Myderriz Ramadan Shatri

Myderriz Ramadan ef. Shatri - alias Mulla Ramush Efendiu (1909-1999) -

"Shehidllëkun e dashuroj më shumë se tërë pasurinë"

Në historinë e popullit shqiptar, gjatë periudhave të ndryshme që nga vitet e para të shekullit të kaluar, pati ngjarje të dhimbshme, ngase populli u përball me lloj-lloj pushtuesish.
Me qëndrimet patriotike kundër pushtuesve në periudha qindravjeçare, herë pas here, pareshtur, pati heronj, patriotë dhe luftëtarë që i prinë këtij populli për çlirimin e tij. Në këtë varg flijuesish vend të merituar zë edhe hoxha, mësuesi dhe edukatori Mulla Ramush ef.Shatri. Koha kur jetoi dhe veproi ky personalitet i shquar qe ndër më të vështirat, dhe jo shumë e favorshme për popullatën e Kosovës.

Mulla Ramush Shatri u lind në fshatin Tomoc, në Vitin 1909, nga babai Veseli dhe nëna Raba. Nëna Rabë, siç e quanin të gjithë banorët e fshatit, ishte e lindur në fshatin Shushicë, në një familje të njohur atdhetare e fetare. Mulla Ramushi ishte djali i parë i Veselit, dhe i kishte edhe dy vëllezër, Idrizin dhe Sejdiun, si dhe një motër. Vëllezërit e tij ishin njerëz të urtë, punëtorë të vyeshëm, besimtarë dhe të respektueshëm nga i gjithë fshati. Mulla Ramushi ishte i martuar me Hatixhen, të bijën e Sadik Fetah Ibërhysajt nga Deçani, me të cilën pati dy fëmijë: Jahjain dhe Abdullahun. Mulla Ramushi rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatarisht të mirë, por me një traditë të mirëfilltë fetare dhe kombëtare, pra nga familja Shatri, që kanë origjinën nga fshati Isniq i komunës së Deçanit.
Familja Shatri, për arsye ekonomike u shpërngul qysh herët nga Shala e Dukagjinit, por megjithatë ajo barti me vete e në vendbanimet e reja po ato zakone e tradita, e të cilat i ruajti dhe i pasuroi brez pas brezi.

Arsimimi i Mulla Ramushit

Mulla Ramushi mësimet e para fetare i mori në mejtepin e fshatit, te hoxha Mehmed ef.Mahmudi.(1) Në moshën 13 vjeçare regjistrohet në Medresenë "Atik" në Pejë. Në këtë shkollë vijon mësimet për tre vjet me radhë, e pastaj kalon në Medresenë e Madhe të Gjakovës, te profesori i famshëm Fahri ef.Iljazi, Në mes të dy luftërave botërore në Kosovë vepruan disa shkolla të mesme private islame, qëllimi i të cilave ishte përgatitja dhe aftësimi i imamëve të ardhshëm.(2) Procesi mësimor organizohej dhe zhvillohej nga një numër shumë i vogël i mësimdhënësve (një apo dy mualimë). Lëndët mësimore ishin krejtësisht fetare, si: "Mësimi i Kuranit, Itikadat, Ibadat- Ahlak, Gjuhë arabe, Shkrim arab, Histori e islamizmit dhe Ilahi".(3)

Pas përfundimit të mësimeve

Duke pas parasysh që Mulla Ramushi mësimet i zhvilloi me profesorë dhe alimë të shquar, gjatë kohës kur ishte në Medresenë e Gjakovës ra në sy si një ndër nxënësit më të dalluar. E këtë na e dëshmon edhe vetë fakti se profesori i famshëm Fahri ef.Ilazi e angazhoi edhe si danishmend-asistent. Këtë e tregon Muharrem Sherif Krasniqi nga Vranoci, që thotë: "Si student kishte raste kur kishim nevojë për ndonjë sqarim, dhe Fahri efendiu na orientonte te Mulla Ramush Shatri. E, kur futeshim në kabinetin e tij, ishte një tavolinë plot me libra ... Myderriz Mulla Ramush Shatri na ndihmonte dhe na zgjidhte atë çështje për çfarë ne kishim kërkuar ndihmë nga ai".(4) Se sa e çmonte Mulla Ramushi mësuesin e tij Fahri efendiun kuptojmë nga kjo thënie e tij me rastin e të pamës, kur ky i dyti kishte ndërruar jetë: "Llamba e madhe shkoi, e ne kemi mbetur llamba të vogla". Kurse myderriz Fahri efendiu, në kohën sa e kishte student Mulla Ramushin, kishte thënë: "Për Mulla Ramushin më duhet një përgatitje e veçantë, sepse është shumë i ditur dhe i interesuar".
"Kur Fahri ef.Ilazi ishte duke mbajtur fjalim rasti para se t'ua shpërndante diplomat, kishte thënë se: "Tash ju dilni imamë, e mos ia shtrembëroni xhematit kokat!" Mulla Shyqyria i Pejës kishte thënë: "Fahri efendi, nuk
të kuptova" Fahri efendiu i kishte thënë: "Ti shumë mirë e ke kuptuar, por po dëshiron që të tjerëve t'ua sqarosh. Kur të pranoheni imamë, mos shkoni të fundit në xhami, që sa herë të hyjë dikush në xhami xhemati ta kthejë kokën se a erdhi hoxha; jo s' erdhi hoxha, pra sa herë që të dëgjohet zhurma e derës, por shkoni të parët dhe pas jush le të vijë kush të vijë, se xhemati më nuk e kthejnë kokën me pa se kush po vjen, por ju dëgjojnë juve."(5)
Mulla Ramushi tërë jetën e tij e kaloi fare thjesht, me zuhd-asketizëm. Ishte shumë i thjeshtë në veshje: një palë këpucë i mbante për disa vite.(6) Ishte mik i librit dhe kishte një bibliotekë të pasur dhe vazhdimisht lexonte. Kisha nderin dhe kënaqësinë e veçantë kur e vizitoj a Mulla Ramushin në odën e tij, në kullën më të vjetër të fshatit. Sa herë shkoja në vizitë (e shkoja shpesh), e gjeja duke lexuar apo duke shikuar ndonjë lajm. Shumë të rralla kanë qenë rastet që kam mundur ta gjej duke pushuar. Në fondin e bibliotekës së tij gjendeshin më se 100 tituj të edicioneve të ndryshme, duke u nisur nga literatura fetare, që paraprinte me Kuranin, e pastaj me botime të tjera fetare, pastaj literatura shkencore, ku spikaste në veçanti enciklopedia voluminoze e Sami Frashrit "Kamusu'l-A'lam" (Dictionaire unoversel d'histoire et de geographie), në gjuhën osmane, botuar në 6 vëllime, në vitin 1891 në Stamboll, të cilën për shkak të njohjes së shkëlqyeshme të gjuhës osmane e kishte studiuar pothuajse në tërësi.(7)
Gjatë periudhës se Luftës së Dytë Botërore (1941- 1944), pjesa më e madhe e Kosovës ishte zonë e okupuar italiane (Dukagjini dhe një pjesë e madhe e Kosovës), një pjesë ishte zonë e okupuar gjermane (Mitrovica me rrethinë, Vushtrria dhe Podujeva), dhe pjesa tjetër ishte zonë e okupuar bullgare (një pjesë e rrethinës së Gjilanit, Ferizajt, Vitisë, Kaçanikut etj.).(8)
Në zonën e okupuar italianët nuk i donin imamët me fesin e turqve. Mulla Ramushi, për pak kohë ishte i burgosur në Pejë (në dimrin e vitit 1942-43). Në burgun "Kullat e Sheremetit" kishte rastisur të qëndronte në një dhomë me atdhetarin dhe heroin Shaban Polluzha. Në të njëjtën çeli ishte edhe Sahit Zatriqi (partizan), në moshën 17 vjeçare. Bisedat e shumta me të burgosurit shumë herë i evakuonte, sidomos bisedat e këndshme dhe përmbajtjesore me Shaban Polluzhën. Shabani ishte kategorik në qëndrime dhe biseda. Nëse ndonjë bisedë përsëritej, ai reagonte ashpër: "Këtë mesele apo bisedë e kam dëgjuar një herë" - thoshte dhe nuk e linte hoxhën të vazhdonte më tutje."

Mulla Ramushi në shërbim të fesë - si hoxhë

Mulla Ramushi në atë kohë ishte i përndjekur edhe prej italianëve, e këtë e tregonte tashmë i ndjeri Murat Gjoci, kur thoshte: "Hoxha e kapërcej avlinë dhe iku prej italianëve dhe kurrë nuk e mora vesh se përse!”(10) Mulla Ramushi ishte ndër ata burra që i dolën zot atdheut. Bashkë me tezakun e tij, mulla Zekë Bërdynajn,(11) dhanë kontribut të vazhdueshëm e me përkushtim dhe dinjitet të lartë për çështjen atdhetare e fetare. Mulla Ramushi së bashku më shokë ishin pjesë logjistike e forcave atdhetare, madje edhe shumë herë, sipas nevojës, edhe forca ndihmëse. Gjenerata e prijësve të tyre dhe shumë të tjerë ishin drita dhe zemra e popullit, dhe njëherësh edhe udhërrëfyes it më të sinqerte për të ardhmen e ndritur, Kosovën.
Mulla Ramushi gjatë studimeve në Medresenë e Madhe të Gjakovës, për tre vjet me radhë praktikën e ka kryer si imam Ramazani në Krushën e Madhe.
Sa shërbeu në Krushë të Madhe kishte lënë përshtypje të mira te xhemati dhe paria e fshatit, andaj deri vonë mbajti kontakte me disa prej tyre, dhe sidomos me Haxhi Qazimin e Krushës së Madhe.(12) Mulla Ramushi ishte imam Ramazani edhe në Istog dhe Lluga. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore Mulla Ramushi pranohet si imam në fshatin Trubuhofc, ku me shumicë ishin kushërinj të hoxhës, sepse ishin të ardhur nga Isniqi i Deçanit, si: familja Osmanaj, Mehmetaj, Ahmetxhekaj, etj.
Më pas Mulla Ramushi pranohet imam i fshatit Trubuhofc, por për dallim nga hoxhallarët tjerë, pa i gëzuar të drejtat nga shteti, siç ishte sigurim personal, sigurim shëndetësor, etj. Mulla Ramushi punoi në Trubuhofc nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1964. Imami i fshatit të lindjes së tij ishte mulla Mehmed ef. Mahmudi, të cilin e kishte pasur edhe mësues mejtepi në xhaminë e fshatit. Në vitin 1964, pasi vdes hoxha Mehmed ef.Mahmudi, Mulla Ramushit i bëhet një padrejtësi, meqë nuk e pranojnë të transferohet imam në fshatin e tij të lindjes. Pas shumë peripecive, Hoxha, me përkrahjen e parisë së fshatit Tomoc, si: Selim Z. Shatri; Ramë H. Shatri; Ali Kabashi; familja e Sadik S. Gjocit, arrijnë që pas dy vitesh, përkatësisht në vitin 1966, ta emërojnë imam xhamie në Tomoc. Mulla Ramushi shpesh nëpër ndeja potenconte se njeriu në këtë jetë duhet lënë gjurmë ose me vepra patriotike e fetare (nuk e ndante kombin nga feja), ose me shkrime, ose me djem të mirë që i shërbejnë kombit dhe shtetit; e i mjeri ai njeri që nuk ka bërë asgjë në këtë jetë, por vetëm ka ngrenë bukë. Andaj iu lakmonte njerëzve të mëdhenj që kanë sakrifikuar edhe jetën për të mirën e njerëzisë. Këtë e dëshmonte shpesh në ndeja dhe në biseda rasti.
Mulla Ramushi, xhema tin e kishte edukuar e këshilluar që pas vdekjes së anëtarit të familjes të japin sadaka për të. E kur xhemati jepnin sadaka, ky e drejtonte për në Medrese të Prishtinës. Ai, edhe pse dikur i lodhur dhe i shtyrë në moshë, nuk mungoi asnjëherë në shërbimet fetare në xhematin e tij, që gravitohej nga disa fshatra, si: Tomoc, Lluga, Llukafc i Begut, Muzhovina, Dobrushë, Kovragë, Gurrakoc, Veriç, Gusar, Llukafc i Thatë, Zallq, Drejë, Shalnovicë, Oprashkë, dhe një lagje në Kosh.
Në vitin 1996 ishte intervistuar nga Shefqet M.Gjocaj, për gazetën "Kronika e Istogut". I pyetur se cilën nga metodat e predikimit e ka zgjedhur në mes të asaj të përqafimit të fesë vetëm me bindje apo metodës radikale (predikimit të dhunshëm), me zgjuarsi ishte përgjigjur se e kishte aplikuar metodën e "mesme". E, sa i përket ndonjë reformimi të mundshëm në lëmin
e fesë islame, në mënyrë që ajo të përqafohet nga një numër më i madh, sidomos i të rinjve, ai kryesisht mbështetej në rolin që e kanë predikuesit (hoxhallarët), e që duhet të jenë në radhë të parë të përgatitur, përmes burimeve të ndryshme. Ndërsa i pyetur për "Fanatizmin Fetar", hoxha kishte deklaruar se çdo lloj fanatizmi është i dëmshëm, edhe pse ishte i bindur se në fenë islame nuk ka fanatizëm.(13)
Mulla Ramushi mbante mejtepin e fshatit, ku pata nderin të jem një nga nxënësit e tij. Hoxha e kreu punën si imam, mualim, hatibi, pa u lodhur dhe, deri në vdekje. Po ashtu ishte pyetur se kur mendonte të tërhiqej (pensionohej) nga detyra e imamit të xhamisë, e përgjigjja ishte me porosi: "Do të tërhiqem kur ky xhemat e gjen një hoxhë tjetër, por jo çfarëdo hoxhe. Duhet të gjej një hoxhë të ditur e me fakultet."(14) Mulla Ramushi shquhej për oratori dhe përshtatje në ambiente, sidomos në ndeja nëpër oda. Ai çdoherë ishte në qendër të vëmendjes .. (15)
Koha kur jetoi dhe veproi Mulla Ramushi ishte e vështirë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin politik. Familjet shqiptare, sado të pasur të ishin, jetonin për mbijetesë, sepse nuk kishte treg ku të plasonin mallin. Taksat e pushtuesve ishin të mëdha. Kishte kufizime të lëvizjes se tyre. Në aspektin politik, deri në vitet e pesëdhjeta kishin presion për t'u shpërngulur në Turqi. Ndiqeshin për vepra të pakryera penale, dënoheshin me burgje e ekzekutime me vrarje. E, në atë kohë edhe Mulla Ramushi ishte burgosur.

(Realizimi i dëshirës së hoxhës) Rënia shehid e Mulla Ramushit

Në mars të vitit 1999 popullata e Istogut ishin përndjekur nga vatrat e tyre. Tomocasit kishin shkuar në fshatrat përreth bjeshkëve, si: Vrellë, Sudenicë, Kaliqan, Jabllanicë etj. Mulla Ramushi pati rastin të jetë në fshatin Jabllanicë, dhe nga aty dikur u shpërngulën edhe vendasit. Hoxha plak nuk donte të largohej, ndërsa imami i fshatit Jabllanicë, Mulla Sadri Zeka, tentoi ta bindë që edhe ai të largohet nga fshati. Megjithatë ishte e kotë. Më 24 maj 1999 ushtria dhe paramilitarët serbë kishin depërtuar në Jabllanicë, konkretisht në vendin e quajtur Llanishtë të Jabllanicës së Vogël. Në një tendë të improvizuar kishin mbetur të strehuar e pa mundësi të largoheshin 11 pleq dhe plaka, të zënë rob lufte.
"Tre policë e dy ushtarë na çitën përpara", tha Abdurraim gashi,(16) "duke na kërcënuar e grahur sikur bagëtinë. Secilin prej nesh na legjitimuan dhe na pyeten për emër dhe mbiemër. Meqë Mulla Ramushi nuk kishte letërnjoftim, atyre ua diktoi të dhënat me krenari dhe mllef: Quhem "Mulla Ramush Shatri", duke ditur se policia edhe kishte të dhëna për familjen Shatri, të cilën edhe e kishin në shënjestër për shkak të veprimtarisë revolucionare të kësaj familjeje gjatë shumë viteve: Sali Shatri- oficer i lartë në Shqipëri, Xhafer Shatri-ministër i Informatave i Qeverisë së Kosovës në Egzil, Naser Shatri-atentator ndaj një udbashi serb (i paralizuar përjetë) dhe ushtar i UÇK-së, Muhamet Shatri, i ndjekur politikisht dhe i izoluar nga policia në Leskovc, viti 1989, si dhe shumë e shumë të tjerë.
Mulla Ramushit i thanë: "Ndalu ti", ndërsa të tjerët i urdhëruan që të lëvizin nga ai vend. Mulla Ramushin e urdhërojnë të ngelet në tendë, dhe pas pak kohe e ekzekutojnë. Mulla Ramushin e vranë policët, ndërsa tendës ia vunë zjarrin!(17)

Varrimi në bjeshkë

Mehmet Sadri Gashi nga Dubova, Rexhep Haku nga Orroberda dhe 4-5 djelmosha të rinj e bënë varrimin e Mulla Ramushit në bjeshkë, me mundësit që ishin në atë kohë.
Pas luftës u bë rivarrimi i Hoxhës në fshatin e lindjes.
Në përcjelljen e fundit, për popullatën e Tomocit, morën pjesë popullata e të gjitha fshatrave të Istogut e më gjerë. Morën pjesë të gjithë hoxhallarët e Istogu, dhe një mori hoxhallarësh nga Peja, Klina, Skenderaj, dhe disa hoxhallarë nga gjithë Kosova. Namazin e xhenazes ia fali ish-myftiu i Kosovës, Dr. Rexhep Boja. Namazi i xhenazes u fal pranë shtëpisë së tij, nga xhemati i shumtë, ku janë varrezat e fshatit, e që ishin mbushur përplot xhematlinj, dhe u varros mu në ato varreza.
Në shenj nderimi dhe respekti një rrugë e fshatit u emërtua me emrin e tij-rruga e xhamisë.
"Dhe assesi mos mendoni se janë të vdekur ata që u vranë në rrugën e Allahut! Përkundrazi, ata janë të gjallë, duke u furnizuar te Zoti i tyre" (Ali Imran, 169)

Lusim Allahun e Plotfuqishëm që ta shpërblejë me Xhenet!


_____________________
(1) Nga biseda me hoxhën për respektin që kishte ndaj mësuesit të tij në Mejtep-Mulla Mehmetit.
(2) Sipas prof. Dr. Haki Kasumit në Kosovë kanë vepruar 8 medrese. Ai nuk i përmend medresetë në Opojë dhe Vushtrri, ndërsa thekson se ka vepruar një medrese edhe në Ferizaj.
(3) Haki Kasumi, Shkollat fetare islame në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore, Gjurmime albanologjike, Seria e shkencave historike XII-1982, Prishtinë, 1983, f. 164.
(4) Muharrem Sherif Krasniqin e kam vizituar dy vite para vdekjes së tij, ky është gjyshi i kushëririt tim G.SH, këtë storie-ngjarje ia ka treguar nipit të tij (kushëririt tim G. SH.).
(5) Këtë ma ka treguar vetë Mulla Ramushi, kur më mësonte në xhami.
(6) Tregon nipi i tij, Esad Jahja Shatri, më 15.11.2015, në Gurrakoc.
(7) Sh. Gjoci, Kronika e Istogut/Prill-Maj 1996, f. 5.
(8) Bajram Shatri, Arsimi ... , po aty, f. 46.
(9) Dëshmi e Abdullah Shatrit, djalit të dytë të M. Ramushit, më 24 shkurt 2016, Istog ..
(10) Murat Gjoci (rahmetli), më herët kishte qenë myezin në Tomoc, pas luftës së vitit 1999, kur unë isha imam, ky më nuk qe myezin.
(11) Mulla Zejnel (Zekë) Bërdynaj u lind në vitin 1908, në Fierzë (Novosellë) të Pejës. Kishte mësuar në Medresenë e Pejës. Pastaj kishte vazhduar dhe e kishte mbaruar Medresenë edhe në Gjakovë. Si pjesëmarrës i luftës, që në periudhën 1941-1945, kuptohet, kundër hordhive barbare sllavoçetnike, e sidomos të çetnikut Pavle Gjurishiqit. Mulla Zeka ishte komandant i Njësive Vullnetare .... Një pjesë të jetës së vet e kaloi në burgje, si në atë të Pejës, Nishit, dhe një pjesë të madhe (8 vite) i kaloi në burgun më famëkeq të Goli Otokut. Menjëherë pas lirimit nga burgu integrohet në jetën dhe rrethanat e përditshme. Ishte pjesëtar i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve, dhe me angazhimin dhe ndërhyrjen e tij u arrit pajtimi i shumë rasteve të gjaqeve e ngatërresave të ndryshme. Selman Etemi: Zekë Bërdyna - "Kundër Copëtimit".
(12) Dëshmi e Abdullah Shatrit.
(13) Sh. Gjocaj. Kronika e Istogut/Prill-Maj 1996, f. 5.
(14) Sh. Gjocaj. Kronika e Istogut/Prill-Maj 1996, f. 5.
(15) Selim Mustafë Hasanaj, Sarpsborg, shkrim nga ky. Norvegji-artikull.
(16) Profesor Abdurrahim Gashi. 20.10.1922-05.12.2015. Fëmija i pestë i Mulla Sadriut. Shkollën fillore pesëvjeçare (1 vit përgatitje në gjuhën serbe sepse mësimi bëhej në gjuhën serbe) e mbaron në shkollën e fshatit Uçë, në vitin 1936. Në këtë gjeneratë ishin vetëm 3 nxënës shqiptarë, dhe prej tyre edhe Abdurrahimi. Pastaj merr rrugën për në Shkup, në Medresenë e porsahapur. Abdurrahimi mbaron me sukses pesë klasë të kësaj Medreseje, si gjenerata e parë. Punoi si mësues, pedagog etj ...
(17) Abdurrahim Gashi. Bota Sot 21 prill 2001: Si dhe unë shkova dhe e intervistova vetë Prof. Abdurrahim Gashin, më datë 18.06.2015.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.