Hipokrizia apo dyfytyrësia, në kuptimet e thjeshta që gjenden në fjalor, është shtirje ose simulim pasjeje virtyte a bërje mirë.

Ajo paraqet akt ose veprim simulimi ndjenjash ose besimi, e veçanërisht dukje e gënjeshtërt devotshmërie a ndershmërie. Në fakt, hipokrizia është fshehje e besimit ose karakterit të vërtetë; shtirja e njeriut për të qenë ai që nuk është. Hipokrit i thuhet atij që bën hipokrizi. Sinonimet për hipokrizinë janë: të mashtruarit, shtirja, dyfytyrësia, dyfaqësia, mashtrimi, përderisa sinonimet për hipokritin janë: sharlatan, mashtrues, shtirës, hileqar, pretendues, shtinjak etj. [Në anglisht, rrjedhimisht edhe në arabisht, ka më shumë terma që shënojnë hipokrizinë (shën. i përkthyesit)].
Në bazë të Kuranit Famëmadh, libri i shpallur i Islamit, hipokritët janë ata që thonë: “Ne besojmë Zotin dhe Ditën e Fundit gjersa, në fakt, nuk besojnë”; pra, pëshpërisin me gojë diç që nuk e kanë në zemër. Kur ngrihen të kryejnë adhurimin, e bëjnë me ngathtësi dhe që të shihen nga njerëzit, dhe se e përmendin Zotin, po jo sa duhet – pak. Bredhin sa në një anë, sa në tjetër, duke mos i përkitur as njërës e as tjetrës. Pasqyra e një hipokriti, shikuar nga pikëvështrimi sipas Kuranit Fisnik, është ajo që ai adhuron Allahun me nënshtrim të kufizuar, ashtu që, nëse i ndodh ndonjë e mirë, gëzohet; kurse, nëse i bie ndonjë sprovë mbi kokë, përmbyset. Kështu, gjuha dhe mendja e hipokritit, apo fjala dhe vepra e tij, nuk janë të njëjta – nuk përputhen. Në anën tjetër, mendja e gjuha e një besimtari janë në përputhje me njëra-tjetrën, ngase ai me zemër e beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të njëjtën e shqipton edhe me gjuhë.
Përgjatë periudhës së hershme të ndonjë revolucioni, apo të ndonjë reforme apo të ndonjë lëvizjeje fetare shfaqet një shtresë njerëzish që i bashkon duart me revolucionarët e reformatorët dhe në dukje vepron e flet si ata. Por, në të vërtetë, ajo është një klasë hipokritësh që në thellësinë e zemrave të tyre i kundërvihen lëvizjes, duke qenë përfaqësues të rendit të vjetër. E gjithashtu edhe Pejgamberi, alejhi selam, dhe shokët e tij u përballën me një klasë të tillë kur migruan në Medine dhe kur po bënin përpjekjet për t’u vendosur (për të themeluar shtet) aty. Një grup i mendinasve në dukje bënë sikur pranuan Islamin, shfaqën sikur po besatohen para Pejgamberit, alejhi selam, zbatonin aktet e fesë islame sikur të gjithë muslimanët, por në fshehtësi komplotonin bashkë me armiqtë e Islamit dhe nuk lëshuan asnjë rast për t’i dëmtuar muslimanët dhe kauzën e tyre. Ky grup njerëzish qe udhëhequr nga Abdullah ibën Ubej, prijësi i fisit Benu Hazrixh. Ata u bënë tog me çifutët e Medines dhe paganët kurejshitë të Mekes dhe s’lanë gjë pa bërë me qëllim për ta rrënuar Islamin dhe muslimanët. Prandaj, ata qenë quajtur hipokritë. Pejgamberit, alejhi selam, dhe shokëve të tij u qe tërhequr vërejtja të jenë vigjilentë për aktivitetet e tyre. Allahu i pati ndëshkuar ata njësoj si i pati ndëshkuar jobesimtarët dhe qenë kërcënuar me dënim të dhimbshëm.
Islami, pra, ndëshkon hipkorizinë në formën më të rreptë të mundshme. Në bazë të Kuranit Famëmadh, hipokritët do të jenë në thellësinë më të ulët të Ferrit. Pejgamberi, alejhi selam, qe urdhëruar të luftojë kundër hipokritëve ashtu sikurse kundër jobesimtarëve. Ai madje qe ndaluar të kërkojë falje për ta, meqë Allahu i Lartësuar nuk do t’ua kishte falur edhe nëse do të kërkohej falje për ta shtatëdhjetë herë. Ndalesë për Pejgamberin, alejhi selam, dhe shokët e tij pati pasur edhe kur gjente shprehjen falja e namazit të xhenazes së ndonjë hipokriti. Kështu, mëkati i hipokrizisë, sipas Islamit, është më i madh se ai i mosbesimit.


