Recension për librin "Fikhu i prioriteteve"

(Fikhu i prioriteteve - Studim për një ndriçim të ri të Kuranit dhe Sunetit, një Iibër që para kuantitetit vlerëson kualitetin.)

"Fikhu i prioriteteve” vërtet është një studim për një ndriçim të ri të Kuranit dhe Sunetit, që synon vendosjen e çdo gjëje në pozitën e vet, qoftë nga normat, vlerat ose veprat, në mënyrë që të mos prolongohet ajo që meriton t'i jepet përparësi, e as t’i jepet përparësi asaj që duhet prolonguar; as të zvogëlohet çështja e madhe, por as të zmadhohet çështja e vogël. Është një libër që synon parandalimin e teprimit nga ana ë atyre që e teprojnë, si dhe eliminimin e neglizhencës tek ata që neglizhojnë.
Libri me titull "Fikhu i prioriteteve” i dijetarit më të madh bashkëkohor të jurisprudencës islame (Fikhut), Jusuf Karadavit është një studim, siç thotë vetë autori, i një rëndësie tejet të veçantë, ngase në bërthamë shtjellon dhe analizon problemet që kanë çrregulluar vlerat dhe balancat e ndryshme, nga aspekti i vizionit juridik, pra në vlerësimin e çështjeve, ideve e punëve. Pra, ky është një studim që tregon se cilit nga vargjet e urdhrave hyjnorë dhe udhëzimeve profetike i jepet përparësi, e cili duhet prolonguar; cili të renditet i pari, cili i shtatëdhjeti... Apo, siç e thekson edhe vetë autori i librit në një nga parathëniet e librit, sidomos ndihmon në paraqitjen e defekteve në peshojën e prioriteteve te myslimanët në epokën tonë.
Në mbi 300 faqet e këtij libri Jusuf Kardavi ka shpjeguar:
Nevojën e umetit për kuptimin e prioriteteve;
Ndërlidhjen e Fikhut të prioriteteve me llojet e tjera të Fikhut;
Prioritetet e cilësisë përballë sasisë;
Prioritetet në fushën e diturisë dhe mendimit;
Prioritetet në fushën e fetvasë dhe thirrjes;
Prioritetet në fushën e veprimit (punës);
Përparësitë në fushën e urdhëresave;
Prioritetet në sferën e ndalesave;
Prioritetet në fushën e reformës-përmirësimit;
Fikhun e prioriteteve në trashëgiminë tonë; dhe
Fikhun e parësores në thirrjet e reformatorëve të epokës së re.
Përndryshe, kjo ndarje njëherit është edhe ndarja e këtij libri, pra në njëmbëdhjetë kapituj. Duke qenë se sot në mesin e myslimanëve janë ekuilibruar parësorja dhe dytësorja, dhe kjo gati në çdo aspekt. Ky libër i dijetarit Jusui Kardavi vjen si një ndriçues, dhe ndarës mes prioriteteve dhe gjërave sekondare. Në një aspekt kjo del edhe si njëfarë domosdoshmërie e të ekzistuarit të këtij lloji të Fikhut, pra Fikhut të prioriteteve. Sepse sot më shumë se kurrë është çrregulluar kriteri vlerësues i prioriteteve në mesin e myslimanëve. Ky pra është një studim që, siç thotë autori, hedh dritë mbi një sërë prioritetesh të legjislacionit, për të cilat ekzistojnë argumente, e të cilat ndoshta e luajnë rolin e orientimit ideologjik dhe të saktësimit të platformës, si dhe konsolidimin e këtij lloji të të kuptuarit.
Në mënyrë të veçantë, ky libër është një nga abetaret e thirrësve (daive), ku do të mësojnë ndarjen dhe radhitjen e prioriteteve, që pastaj para besimtarëve çështjet t'i interpretojnë përshkallëzisht, siç janë dhe siç duhet.
Në realitetin tonë ky libër është ndër më të nevojshmit për, sidomos imamët dhe shërbyesit nëpër xhamitë anekënd vendit, të cilët edhe janë adresa e parë e besimtarëve për të marrë ndonjë përgjigje për nevojat e tyre të ndryshme. Pra, libri sqaron se çka është parësore dhe çka është dytësore, ku duhet të lehtësohet, e ku duhet të vështirësohet, e kështu me radhë.
