Mulla Shefki ef.Rexhepi (1912-1949)

Imami që shërbeu shembull për të tjerët

Është fat i mirë që në ato periudha tejet të vështira nëpër të cilat kaloi populli ynë jetuan dhe vepruan një brez i tërë i ulemave atdhedashës, të pajisur me dituri të ndryshme, si ne aspektin fetar islam, ashtu edhe në aspektin kombëtar. Ishin këta burra të mëdhenj që e udhëhoqën popullin, e udhëzuan dhe e mësuan atë drejt, saktë dhe mirë.

Ishin këta dijetarë e veprimtarë, që për asnjë moment nuk u luhatën në bindjet e tyre fetare islame e kombëtare, pavarësisht dhunës, torturave, provokimeve, nënçmimeve e shantazheve të ndryshme që u bënin sistemet e regjimeve te ndryshme, si dhe njerëzit që shërbenin për këto regjime. Prandaj, falë këtij brezi të ndritur e meritor, vazhdoi pashkëputshëm tradita dhe kultura islame në vendin tonë, me gjithë baticat dhe zbaticat e saj, deri në ditët tona. Një nga personalitet dhe figurat e rëndësishme të kësaj kohe dhe të këtij brezi, që lanë gjurmë të thella në historinë e arsimit dhe të kulturës islame dhe kombëtare në trevën e Anamoravës por edhe me gjerë, në pjesën e parë të shekullit njëzet, padyshim se është imami, hatibi, vaizi, mualimi, hoxha, alimi dhe myderrizi i njohur i asaj kohe, Mulla Shefki ef.Rexhepi, imam i fshatit Hodonoc të Komunës së Kamenicës.
Të rralla janë ato figura që mbahen mend për një kohë aq të gjatë nga bashkëkohësit e vet, siç ishte Mulla Shefki efendi Rexhepi, hoxhë dhe imam i fshatit Hodonoc të Kamenicës. Kjo kur dihet se personalitet në fjalë nuk patën farë pushteti apo funksioni që e ushtruan sa qenë gjallë. I vetmi pushtet i tyre, apo pasuri, ishte fjala e mirë, të cilën e përdorën në momentin e duhur.
Për jetën dhe veprën e këtij dijetari është folur shumë nga bashkëkohësit e tij dhe njerëzit që e njohën. Por, sa u përket shkrimeve për të, pothuajse nuk është shkruar asgjë deri më tash. Për këtë jam përpjekur që gjatë periudhës së kaluar të tuboj disa të dhëna për rahmetliun, si nga bashkëkohësit, si nga familja e tij, dhe kjo që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit që e lamë pas, që një ditë prej ditëve t'i nxjerr në letër me qëllim që kujtimet për të të jetojnë sa më gjatë.
Në ato kohë të vështira të vetmit intelektualë të popullit shqiptar ishin hoxhallarët, ashtu siç kishte ndodhur kur një fshatar i ishte drejtuar një oficeri italian qe ishte vendosur në fshatin Hodonoc, për ta pyetur lidhur me prishjen e një kurorëzimi. Ai i ishte përgjigjur se për këtë pyetje përgjigjen e merituar mund ta marrë nga imami i xhamisë, që po hip pesë herë në ditë në minare për ta thirrur ezanin.
Kështu pra, në atë kohë hoxhallarët ballafaqoheshin me sfida të shumta e nga më të ndryshmet, mirëpo ata ia dolën falë besimit në të Madhin Zot të Madhërishëm, karakterit të fortë që kishin, si dhe besimit të madh që gëzonin te popullata, e cila ishte pranë tyre në çdo vështirësi me të cilën ata ballafaqoheshin.

Jetëshkrimi i Mulla Shefki ef.Rexhepit

Vendlindja

Në mesin e 63 fshatrave, sa ka Kamenica, bën pjesë edhe fshati Hodonoc, i cili gjendet afro 10 km në lindje të qendrës komunale, dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 1.482 ha, 33 ari dhe 30 metra katrorë. Për historinë e fshatit Hodonoc dihet pak, pra se kur filloi jeta në të dhe si vazhdoi deri në ditët e sotme. Më të moshuarit pohojnë se aty afër ishte një odë, në të cilën shpesh pushonin kalimtarët, dhe ishte bërë e njohur si Oda e Nocit, prej të cilit buron edhe emri Hodanoc(1)
Në vitin 1498 haset emri Hodanoc, që kishte 19 kryefamiljarë. Rreth vitit 1905, fshati kishte 50 shtëpi.
Sipas regjistrimit të vitit 1981, fshati ka 280 shtëpi, me 1871 banorë, prej tyre 108 punëtorë aktivë, që punojnë përkohësisht në botën e jashtme, dhe 9 punëtorë që qëndrojnë atje të papunë. Kurse, sipas një gojëdhëne thuhet se fshati Hodonoc u themelua prej dy vëllezërve. Njëri prej tyre kishte pasur 6 djem, kurse tjetri dy. Meqenëse murtaja ishte shfarosëse në ato kohë, gruaja e vëllait të madh tha: “Po edhe t'u binte murtaja bijve të mi, unë kam gjashtë djem dhe me siguri ndonjëri do të shpëtojë”. Por, deshi fati i keq që murtaja u ra, dhe të gjashtët vdiqën, kurse dy djemtë e vëllait të vogël mbetën gjallë, dhe prej tyre u formua fshati Hodonoc, i cili është i ndarë në dy lagje, Lagjja e Epërme dhe Lagjja e Poshtme. Sipas statistikës që jep autori serb Atanasije Urosheviq, në librin e tij "Kriva Reka e Novobërdës”(2), kur flet për familjet shqiptare që jetonin në fshatin Hodonoc, në kohët e mëhershme, ai përmend Deli Nuzët (Deli Jonuzët) (8 shtëpi), Arifovitë (17 shtëpi), Imer Bashët (10 shtëpi), Kyçikët (6 shtëpi), Hoxhovitë (7 shtëpi) dhe Lecët (11 shtëpi). Të gjithë janë nga fisi Kryezi, kurse i përkasin vëllazërisë Morina(3)