Argumente nga Kurani

1) “Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar Allahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë kënd, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë. Në zemrat e tyre kanë sëmundje, e Allahu ua shton atë sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, u pëson dënim i dhembshëm!” (Kur'an, 2: 8-10).
2) “Dhe, për t'u ditur ata që ishin hipokritë. E atyre u është thënë: “Ejani e luftoni në rrugën e Allahut ose mbrojeni veten!” E ata thanë: “Sikur të dinim se do të luftohej, ne do të vinim pas jush!” Në atë moment ata ishin më afër mosbesimit se besimit. Flisnin me gojët e tyre atë që nuk e kishin në zemrat e tyre, po Allahu e di mirë për atë që fshehin. Dhe ata që nuk luftuan dhe atyre të vetëve u thanë: “Sikur të na dëgjon neve (e të ktheheshin siç u kthyem ne), nuk do të mbyteshim!” Thuaju: “Largojeni pra vdekjen prej vetes suaj, nëse jeni të sigurt çka thoni?”” (Kur'an, 3: 167-168).
3) “Ti (Muhammed) njoftoji munafikët se me të vërtetë ata kanë një dënim të dhembshëm. Janë ata që, në vend të besimtarëve, i miqësojnë jobesimtarët. Vallë, a mos kërkojnë fuqi te ta? S'ka dyshim, e tërë fuqia i takon Allahut!” (Kur'an, 4: 138-139).
4) “Munafikët përpiqen ta mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por Allahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t'u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun. Ata janë të luhatshëm ndërmjet atij dhe atij (besimit dhe mosbesimit) e nuk janë as me ata (me besimtarët) as me ata (me jobesimtarët). Po atë që e mposht Allahu, ti nuk mund të gjesh shpëtim për të!” (Kur'an, 4: 142-143).
5) “S'ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të Zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës!” (Kur'an, 4: 145).
6) “Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri-tjetri; urdhërojnë për të keqen e ndalojnë nga e mira dhe shrëngojnë duart e tyre. Harruan Allahun (nuk i binden), prandaj Ai i harroi (nga mëshira). Nuk ka dyshim, hipokritët janë ata të prishurit. Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve Allahu u ka përcaktuar zjarrin e Xhehennemit, ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe ata i ka mallkuar Allahu. Ata kanë dënim të pandërprerë!” (Kur'an, 9: 67-68).
7) “O Pejgamber, luftoji jobesimtarët dhe hipokritët dhe sillu rreptë ndaj tyre – vendi i tyre është Xhehennemi që është përfundimi më i keq!” (Kur'an, 9: 73).
8) “Kërko falje për ta ose mos kërko (është njëjtë), e edhe nëse kërkon falje shtatëdhjetë herë, Allahu nuk do t'ua falë, sepse ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e Allahu nuk vë në rrugë të drejtë (të shpëtimit) ata që nuk respektojnë!” (Kur'an, 9: 80).
9) “Dhe asnjërit prej tyre, kur të vdesin, mos ia fal namazin (e xhenazes) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij (për lutje e vizitë), pse ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe vdiqën kryeneçë. Po ty të mos duket e mirë pasuria e tyre dhe fëmijët e tyre. Allahu deshi t'i mundojë me të në këtë botë dhe t'u dalë shpirti duke qenë mohues!” (Kur'an, 9: 84-85).
10) “Ka nga njerëzit që adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet me të, po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai i ka humbur këtë dhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë!” (Kur'an, 22: 11).
11) “Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar Allahut, e kur goditet me ndonjë të keqe për shkak të (rrugës së) Allahut, ai sprovimin prej njerëzve e trajton si dënimin e Allahut (prej të cilit njerëzit ikin prej mosbesimit në besim), e nëse vjen ndonjë fitore prej Zotit tënd, ata do të thonë: “Ne kemi qenë me ju!” Po a nuk është Allahu ai që di më së miri për atë që është në zemrat e njerëzve? Allahu do t'i vërë në pah ata që besuan dhe do t'i vërë në thumb hipokritët!” (Kur'an, 29: 10-11).
12) “Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: “Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i Allahut!” E Allahu e di se ti je i dërguar i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë rrenacakë (kur thonë ashtu). Ata betimin e tyre e bëjnë për t'u mbrojtur, andaj ata penguan nga rruga e Allahut. Veprimi që bënë ata është shumë i keq. Ngase ata besuan (me gojë) e pastaj mohuan, andaj zemrat e tyre u mbyllën dhe ata nuk kuptojnë!” (Kur'an, 63: 1-3).


Argumente nga Sunneti

1. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, mashtron dhe kur i besohet diçka, tradhton! (Muslimi shton: Edhe nëse agjëron, falet dhe mendon se është musliman.)”
[Shënon Buhariu dhe Muslimi]

2. Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Gjithsecili që ka katër veti në të është hipokrit i vërtetë, ndërsa ai që ka një nga to, ai ka një shprehi të hipokrizisë, derisa të heqë dorë nga ajo – kur t’i besohet diçka, mashtron; kur flet, gënjen; kur premton, tradhton, dhe kur polemizon, mëkaton!”
[Shënon Buhariu dhe Muslimi]
3. Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Shembulli i hipokritit është si ai i edhit që bredh herë te një dhi, e herë te një tjetër!”
[Shënon Muslimi]
4. Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Hipokrizia ka ekzistuar në kohën e të Dërguarit të Allahut. Sa për në kohët e sotme, ajo o është mosbesim, o besim!”
[Shënon Buhariu]
5. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nuk mund të bashkohen dy veçori te hipokriti: sjellja e mirë dhe dituria për fenë!”
[Shënon Tirmidhiu]



Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 08.07.2010
Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhamed el-Kudri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi