Hafiz Jakub ef.Muqeziu (1919-2006)

U lind në Prizren në vitin 1919, mektebin e kreu pranë xhamisë së Emin Pashës, pastaj vazhdoi mësimin e hifzit të Kur’anit tek hafiz Beqir Kajserliu, i cili ishte edhe imam i xhamisë së Emin Pashës. Hifzin e kreu për 3vjet në vitin 1937, në moshën 18 vjeçare.

Pasi kreu hifzin, vijoi shkollimin në medresenë e Mehmed Pashës në Prizren, tek myderrizët e njohur të asaj kohe, Abdullah efendiu, Sylejman efendiu dhe së fundi tek Hasan efendi Nahi.
Pas ripushtimit serb të Kosovës dhe vendosjes së pushtetit komunist më 1945, Hafiz Jakubi inkuadrohet në celulën ilegale të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar të rrethit të Prizrenit dhe veproi aktivisht në ilegalitet të plotë gjer në vitin 1950.
Në vitin 1946 e rihapi Vakëfin e Prizrenit, i cili qe mbyllur nga ana e pushtetit komunist vendor, i cili në atë kohë gjendej në ders-hanen (mësonjëtoren) e medresesë, në kuadër të kompleksit të tanishëm të Lidhjes së Prizrenit. Në vitin 1947 emërohet në detyrën e myezinit të xhamisë së Sinan Pashës, të cilën detyrën e kreu me sukses deri në vitin 1950.
Një vit më parë, para se të caktohet në detyrën e myezinit, në vitin 1946 me vullnet dhe dëshirë të flaktë që kishte ndaj fesë Islame, ndërmori aksionin krye në vete, që për atë kohë ishte një vepër e jashtëzakonshme dhe e guximshme, duke marrë parasysh rrethanat e atëhershme aktuale politike, riaktivizoi topin në Kala të Prizrenit, që sinjalizonte përfundimin e agjërimit ditor gjatë muajit të Ramazanit, e cila ishte traditë shekullore në Prizren.
Hafiz Jakubi e aktivizoi dhe u kujdes për mirëmbajtjen e topit në Kala të Prizrenit, gjatë katër vitesh, nga viti 1946 deri në vitin 1950. Me burgosjen e hafiz Jakub efendiut në vitin 1950 topi heshti përgjithmonë në Kalanë e Prizrenit. Hafiz Jakubi, për shkak të veprimtarisë atdhetare në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare në Prizren, u burgos me veprimtarë të tjerë në vitin 1950. Në fillim, hafiz Jakubi u dënua me vdekje, pastaj dënimi iu shndërrua në burg 20 vjeçar, prej të cilave 12 vite vuajti në burgun e Nishit në Serbi. Në burgun e Nishit, përveç punëve të rënda fizike, hafiz Jakubi kishte përvetësuar edhe zanatin apo mjeshtërinë e xhamprerësit, që pas burgut ja pa hajrin, sepse me të e mbajti veten dhe familjen.
Edhe kur doli nga burgu, hafiz Jakubi ishte në burg. Nuk iu lejua për një kohë të punonte. Por, në vitin 1969, pas shtatë vjetësh, iu lejua të punojë dhe u caktua imam në xhaminë e Emin Pashës, ku shërbeu plotë 35 vite deri në vitin 2004 kur doli në pension me nder. Pra, ai shërbeu mbi 40 vite me përkushtim, duke mësuar shumë breza të cilët tek hafiz Jakubi gjenin prehje, frymëzim, sepse ishte shembull si besimtar, shembull si atdhetar. Ai ishte anti-komunist i përbetuar, por edhe për pushtetin serb ishte armik. Ai në vepër e praktikoi thënien e njohur ”Pa iman, s’ka vatan” , pra, që do të thotë se “Pa fe s’ka as atdhe”!
Këtu në vazhdim, do të veçoja një shënim, që përmban disa cilësi që kishte personaliteti i tij. Në vitin 1944, kur disa pjesë të trojeve shqiptare, edhe pse nën Itali e Gjermani, ishin të bashkuara me Shqipëri, hafiz Jakubi qe ftuar nga ulemaja e Shkodrës, që për muajin e bekuar Ramazan të këndojë mukabele në xhaminë kryesore të Shkodrës.
