Surinami, përhapja e fesë islame në Surinami

Të dhënat statistikore(1):

Emri ndërkombëtar në anglisht: Republic of Suriname.
Emri zyrtar: Republika e Surinamit.
Sistemi i qeverisjes: Republikan.
Sipërfaqja: 163, 821 km².
Numri i banorëve: 566.846 (2013).
Dendësia: 2.9 (banorë në 1 km²).
Feja: Myslimanë 19.6% - (34)*, hindus 27.4%, protestantë 25.5%, romakë katolikë 22.5% dhe paganë 5%.
Kryeqyteti: Paramaribo (llogaritet edhe qyteti më i madh i vendit).
Qytete të tjera: Acaribo, Albina, Aurora, Batavia, Friendship, Kayana, Lebidoti, Moengo, Paranam, Goddo, Wanhatti, Washoda etj..
Grupet etnike: Indianë lindorë 37%, Creole 31%, Javanese 15%, Maroons (afrikanë) 10%, Indianë amerikanë 2%, Kinezë 2%, Evropianë 1% dhe të përzier 2%.
Gjuhët kryesore: holandisht (gjuhë zyrtare), anglisht, Sranan Togo, Hundistan dhe Javanese.
Njësia monetare: Dollar surinamez (1.00 SRD = 0.228126 EUR).
Data e pavarësisë: 25 nëntor 1975 (nga Holanda)
Festë kombëtare: 25 Nëntori (Dita e pavarësisë).

Pozita gjeografike

Republika e Surinamit, si njëri nga shtetet e Amerikës Jugore, bie në bregun verilindor të kontinentit dhe llogaritet shteti më i vogël, si nga sipërfaqja ashtu edhe nga popullsia në Amerikën Jugore. Republika e Surinamit nga veriu kufizohet me oqeanin Atlantik me një gjatësi deri në 386 km, nga perëndimi me Guajanën në një gjatësi prej 600 km, nga jugu me Brazilin në një gjatësi prej 593 km, nga lindja me Guajanën Franceze me një gjatësi deri në 510 km. Vija bregdetare e vendit është e rrafshët. Në vend ka edhe penda, që mundësojnë punimin e tokës, ndërsa në brendësi të vendit gjejmë një brez të pyjeve, kurse në jug 75% e sipërfaqes së rajoneve e mbulojnë ujëvarat, shumë prej të cilave llogariten që nuk janë zbuluar ende.(2).
Në Republikën e Surinamit mbizotëron klimë subtropikale, e cila karakterizohet kryesisht për temperatura të larta dhe me lagështi. Në vend moti zakonisht është i butë dhe me erëra të lehta. Ajo që e dallon Surinamin nga vendet e tjera të Amerikës së Jugut, janë lumenjtë e shumtë që shtrihen në territorin e tij, të cilët shtrihen në drejtim të veriut, për t’u derdhur disa prej tyre në oqeanin Atlantik.(3)
Paramaribo: Kryeqyteti i Surinamit, si qyteti më i madh i vendit, shtrihet pranë lumit Surinam, përkatësisht rreth 15 kilometra larg nga oqeani Atlantik. Ky qytet është themeluar nga holandezët si një qendër tregtare, mirëpo, më pas, në vitin 1630 këtë qytet e pushtuan britanikët dhe në vitin 1650 ishte bërë kryeqyteti i kolonisë së re angleze. Sundimi mbi zonën në fjalë ka lëvizur disa herë në mes britanikëve dhe holandezëve, por në fund, në vitin 1667 iu kthye holandezëve përsëri dhe qyteti iu nënshtrua sundimit holandez nga viti 1815 e deri në pavarësinë e Surinamit, në vitin 1975. Tash numri i banorëve të këtij qyteti arrin afërsisht 250.000 banorë.(4)

Përhapja e fesë islame në Surinam

Sipas vlerësimeve historike, mendohet se arritja e parë e Fesë Islame në Surinam ka ndodhur me rastin e rekrutimit (dërgimit) të afrikanëve në Surinam, pasi në mesin e tyre kishte edhe myslimanë, që në shekullin XVII kishin ardhur nga Afrika Perëndimore. Mirëpo, rrethanat e skllavërisë, në njërën anë, dhe përdorimi i sistemit të skllavërisë, në anën tjetër, bënë që kjo kategori e njerëzve të ishin anashkaluar në arsimimin e fëmijëve të tyre rreth rregullave të Fesë Islame. Mandej, rrjetet e skllavërimit u thyen kur njëri prej myslimanëve të robëruar udhëhoqi revolucionin kundër holandezëve, me të cilët më pastaj arriti të lidhte marrëveshje. Pastaj,holandezët njohën pavarësinë e revolucionarëve, të cilët sot njihen me emrin zezakët e pyjeve, shumica e traditave të të cilëve janë islame. Pas një kohe, filloi ardhja e valës së dytë të myslimanëve aziatikë drejt Surinamit. Ardhja e myslimanëve aziatikë në Surinam u realizua kur holandezët sollën punëtorë nga Indonezia, India dhe nga Azia Juglindore, të cilët në shekullin XIX kishin filluar migrimet e tyre drejtë Surinamit, e shumica e punëtorëve nga Indonezia ishin myslimanë, ashtu siç ishin myslimanë edhe një numër i madh i punëtorëve indianë. Migrimi i atyre punëtorëve drejt Surinamit vazhdoi edhe më tutje, deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Këto migrime u pasuan edhe me migrimin e muslimanëve arabë nga vendet e Shamit – Siria, Jordania, Palestina dhe Libani –. Ardhja e myslimanëve nga vendet e tyre drejt Surinamit llogaritet një shkëndijë ndriçuese në këto rajone, prandaj ata ndikuan në shfaqjen dhe shtrirjen e Fesë Islame edhe ndër banorët e tjerë të vendit, që rezultoi me ngritjen e xhamive dhe institucioneve të tjera fetare islame. Pra, Feja Islame hyri në Surinam në shekullin XVII dhe vazhdoi të ishte pjesë përbërëse e myslimanëve të shoqërisë së atëhershme, si dhe arriti t’i mbijetonte të gjitha barrierat e zgjedhës së huaj për shekuj me radhë, për të mbijetuar deri në ditët tona bashkëkohore.(5)