"Ndoshta në këtë do të ketë diç që do të parandalojë teprimet e ekstremistëve dhe neglizhimet e neglizhentëve, por edhe t'i përafrojë pikëpamjet e aktivistëve të sinqertë për Islamin”, thotë autori.
"Fikhu i prioriteteve (Studim për një ndriçim të ri të Kuranit dhe Sunetit)” është një studim që synon vendosjen e çdo gjëje në pozitën e vet, qoftë nga normat, vlerat ose veprat, në mënyrë që të mos prolongohet ajo që meriton t'i jepet përparësi, as t'i jepet përparësi asaj që duhet prolonguar; as të zvogëlohet çështja e madhe, por as të zmadhohet çështja e vogël, e kështu me radhë.
Kjo edhe na çon në idenë e harmonisë universale, të cilën e hasim kudo në krijimtarinë e Allahut të Madhërishëm: në njeriun, natyrën, gjithësinë...
Edhe sipas filozofëve (Aristotelit), përveç dobisë dhe drejtësisë, harmonikja ka edhe estetikën. Madje, kjo e fundit qëndron kryekëput mbi harmonikën, të përsosurën. Ky mendim është mbështetur edhe nga studiuesit e estetikës islame (Oliver Leaman), të cilët kanë thënë se estetika në Islam qëndron kryekëput mbi harmoninë. Thënë ndryshe, t'i vësh gjërat në vendin e tyre është edhe e bukur por edhe e dobishme. Ndërsa, në planin psikologjik dhe social kjo çon në konkluzionin e kategorisë së sinqeritetit dhe drejtësisë.
Ky libër është i atillë që para kuantitetit vlerëson kualitetin, para sasisë vlerëson cilësinë, dhe këtë e mbështet në librin e Zotit, në një varg citatesh, ku ndër të tjera specifikohet se Zoti edhe e qorton shumicën që nuk mendon, nuk beson apo nuk falënderon.
Njohja e Fikhut të prioriteteve çdo thirrësi (imami) do t'i kishte ndihmuar në njohjen e brendshme të prioriteteve dhe në njohjen e prioritetit të synimeve të brendshme ndaj gjërave sipërfaqësore, siç titullohet një nënkapitull në kapitullin e katërt, dhe jo të vazhdojë pasimi i verbër i gjërave pa njohjen e tyre (pozitës që kanë).
Në të kundërtën, një mungesë e këtij lloji të interpretimit do të çonte në një shndërrim të pozitës së gjërave, çka do të vështirësonte jetën e çdo besimtari. Është Allahu Ai që ka vendosur gjërat në vendin e tyre, dhe pa dyshim se në mënyrë të drejtë dhe të përsosur. Prandaj, edhe besimtari duhet pranuar dhe interpretuar siç janë, dhe jo të tentojë t'ua ndërrojë vendet, e kështu ta bëjë jetën më të rrepë dhe më ekstreme. Ndërsa nëntitullin Studim për një ndriçim të ri të Kuranit dhe Sunetit, assesi nuk duhet kuptuar si një tendencë për interpretim të ri të Kuranit dhe Sunetit, krijim tarikati apo rrymë interpretimi jashtë atyre që kanë ekzistuar, por duhet kuptuar si një nismë për ndriçimin e një fushe të re, pra një studim i një ndriçimi të ri të Kuranit dhe Sunetit, e që synon Fikhun e prioriteteve, që dijetari me renome botërore, Jusuf Kardavi e nisi para vitit 1994.
Ndërsa përkthyesi i këtij libri, Rexhep Suma, tashmë është një penë e dëshmuar në përkthimet nga gjuha arabe, pasi më parë ka përkthyer edhe: “Bota e Melaikeve” të autorit Sulejman Omer Eshkar (2005), si dhe shumë artikuj të fushave të ndryshme.


Artikulli i kaluar
Rrotullimi rreth Qabesë
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim