Tunizia - Përhapja e fesë islame në Tunizi

TË DHËNA STATISTIKORE(1):

Emri ndërkombëtar në anglisht: Tunisian Republic.
Emri zyrtar: Republika e Tunizisë.
Sistemi i qeverisjes: Republikë Presidenciale.
Sipërfaqja: 163,610 km².
Numri i banorëve: 10.777.500 (2012).
Dendësia: 65 (banorë në 1 km²).
Feja: Muslimanë 98.%, të krishterë 1%, hebrenj dhe të tjerë 1%.
Kryeqyteti: Tunisi (llogaritet edhe qyteti më i madh në vend).
Qytete të tjera: Sfax, Sousse, Tataouine, Kairouan, Gabes, Bizerte, Ariana, Gafsa, Mahdia, Nabeul, etj.
Grupet etnike: Arabë dhe berberë 98%, evropianë 1%, hebrenj dhe të tjerë 1%.
Gjuhët kryesore: Arabe (gjuhë zyrtare), frënge dhe berbere.
Njësia monetare: Dinari tunizian (1.00 TND = 0.435 EUR).
Data e pavarësisë: më 20 mars 1956 (nga Franca)
Festë kombëtare: 20 mars (Dita e pavarësisë).

Pozita gjeografike

Republika e Tunizisë si një ndër shtetet afrikane bie në skajin verior të kontinentit, përkatësisht ka dalje të gjerë në Detin Mesdhe, aty ku shfaqet ishulli Sicilia.
Kjo pozitë gjeografike e vendit shërben në cilësinë e kufirit, që ndanë Detin Mesdhe në dysh, lindje dhe perëndim. Vija bregdetare e Tunizisë shtrihet në Detin Mesdhe për 639 milje, gjë që e bënë vendin të posedoj porte të shumta dhe të mira. Në veri të vendit ka toka bujqësore dhe pyje që shtrihen me pjerrtësi në orientim të jugut, përkatësisht drejtë shkretëtirës. Ndërsa, në veri-perëndim janë malet Atlas, të mbuluara me pyje. Kurse, lumi i vetëm dhe konstant në veri të vendit është lumi Almigerda, i cili mbulon një fushë të madhe të arave me grurë. Gjersa në qendër shtrihen fushat me kullosa dhe kopshte.(2)
Republika e Tunizisë për nga ana tokësore kufizohet me dy shtete fqinje dhe nga ana ujore me Detin Mesdhe. Nga perëndimi vendi kufizohet me Algjerinë me një gjatësi prej 965 km, nga jug-lindja me Libinë në një gjatësi deri në459 km, kurse nga veri-lindja me Detin Mesdhe me një gjatësi prej 1148km.(3)
Klima e Tunizisë ndikohet nga vendndodhja gjeografike dhe nga topografia e saj që e posedon. Në pjesët veriore të vendit dominon klima mesdhetare, ndërsa pjesët jugore janë të ndikuara nga klima e shkretëtirës, kurse zona qendrore llogaritet si zonë tranzicioni mes këtyre dy sistemeve klimatike. Rrethanat klimatike në vend ndryshojnë sa i përket temperaturave, erës dhe reshjeve atmosferike me ndryshimin e stinëve të vitit dhe të rajoneve të ndryshme. Andaj, në vend kemi këto temperatura, ku gjatë stinës së verës ato mund të arrijnë deri në 40 gradë celsiusë, gjersa gjatë stinës së dimrit ato sillen rreth 5,2 gradë celsiusë.(4)

Tunisi: Kryeqyteti i Republikës së Tunizisë si qyteti më i madh në vend llogaritet njëri prej qyteteve më të rëndësishme të vendit që kanë shtrirje në Detin Mesdhe, ashtu siç konsiderohet edhe një prej qendrave më të rëndësishme tregtare dhe industriale në vend. Në këtë qytet ka disa fabrika të cilat prodhojnë pjesë elektrike, shtëpiake, tekstil nga pambuku, leshi dhe nga mëndafshi, mjete të plastikës, të bujqësisë dhe disa prodhime të tjera bashkëkohore. Ky qytet bie në pjesën lindore të vendit, përkatësisht aty ku është edhe porti i zhvilluar detar i vendit. Ky qytet u themelua në shekullin e V-të hixhri/XIII-të miladi. Tani numri i banorëve të këtij qyteti afërsisht arrin deri në 1.200.000 banorë (sipas vlerësimeve statistikore të vitit 2008).(5)