Një ditë, gjatë muajit Ramazan, ulemaja e Shkodrës, e kishin lutur me dashamirësi, nëse kishte mundësi me ju këndue Mevludin në origjinal, do të thotë në gjuhën turke. Hafiz Jakubi, atëherë i ri, 25 vjeçar, e këndoi mevludin për mrekulli, kush e dëgjonte, nga gëzimi, kush nga mallëngjimi, dikush buzëqeshte, dikush vajtonte.
Në vitin 2001, kur e vizitova në Tiranë, Komunitetin Mysliman Shqiptar, më pranoi në audiencë hafiz Sabri ef. Koqi, kur kuptoi se jam nga Prizreni, më pyeti menjëherë si e kishte mikun dhe jaranin e tij Hafiz Jakubin. I kujtohej Hafiz Sabriut ende kur ishte në Shkodër mysafir hafiz Jakubi, të cilin nuk e kishte harruar as pas 55 viteve plotë vuajtje.
Hafiz Jakubi gjithmonë, gjatë festave, e shpaloste flamurin kuq e zi në shitoren e vet, e për këtë gjithnjë ka pasur probleme, telashe, por ai qëndroi si burrë, dhe nuk u përkulë kurrë. Këtu në vazhdim po e shënoj një rrëfim apo gojëdhënë që ka treguar hafiz Jakup efendiu. Prizreni, përveç tjerash, gjatë historisë së tij, dikur ka qenë i njohur edhe si qytet i konsujve, ku kanë ekzistuar konsullata raguziane, franceze, austrohungareze, ruse, serbe, etj.
“Një ditë, një konsulli i ri austrohungarez, i porsaardhur në qytetin e Prizrenit doli me shëtit me ndihmësin e tij dhe me një qytetar prizrenas për ta parë për së afërmi Prizrenin. Gjatë shëtitjes nëpër qendër të Prizrenit qëlloi koha e drekës dhe ia nisin një nga një të këndojnë ezanet nga myezinët e të gjitha xhamive të Prizrenit. Pranë një xhamie u ndalën, myezini po e këndonte ezanin për mrekulli, konsulli i befasuar e pyeti ndihmësin e tij, ç’është kjo që po këndohet? Ndihmësi, përmes qytetarit prizrenas, i përgjigjet: “Ky është ezani apo ftesa, thirrja, që ju bëhet besimtarëve myslimanë për të marrë pjesë në namazin e drekës.” Konsulli, i mahnitur nga zëri i mrekullueshëm i myezinit, ja dhuron një lirë dukati për myezinin si shpërblim për zërin aq të bukur të tij. Duke vazhduar shëtitjen nëpër Prizren, pakëz më tutje, po dëgjojnë një zë të lodhur, të vrazhdë, të një myezini tjetër. Konsulli, u ndal, dukej i nervozuar, i shqetësuar nga zëri i dobët, dhe pyeti: Ç’është ky zë tani? Sërish, ndihmësi i konsullit, përmes qytetarit të zgjuar prizrenas, përgjigjet: “I nderuari z.konsull, kjo që po dëgjohet tani është zëri i një çobani, i cili po i thërret lopët për të hyrë në kope! Konsulli i nxori dhjetë lira ari dhe i thotë ndihmësit që t’ia dhuron çobanit të lopëve si shpërblim. Ndihmësi, mbeti i habitur, por i tha konsullit këto fjalë: “Atij myezinit, për zërin aq të bukur i dha si shpërblim vetëm një lirë, kurse këtij çobanit të lopëve dhjetë, si shpjegohet kjo? Konsulli u përgjigj: “Po të këndonte bukur edhe ky i dyti, sikur ai pari, unë me siguri do të bëhesha mysliman”.
Gjatë sistemit pluralist, shumëpartiak, hafiz Jakubi si veteran, anti-komunist, morri pjesë në shumë mbledhje, takime të Partisë Nacional Demokrate Shqiptare e më vonë edhe të Ballit Kombëtar, si dikur, ishte krenari e kombit shqiptar.
Ndërroi jetë më 13 dhjetor 2006 dhe u varros me nderime më të larta fetare e qytetare në varrezat Kuriçeshme të Prizrenit. Namazi i xhenazes u falë në xhaminë e Bajraklisë, ndërsa fjalë të rastit mbajtën veteranë e anëtarë të Nacional Demokratës Shqiptare.



Faik MIFTARI
”Hafizët e Prizrenit me rrethinë(1912-2012)”, Prizren, 2012

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.