Familja e hoxhovitëve dhe xhamia e fshatit

Mulla Shefki ef.Rexhepi u lind në vitin 1912, dhe i përket familjes së hoxhovitëve, e cila banonte në Lagjen e epërme të fshatit. Ata jetonin pranë xhamisë, dhe ishin në shërbim të saj që nga themelimi. Për këtë edhe u quajtën Lagja e hoxhovitëve apo e hoxhallarëve. Kështu, sipas ca të dhënave të të parëve tanë, gjenealogjia e familjes së hoxhovitëve ishte kjo: Mulla Shefkia ishte i Mulla Rexhepit, Mulla Rexhepi i Mulla Isufit, Mulla Isufi i Mulla Isakut, Mulla Isaku i Mulla Ademit, Mulla Ademi i Mulla Rexhepit, Mulla Rexhepi i Mulla Isufit.
Mulla Rexhepi kishte pasur katër djem e një vajzë. Mulla Shefkiu ishte me madhi, e pas tij ishin: Hakiu, Raifi, Isufi dhe vajza Mevludja. Mulla Shefkiu u martua dy here. Me gruan e parë, Nazmijen nga Pogragja, ai pati një vajzë dhe një djalë, Vahiden dhe Ismajlin, Pas vdekjes së gruas së parë u martua me Nafijen nga Kranidelli, me të cilën po ashtu pati një vajzë dhe një djalë, Hanifen dhe Rexhepin. Nga katër fëmijët e Mulla Shefkiut sot ka mbetur gjallë vetëm vajza Hanifja, e cila është e martuar në fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit. Ajo që e dallon këtë fshat nga fshatrat tjerë të Kamenicës është vjetërsia e xhamisë së tij. Vlen të theksohet se xhamia e fshatit Hodonoc, nga ndërtimi i saj i parë është zgjeruar, meremetuar dhe rindërtuar disa here. Me rastin e meremetimit të fundit, në vitin 1978, që ishte e ndërtuar me qerpiçë është gjetur një gur në të cilin është shënuar viti i parë i ndërtimit të xhamisë. Ky gurë është gjetur mbi derën e xhamisë, por me siguri nga pakujdesia e mjeshtrit, ishte përdorur si material ndërtimi e jo si shenjë ku shënohej data e ndërtimit të xhamisë, ashtu siç është i vendosur sot. Ne gurin në fjalë gjejmë mbishkrimin e qartë, ku shkruan: "viti 1001, hixhri", që sipas vitit gregorian i përgjigjet vitit (1592), sipas të gjitha gjasave kjo duhet të jetë nga xhamitë e para të ndërtuara në atë pjesë të Kosovës. Sipas kësaj rezulton se xhamia e fshatit Hodonoc, nga themelimi i saj e deri më sot numëron 422 vjet, sipas kalendarit gregorian, kurse sipas kalendarit hixhri 435 vjet. Këtë të vërtetë e pohonte edhe Sylë Djakovci, i cili thoshte se xhamia e Hodonocit ka qenë ndër xhamitë e para të ndërtuara në këto ane, duke u mbështetur në të dhënat e të parëve të tyre, të cilët në mungesë të ndonjë xhamie tjetër, detyroheshin që me kuaj të shkonin në xhaminë e fshatit Hodonoc për ta falur namazin e xhumasë.
