Ramazani – muaji i devotshmërisë

Falënderimi i takon Allahut që e ka dalluar muajin ramazan nga muajt e tjerë dhe e ka obliguar agjërimin në këtë muaj: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni (nga gjynahet).” (El Bekare: 183).

Në këtë muaj të bekuar i Gjithëmëshirshmi zbret rahmetin e Tij të pafund, sepse është muaji në të cilin ka filluar shpalljen e Kuranit fisnik:
‘Muaji ramazan është ai në të cilin ka zbritur Kurani ...’ (El Bekare: 185).
Njeriu i kohës sonë gjendet para pyetjeve thelbësore të jetës: mbi çfarë baze të ndërtojë vlera dhe cilat janë parime reale për të, familjen dhe shoqërinë në tërësi. Shpirti i tij i trazuar është vazhdimisht në kërkim të së Vërtetës. Ndërkaq, vetëm zemra që është ndriçuar me iman dhe e mbushur me devotshmëri mund ta kuptojë botën dhe jetën rreth tij dhe të njohë vlerat e vërteta dhe të njëmendta.


Muaji ramazan

Agjërimi dëshmon për madhështinë e Islamit si fe hyjnore që përmban vlera dhe dispozita që fshehin shumë të mira dhe mirësi për të mirën e individit dhe shoqërisë.
Ai e edukon besimtarin që të ushtrojë vetëdisiplinë dhe vetëpërmbajtje në përmbushjen e dëshirave të natyrshme dhe rrënjos një mendësi përkushtimi ndaj virtytit moral.
Ramazani na viziton çdo vit me qëllim që të kalisë dhe edukojë zemrat tona, të pastrojë shpirtrat tanë dhe të na veshë petkun e devotshmërisë dhe dëlirësisë.
Ai është sipas kalendarit hënor prandaj çdo herë lëviz dhjetë ditë para. Kjo bën që ai të bie në të gjitha stinët e motmotit në mënyrë që besimtarët të kenëmundësi të agjërojnë në dimër kur ditët janë të shkurtra, por edhe në verë kur dita zgjat 17 orë.


Kush duhet të agjërojë?

Agjërimi i muajit ramazan është obligim për çdo musliman të rritur, qoftë mashkull ose femër. Nga agjërimi janë të liruar njerëzit që vuajnë nga problemet psikike, i sëmuri, udhëtari, gratë gjatë ciklit të tyre, shtatzënat si dhe të burgosurit. Këta e plotësojnë agjërimin më vonë.
Edhe pse agjërimi gjatë verës në temperatura të larta nuk është i lehtë, agjëruesit me iman të fuqishëm i bëjnë ballë etjes dhe urisë dhe nuk e prishin atë. Kjo ngase besimtarët e sinqertë kurrë nuk do të pranojnë që të marrin një gllënjkë të ujit apo edhe një copë buke, për ta prishur agjërimin e tyre. Kështu kanë vepruar që nga fillimi, gjeneratë pas gjenerate, kështu veprojnë edhe sot. Shumë punëdhënës muslimanë privatë i janë përshtatur ramazanit gjatë orëve të punës, prandaj ditën i mbyllin restorantet dhe lokalet e tyre.

Pejgamberi a.s. ka thënë: ‘Kushdo që ha padrejtësisht vetëm një ditë të ramazanit nuk do të jetë në gjendje për ta kompensuar atë ditë edhe sikur të agjërojë tërë jetën!’ (Buhariu)
Muslimanët që i ruajnë dhe i zbatojnë këto dispozita dhe simbole të fesë islame, siç është agjërimi i ramazanit, namazi, zekati, haxhi dhe respektimi i urdhrave të Allahut, duhet të vazhdojnë t’i edukojnë edhe fëmijët dhe familjet e tyre në këtë rrugë.


Objektivi i agjërimit

Agjërimi na forcon besimin në gajb/të fshehtën, të cilin njeriu nuk mund ta shohë me sy dhe as ta arrijë me mendjen e tij. Ai është një rigjenerimin për shpirtin dhe kalitje për trupin. Pjesa dërmuese e muslimanëve i japin rëndësi vetëm abstenimit nga ushqimi dhe pija.
Ndërkaq, objektivi kryesor i agjërimit është që besimtari dhe besimtarja të arrijnë shkallën e devotshmërisë. Kjo ngase ai është një trampolinë nga ku besimtari kridhet në detin e devotshmërisë (lealekum tetekun) dhe ai i frenon dhe zbut dëshirat dhe pasionet e shfrenuara tek njerëzit.
Agjëruesi, edhe pse është i uritur dhe i etur, edhe pse ka përpara tij ushqimin dhe ujin, edhe pse nuk ka ndonjë kontrollues tjetër përveç Allahut dhe as dëshmi tjetër përveç ndërgjegjes së tij, megjithatë vetëpërmbahet. Të gjithë këtë e bën duke hequr dorë me dëshirë dhe vullnetarisht nga kënaqësitë kalimtare të kësaj bote, në mënyrë që të arrijë shpërblimet e përhershme të botës tjetër.
Agjërimi paraqet një luftë të vërtetë kundër nefsit dhe e inkurajon besimtarin në ndjekjen e normave islame dhe ruajtjen e pastërtisë së shpirtit nëpërmjet të përmbajturit nga mëkatet e mëdha dhe të vogla. Dhe s’ka humbje më të madhe se ajo që njeriu të lejojë që brenda zemrës së tij të rritet pema e mëkatit dhe të mospërpiqet për ta zhbërë atë me pendim të sinqertë.
Njeriu ka tri forca: Forcat e pasionit, siç është te kafshët, forca për dominim, si tek egërsirat dhe forca e melekeve. Vetëm me dominimin e forcës shpirtërorembi dy të tjerat, mund të arrihet gjysma e durimit. Pejgamberi a.s. ka thënë: ‘Për çdo gjë jepet zekati. Zekati i trupit është agjërimi, kurse agjërimi është gjysma edurimit.’ (transmeton Ahmedi).
Allahu kërkon prej besimtarëve që të agjërojnë vetëm 30 ditë dhe u premton atyre një shpërblim që nuk mund ta marr me mend:
‘Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo t’jua vështirësojë...’ (El-Bekare, 185).
Ramazani është muaji i fitores së shpirtit mbi trupin dhe i të përjetshmes ndaj të përkohshmes. Ai është një simbol i ngadhënjimit mbi shejtanin dhe pasionet emëkateve.
Pejgamberi a.s. ka thënë: ‘Askush nuk do të agjërojë një ditë për Allahun, e Allahu të mos e largojë nga zjarri shtatëdhjetë harife.’ (Buhariu dhe Muslimi) Në hadith shprehja harife është përdorur në kuptimin e një viti.

Agjërimi ndihmon në forcimin e karakterit dhe fisnikërimin e personalitetit. Agjëruesit heqin dorë nga ushqimi dhe uji, që jashtë ramazanit janë të lejuar, e të mos flasim për gjërat e ndaluara. Ata nuk lejojnë që të zbresin në nivelin e atyre që i binden shejtanit dhe pasioneve të ulëta. Ndërkaq, ka edhe njerëz që në vend tëAllahut, që i ka krijuar në formën më të bukur dhe i ka pajisur me mendje, i binden nefsit dhe impulseve të tyre shtazore.

Muhamedi a.s. ka thënë: ‘Agjëruesi ka dy gëzime: gëzimin gjatë iftarit dhe gëzimin gjatë takimit me Allahun në Ditën e Ringjalljes’. Gëzimi gjatë iftarit nënkupton gëzimin e besimtarit që e ka agjëruar atë ditë në emër të Allahut dhe që ka larguar etjen dhe urinë.
Kurse në Ditën e Ringjalljes, agjëruesi do të gëzohet për shpërblimin të cilin Allahu ka përgatitur për të. Agjëruesi do të gëzohet me gëzim të papërshkrueshëm kur të shohë se sa sevape ka fituar, ashtu sikurse personi që merr për punën e tij një shpërblim të shumëfishtë dhe të paimagjinueshëm.
Duke folur për kënaqësinë e vërtetë të besimtarit, ëmbëlsinë e adhurimit dhe të studiuarit e shkencës në emër të Allahut, Ibn Hazmi ka thënë: ‘ëmbëlsia dhekënaqësia e dijetarit për dijen e tij, kënaqësia e të devotshmit për devotshmërinë e tij dhe e muxhtehidit për ixhtihadin e tij, është shumë më e madhe se kënaqësia e atyre që jetojnë për të ngrënë, për të pirë dhe për t’u dëfryer.’
Enesi r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: ‘Tri dua nuk refuzohen. Lutja e prindërit për fëmijën, lutja e agjëruesit dhe lutja e mysafirit’.
Prandaj duhet të përfitojmë nga koha e ramazanit që të pendohemi dhe të kthehemi në gjirin e Islamit, duke u përgatitur për ditën kur besimtarëve të sinqertëduke hyrë në xhenet do t’u thuhet: “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë që keni bërë në ditët e kaluara.” (El-Hakka, 24).
Në një hadith kudsi, Allahu xh.sh. ka thënë: “Për çdo vepër të mirë do të jepet shpërblimi dhjetëfish e më shumë, kurse agjërimi është i Imi dhe Unë do të shpërblej për të (në mënyrë të veçantë).”
Dijetarët islamë e kanë komentuar hadithin duke thënë se lloje të ndryshme të adhurimit, si: namazi, rukuja, sexhdja, lutja, sakrifica, bamirësia etj., iu janë bërë edhe idhujve të ndryshëm përveç Allahut, por idhujtarët nuk kanë agjëruar kurrë për idhujt dhe zotat e tyre. Prandaj agjërimi është specifikë e muslimanit të sinqertë.
Gjatë ramazanit preferohet që të zgjohemi në syfyr. Abdullah ibn Umeri transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: ‘Me të vërtetë Allahu dhe melekët i bekojnëata që zgjohen në syfyr.’ (transmeton Ibn Hibban).
Muhamedi a.s. në hadithin që e transmeton Tirmidhiu, Ibn Hibbani dhe Ibn Maxhe rekomandon që një e treta e stomakut të mbushet me ushqim, një e tretatjetër me ujë dhe një e treta të lihet e zbrazët për frymëmarrje normale.
Dijetarët islamë agjërimin e ndajnë në tri kategori:
1. Agjërimi i zakonshëm që nënkupton përmbajtjen nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet seksuale.
2. Agjërimi i posaçëm që nënkupton abstenimin e shikimit, të folurit, dëgjimit, duarve, këmbëve dhe pjesëve të tjera të trupit nga mëkati. Xhabir ibn Abdullahu thotë: ‘Kur agjëroni, le të agjërojë gjuha juaj, shikimi juaj, dëgjimi juaj dhe të gjitha organet tuaja. Mos lejoni që dita e agjërimit tuaj të jetë njëlloj si çdo ditë tjetër.’
3 Agjërimi i veçantë që është agjërimi i zemrës dhe mendjes nga të gjitha ambiciet dhe motivet e ulëta tokësore, duke flakur çdo gjë përveç Allahut. Ky është niveli ipejgamberëve, i njerëzve të sinqertë dhe të afërt me Allahun. Ebu Hurejre r.a. transmeton se Muhamedi a.s. ka thënë: ‘Sa agjërues nuk kanë asgjë nga agjërimi i tyre, pos urisë dhe etjes!" (transmeton Nesaiu).
Falënderimi i takon Allahut që na bëri pjesë të umetit islam, që është më i zgjedhuri ndër të gjitha umetet gjatë gjithë historisë njerëzore. I Gjithëdijshmi Allahka thënë:
‘Ju jeni bashkësia më e mirë e dalë për njerëzimin ...’ (Ali Imran: 110).

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.