Çfarë do të thotë shehadeti

Përkatësia në Islam konfirmohet me shprehjen e shehadetit, "Esh-hedu en la ilahe il-lallallah ve esh-hedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu", që do të thotë: "Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi s.a.v.s. është rob dhe i Dërguari i Zotit."

Si rezultat i konfirmimit të kësaj të vërtete, ndër të tjera është se gjaku, prona dhe nderi i atij i cili e thotë këtë dëshmi është për t’u respektuar në shoqërinë e besimtarëve musliman.
Ja provat:
- "Besimtari është ai prej të cilit njerëzit janë të sigurt për jetën dhe pronën e tyre." (Tirmidhiu)
- "Nuk ka iman (besim) ai që nuk ka besim, nuk ka fe ai që nuk i përmbahet premtimit." (Ahmedi)
- Ibni Maxhe shënon duke cituar Amr ibn el-Asin: "E pashë Pejgamberin s.a.v.s. duke bërë tavaf rreth Qabesë dhe thoshte: "Sa e bukur që je dhe sa e bukur është aroma jote. Sa je madhështore dhe sa i lartë është vendi yt te Allahu. Pasha Allahun e Madhërishëm, nderi i besimtarit te Allahu është më i madh se nderi yt, oj Qabe. Pasuria e tij, gjaku i tij, dhe të mos të mendohet ndryshe vetëm mirë. Pasha Allahun, prishja e Qabesë, gur për gur, është mëkat më i vogël te Allahu se të fyesh nderin e mu'minit – besimtarit apo derdhja e gjakut të tij."
Pejgamberi a.s. e ka përmend në fillim të fjalimit të famshëm në Haxhin lamtumirës në Arafat, ku i drejtohet tubimit të madh të besimtarëve, ndër të tjera:
"O ju besimtar, keni frikë Allahun xh.sh. bëhuni human dhe të drejtë mes vete dhe ndaj të tjerëve. O njerëz, jeta juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj le të jenë të shenjtë dhe të pacenueshme, siç është për të gjithë neve i lartësuar dhe i shenjtë ky muaj, kjo ditë dhe ky vend Arafati, ku jemi, deri sa të takoheni me Zotin tuaj. "
Kam nevojë që në hytben e sotme t’ju kujtoj juve dhe vetes këto fakte, në këto përmbajtje, sepse, sa po shoh, dëgjoj dhe lexoj, një pjesë e madhe prej nesh, sot sikur ka harruar përmbajtjen e shehadetit dhe obligimet ndaj tij.
Pranimi i Islamit nuk është vetëm individualisht, me pranimin e Islamit ne hyjmë në bashkësinë e muslimanëve, e çdo hyrje në bashkësi, çdo anëtarësim në komunitet, bart me vete rregullat dhe obligimet e caktuara. Kur njeriu anëtarësohet në shoqatën e peshkimit ose në shoqatën e gjuetarëve, me hyrjen në atë shoqatë nënshkruan se do t'i përmbahet rregullave të asaj shoqate ose aleance. Kur njeriu punësohet në ndonjë kompani, jo rrallë nënshkruan dokumentet në të cilat detyrohet t’i mbroj interesat dhe pasurinë e kompanisë, se do t’i ruaj sekretet dhe operacionet e kompanisë dhe se nuk do ndërmarr asnjë veprim që do të shkaktojë dëm për kolektivin dhe kompaninë.
Shtrohet pyetja, si, në çfarë mënyre, në çfarë mase dhe në çfarë doze të kujdesit e kuptojmë shqiptimin e shehadetit tonë dhe hyrjen në komunitetin – bashkësinë e besimtarëve?
Për fat të keq, fërkimet mes besimtarëve janë të shumta. Mjafton vetëm një mosmarrëveshje - mospajtim në mendim dhe të vijë deri te konflikti, fajësimi, ndërprerja e marrëdhënieve, moskomunikimi mes veti, e deri te të ashtuquajturat forma ekstreme të sektarizmit dhe të ngjashme. I nxitur nga këto mendime përsëri mora biografinë e Pejgamberit s.a.v.s., dhe e lexova. Në këto net të gjata ka kohë për të lexuar dhe duhet shfrytëzuar.
A kanë menduar të gjithë muslimanët në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. për të gjitha çështjet njëlloj? Jo, nuk kanë menduar! Kjo, mendoj se është e pamundur. Por, a janë ngatërruar – acaruar mes veti, a janë ndarë në grupe dhe parti? Jo nuk janë ndarë. E përse e bëjmë këtë ne sot, përse ne sot nuk kemi respekt për institucionin? Një nga arsyet është mungesa e vetëdijes për kuptimin dhe përmbajtjen e këtyre parimeve themelore të besimit, siç është shehadeti.
Në mesin e fjalëve të urta popullore gjejmë edhe një të tillë që thotë: „Ai i cili ka mungesë të njohurive, vrapon në çdo vend për t’u treguar të gjithëve atë që di“. Ata që kanë njohuri të drejtë, ata nuk përfshihen në diskutime – debate pa arsye dhe motive të duhura, ata, zakonisht, në të shumtën e rasteve heshtin. Kjo është e ngjashme si kutia e shkrepëses. Kur në të ka disa fije dhe e shkundë atë, ajo bënë zhurmë, por kur është e plotë, pa marrë parasysh kah do që ta kthehesh, nuk do të dëgjosh asgjë. Ata që janë plot dije dhe dituri, ata janë si kutia plotë fije.
Sjellja jonë bënë pjesë në fushën e ahlakut - moralit. Ahlaku – morali është disiplinë e veçantë për të cilën sot mësohet në shkollat fetare, në shkollat tjera ajo quhet etikë, e definuar si shkencë e moralit. Por, ajo që është e rëndësishme për të kuptuar dhe vazhdimisht për të mbajtur në mend, ahlaku - morali nuk është teori, morali është praktikë. Nëse pronari i një firme ndërtimi i rreshton punëtorët e tij, muratorët, marangozët ... dhe një muaj, për çdo ditë iu mbanë ligjërata për ndërtimtarinë, i pyet dhe i vlerëson në nivelin e njohurive që i kanë mësuar nga ligjëratat e tij, a do të mbijetojë ajo kompani e tillë? A do të fitojë ndonjë gjë? Jo. Do të zhduket, do të falimentoi. Përse? Për shkak se ato kompani fitojnë dhe paguhen për punën e tyre të kryer, ndërtesën e ngritur, rrugën e ndërtuar etj.
Sot është trend leximi i librave islame. Po ashtu është trend edhe kërkimi i gabimeve tek të tjerët dhe pastaj të njëjtëve për ato gabime t’ua lexojmë hadithet e Pejgamberit s.a.v.s.? Por, në çfarë mënyre bëhet kjo. Më së shpeshti në formën për të fyer personin të cilit i atribuohet, e në të njëjtën kohë përpiqemi për ta ngritur veten në shoqërinë në të cilën ne e bëjmë këtë. Kemi numër të madh të dijetarëve të fesë, por kemi numër të vogël të praktikantëve të vërtetë. E përmendim Pejgamberin s.a.v.s. dhe në të njëjtën kohë e largojmë nga mendja butësinë dhe natyrshmërinë e tij. Allahu xh.sh, Pejgamberin s.a.v.s. e përshkruan në këtë mënyrë: „Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit! (El-Kalem, 4).
Në një nga ajetet e Kur'anit duke e përshkruar Pejgamberin s.a.v.s. thuhet: „Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndejshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët“. (Tevba, 128)
Në një vend tjetër Kur‘ani e përshkruan si krijesën më të veçantë të Zotit, ku thuhet: „E ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat“. (Enbija, 107).
Historianët thonë se i Dërguari i Zotit s.a.v.s. ndaj njerëzve të thjeshtë gjithmonë është sjell në mënyrë fisnike. Kurrë nuk i ka keqtrajtuar apo kurrë nuk është sjell në mënyrë të pa përshtatshme ndaj dikujt, e shumë lehtë ka kaluar nëpër gabimet e të tjerëve. Nuk ka ndier keqdashje ndaj askujt, askujt nuk i është hakmarrë dhe ka propozuar faljen dhe faljen e hakmarrjes.
Aliu r.a.transmeton: "Cilit do prej vëllezërve në besim i cili nuk do ta vizitonte më shumë se tri ditë, ai do ta kërkonte. Nëse do të mungonte apo ishte në udhëtim, do të lutej për të, e nëse ishte i pranishëm dhe në qytet, nxitonte për ta vizituar, e në qoftë se ky i fundit ishte i sëmurët do ta vizitonte.
Në betejën e Uhudit politeistët mekas u sollën brutalisht. Edhe pas shehidllëkut të Hamzës r.a., trupin e tij e përdhosën dhe e copëtuan copa- copa. Përkundër atyre sjelljeve, Pejgamberi s.a.v.s. pas pushtimit të Mekës, në kohën kur jobesimtarët e Mekës prisnin hakmarrjen tha: "Sot është dita e mëshirës!
Disa herë, disa prej sahabëve kërkuan nga ai që t‘i mallkoj jobesimtarët, e ai u përgjigj, "Unë nuk erdha për të mallkuar, por jam dërguar si mëshirë. Ai u lut për njerëzit dhe kërkoi nga Allahu xh.sh. që t’i udhëzoi.
Të dashur vëllezër, ne shohim se përkatësia jonë fetare do të thotë përkatësi në një komunitet besimtarësh. Në kuadër të këtij komuniteti, ne duhet të veprojnë me përgjegjësi. Ne nuk guxojmë t’ia lejojmë vetvetes të flasim shumë fjalë e të mos punojmë asnjë punë konkrete. Nuk ka kuptim që t’i bëjmë zullum njëri-tjetrit, e t’i përmendim hadithet e Pejgamberit s.a.v.s., duke hulumtuar në gabimet e të tjerëve, e t’i anashkalojmë tonat, t‘i bartim fjalët e të tjerëve, e dhikrin ta lëmë anash, me pretekst – arsyetim se nuk kemi kohë për të.
Rrethanat e jetës, natyrisht, sjellin sprova, Allahu xh.sh.thotë: "O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet All-llahu është me durimtarët". (El-Bekare, 153)
Dikujt disa pikëpamje i duken më të afërta, të tjerëve disa të tjera, por le të fillojmë nga fakti se ne jemi besimtarë, le të jetë kjo primare. Mos t’ia lejojmë vetvetes, brenda vëllazërisë islame që vëllai ynë në saf, krah për krah me ne në namaz, të jetë më larg se sa dikush që është sot në treg , përderisa ne e falim namazin e xhumasë. Mos t’ia lejojmë vetvetes që fqinji ynë i parë të na duket larg. Ndoshta fqinji është i papërshtatshëm, por më parë të pyesim veten se sa kemi bërë ne për të qenë ai i përshtatshëm. Nëse, edhe nuk mund ta ndryshojmë, mund ta shfrytëzojmë këtë, duke e toleruar që ai, sido që të jetë, të jetë arsyeja për shoqërim me Allahun xh.sh., sepse Allahu xh.sh. është me ata që janë të durueshëm. Kur dikush na dërgon te një mjek i mirë dhe pastaj shërohemi, i jemi mirënjohës njeriut i cili na ka dërguar. Nuk ka asnjë arsye që këtë formë mirënjohëse të mos e ushtrojmë dhe ndaj atyre të cilët kërkojnë nga ne durim – sabër dhe me këtë na ofrojnë afër Allahut xh.sh.
Namazin e ruan dhe e forcon sabri - durimi. Durimi është një pemë që ujitet me ujin e namazit, e trupi është ajo që mbetet gjallë dhe i lëvizshëm me ndihmën e namazit. Të gjitha fjalët në namaz dhe të gjitha veprimet në të shkaktojnë rezistencë dhe qëndrueshmëri, në qoftë namazin e shikojmë me këta sy, do ta fitojmë një pamje të re të namazit, e cila është shumë e këndshme dhe tërheqëse. E në çdo namaz me leximin e Fatihasë ne dëshmojmë se: „Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë dhe falje kërkojmë“!
Pra, unë mendoj, se për problemet që kemi në shoqëri, për përçarjet mes veti duhet të kërkojmë ndihmën e Allahut xh.sh. Udhëzimet për të kërkuar ndihmë janë në Kur'anin e shenjtë, e shërimi është në zbatimin e tyre. Urdhri i namazit është recetë, kurse medikamentet janë kryerja e namazeve tona. Urdhri i durimit – sabrit është recetë, por receta nuk e ka shëruar askënd, mund ta lidhësh rreth vendit të dhimbjes sa të duash, nuk ka lehtësim derisa nuk merret medikamenti, derisa receta nuk zbatohet në vepër. E lusim Allahu të na udhëzojë në rrugën e drejtë! Amin!



Hatib Esad ef.Bajiq
Përshtati: Esat ef.Rexha

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.