Banori i Gërçecit ndërton xhami prej bore në oborrin e tij

Bora jo për të gjithë njerëzit ka shkaktuar probleme. Për Hasip Ibrahimin, banor të Gërçecit, nё komunën e Sarajit, Maqedoni, bora ka ofruar mundësi për rekreacion dhe për të përdorur kreativitetin e tij.

Ai, i inspiruar nga xhamia e fshatit ku banon, ka vendosur që me shumë delikates të ndërtojë një xhami të bukur prej bore në oborrin e shtëpisë së tij. Pamjet janë akoma më mahnitëse gjatë natës, pasi Ibrahimi në këtë xhami ka vendosur edhe drita për të përfunduar deri në detajin më të fundit këtë ndërtim.
“Kisha dëshirë ta ndërtoj një xhami prej bore. Të tregojmë se jemi myslimanë. E kam ndërtuar me tulla bore, dy ditë më ka zgjatur puna. Së pari i bëra tullat, e vendosa murin, normal si me tulla të borës, i vendosa rreth, mandej i hapa dritaret, i vendosa dërrasa që ta mbajnë borën dhe fillova kuben, më pas katër minaret, një të madhe dhe 3 të vogla që t’i ngjajë xhamisë së fshatit tonë”, thotë Hasip Ibrahimi.
Ai nga dëshira që ta ndërtojë i vetëm atë xhami, nuk ka pranuar ndihmë nga askush, ndërkaq për shkak të të ftohtit të madh, atij i janë dashur dy ditë që të përfundojë deri në detaje këtë ndërtim.
“Desha ta bëjë 4 metër me katër, megjithatë e kam shkurtuar në 2 metër e gjysmë me 2 e gjysmë, pasi ishte shumë ftohtë, ndërkaq isha vetë pasi kisha dëshirë që ta bëjë i vetëm”, thekson Ibrahimi.
Banorët e Gërçecit tashmë dy ditë me radhë vijnë për ta vizituar këtë xhami. Ndërkaq edhe pse temperaturat nuk ishin edhe aq të ulëta këto dy ditë, kjo xhami ka arritur që të mbetet rezistente, duke pësuar vetëm disa shkrirje të vogla.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë