Zhvillohet simpoziumi “Familja në këndvështrimin e krishterë dhe islam”

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Akademinë Ortodokse, Durrës dhe Seminarin Ndërdioqezan, Shkodër zhvilluan simpoziumin e radhës ndërfetar me temë: “Familja në këndvështrimin e Krishterë dhe Islam”

Familja si faktor themelor në mbarëvajtjen e shoqërisë, këndvështrimet përkatëse teologjike të saj, apo çështje të ndryshme, që prekin aspekte thelbësore të familjes në ditët e sotme, siç janë: edukimi i fëmijëve, respekti ndaj prindërve, komunikimi i vazhdueshëm ndërmjet pjesëtarëve të saj, përkujdesja ndaj familjes etj., ishin disa nga pikat e shumta në të cilat u fokusua ky simpozium.
Paneli i referuesve përbëhej nga Atë Mario Imperatori, Drejtor i Institutit Katolik, Shkodër, z. Thoma Çomëni, Pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse, Durrës dhe z. Elton Karaj, Pedagog në Departamentin e Shkencave Islame në Bedër.
Prof. dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, në fjalën e tij theksoi rëndësinë që zënë aktivitete të tilla jo vetëm në edukimin e brezave të rinj në kontekstin familjar dhe shoqëror, por edhe në konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimeve ndërfetare në vendin tonë.
Dr. Genti Kruja tha se, “Tashmë institucionet tona arsimore prej disa kohësh kanë marrë nisma konkrete në bashkëpunime ndërfetare të frytshme, që shtrihen në leksione të hapura nga pedagogë të shkollave reciproke, ku secili shpjegon teologjinë së cilës i përket në auditorët e tjera, janë zhvilluar disa takime midis studentëve dhe stafeve akademike në Shkodër, Durrës dhe Tiranë.
Ndërsa Atë Mario Imperatori u ndal në rrezikun bashkëkohor, apo faktorët e shumtë që çojnë në shkatërrimin e familjes e më pas në atë të shoqërisë.
“Sot shoqëria është e organizuar mbi individualizmin, fundamentalizmin ekonomik, koncepte të cilat rrezikojnë stabilitetin e familjes”, tha ai gjatë fjalës së tij.
Ndërsa z. Thoma Çomëni u shpreh: “Fëmijët janë konturi i familjes, ndërsa familja e shoqërisë dhe ardhja e fëmijës është një mision i vështirë, që kërkon rigorozitet në përmbushjen e tij”.
Aktiviteti u mbyll me referimin e z. Elton Karaj, i cili fillimisht përgëzoi nismën për komunikim ndërmjet institucioneve të ndryshme fetare në vend. Fjala e tij u përqendrua në shembujt profetik të familjes, konkretisht në respektin e ndërsjellët prind-fëmijë, përkujdesja ndaj familjes, duke u nisur, që nga aspekti material e më tej, edukimi fetar, si baza e një familjeje të shëndetshme për shoqërinë.
Më tej ishte radha e studentëve të pranishëm, të cilët i dhanë një formë interaktiviteti simpoziumit me pyetje të shumta rreth temës, që iu bënë panelistëve.
Në fund pjesëmarrësit vizituan ekspozitën fotografike me titull: “Harmonia Ndërfetare në Shqipëri”, të organizuar me këtë rast. Pjesë e saj ishin ngjarje të ndryshme historike, apo edhe aktivitete të shumëllojshme ndërfetare të organizuar nga bashkësitë fetare ndër vite./kmsh/










Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)