Edhe pse në atë kohë në fshatin Hodonoc kishte edhe hoxhallarë të tjerë, siç ishin: Mulla Nuha, Mulla Bilalli dhe Mulla Limani i lmerbashëve, të cilët kishin edhe ixhazetname, Mulla Nuha njihet edhe si bamirës me çeshmen e tij të njohur, mu në mes të fshatit, e cila ekziston edhe sot e kësaj dite. Pastaj kemi Mulla Destanin prej mëhallës së Kyçykëve dhe Mulla Ibrahimin e mëhallës së Brahollëve. Megjithatë, fshatarët preferonin që imami i fshatit të jetë nga familja e hoxhovitëve, siç ishte rasti me Mulla Shefkiun, që e zëvendësoi në detyrën e imamit të fshatit babanë e vet, Mulla Rexhepin, pastaj Mulla Ademi e zëvendësoi Mulla Shefkiun, e kështu me radhë.

Nxënës në Medresenë"Atik"të Gjilanit

Në shumicën e familjeve shqiptare të asaj kohe ishte bërë traditë që fëmijëve të tyre t'ua mësonin bazat elementare të fesë së tyre, si dhe shumë gjëra të tjera, në kohën kur ata ende nuk kishin nisur të shkonin në shkollë. Kështu kishte ndodhur edhe me Mulla Shefkiun. Meqenëse ai ishte rritur në një ambient islam, ku të gjithë anëtarët e familjes ishin aktivë në islam: kryenin obligimet e tyre islame, lexonin Kuran, këto rrethana edhe kishin ndikuar tek ai që në moshën e hershme të ketë njohuri nga më të ndryshmet në shumicën e shkencave islame, në mënyrë të veçantë nga lëmi i Kuranit. Çdo familje myslimane, në atë kohë, prioritet mbi prioritete kishte që fëmija i saj ta mësojë përmendsh Kuranin, Librin e shenjtë të myslimanëve, e që, në njëfarë forme këtë dëshirë e kanë edhe sot e kësaj dite. Mulla Shefkiu, ashtu si shumë bashkëkohës të kohës së tij, pasi kishte mbaruar shkollën fillore në fshatin e tij si dhe në fshatin Rogaçicë, shkollën e mesme e vazhdoi ne Medresenë "Atik" të Gjilanit. Aty vijoi mësimet për tetë vjet me radhë, nga viti 1928 e deri në Vitin 1936.
Në "Kujtimet" e tij, Mulla Shefkiu përshkruan për peripecitë e tij të shumta me të cilat u ballafaqua gjatë periudhës kohore sa ishte nxënës në Medrese. ”Jeta në Medrese ishte tejet e vështirë, në veçanti për ne nxënësit që vinim nga fshatrat e largëta. Unë udhëtoja për çdo javë ne relacionin: Hodonoc-Gjilan Hodonoc, në këmbë, një distancë prej 30 km në një drejtim: dimër e verë, nëpër borë dhe shi. Me vete merrja ushqimin për një javë ditë. Shpeshherë ndodhte që buka mykej, por duhej me ia hekur mykun dhe me e ngrënë ashtu”. Kushtet në konvikt po ashtu ishin të vështira, nuk kishim as shtrojë e as mbulojë të duhur. Megjithatë, edhe në këto kushte të vështira duhej të mësonin, e kështu edhe ndodhi.”
Shohim se si Mulla Shefkiu iu rrek mësimeve me seriozitetin më të madh, dhe arriti sukses të lartë në Medresenë "Atik”. Në mesin e shumë myderrizëve, ai kishte përmendur me respekt të lartë Myderriz Abdurrahman Efendiun nga fshati Llashticë i Gjilanit, si dhe disa myderrizë të tjerë. Ne vitin 1936 ai e përfundon Medresenë "Atik" në Gjilan, dhe u kthye në vendlindjen e tij, në fshatin Hodonoc, ku fillon punën si imam, hatib dhe mualim në xhaminë e fshatit.

Shërbimi: imam, vaiz e mualim në xhaminë e fshatit Hodonoc

Pas kryerjes së Medresesë në vitin 1936, Mulla Shefkiu u caktua imam, vaiz dhe mualim në fshatin e lindjes, në Hodonoc, ku shërbeu deri në vitin 1949, kur edhe ndërroi jetë. Në të njëjtën detyrë ishte emëruar edhe nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, kur ky i fundit e kishte shtrirë aktivitetin e tij edhe në Kosovë. Në Vendimin ne fjalë thuhej: "... Shefki ef.Rexhepi i emnuem për mësim-besim në Hodonoc, më 24.03.1943, paguhet nga fshatarët 500 kg. drithë në vit. Ky edhe para luftës më 1940, ishte i emnuem nga Banovina e Vardarit."(4)
Mulla Shefkiu e trashëgoi detyrën e imamit në xhaminë e fshatit Hodonoc, pra nga babai i tij, Mulla Rexhepi, i cili kishte shërbyer deri në vitin 1931, kur edhe kishte ndërruar jetë. Në ndërkohë, derisa Mulla Shefkiu kishte mbaruar Medresenë, paria e fshatit ishin marrë vesh që detyrën e imamit ta kryente përkohësisht Mulla ef.Bilalli, i cili shërbeu deri më 1936. Kurse pas vdekjes së Mulla ef.Shefkiut, me 1949, në detyrën e imamit të fshatit Hodonoc vjen Mulla Ademi, kushëri i Mulla Shefkiut, i cili punon nga viti 1952, e deri në vitin 1978, kur edhe pensionohet. Ndërkohë, që nga viti 1987, e deri në vitin 2003, imam i fshatit ishte Hafiz Abdurrahman Basha, kur edhe pensionohet. Kurse, duke filluar nga janari i vitit 2004, ishte fati që imam i fshatit Hodonoc të caktohet nipi i Mulla ef.Shefkiut, Mulla ef.Burhani, i cili këtë detyrë e kryen edhe sot e kësaj dite.
Të rrallë janë imamët që me një përkushtim aq të madh e kryejnë detyrën e imamit, ashtu siç pohonin bashkëkohësit e tij, të cilët patën rastin të jenë xhemati i tij, gjithashtu edhe nxënësit e tij, me të cilët punonte në mejtepin e xhamisë, kishin një respekt të jashtëzakonshëm ndaj myderrizit të tyre. Këtë e përmendin edhe sot e kësaj dite shumë ish-nxënës apo nxënëse të tij, të cilët patën fatin të mësojnë bazat e Islamit nga hoxha i tyre i nderuar. Në bazë të shënimeve të tij që ende kanë mbetur në dorëshkrim, si dhe në bazë të kujtimeve të xhematit të tij, shihet se ai kurrë nuk kishte dalë para xhematit pa pasur konceptin e shkruar për temën që e kishte objekt trajtimi, qoftë ajo temë e trajtuar si vaz nga kursi apo hytbe e lexuar nga minberi i hytbes. Për fat të keq shumica e këtyre shënimeve janë marrë nga shumë hoxhallarë, siç do të shohim kur do të flasim për bibliotekën e tij, përndryshe, po të gjendeshin gjithë ato shënime, të tuboheshin e të redaktoheshin, pastaj të botoheshin në një vëllim apo edhe më tepër, do të ishte një thesar i çmuar jo vetëm për Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe më gjerë.
Ajo që e ndihmoi Mulla Shefki et.Rexhepin të jetë në rrjedhat bashkëkohore qe parapagimi i tij në revistën javore me titull "Islami", e cila botohej në Kajro. Në këtë revistë e kishte parapaguar nipi i tij, Muharrem Tasim Shabani, nga Përlepnica, i cili në ato vite ishte student në Universitetin e "El-Az'harit” në Kajro. Bibliotekë e pasur e disa brezave hoxhallarësh Mulla Shefki ef.Rexhepi vinte nga një familje hoxhallarësh, që patën një respekt të madh ndaj fjalës së shkruar. Për këtë ai trashëgoi një biblioteke shumë të pasur, nga disa breza hoxhallarësh, në dorëshkrime apo libra të shtypur. Si zakonisht, dorëshkrimet apo librat ishin në gjuhën arabe, turke dhe persiane. Njohja e këtyre gjuhëve ishte e domosdoshme për një hoxhë apo imam, që të jetë në gjendje të komunikojë në nivelin e duhur, si dhe t'u përgjigjet sfidave të kohës.
Pas Vdekjes së Mulla Shefki Efendiut, dy axhallarët e tij, Januzi dhe Idrizi, deklaruan se "ishte gjynah që qitapët të mbesin të mbyllura e pa u shfrytëzuar prej askujt”. Në njëfarë mënyre kjo ishte një shpallje për të interesuarit, që të vijnë dhe të marrin librat në bibliotekën e familjes, e që ishin trashëguar brez pas brezi. Pas përhapjes së këtij lajmi shumë hoxhallarë, në fillim nga fshatrat përreth, nisën të shkojnë në bibliotekë për të marrë librat që ata donin. Kështu, sipas fjalëve të vëllezërve të tij, Hakiut dhe Raifit, me javë dhe muaj të tërë nuk ishin ndalur duke bartur libra, e ata hoxhallarë ishin: Hafiz ef.Kallaba, imam në fshatin Roganë, pastaj Mulla Selimi, nga fshati Topanicë, Mulla Mehmet Dobrosini, nga fshati Dobrosin, si dhe shumë hoxhallarë të tjerë, të cilët bartnin libra edhe me kuaj. Madje dy vëllezërit, Hakiu dhe Raifi, tregojnë se nga biblioteka në fjalë një nunër i konsideruar i librave kishin shkuar edhe në Sarajevë, atëherë kur një ekipi i posaçëm i hoxhallarëve kishte ardhur prej kryeqendrës së myslimanëve në ish Jugosllavi për të parë se me çfarë fondi të librave dispononte biblioteka në fjalë. Më në fund komisioni zgjodhi librat më të rëndësishëm, e të cilët i dërgoi në Sarajevë. I vetmi person që i ishte kundërvënë idesë së shpërndarjes së librave në këtë mënyrë kishte qenë ish-bashkëshortja e Mulla Shefkiut, e cila kishte thënë se: "në familjen tonë kemi mjaft djem, të cilët në të ardhmen do të merren me këtë thesar të trashëguar për breza të tërë”.


____________________
(1) Mr. Sc. Xhavit Kryeziu, Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) I, Gjilan, 2006, f. 65
(2) Dr. Atanasije Urosheviq, Novobrdska Kriva Reka, Prishtina, 1966, Str,128
(3) Ibid. str. 128.
(4) Arkivi i Kosovës, dosja nr. 17. Viti, 1943.



Mr. Qemajl Morina

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.