Hafiz Abdullah ef. Telaku (1896-1943)

U lind në Prizren në vitin 1896. Ishte djali i Hëzërit, i biri i Sylejman agë Telakut, i cili njihej gjithashtu edhe sipas emrit të babait, hfz. Hëzëri.

Pas përfundimit të iptidaijes (shkollës fillore) vazhdoi ruzhdijen (gjimnazin), por për fat të keq nuk arriti ta përfundojë, sepse pas largimit të Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare në vitin 1912, kjo shkollë qe mbyllur nga ana e pushtetit serb. Pas disa viteve regjistrohet në medresenë e Mehmed Pashës të Prizrenit, ku do t’i ndjekë mësimet tek myderrizët (profesorët) e shquar sikur hfz.Abdylaziz efendiu dhe hfz.Rrystem efendiu. Krahas mësimit në medrese, hfz.Abdullah Telaku do ta mësojë edhe hifzin (Kur’anin përmendsh) dhe morri titullin e nderuar hafiz i Kur’anit. Mësimet në medrese i përfundoi në vitin 1928 dhe morri ixhazetnamen (diplomën) tek myderrizi hfz.Nysret efendiu. Përveç gjuhës shqipe, turke, serbokroate, e njihte edhe gjuhën arabe, si edhe gjuhën frënge. Derisa akoma ishte nxënës në medrese, u caktua imam në vitin 1925 në xhaminë e Arastës (Jakub bej Evrenoszades), detyrë të cilin e kreu deri në vitin 1930, kur u emërua ndihmës myderrizi .
Në vitin 1935, pas kalimit në pozitën e myftiut të Prizrenit, të myderrizit të tij, hfz. Nysret ef. Dodës, hfz.Abdullah ef. Telaku ishte emëruar myderriz i medresesë së Mehmed Pashës, detyrë të cilën do të kryente me shumë përkushtim e pasion deri në fund të jetës së tij, më 1943. Në pikëpamje politike, hfz.Abdullah ef.Telaku kishte ndjekur Ferhat bej Dragën dhe organizatën e atëhershme politike “Xhemijeti”, e cila ishte një organizatë politike, si mundësi e vetme për organizim politik shqiptar legal jashtë partive politike serbe, rreth së cilës ishte mbledhur inteligjenca shqiptare myslimane e atëkohshme.
Në këtë aspekt, bashkëpunëtori i tij i parë ishte intelektuali dhe veprimtari i njohur i atëhershëm politik, juristi, i cili ishte edhe sekretar i përgjithshëm i Rijasetit (Kryesisë) të Bashkësisë Islame në Sarajevë, e më vonë anëtar i Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare në Kosovë, patrioti Ibrahim ef. Lutfiu.
Hafiz Abdullah ef.Telaku me rastin e ceremonisë së inaugurimit të Fehim ef.Spahos për Reis ul-Ulema më 1938, ishte nderuar për të lexuar tekstin e ”Menshuras” (Betimit) në gjuhën arabe, kurse në vitin 1939 derisa ishte i sëmurë Reisi , për një kohë të shkurtër e kishte zëvendësuar në pozitën e të parit të myslimanëve në ish Jugosllavinë e atëhershme.
Hfz.Abullah ef. Telaku ka qenë i martuar me zonjën Radije Ahmeti, me të cilin kishin dy vajza e katër djem, Abdylhadiu, Abdylmexhidi, Muhameti dhe Ahmeti, vajza, Fet-hija, ishte e martuar me djalin e hfz. Abdylaziz efendisë, Azizin, kurse vajza e dytë quhej Shemsije . Hafiz Abdullahu kishte një bibliotekë shumë të pasur me libra dhe dorëshkrime të rralla. Pas vdekjes së tij, zonja Radije duke përmbushur amanetin e bashkëshortit të saj, i kishte dhuruar bibliotekën personale të hfz. Abdullah efendiut kutubhanes (bibliotekës) së medresesë së Mehmed Pashës. Vlen të theksohet se një pjesë e kësaj biblioteke, fatmirësish, ruhet edhe sot e kësaj dite në bibliotekën e Bashkësisë Islame të Kosovës. Hfz. Abdullah ef. Telaku e ka shkruar nekrologun për myderrizin e tij hfz.Rrystem ef.Shporta. Hfz. Abdullah ef. Telaku ndërroi jetë pas një sëmundje të shkurtër, prej tuberkulozës, në vitin 1943 në Prizren dhe është varrosur me nderime më të larta qytetare e fetare në varrezat Kuriçeshme të Prizrenit. Për të ka shkruar edhe miku i tij nga Sarajeva, myderrizi, Fejzullah ef.Haxhibajriç, me të cilin mbante korrespondencë të rregullt, i cili me rastin e vdekjes së tij, ka thënë: “Ka qenë alim (dijetar) me dije të thellë dhe një njeri shumë i devotshëm, e këndonte shumë bukur Kur’anin dhe nuk doje gjë tjetër veçse ta dëgjoje hfz.Abdullahun duke lexuar Kur’an. Ka qenë një kaligraf jashtëzakonisht i shkathtë. Ishte jashtëzakonisht xhymert, bujar dhe mikpritës. Ai nuk jetonte nga të tjerët, por jetonte për të tjerët. Si tregtar ishte shumë solidar dhe, sikurse në çdo aspekt tjetër u përmbahej rregullave të Sheriatit edhe në tregti. Kushdo që kishte vizituar Prizrenin, detyrimisht do të kishte qenë mysafir në konakun e tij”. Poashtu kemi edhe një rivajet (gojëdhënë) për bujarinë dhe mikpritjen e hafiz Abdullah efendi Telakut.
“Me një rast, haxhi Rexhep efendiu, myderriz me nam i medresesë së Opojës, e që ishte shok dhe mik i ngushtë i hfz.Abdullah efendisë, u nisë me kalin e tij nga Brodosana për të shkuar në një fshat të afërt të Opojës për të vizituar një mik të tij. Por, rrugës duke ecur, kali i tij e merr udhën teposhtë drejt Prizrenit, dhe haxhi Rexhep efendiu nuk ia prish kahjen kalit të tij, dhe vendosi të shkoj të vizitojë kolegun dhe mikun e tij të nderuar hafiz Abdullah efendinë. Në ndërkohë në Prizren, në ato çaste, hfz. Abdullah efendiu i thotë vëllait të vet, Ismailit që të shkoj të blejë dy kilogram mish, dhe t’ua jep grave të shtëpisë, të përgatisin sarma për darkë, se do të vijë për konak haxhi Rexhep efendiu, dhe se kishte qejf me ngrënë sarma haxhi Rexhep efendiu. Pas një kohe në mbrëmje arriti në konak haxhi Rexhep efendiu. Sikurse të ishin marr vesh me telefon, edhe pse në atë kohë nuk ka pas telefon, por të dy këta alima (dijetar), myderrizë (profesorë), koleg dhe miq të nderuar, janë kuptuar në distancë, pasi që të dy, me siguri, Allahu e di më së miri, kanë qenë evlija (të afërmit) të Zotit”.



Miftari,Faik
”Hafizët e Prizrenit me rrethinë(1912-2012)”, Prizren, 2012

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.