Përhapja e fesë islame në Tunizi

Muslimanët e çliruan Tunizinë e sotme për herë të parë në vitin 43h/663m, përkatësisht në kohën e sundimit të halifit të parë emevit Muavije ibn Ebu Sufjanit r.a.. Mirëpo, bizantinët e kthyen prapë sundimin mbi Tunizinë. Vetëm në vitin 72h/691m sundimi islam arriti të vendoset në Tunizi, respektivisht në kohën e halifit emevit Abdul Melik ibn Mervan. Pas Dinastisë Emevite (41-132 h/662-750m), Tunizia i është nënshtruar Dinastisë Abasite (132-656h/750-1258m). Pas një kohe, vendi është pavarësuar nga qendra e hilafeti islam të abasitëve me seli në Bagdad dhe hyri nën sundimin e aglebinjve, pas tyre vendin e sunduan fatiminjët, të cilët u zëvendësuan nga murabitët, ku sundimin e këtyre të fundit e pasuan muvehidinët. Muslimanët e fundit që e sunduan Tunizinë ishin osmanlinjtë turq, të cilët në vitin 982 h/1574 m shtrinë sundimin e tyre drejtë regjioneve të Afrikës Veriore, ku ndër ato vende ishte edhe Tunizia e sotme.(6)
Ndërsa, sa i përket procesit dhe mënyrës së përhapjes së Fesë Islame nëpër këto zona, historianët vlerësojnë se, kjo filloi të realizohej menjëherë pasi që myslimanët përfundimisht vendosën sundimin e tyre nëpër zonat e sipërpërmendura, si dhe duke pasur parasysh edhe kontaktin e muslimanëve sundimtarë, tregtarë dhe pedagogë me popullatën vendase berbere. Të gjitha grupet e myslimanëve dhanë një kontribut të përgjithshëm sa i përket shtrirjes së Fesë Islame ndër banorët autoktonë berberë. Rezultatet e çlirimit islam në zonat e Afrikës Veriore në përgjithësi dhe në Tunizinë e sotme në veçanti mund t’i veçojmë si vijon:
1) Fundi i autoritetit bizantin në rajonin përkatës, ku humbën një bazë të rëndësishme në pellgun e Mesdheut perëndimor, e cila u bë sovran i muslimanëve.
2) Përhapja e Fesë Islame në mesin e banorëve vendas, e cila gjeti rrugën e saj, që nga hyrja e myslimanëve të parë nëpër këto zona.
3) Çlirimi Islam i këtyre zonave pati ndikim të fortë në jetën e popullsisë autoktone, që rezultoi kryesisht në përhapjen e Fesë Islame, të gjuhës dhe kulturës islame nëpër këto zona.
4) Zonat në fjalë u shndërruan urë lidhëse, ku përmes së cilës depërtuan ndikimet civilizuese, jo vetëm në pjesët e tjera të Afrikës, por edhe drejtë Evropës.(7)

