Rini, mos e lini vendin!

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit, Krijuesit dhe Sunduesit të kësaj gjithësie. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s., mbi familjen e shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët në çdo vend dhe kohë.

Të nderuar vëllezër,
Të gjitha sprovat që na godasin duhet t’i shfrytëzojmë për t’u bërë më të mirë dhe më të dashur tek Allahu i Madhëruar. Nëpërmjet sprovave njeriu fisnikërohet, ngritet dhe forcohet. Nuk duhet lejuar që problemet e dynjasë, çfarëdo qofshin ato, të na luhasin nga rruga e drejtë, nga rruga e adhurimit të Allahut, duke u përpjekur që të luajmë rolin përmirësues në këtë botë. Besimtari duhet të pozicionohet gjithnjë kundër dukurive negative në shoqëri, kontributi i tij duhet të jetë në shërbim të përparimit, zhvillimit dhe përmirësimit të gjendjes së gjithëmbarshme.
Një dukuri e cila kohëve të fundit ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në shoqërinë tonë, është fluksi i madh i popullatës, e sidomos të rinjve, që po marrin rrugën e daljes jashtë vendit duke i synuar vendet e ndryshme të Evropës. Kjo gjë është shqetësuese ngase ndikon negativisht në çdo aspekt të përparimit dhe zhvillimit të vendit tonë, jep porosi shumë zhgënjyese dhe njëkohësisht njerëzit i ven në sprovë të rëndë duke i ekspozuar ata para rreziqeve të ndryshme. Kjo dukuri e dëmton rëndë të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë, ndërsa edhe përgjegjësia para Allahut është e madhe.
Jemi të vetëdijshëm se krizat dhe problemet e natyrave të ndryshme që e kanë pllakosur vendin tonë, e vështirësojnë jetën e qytetarit, por cila është përgjegjësia dhe cili është roli i besimtarit në këtë situatë?
Lidhur me rolin e njeriut në këtë botë, e detyrimisht ky është edhe obligim i besimtarit, Allahu i Madhëruar thotë: “Unë do të bëj në Tokë një mëkëmbës...” (El-Bekare, 30). Do të duhej të kuptojmë se roli i besimtarit, është të bëjë punë të mira dhe të angazhohet që çdo ditë që vjen të jetë më e mirë se ajo paraprake, çdo rrethanë të vie më në favor të njeriut se ajo ekzistuese. E gjithë kjo nuk ka mundësi të arrihet pa e kuptuar se është obligim personal i secilit individ, i secilit besimtar që të japë mundin dhe angazhimin maksimal për të pakësuar dukuritë negative në shoqëri dhe për të promovuar vlerat dhe zhvillimin. Kësisoj, mbetet obligim i secilit besimtar që të përballet me sfidat dhe problemet ekzistuese dhe të merret me zgjidhjen e tyre, ndërsa shmangia, ikja dhe braktisja e vendit, kurrën e kurrës nuk ka qenë alternativë, së paku, jo për aq sa na mëson Islami.
Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Unë dëshiroj të bëj përmirësim për aq sa kam mundësi, ndërsa suksesi im varet nga Allahu…” (Hud, 88)
Të nderuar besimtarë,
Në ditët më të vështira nëpër të cilat kaloi vendi ynë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe të gjithë hoxhallarët nga minberet e tyre, ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje për të dhënë kontributin në mbrojtjen e vendit nga agresioni. Si rrjedhojë e ndjenjave patriotike, atdhedashëse, shumë të rinj, bij e bija, burra e gra, iu përgjigjën kushtrimit, duke mos kursyer edhe më të shtrenjtën që kishin, e ajo është jeta. Kjo ndjenjë e gatishmërisë sublime për të dhënë më të dashurën në mbrojtjen e vendit, sikur humbi dhe u tret në ditët e pasluftës. Shumëkush prej nesh, me një dozë zhgënjimi, filloi të mendonte se si të arratisej nga realiteti i krijuar pas luftës. Dukuritë e shumta negative dhe pakënaqësitë e ndryshme sikur na bënë që të heqim dorë nga atdhedashuria dhe patriotizmi. Një pyetje duhet t’ia bëjmë vetes: a thua ky vend i yni, nuk ka nevojë më që të gjithë së bashku të punojmë për zhvillimin, përparimin e tij? A nuk ia kemi borxh vendit që të angazhohemi i madh e i vogël, për të përmirësuar ekonominë, gjendjen sociale, të sigurisë, arsimin, shëndetësinë, etj.? Ku mbeti patriotizmi, të cilit aq shumë i kemi trumpetuar?!