Historia e Surinamit

Sipas vlerësimeve të historianëve, zonat e Surinamit të sotëm nuk kanë qenë të banuara vetëm atëherë kur është zbuluar vendi, veçse prania e njerëzve aty, përkatësisht në veri të vendit, ka qenë para dhjetëra mijëra vjetësh. Banorë të parë të vendit kanë qenë indianët Arawakë, diku në vitin 5000 para erës sonë. Pas tyre, aty kishin ardhur indianët Karaibet, afërsisht në vitin 1100 para erës sonë. Vendi mori emrin që ka sot, që ia dhanë fiset Surin, të cilat banonin nëpër zonat e Surinamit para se të dëboheshin prej atyre zonave nga indianët amerikanë, në shekullin XVI të erës sonë. Të parët që zbuluan rajonet e Surinamit nga evropianët, konsiderohen spanjollët, të cilët patën rastin të zbritnin nëpër ato rajone në shekullin XV të erës sonë, po në atë kohë spanjollët nuk kishin ambicie koloniale, prandaj nuk ndaluan aty, së paku për një kohë. Zbuluesi i atyre zonave konsiderohet të ishte Alonso de Ojeda (lindi – 1468 / vdiq – 1515), i cili e kishte shoqëruar Kolombon, por nuk konfirmohet nëse këmbët e tij shkelën apo jo në tokën e Surinamit. Mirëpo, komandanti i njohur Domingo de Vera (lindi – 1550 / vdiq – 1629), në vitin 1593 arriti që Surinamin t’ia bashkëngjiste Mbretërisë Spanjolle. Pra, kështu Surinami u bë një koloni spanjolle, po spanjollët nuk qëndruan gjatë dhe pas tyre erdhën britanikët, të cilët, nga viti 1652 aty ngritën shumë vendbanime. Mirëpo, më pas Surinami u bë rajon i holandezëve, atëherë kur e morën vendin nga britanikët si kompensim ndërrimi me New Amsterdamin, përkatësisht me Nju-Jorkun (New Yorkun) e sotëm, që ishte realizuar sipas marrëveshjes Breda. Surinami, pas një opozite të ashpër nga qytetarët vendas kundër pushtetit holandez, fitoi pavarësinë nga Holanda në vitin 1975.(6)

Gjendja ekonomike

Sektori i bujqësisë në Surinam llogaritet të jetë i zhvilluar dhe i begatshëm, edhe pse potenciali i madh bujqësor aty është ende i pashfrytëzuar. Prej prodhimeve më të rëndësishme dhe kryesore bujqësore mund të veçohen: orizi, kallami i sheqerit, bananet, kafeja, pambuku, farat, vaji, arrat, kikiriki, si dhe druri. Prej tyre, orizi mbulon hapësirën më të madhe të sipërfaqes bujqësore në vend. Pylltaria në Republikën e Surinamit zë pozitë të lakmueshme; aty mund të gjenden drunj të rrallë. Po ashtu edhe peshkimi llogaritet si pasuri ujore e vendit. Surinami vuan nga probleme mjedisore, që përfshijnë zhdukjen e pyjeve, për shkak të prerjes për eksport dhe nga kontaminimi i ujërave, si rezultat i aktiviteteve minerale. Gjithashtu, Republika e Surinamit ka pasuri të begatshme të lopëve e dhive. Ndërkaq, industria në Surinam nuk ka arritur shkallë të lakmueshme, me gjithë prodhimin e mjaftueshëm të aluminit. Surinami renditet ndër vendet e para në botë për prodhimin e mineralit të aluminit, për shkak të zotërimit të minierave bokside. Po ashtu Surinami posedon burime të energjisë elektrike Prej prodhimeve më të rëndësishme llogariten: nxjerrja e boksidit, prodhimet e aluminit e të drurit, si dhe industria ushqimore.(7)

* Përqindja e përkatësisë islame në Surinam ka shumë dallime
nga një burim në tjetrin.

1) Vladimir Zoto, Enciklopedi gjeografike e botës, f. 220. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës islame f. 114, 115. Logos-a, 2009, Shkup. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 367, 368. Mektebetul Adab, 2007, Kajro.
2) Muhammed Atris; f. 367. www.moqatel.com
3) www.marefa. org
4) ar.wikipedia.org
5)www.al-islam.com. main.islammessage. com
6) www.al-jazirah.com
7) www.marefa.org



Mr. sc. Samir B. Ahmeti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram