Mulla Brahim ef. Bajraktari

(1909-1992), një jetë në shërbim të fesë dhe popullit

Populli shqiptar i Kosovës gjatë periudhave të ndryshme, që nga fillimi i shekullit të kaluar, pati histori të hidhur, ngase u ballafaqua me lloj-lloj pushtuesish, secili më i keq se tjetri. Ndër periudhat më të egra, më të vështira, më të dhunshme, sigurisht që ishte ajo pas Luftës së Dytë Botërore, e njohur si Koha e Rankoviçit. Ky i fundit ushtroi dhunë të papërshkrueshme ndaj shqiptarëve, e sidomos ndaj prijësve myslimanë. Këtë e vërtetojnë, përveç tjerash, peripecitë, vështirësitë dhe dhuna që ishte ushtruar edhe ndaj hoxhës Mulla Brahim ef. Bajraktarit.

Studentë i Medresesë së Madhe të Gjakovës

Brahim Daut Bajraktari ishte i lindur në fshatin Resnikë, tani nën komunën e Klinës. I ati, Dauti, merrej me bujqësi, dhe kishte një gjendje ekonomike të qëndrueshme, kurse nëna, Halime Loshi hiqte rrënjë nga fshati Padalishte e Istogut. Dauti dhe Halimja i sollën në jetë dy fëmijët e tyre, Rrustemin dhe Brahimin, që mundoheshin t'i rrisnin të lumtur. Mirëpo, si familje nuk ishin në sy të mirë të pushtetit të asaj kohe, pra ishin të padëshiruar, prandaj dhe kjo lumturi nuk zgjati shumë, sepse të atin e Hoxhës, Dautin, e vrau pushteti.
Mulla Brahimi mësimet e para i mori në mejtepin e Mitrovicës, të cilin e përfundoi në vitin 1935. Pasi mbaroi mejtepin, po këtë vit, mori rrugën për në Medresenë e Madhe të Gjakovës, që drejtohej nga myderrizi i shquar Hafëz Fahri ef. Iljazi. Mulla Brahimi mësimet në medrese i mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm.
Mulla Brahimit, edhe duke qenë nxënës në medrese, për shkak të dijeve, zellit dhe suksesit që kishte treguar, i qe dhënë leja që të shërbente si imam Ramazani në disa fshatra, si në Ozdrim, Jashanicë etj. Kurse më vonë kishte dhënë edhe provimet përkatëse pranë organeve kompetente të Bashkësisë Islame të Kosovës, pas kalimit të të cilëve edhe i qe dhënë leja për të shërbyer si imam në xhami. Kështu, Mulla Brahimi filloi punën si imam, hatib dhe mualim në xhaminë e fshatit Jashanicë, ku shërbeu rreth dyzet vjet, pra deri në pension
Edhe pas pensionimit Mulla Brahimi nuk iu nda detyrës së imamit dhe aktiviteteve fetare, në të mirë të popullit dhe xhematit, gjithandej ku paraqitej nevoja. Me ftesën e fshatarëve të fshatit Klinë e Epërme të Skenderajt, Mulla Brahimi do të shërbejë si imam Ramazani për 8 vjet. Në fshatin Postasel të Rahovecit, meqë nuk kishte imam, Mulla Brahimi u angazhua si imam në xhaminë e këtij fshati, ku shërbeu për 3 vjet (1983-1985)(2)
Bashkëluftëtar dhe përkrahës i Shaban Polluzhës
Hoxha, Mulla Brahimi, përveç aktivitetit të tij fetar, njihet edhe për angazhimin e tij në dobi të çështjes kombëtare dhe luftës për lirinë e shqiptarëve. Kështu, Mulla Brahimin e gjejmë si bashkëluftëtar dhe përkrahës të denjë të ideve dhe kauzës së Shaban Polluzhes, kur ky i fundit me shokë qe nisur të shkonte për në Sanxhak. Me Mulla Brahimin ishin edhe shokët e tij nga medreseja: Hajriz Demaku dhe Sahit Dani. Dhe jo vetëm kaq, ata kishin shkuar edhe në luftën e Plavës. Në këtë front u ndodhi diçka interesante. Kur ishin sulmuar nga kundërshtarët, Hoxha kishte qenë afër me Sahit Danin. Sahit Danit ia kishin vrimosur shinjellin-pallton gjashtë plumba, ndërsa ai vetë kishte shpëtuar pa asnjë vragë në trupin e tij.(3)
Në kohën kur në Pejë, Istog e rrethinë qenë sjellë kolonët serbë e malazezë nga Mali i Zi, Hoxha me vëllain dhe xhaxhain e tij banonin në një shtëpi. Odën e burrave e kishin të ndarë, ishte një aneks i veçantë në oborr. Kur i sollën kolonët, pushteti i atëhershëm disa shqiptarëve u thoshte se duhej ndërtuar shtëpi për kolonët serbë e malazezë, e disave u thoshin se, meqë keni shumë dhoma dhe hapësira për banim, ato duhet t'i ndani me kolonët. Këtë të fundit si fat e pati edhe familja e Mulla Brahimit. Në odën e burrave, që ishte aneks në vete, ia vendosën pa dëshirë një familje malazeze, e cila dita-ditës filloi të rehatohej e të ndihej se ishte në shtëpinë e vet. Filloi të mbante edhe bagëti, e madje edhe derra. 'Derrat e malazezit në oborrin e Hoxhë!’, epo kjo s'durohej. Kjo ishte e rëndë dhe e padurueshme për Hoxhën dhe familjen e tij. Rrugë tjetër nuk kishte, veçse Hoxha ta lëshonte shtëpinë e tij me 7 hektarë e gjysmë tokë, e të shpërngulej te kushëriri, Selim Bajram Bajraktari, në Jashanicë, nipi i të cilit sot (Mulla Asllan Bajraktari) është hoxhë në këtë fshat. Fshati Jashanicë e kishte një shtëpi dedikuar imamit të xhamisë, cilido qoftë ai. Meqë Mulla Brahimi erdhi aty, jashanicasit kërkuan që ai të bëhej imam i tyre, dhe kështu ta shfrytëzonte shtëpinë e imamit. Kështu edhe ndodhi, derisa Mulla Brahimi e bleu një tokë dhe e ndërtoi shtëpinë e tij.(4)
Pas një kohe, në përpjekje për të kthyer pronën e tij, Mulla Brahimi shkon në Prizren për të kërkuar të drejtën e tij. Aty, pas një vendimi të marrë, i jepet një letër të cilin e kishin mbyllur në një zarf dhe mbi të kishin vënë pesë vula, në të katër skajet dhe në mes. Mulla Brahimi, duke u kthyer nga Prizreni, me tren, takohet me një shok të ushtrisë dhe, në bisedë e sipër, Mulla Brahimi i rrëfen shokut të tij se për çfarë kishte shkuar dhe si i ishin përgjigjur. Shoku, i cili kishte qenë nga Rugova i thotë Hoxhës:
- "Mos e dërgo në komunën e Gjurakofcit (Gurrakoc) pa e lexuar dhe pa e dit se çka të kanë shkru!”
- "Po si ta hapim?”, e pyet hoxha.
- "Vendose mbi avull, nëse është me vlerë e dërgon dhe arsyetohesh se më është djersitur letra në trup, e nëse është gjë për të keq, humbe këtë letër!” - e këshillon shoku me plot të drejtë.
Kur Hoxha e hap letrën, aty lexon se në të ishte shkruar: - "Ovaj covek treba da se lekfidira!” - "Ky njeri duhet të likuidohet!”
Pas kësaj familja e Hoxhës thonë se kurrë nuk kishin guxuar që ta kërkonin pronën e tyre. "Sot shtatë hektarë e gjysmë janë pronë e kooperativës, e që kanë qenë pronë e jona", - deklarojnë pasardhësit e Hoxhës.(5)

