Hafiz Bajram ef. Agani, projektues i Bashkësisë Islame të Kosovës

Hafiz Bajram ef. Agani, nismëtar dhe projektues i riorganizimit të Bashkësisë Islame të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore (1947-1951)

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kosova edhe njëherë ndahet padrejtësisht nga e ëma e saj, Shqipëria, dhe futet dhunshëm nën administrimin e sajesës artificiale të quajtur Jugosllavi. Me këtë akt edhe Bashkësia e Fesë Islame në Kosovë detyrimisht do të ndryshojë qendrën nga Tirana në Sarajevë dhe, që nga viti 1945 e deri më 1990, do të veprojë si Bashkësia e Fesë Islame për Serbinë, respektivisht për Kosovën, Serbinë dhe Vojvodinën, me seli në Prishtinë, në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Federatës Jugosllave me qendër në Sarajevë.

Në këto rrethana të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, në organizimin, funksionalizimin, strukturimin në terren dhe drejtimin e Bashkësisë Islame, kontribut determinues ka dhënë brezi i ulemasë shqiptare, në mesin e tyre edhe vizionari i shquar Hafiz Bajram ef. Agani, të cilit do t’i binte barra kryesore, sepse do të vihej në krye të këtij institucioni dhe strukturave të tij.



Hyrje

Organizimi i jetës fetare islame në Kosovë zë fill që nga koha e administrimit të Perandorisë Osmane në këto anë. Gjatë asaj kohe, organizimi i jetës fetare islame, në çdo anë të Perandorisë, ka qenë i rregulluar nëpërmjet autoritetit fetar dhe politik, sipas të cilit, organizimin fetar islam dhe funksionet shtetërore, i ka ushtruar një strukturë unike (din ue deule), kurse bashkësitë e tjera fetare kanë pasur organizimet e veta të veçanta.

Në kuadër të Perandorisë Osmane, në kuptimin organizativ fetar islam, të gjithë myslimanët në Ballkan kanë qenë pjesë përbërëse e Bashkësisë Unike Myslimane, në krye të së cilës ka qëndruar Sulltani në funksionin e Kalifit. Kompetencat dhe prerogativat e kalifit në kohën e qeverisjes së sulltan Muratit II (1421-1451), janë bartur në myftiun kryesor, kështu që nga atëherë, myftiu kryesor në kuadër të Perandorisë Osmane ka bartur titullin Shejhul-islam, i cili ishte edhe autoriteti më i lartë fetar islam në gjithë Perandorinë. Këtë post e kanë pasur edhe tre shqiptarë: Ali efendi Zembili (1503-1526), Ibrahim Bej efendi Ajvaz Pasha-zade (1719-1797) dhe Abdurrahman Nesip Efendiu (1842-1914). Ndërkaq, në nivelin lokal, autoritetin qendror të Shejhul-islamit e kanë pasur myftinjtë e rretheve.

Me tërheqjen e Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare, për dallim nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, i cili u themelua në Tiranë më 1923, në Kosovë u krijuan rrethana të reja shoqërore-politike të pafavorshme për shqiptarët dhe për bashkësinë e tyre fetare islame, sidomos në ato troje që u pushtuan nga okupatori sllav.

Bashkësia e Fesë Islame në Kosovë, siç quhej asokohe, që nga largimi i osmanëve është angazhuar dhe ka luftuar të ketë autonominë fetare dhe të gëzonte të drejtat dhe statusin e saj, por kjo nuk ishte e mundur dhe në ato rrethana as që mund të ndodhte ndryshe.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Bashkësia e Fesë Islame, në kuadër të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene (1918-1929), ka qenë e organizuar në atë mënyrë që myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë kanë pasur një bashkësi, me në krye Reis-ul-ulemanë me seli në Sarajevë, ndërsa myslimanët në Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi kanë pasur bashkësi të veçantë me në krye myftiun suprem me seli në Beograd.

Ndryshimet e mëdha që ndodhën me vendosjen e diktaturës së Mbretërisë Jugosllave (6 janar 1929), do ta godisnin edhe Bashkësinë e Fesë Islame, e cila do të pësonte ndryshime të dukshme, ngase vendet që deri atëherë vareshin nga ish-Myftinia Supreme e Beogradit, pra edhe Kosova, do të kalonin në vartësi të Ulema Mexhlisit të sapoformuar në Shkup, që, së bashku me Ulema Mexhlisin e Sarajevës, përbënin Rijasetin e Bashkësisë Islame me seli në Sarajevë.