Historia e Tunizisë

Fenikasit e ardhur nga qyteti Sur të Libanit e themeluan qytetin Kartaxha, afër qytetit Tunis të sotëm, diku rreth shekullit IX-të para epokës sonë, me synimin e bërjes së këtij qyteti si qendër tregtare. Pastaj, në shekullin e VI-të para epokës sonë Mbretëria Kartaxha ka mbizotëruar në pjesën perëndimore të Detit Mesdhe. Mandej, në vitin 264 para epokës sonë kanë filluar tri luftërat mes Romës dhe Kartaxhës, ku çdo njëra prej tyre pasqyroi një fazë kritike në zgjerimin e Perandorisë Romake përgjatë zonës në perëndim të Detit Mesdhe, ku lufta e tretë përfundoi me rënien e Kartaxhas, për t’u bërë pjesë e Vilajetit Romak Afrikan. Pastaj, në vitin 533 të epokës sonë Tunizia ra nën pushtimin e Perandorisë Bizantine, e cila sundoi vendin mbi një shekull, përkatësisht sundimi i saj përfundoi me ardhjen e muslimanëve drejtë këtyre zonave, të cilat zona vazhduan të jenë nën ta shekuj me radhë.(8)
Pas qeverisjes shekullore të myslimanëve në Tunizi, forcat franceze e pushtojnë vendin më 1881, ku sipas një marrëveshjeje u pranua që Tunizia të jetë protektorat francez. Mandej, më 1920 u themelua Partia e Kushtetutës, për të kontribuar me qëllim të pjesëmarrjes së tunizianëve në qeverisjen e vendit të tyre, në mënyrë të barabartë me francezët, të cilët kishin arritur të kontrollonin qeverinë e vendit. Pastaj, më 1934 Habib Burgiba themeloi Partinë e Re të Kushtetutës - e cila ishte ndarë nga Partia e Kushtetutës -, për të qenë në krye të lëvizjes popullore. Ndërkohë, Tunizia gjatë Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht mes viteve 1942 dhe 1943 kishte ra nën kontrollin e pushtimit gjerman. Ndërsa, për shkak të trazirave kombëtare më 1955 Franca u detyrua t’i jap Tunizisë pavarësi të brendshme dhe vetëm një vit më vonë Franca njohu pavarësinë e Tunizisë dhe udhëheqësinë e saj nga vendasit.(9)

Gjendja ekonomike

Tunizia ka një ekonomi të larmishme, ku zotëron sektor të rëndësishëm si: Sektorë të bujqësisë, industrisë, turizmit dhe të minierave. Qeveria luan një rol të çmuar në kontrollin e ekonomisë, ku ndërhyrja e Qeverisë në progresin e ekonomisë së vendit llogaritet e fortë. Tunizia në vitet e nëntëdhjeta ka realizuar një rritje reale ekonomike, e cila arriti deri në 5.0%, ku edhe ngadalësoi normën e inflacionit në vend. Sipërfaqja e tokës bujqësore në Tunizi arrin deri në 9 milion hektarë, e që pjesa më e madhe e saj kultivohet me përdorimin e metodave të vjetra bujqësore, ku ky prodhim përcaktohet vetëm për konsum të brendshëm dhe të drejtpërdrejtë. Ndërsa, fermat bujqësore moderne, shumica e prodhimeve të tyre llogariten për eksport.
Kulturat më të rëndësishme bujqësore në Republikën e Tunizisë janë: Farërat, si: Gruri dhe tërshëra. Pemët, si: Ullinj, që janë pemët më kryesore në vend, si dhe hurmat. Pastaj, si pjesë e pasurisë ekonomike e vendit llogaritet edhe rritja - kultivimi i deleve dhe lopëve.
Tunizia konsiderohet vendi më i varfër në Afrikën Veriore për nga pasuria e minierave, për kundër këtij fakti, vendi posedon disa minerale, si: Hekur, bakër, mangan, plumb dhe fosfat. Gjithashtu vendi e ka të zhvilluar edhe industrinë, siç është sektori i tekstilit, veshjeve të gatshme, i lëkurave dhe i këpucëve, ku ky sektor llogaritet prej sektorëve më të rëndësishëm. Po ashtu tregtia luan një rol tjetër të rëndësishëm në vend, ku eksportet kryesisht përfshijnë naftën, vajin e ullirit dhe fosfatin. Ndërsa, të ardhurat nga turizmi kanë një ndikim të rëndësishëm në fushën e balancimit dhe ngritjes së buxhetit tunizian.(10)


______________
1) Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f. 44, 45, 109. Logos-a, 2009, Shkup. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 303. Mektebetul Adab, 2007, Kajro. wikipedia.org. www.moqatel.com. www.xe.com.
2) Muhammed Atris; f 303.
3) ww.moqatel.com.
4) forum.arabia4serv.com.
5) www.yabeyrouth.com. www.marefa.org
6) Dr. Ismail Ahmed Jagi; Tarihul Alemil Arebij-jil Muasir, f. 340, 341. Mektebetul Ubejkan, 003 m, Botimi i dytë, Rijad. Muhammed Atris; f. 304. 7) www.onefd.edu.dz.
8) Muhammed Atris; f 304.
9) Muhammed Atris; f. 304.
10) www.marefa.org



Mr. sc. Samir B. AHMETI

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.