Iniciator për ndërtimin e xhamisë së re

Mulla Brahim efendiu ishte iniciatori i parë për ndërtimin e xhamisë në fshatin Jashanicë, kur pushteti i atëhershëm pati për qëllim që fshat të ndërtojë objektin e komunës. Mulla Brahimi me xhematin e tij grumbulluan mjetet për të nisur ndërtimin e xhamisë, kurse Sadik Bajraktari, me vëllezërit, Halitin dhe Arifin, për xhami dhanë vakëf gjysmë hektarë të pronës së tyre. Kjo xhami kishte shumë xhemat, sepse nga ajo vareshin edhe xhematet e fshatrave përreth, nga nuk kishte xhami, e që ishin: Siqeva, Shtorica, Dushi, Jellofci, Jashanica e Ultë, Jashanica e Epërme, Ozdrimi, Grapci, Shtupeli, Bingja, Kerrnica, Shalnovica, Klina, Klinofci, Krysheva e Vogël dhe Krysheva e Madhe. Xhamia e ndërtuar nga Mulla Brahimi tani është e lënë pasdore, pasi është ndërtuar një xhami e re. Me ndërtimin e xhamisë së re, disa elemente janë marrë nga xhamia e vjetër, si: Qursia, Rihlat-i etj. Mihrabi, mimberi dhe mahfili kanë mbetur te xhamia e vjetër, akoma ashtu siç i kishte punuar Mulla Brahimi. Do të ishte e udhës që të ruheshin edhe këto, si dëshmi e një kohe, e një xhemati dhe e një hoxhe.

Pajtues i dhjetëra gjaqeve dhe ngatërresave

Përveç aktiviteteve të mësipërme, Mulla Brahimi u dallua edhe në një aspekt tjetër: në pajtimin e gjaqeve (mbi pesëdhjetë gjaqe) dhe ngatërresave, dhe atë jo vetëm në Jashanicë, por edhe më gjerë. Kjo sepse fjala e tij kishte peshë, qëndrimet e tij ishin të drejta, të paanshme dhe të argumentuara fetarisht. Prandaj, jo rastësisht, ai ishte zgjedhur kryetar i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve në rrethinën e Jashanicës, bashkë me mësuesin Imer Morinën, Kolë Smakën dhe SadikMulën, nga Gjurgjeviku i Vogël.(6)
Kontributi i tyre në këtë rrafsh ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i vlerësuar. Ata meritojnë një mirënjohje të thellë nga brezat e rinj. Ata arritën t'i mbyllnin shumë plagë të hershme që, sikur të mos i mbyllnin, fundi i tyre do të ishte i paparashikueshëm dhe shumë tragjik.

Kalimi në Ahiret

Mulla Brahim ef. Bajraktari, pas një jetë të tërë në shërbim të vendit, fesë dhe njerëzve të tij, në vitin 1992 iu përgjigj thirrjes së Zotit për të kaluar në botën e përjetshme. Në varrimin e Mulla Brahimit morën pjesë shumë xhernatlinj, ylema, si dhe myftiu i atëhershëm i Kosovës, Dr. Rexhep Boja, i cili edhe ia fali namazin e xhenazes.
Mulla Brahim efendiu vdiq për të mos vdekur kurrë, për t'u kujtuar e mos u harruar vepra e tij. Ne e lusim Zotin, Përgjegjësin e lutjeve tona, që ta shpërblejë Hoxhën tonë të dashur, sepse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm), janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt, dhe janë shpresa më e mirë." (El-Kehf, 46).


____________________
(1) Nga arkivi i familjes së Hoxhë Mulla Brahimit.
(2) Tregon Halili (58 vjeçar), djali i dytë i Hoxhës.
(3) Po aty.
(4) Sipas Sylejmanit (65 vjeçar), djali i madh i Hoxhës.
(5) Sipas rrëfimit të Aliut, 57 vjeç, nipi (djali i vëllait) i Hoxhës.
(6) Rrëfen Sylejmani (65 vjeçar), djali i madh i Hoxhës. Intervista u zhvillua në shtëpinë e Sylejmanit, ku ishin pjesëmarrës edhe Halili e Aliu. Më datë 24.03.2015 në Jashanicë të Klinës.



Vehbi Shatri

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.