Gjatë periudhës 1941-1944, Bashkësia e Fesë Islame e Kosovës, me dy Kryemyftinitë e saj (Kryemyftininë e Prizrenit dhe Kryemyftininë e Prishtinës), do të lidhej me Komunitetin Mysliman me qendër në Tiranë. Organizimi i saj ishte i ndarë në Kryemyftini dhe Nënmyftini. Në krye të këtyre institucioneve qenë vënë personalitete kompetente, të cilët ishin dalluar, përveç të tjerash, edhe në planin kombëtar, mes dy luftërave botërore, siç ishin myftinjtë: Hasan Islami-Nahi në Prizren, Rexhep Remziu në Prishtinë, nënmyftiu Mulla Idris Gjilani në Gjilan, nënmyftiu Ahmet Hasani në Ferizaj, nënmyftiu Fahri ef. Iljasi në Gjakovë etj. Dekretimi i nëpunësve fetarë që nga myezinët e deri te myftinjtë bëhej nga Komuniteti Mysliman në Tiranë, që udhëhiqej nga Dr. Behxhet Shapati e më pastaj edhe nga Hafiz Sherif ef. Langu.

E veçanta e kësaj periudhe ka të bëjë me faktin se administrata e këtyre institucioneve vepronte ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Në këtë kohë në Kosovë, në mënyrë të lirë dhe haptazi, shpërndahej literatura islame nga Shqipëria, si revistat: “Kultura Islame”, “Zani i Naltë”, “Mevludi” i Hafiz Ali Riza Ulqinakut, veprat e Hafiz Ibrahim Dalliut, veprat e Hafiz Ali Korçës, Haki Sharofit, Hafiz Abdullah Zëmblakut etj.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kosova ndahet edhe njëherë padrejtësisht nga mëma e saj, Shqipëria, dhe futet dhunshëm nën administrimin e sajesës artificiale të quajtur Jugosllavi. Me këtë akt edhe Bashkësia e Fesë Islame në Kosovë detyrimisht do të ndryshojë qendrën nga Tirana në Sarajevë dhe që nga viti 1945 e deri më 1990 do të veprojë si Bashkësia e Fesë Islame për Serbinë, respektivisht për Kosovën, Serbinë dhe Vojvodinën, me seli në Prishtinë, në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Federatës Jugosllave me qendër në Sarajevë.

Në këto rrethana, të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare ish-Jugosllavi, në organizimin, funksionalizimin, strukturimin në terren dhe drejtimin e Bashkësisë Islame, kontribut determinues ka dhënë brezi i ulemasë shqiptare, në mesin e tyre edhe vizionari i shquar Hafiz Bajram ef. Agani, të cilit do t’i binte barra kryesore, sepse do të vihej në krye të këtij institucioni dhe strukturave të tij.

Para së të flasim për kontributin e Hafiz Bjaram Aganit në riorganizimin e BIK-së, e shohim me vend që të japim një pasqyrë të shkurtër të gjendjes shoqërore e politike në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjendja politiko-shoqërore pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë

Pas Luftës së Dytë Botërore, rrjedha objektive e ngjarjeve që çonte drejt zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës, u ndërpre. Popullsia shqiptare e Kosovës u përball me presionet, me mashtrimet dhe me dhunën e udhëheqësve komunistë jugosllavë, sidomos të atyre serbë. Deklaratat e tyre premtuese për vetëvendosjen e popullit shqiptar pas luftës, u harruan. Në të njëjtën kohë kur brigadat partizane shqiptaro-kosovare marshonin drejt veriut dhe luftonin përkrah popujve jugosllavë për çlirimin e plotë të Jugosllavisë, mbi popullsinë shqiptare në Jugosllavi u ushtrua një shtypje e egër kombëtare, pati arrestime, terror e persekutime të shqiptarëve (kujtojmë këtu plojën e Tivarit, Luftën e Drenicës, masakrën e Gjilanit etj.), u ndalua përdorimi i flamurit kombëtar, nëpunësit shqiptarë u pushuan nga puna dhe u zëvendësuan me ata serbë.

Goditjet që u ndërmorën mbi popullsinë shqiptare menjëherë pas luftës e gjatë Administratës Ushtarake ishin në përputhje me Elaboratin e Vasa Çubrilloviqit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, dërguar qeverisë së re jugosllave ende pa mbaruar lufta, më 3 nëntor të vitit 1944.

