kapiten, oficer i ushtrisë shqiptare me Akademi Ushtarake të Romës, Latif Emra, një nga mësuesit e parë të Gjakovës, Tahir Emra, Bedri Emra, piktor të njohur, Elton (Gëzim) Zherka, dëshmori i UÇK- që ra në Junik më 1998, është nip i familjes Emra. Eltoni, nip i kësaj familje, ra si trim me trimat si Bekim Berisha apo “Abeja” një luftëtar i sprovuar në luftime në Kroaci), Permet Vula dhe Bedri Shala......
Rushid Emra mësimet fillestare i kreu në mejtepin e xhamisë së “Haxhi Ymerit”, i vazhdoi në Medresenë e Vogël, ku kreu edhe hivzin në moshën 16 vjeçare.
Mësimet e larta i vazhdoi në Shkup në shkollën e njohur “Dar-ul Mualiminë”, ku edhe diplomoi. U kthye në vendlindje, në Gjakovë, në mëhallën e “Haxhi Ymerit”, ku filloi shërbimin që në moshën 20 vjeçare.
Shërbeu si imam, mësues e predikues në xhaminë e “Haxhi Ymerit”, e cila pas xhamisë së Hadumit, të xhamisë të Kryepazarit, është xhamia më e vjetër në qytetin e Gjakovës, themeluar në vitin 1743.
Përballë xhamisë së “Haxhi Ymerit” ishte mejtepi, që ishte një nga mejtepet më të bukura të Gjakovës, dallohej ky mejtep edhe për nga veprimtaria, ishte i mbushur përplot me nxënës, në veçanti në kohën kur shërbeu Hafiz Rushid Emra gjatë viteve 1900-1940. Këtu, ndër nxënësit e shumtë që nga Hafiz Rushid Emra morën mësimet e para po veçojmë dy, të cilët u bënë figura të shquara, personalitete të veçanta:
Imam Beqir Maloku (1894-1985), nxënës i Hafiz Rushidit gjatë Mbretërisë së ish-Jugosllavisë, (1918-1941), e cila në fillim quhej Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, përveç detyrave zyrtare në Gjakovë, është marrë edhe me veprimtari shoqërore-kulturore. Ka qenë themeluesi i Bibliotekës në Gjakovë, ndërsa librat e revistat në gjuhën shqipe, të botueme në Shqipëri, të cilat ishin të ndaluara, iu jepte vetëm lexuesve të besueshëm dhe ato libra e revista i mbante në fshehtësi në një shtëpi…
Ka qenë një nga themeluesit dhe udhëheqës i shoqatës bamirëse-kulturore “Gajret”, e cila ishte e regjistruar si degë e Sarajevës, por që zhvilloi një veprimtari, me shumë dobi, duke qenë në pushtim, në robëri…
Në kohën kur komunistët e morën pushtetin, në nëntor të vitit 1944, u largue nga Gjakova, Kosova, dhe jetoi në Austri, Gjermani, Itali, në Egjipt, Liban, Siri dhe Turqi, ku punoi si sekretar pranë një avokati të njohur… Më vonë, në vitin 1958, nga Turqia kaloi në Itali, ku u vendos në kryeqytet, në Rromë, aty ka shërbye si Imam i shoqatës “Unione Islamico in Occidente” (Bashkimi Islamik në Perëndim). Përveç veprimtarisë fetare-atdhetare, që e kryente me përkushtim, me devotshmëri, Imam Beqir Maloki është marrë edhe me krijimtari. Ka shkrue, ka botue disa punime, të cilat janë publikue në shtypin e mërgimit, rreth çështjeve historike dhe në vitet e fundit të jetës ka botue edhe dy libra. Ka botue librin me kujtime, me titullin: “Kujtim brezit të ri”, botue në Rromë, 1978, ndërsa në vitin 1982, botoi librin: “Disa ajete të Kur’anit me shpjegime”.
Prof. Selman Riza (1909-1988) nxënës i Hafiz Rushidit, në Universitetin e Tuluzës në Francë, brenda tri vjetësh kreu dy fakultete! Gjatë viteve 1932-1935 mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Franceze dhe Fakultetin e Drejtësisë...
Vepra shkencore e Prof. Selam Rizës shtrihet në shumë fusha, në shumë lëmi, siç janë gramatika, tekstologjia, terminologjia, kritika gjuhësore, historia e gjuhës, gjuhësia e përgjithshme, gjuha letrare etj.
Si arriti të shtrijë veprimtarinë e tij në gjitha këto lëmi? E ka thënë vetë, me modesti: “Unë nuk jam talent, por unë jam punë”!