Duhet të kuptojmë se Zoti i Madhërishëm, me Urtësinë e Tij, e zgjodhi këtë vend për neve, dhe nuk ka logjikë, derisa Zoti nuk e kërkon një gjë të tillë prej neve, që ne të ngritemi kundër Dëshirës së Tij. Pastaj gjitha ata familjarë, gra e fëmijë, i kemi në përgjegjësi, ne jemi përgjegjës për sigurinë e tyre, andaj me çfarë të drejte ne i qesim ata në rrezik duke marrë rrugët e imigrimit ilegal. Si do të jetojnë ata, si do të rriten, cilën gjuhë do ta flasin, çfarë besimi e kulture do të aplikojnë në jetën e tyre në të ardhmen? Të gjitha këto pyetje janë përgjegjësia jonë.
Pejgamberi a.s. thotë: “Më i miri i njerëzve është ai që më së tepërmi u sjell dobi dhe të mira njerëzve”. (hadith hasen)
Besimtari duhet të mendojë seriozisht lidhur me këto porosi islame. Jeta jonë nuk është vetëm përgjegjësi individuale. Dimensioni i saj tejkalon interesat e ngushta personale apo familjare. Kësisoj, edhe mënyra e të menduarit të besimtarit duhet të jetë e lidhur me interesin e përgjithshëm dhe mirëqenien e shoqërisë. Nëse ne nuk çajmë kokën dhe nuk brengosemi për të ardhmen e këtij vendi, kush do ta bëjë këtë? Nëse lejojmë që pjesa më e mirë e shoqërisë, rinia, të marrë rrugën e mërgimit, kush vallë do të mbetet për tu kujdesur për të ardhmen tonë? Atë mirëqenie që e synojmë duke u nisur në vendet e ndryshme të Evropës, a nuk kemi mundësi edhe ne ta krijojmë në vendin tonë? Ku është, pra, kuptimi i gjithë kësaj dëshire për tu larguar nga Kosova?!
Ne, shqiptarët, pavarësisht nga presionet e ndryshme që ushtroheshin ndaj nesh gjatë tërë shekullit që lamë pas, qofshin ato presione politike dhe ekonomike, përkundër asaj, asnjëherë nuk pranuam t’i braktisnim trojet tona për asnjë çmim dhe për këtë mbajtëm qëndrim dinjitoz.
Qëndruam të tillë, të paluhatshëm dhe me dinjitet, edhe atëherë kur ndaj nesh u përdorën fushata të egra antishqiptare të lloj-llojshme, që patjetër detyronin për shpërngulje.
Vlen të përmendim kontributin e madh të hoxhallarëve tanë, në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar në xhematet e tyre, duke lavdëruar dhe mbjellur nëpër popull konditat fetare islame dhe traditat shqiptare.
Ata në kohët më të vështira, kur goja medoemos duhej të mbahej mbyllur, ishin më guximtarët të flisnin publikisht kundër shpërnguljes.
Ndër parullat e tyre kryesore kundër shpërnguljes ishte edhe kjo:”Kush shkon në Turqi dhe e len vatanin e tij (vendin e tij), është pa imanë (i pa fe)”.
Këta hoxhallarë shpeshherë e kanë përdorur edhe një thënie (që edhe pse nuk është hadith i Resulullahut s.a.v.s., është një thënie) që duhet të na vetëdijesojë se dashuria ndaj atdheut është edhe pjesë e besimit tonë të pastër islam: “Hubbul Vatani minel Iman - Dashuria ndaj Atdheut, është pjesë e besimit”
Mbetet thirrje e Kuranit, si dhe thirrje e ndërgjegjes, arsyes dhe së ardhmes së Kosovës, që duhet të dëgjohet nga secili dhe të respektohet: Rini, mos e braktisni vendin, por punoni për ta ngritur dhe përparuar!

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.