Përballë gjithë këtyre, popullata shqiptare nuk ndenji duarkryq, por u organizua kundër riokupimit të Kosovës nga Serbia, përkatësisht Jugosllavia. Në ballë të këtyre revoltave dhe rezistencës shqiptare, pa dyshim u gjend edhe ulemaja shqiptare dhe në shërbim të tyre u vunë edhe institucionet islame, si xhamitë, medresetë etj.

Pas shtypjes së revoltave masive popullore nga ana e pushtetit komunist, qëndresa kundër pushtetit jugosllav vazhdoi në rrugë ilegale. U krijuan disa organizata të fshehta. Më e rëndësishmja ndër to ishte Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH), e cila në radhët e saja kishte shumë imamë e hoxhallarë që ndihmuan në drejtimin, strukturimin por edhe në masivizimin e kësaj lëvizjeje.

Duhet thënë se, qëndrimi i sistemit komunist që po instalohej në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në një pjesë të madhe të Evropës, e fatkeqësisht edhe në Shqipëri dhe në viset tona, për sa i përket fesë, ishte armiqësor. Kjo sepse, sipas pikëpamjeve komuniste, feja shihej si pengesë kryesore për jetësimin e platformës ideologjike komuniste, ngaqë feja kishte rol të rëndësishëm dhe ishte e shtrirë në gjithë popullin.

Në Kosovë dhe në Maqedoni, sistemi komunist që po instalohej, përveç arsyeve etnike dhe fetare, kishte edhe një arsye më tepër që të vihej në ndjekje të ulemasë shqiptare dhe atakimin e institucioneve islame, sepse këta bënë rezistencë të fortë dhe qenë angazhuar me gjithçka patën kundër ripushtimit sllav dhe mbrojtën vatanin dhe fenë e tyre. Është e tepërt të përmendet këtu roli i mulla Idriz Gjilanit, Ibrahim Lutfiut, Haki ef. Sermaxhës, Iljaz ef. Brojës, Asim ef. Luzhës e shumë të tjerëve.

Angazhimi i imamëve dhe hoxhallarëve në radhët e NDSH-së është vazhdimësi e kontributit të ulemasë shqiptare në lëvizjet e mëdha për popullin tonë, që nga Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, pastaj kontributi i ulemasë gjatë Rilindjes Kombëtare, si dhe përkrahja dhe mbështetja për formacionet patriotike që ishin në shërbim të vetëdijes për kombformim dhe shtetformim.

Riorganizimi i Bashkësisë Islame në Kosovë dhe roli i Hafiz Bajram ef. Aganit

Ulemaja shqiptare, e vetëdijshme për peshën që ka mbi vete dhe duke parë rrethanat e reja që tash e tutje nuk i lejonin që të vazhdonin të ishin të lidhur me qendrën në Tiranë, me qëllim që të ruante mëvetësinë, filloi të riorganizohej institucionalisht. Kështu, në Prizren, më 11-12 korrik 1945, mbajtën Kongresin e Parë të Ulemave të Kosovës. Si rezultat i këtij Kuvendi – Mexhlisi të ulemasë kosovare, doli edhe udhëheqja e re – Kryesia e saj, me përbërje Rexhep ef. Remziun-kryetar, Fahri ef. Iljazin – nënkryetar, Sheh Hasanin – nënkryetar, Jusuf ef. Imamin, Hasan ef. Islamin-Nahin, Haki ef. Taipin (Sermaxhaj), Mustafë ef. Hoxhën dhe Avdurrahim Kuçanin – sekretar.

Në këtë përbërje, organizimi i Bashkësisë Islame funksionoi deri më 26-27 gusht 1947, kur të gjithë përfaqësuesit e myslimanëve të federatës së asaj kohe, si nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, miratuan një rezolutë me të cilën shprehnin gatishmërinë për organizimin dhe funksionalizimin e bashkësisë islame, rezolutë e cila realisht hyri në fuqi në vitin 1948.

Këtë vit, pra më 1947, miratohet edhe kushtetuta e Bashkësisë së Fesë Islame në ish-Jugosllavi dhe kështu krijohen bazat ligjore për organizimin e Bashkësive Islame në nivelin qendror dhe në atë lokal.

Sipas kësaj Kushtetute formohet edhe Bashkësia e Fesë Islame me seli në Prishtinë, ndërsa kryetar i parë i saj emërohet Hafiz Bajram ef. Agani, i cili udhëhoqi BFI-në e Kosovës gjatë viteve 1948-1959.

Rregullimi i brendshëm i këtyre bashkësive ndërkaq bëhej mbi bazën e statuteve. Kështu, Bashkësia Islame në Kosovë, në vitin 1948, kishte miratuar statutin e saj, sipas të cilit (neni 17), kjo bashkësi kishte këtë organizim:

- Imami i xhematit
- Këshilli i Vakëfit të Rrethit
- Kryesia e Fesë Islame dhe
- Kuvendi i Vakëfit me Këshillin e Kuvendit dhe Drejtorinë e Vakëfit.

Ky statut shënon aktin e parë të organizimit të BFI-së së Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Ky dokument është i shkruar në gjuhën shqipe dhe përmban 13 faqe, i ndarë në 16 njësi me 43 artikuj, përkatësisht nene. Ky statut është aprovuar me vendimin e Vakëfit nr. 696/48, datë 10 korrik 1948 dhe është i firmosur nga Hafiz Bajram ef. Agani.

Angazhimi i Hafiz Bajram Aganit në konsolidimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, shtrirjen e saj në këshillat e vakëfit, siç quheshin asokohe, pastaj strukturimi i BI në nivel të Rijasetit etj., është tepër vendimtar dhe domethënës. Kjo më së miri shihet në raportet e punës, në procesverbalet, qarkoret dhe relacionet e Bashkësisë Islame të Kosovës që mbajnë firmën e Hafiz Bajram ef. Aganit, qoftë më këshillat e vakëfit, qoftë me Kryesinë Supreme të Bashkësisë Islame në Sarajevë, qoftë me organet e atëhershme krahinore.

Themelues, myderriz dhe udhëheqës i Medresesë

Përveç konsolidimit dhe strukturimit të BI në Kosovë, Bajram ef. Agani i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe themelimit të institucioneve arsimore e kulturore në kuadër të BI-së si nevojë e domosdoshme për funksionimin normal dhe ngritjen e saj në nivel të përgjegjësisë dhe misionit.

Pasi pushteti monist kishte mbyllur të gjitha medresetë në Kosovë, popullatës myslimane iu bë e pamundur që të shkollohej në ndonjë shkollë fetare të sajën. Duke e ndier këtë nevojë dhe duke ditur rëndësinë e hapjes së një shkolle fetare islame në gjuhën shqipe, Hafiz Bajram ef. Agani, do të angazhohej me mish e me shpirt që një e tillë të hapej në Kosovë.

Kështu, me iniciativën dhe punën e tij të pashoqe, më 1 nëntor 1951, do të nisë punën Medreseja e Ulët Shqiptare e Prishtinës, me myderrizët e parë të saj mësuesin e shkollës kombëtare myderrizin Ahmed ef. Mustafën, që ishte edhe drejtues i parë i saj, pastaj Hafiz Ishak Saidin, veteranin e arsimit kombëtar Haki Krasniqin etj. Ndërsa Hafiz Bajram ef. Agani do të ligjëronte lëndët gjuhë arabe, akaid, ahlak dhe husni hat/kaligrafi.

Kjo lirisht mund të konsiderohet një ndër arritjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të periudhës së Hafiz Bajram ef. Aganit në krye të BI-së.

Përveç si pedagog në medrese nga 1 janar 1953 deri më 15 dhjetor 1956, Hafiz Bajram ef. Agani ka qenë dhe drejtor i saj. Gjatë kohës si myderriz në medrese dhe për katër vjet si drejtues i saj, Hafiz Bajrami dha një kontribut të çmueshëm në arsimimin dhe edukimin e nxënësve të medresesë dhe shquhej sidomos për dijet e tij të thella dhe metodologjinë e avancuar pedagogjike-didaktike.

Themelues i Bibliotekës së Vakëfit

Krahas udhëheqjes së Bashkësisë Islame dhe medresesë, Hafiz Bajram Efendiu, në vitin 1951 do të themelonte “Bibliotekën Qendrore të Vakëfit” në Prishtinë. Meqë Kosova kishte trashëguar një fond librar shumë të pasur me dorëshkrime e libra në gjuhët orientale, duke ditur rëndësinë e vlerat e tyre dhe nga frika e shkatërrimit e humbjes së kësaj pasurie, Hafiz Bajram ef. Agani, më 24 shtator 1951, do të themelonte “Bibliotekën Qendrore të Vakëfit” në Prishtinë, që njihej edhe me emërtimet “Kutubhaneja e Vakëfit” ose shkurt “Biblioteka e Vakëfit”. Dhe jo vetëm kaq, por Bajram ef. Agani ishte angazhuar personalisht edhe në pasurimin dhe mbushjen me libra e dorëshkrime të kësaj biblioteke, duke pasuruar kështu fondet e saj me një numër të madh librash e dorëshkrimesh islame dhe kishte punësuar edhe bibliotekarin e saj, Faik Hamdibegollin nga Prishtina. Për më tepër, duke qenë një dashamir i madh i librit, një dijetar dhe intelektual i mirëfilltë, Hafiz Bajram ef. Agani, më 2 shtator 1958, kishte hartuar edhe një katalog me 256 faqe të dorëshkrimeve dhe librave që posedonte kjo bibliotekë, që përfundon me numrin 2092 njësi-qitape. Kjo ishte një arritje tjetër e BFI-së së Kosovës me Hafiz Bajram ef. Aganin në krye.