Puna, veprimtaria e tij shkencore u ndërpre nga rrethanat politike shoqërore. Në periudhën e “Revolucionit Kulturor”, që u zhvillue nën diktaturën komuniste, Shqipëria pësojë shumë...Pësoi edhe Prof. Selman Riza, e largojnë nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, si “mbeturinë borgjeze” dhe e çojnë si ciceron në Muzeun e Beratit e prej Muzeut e çojnë në Bibliotekën e Qytetit, po në Berat dhe në vitin 1970 e largojnë krejt, duke e qitur në pension të parakohshëm...
Në pension të parakohshëm Prof. Selam Riza jetoi në Tiranë, por nën mbikqyrje të sigurimit, ku ju ndalue veprimtaria shkencore në këtë jetë, nuk e lejonin as të merrte libra në bibliotekë...!
Nuk u lejue as të mbahej një fjalim në ditën e varrosjes, me 16 shkurt 1988, por aty e theu ndalesën e kobshme komuniste, në çastin e fundit, Prof. Aleks Buda, Kryetari i Akademisë, por mbas tij foli edhe dr. Behxhet Reso, i cili ishte i revoltuem nga heshtja zyrtare dhe shpërtheu duke thanë:
“Ç’po ndodh kështu?! Kë po varrosim?! Nuk mund të ndahemi kështu nga Selman Riza. Ai nuk është vetëm një gjuhëtar në zë, por në radhë të parë, një patriot i shquar, idealet e të cilit janë edhe sot flamur i shqiptarizmit në Kosovë”.
I përndjekur nga pushteti fashist italian, nga komunistët jugosllavë dhe nga pushteti komunist në Shqipëri, Prof. Selman Riza ia doli të botonte disa vepra shkencore: “Tri monografina albanologjike, Tiranë, 1944 “Fillimet e gjuhësisë shqiptare, Prishtinë, 1952 “Gramatika e sërbokroatishtes”, Prishtinë, 1952 “Diftorët e shqipes, Prishtinë, 1953 “Pronoret e shqipes”, Tiranë, 1958 “Pesë autorët më të vjetër të shqipes”, Tiranë, 1960 “Emrat në shqipen”, Tiranë, 1964 etj.
Në Kosovë, që në vitin 1979, është botuar nga “Rilindja” Redaksia e botimeve, në Prishtinë, vepra e Prof. Selman Rizës me titull: STUDIME ALBANISTIKE 1 (Pjesa e Parë), që ka 478 faqe...
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nxorri të dritë katër vëllime me Veprat ( me mbi 2400 faqe, 1996-2004) ku janë përfshirë edhe dorëshkrime që ja gjetur...
Kjo vepër shkencore është vepër përmendore, sepse në historinë e albanologjisë ze një vend të rëndësishëm dhe kjo, përveç tjerash, e bën Prof. Selman Rizën shkencëtar të madhërishëm....
Hafiz Rushid Emra ishte një hoxhë i ditur, i ndritur, i dashur, i respektuar jo vetëm në qytetin e Gjakovës, por i respektuar në çdo qytet të Kosovës. Organet shtetërore-qendrore në Beograd e përcillnin veprimtarinë e hoxhallarëve shqiptarë, në veçanti edhe të Hafiz Rushidit. Pas vitit 1929, e kishin emëruar si Dërzhavni Imam (Imam shtetëror apo kryeimam për Gjakovë me një rrogë të madhe. Kur zyrtarët e kohës e njoftuan për vendimin që kishte arritur nga Beogradi, hoxha, hafiz Rushid Emra, me këmbëngulje, nuk pranoi! Në atë kohë, hoxha i shkretë nuk kishte as shtëpi, banonte me qera! Refuzimi i tij ndaj vendimit të Beogradit bëri jehonë në qytetin e Gjakovës, në veçanti në xhematin e tij.
Qëndrimi i hoxhës kundër Beogradit, në sytë e popullit, ia rriti edhe më shumë respektin, autoritetin, kështu brenda javës burrat e mëhallës të “Haxhi Ymerit” nga familjet e njohura Nagavci, Duraku, Krypa, Kusari, Gjoshi, Baraku, Hasimja, etj. me parat e tyre ia blenë hoxhës një shtëpi afër Xhamisë së “Haxhi Ymerit”, ku jetoi deri sa ndrroi jetë në vitin 1940.


Shkoqitur nga libri Hafizët e Gjakovës-Krenaria e Kosovës
Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.