Nismëtar i literaturës islame në gjuhën shqipe

Bajram ef. Agani u dallua edhe si iniciator dhe nismëtar i literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë. Ai duke parë mungesën e literaturës islame në gjuhën shqipe dhe nevojën e besimtarëve për të njohur fenë e tyre, më 1957 së bashku me Mehmet Gjevorin botuan të përkthyer Ilmihalin dhe Jasini Sherifin, botime këto që shënjuan fillimin e veprimtarisë botuese islame në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi.

Në vitin 1954 Hafiz Bajram efendiu në përgjigje të nevojave të kohës dhe kërkesave të besimtarëve, kishte hartuar edhe një “Takvim” për llogaritjen e kohëve të namazit dhe festave fetare, por i cili mbeti në dorëshkrim.

Ai qe edhe nismëtar i kultivimit të gjuhës shqipe edhe në hytbet, vazet e nasihatet që mbanin imamët gjithandej nëpër xhamitë e Kosovës.

Për këtë qëllim, ai, që atëkohë, kishte përgatitur 52 hytbe tematike dhe shumë ligjërata të shtypura me makinë shkrimi dhe ua kishte dërguar të gjithë imamëve të Kosovës, duke vënë kështu një bazë të mirë në gjuhën e ligjërimit shqip nëpër xhamitë e Kosovës.


Përfundim

Nga sa u tha më sipër, mund të konkludojmë se, riorganizimi dhe konsolidimi i BI të Kosovës, themelimi i medresesë dhe i bibliotekës, nismat për përkthimin e literaturës në gjuhën shqipe dhe një sërë ndërmarrjesh të tjera, shënojnë epokën e Hafiz Bajram ef. Aganit dhe kur kësaj ia shtojmë edhe rrethanat e vështira në të cilat ai veproi, lirisht mund të themi se Hafiz Bajram ef. Agani mbetet personaliteti më emblematik në historinë e re të BI të Kosovës.

Angazhimi, puna, kontributi e përkushtimi i Hafiz Bajram Aganit për Bashkësinë Islame në Kosovë dhe për institucionet e saj, e bëjnë atë një strateg të pashoq, një vizionar të thellë e largpamës, një personalitet që në kohë të vështira e plot kthesa, diti dhe arriti të vinte themele të forta e të qëndrueshme, që i bënë ballë stuhisë së monizmit e komunizmit.

Frytet e punës së nisur nga Hafiz Bajram ef. Agani vazhdojnë të korren edhe sot.


Burimet dhe literatura:

- Arkivi i Kosovës, Fondi Bashkësia e Fesë Islame – Drejtoria e Vakëfeve – Prishtinë, viti 1951-1954.
- Arkivi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Katalogu i dorëshkrimeve të bibliotekës së Vakëfit, libri nr. 1, viti 1958.
- Koleksioni i hytbeve të Bajram ef. Aganit, (dorëshkrim), pronë e Ferat ef. Gërgurit dhe Mustafë ef. Dervishollit, ish-nxënës të myderriz Bajram Aganit.
- Revista “Glasnik Vrhovnog Islamskog Starjesinstva” FNRJ, nr. 7-9, 1951, Sarajevo.
- Dr. Haki Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë 1945 – 1980, Prishtinë, 1988.
- Nehat Krasniqi, Kontribute albanologjike (studime dhe dokumente historike e letrare të periudhës osmane), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2010.
- Sadik Mehmeti, Hafëz Bajram ef. Agani ishte edhe “Hafiz-i kutub”, “Dituria Islame”, nr. 200, mars, 2007, Prishtinë, (f. 41-42).
- Ramadan Shkodra – Aziz Pireva, Bibliografi e botimeve islame në gjuhën shqipe në Kosovë 1957-1997, Prishtinë, 1998.
- Ramadan Shkodra – Sadik Mehmeti, Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2013.



Ramadan Shkodra, Drejtor i Kulturës në Bashkësinë Islame të Kosovës

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.