Bedri, luginë mesazhesh dhe porosish

Mësimet, mesazhet dhe porositë e kësaj ndodhie janë aq të shumta në numër dhe të rëndësishme në përmbajtje, sa që të bëjnë të kuptosh se nuk bëhet fjalë për një luftë klasike në mes dy palëve të armiqësuara, por bëhet fjalë për një betejë në të cilën u konfrontua njerëzorja me ç’njerëzoren, besimi me idhujtarinë, vlera me jovlerën, morali me degjenerimin, altruizmi me egoizmin, e mira me të keqen…

Të shumta janë datat dhe fitoret të cilat i shënojnë popujt e ndryshëm anekënd globit. Disa prej këtyre ndodhive janë të lidhura ngushtë me historinë e një populli apo një vendi, ndërsa disa tjera sosh paraqesin fatin e përbashkët të një grumbulli kombesh apo shtetesh. Disa prej tyre janë ngjarje që kthehen deri në lashtësi, ndërsa disa të tjera janë pjesë e historisë më të re të një kombi, vendi, apo rajoni… Mirëpo, pika e përbashkët në mes gjitha këtyre datave që shënohen është fakti se, përreth dimensionit të tyre historik dhe emocional, ato në vete përmbajnë shumë leksione dhe urtësi të cilat shërbejnë si mësim për të ardhmen.
E këtillë është edhe lufta e Bedrit, e cila, për dallim nga ngjarjet tjera, ajo i tejkalon kufijtë etnik dhe rajonal, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë botërore në përgjithësi, si dhe asaj islame në veçanti.
Ato që e bënë të veçantë Bedrin si të tillë nuk ishin përmasat gjeografike apo demografike të ngjarjes në fjalë, por ishin dimensionet njerëzore dhe civilizuese ato që e determinuan dhe karakterizuan ndodhinë në fjalë, duke e shndërruar atë në simbol dhe kthesë të rëndësishme në historinë e mbarë njerëzimit.
Mësimet, mesazhet dhe porositë e kësaj ndodhie janë aq të shumta në numër dhe të rëndësishme në përmbajtje, sa që të bëjnë të kuptosh se, nuk bëhet fjalë për një luftë klasike në mes dy palëve të armiqësuara, por bëhet fjalë për një betejë në të cilën u konfrontua njerëzorja me ç’njerëzoren, besimi me idhujtarinë, vlera me jovlerën, morali me degjenerimin, altruizmi me egoizmin, e mira me të keqen…
Të bisedosh për ngjarjen e Bedrit, do të thotë të bisedosh për platformë njerëzore dhe civilizuese, platformë kjo e cila në vete ngërthen të gjitha parakushtet e ndërtimit të një bote në të cilën do të dominonte paqa, dinjiteti dhe mirëqenia. Kjo, nga fakti se, rrethanat që i paraprinë kësaj ndodhie, ato që e shoqëruan atë, si dhe rezultatet të cilat pasuan pas saj janë indikatorë të mjaftueshëm për të kuptuar se, kjo luftë nuk u bë me qëllim të qerimit të hesapeve në mes dy grupeve si dhe realizimit të interesave të caktuara, por u bë për hir të idealeve shumë më të larta, ideale këto të cilat po qe se nuk dilnin në pah në ditën e Bedrit, kjo botë do të ishte vend shumë më i pasigurt dhe më i shëmtuar nga që është sot.
Disa nga rregullat dhe parimet themelore dhe më të rëndësishme të cilat u theksuan në ngjarjen e Bedrit janë si vijon:

Parimi i modelit

Një nga parimet bazë në të cilat thirr islami është parimi i të qenit model në çdo punë të mirë dhe të dobishme; në çdo aspekt dhe në të gjitha rrethanat. Madje, në funksion të jetësimit të këtij parimi, Allahu Fuqiplotë dërgoi profetë.
I këtillë ishte rasti edhe me Muhamedin (sal-lallahu alejhi ve sel-lem), për të cilin Allahu i Madhnueshëm thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut,...” (El-Ahzab: 21). Kështu, Muhamedi (paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ishte më sakrifikuesi, më i mëshirshmi, më i devotshmi, më i buti dhe më i kujdesshmi në gjitha momentet e jetës së tij, e sidomos gjatë momenteve të vështira. Andaj, të gjithë ata që lexojnë detajet e ngjarjes së Bedrit, do të hetojnë dukshëm këto aspekte me të cilat u karakterizua personaliteti i Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ve sel-lem).

Parimi i të mirës dhe të keqes

Ka shumë gjëra në jetë për të cilat ne mendojmë se janë të mira dhe të dobishme, mirëpo ato në realitet janë të dëmshme. Dhe e kundërta, të shumta janë gjërat të cilat neve nuk na pëlqejnë, apose në shikimin të parë i urrejmë, mirëpo në të vërtetë ato janë në dobinë tonë. Kjo ndodh nga shkaku se, njeriu, shpeshherë sendet i sheh nga këndi i egos, emocioneve dhe interesit afatshkurtë, elemente këto të cilat e verbërojnë atë nga të kuptuarit e esencës dhe tërësisë. Andaj, vjen përkujtimi i Allahut - ashtu siç ju erdhi edhe muslimanëve të cilët morrën pjesë në Bedër – duke thënë: “... Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini” (El-Bekare: 216).

Parimi i konsiderimit të shkaqeve

Një nga çështjet të cilat keqkuptohen më së shumti është çështja e mbështetjes në Allahun. Kështu, të shumtë janë ata të cilët, si rezultat i përtacisë dhe neglizhencës së tyre, gjërat ia lënë stihisë, duke u arsyetuar se janë ‘mbështetur’ në Allahun.
Dhe vjen rasti i Bedrit, në krye me Muhamedin (sal-lallahu alejhi ve sel-lem), për t’u sqaruar të gjithë atyre që mundohen që gjërat t’i emërojnë ndryshe nga emërtimet e tyre të vërteta se, mbështetja në Allahun bëhet ndryshe nga ajo që ju ka ëndja shumicës. Ngase, mbështetja e vërtetë është ajo që bëhet pas konsiderimit të të gjitha shkaqeve si dhe plotësimit të të gjitha obligimeve që janë në mundësitë tona maksimale.

Parimi i konsultimit

Konsultimi është një nga parimet bazë të suksesit në islam. Madje, një parim i këtillë nuk pranon kurrfarë kompromisi, qoftë edhe nëse janë në pyetje raportet udhëheqës dhe i udhëhequr.
Shembull më i mirë në lidhje me këtë është konsultimi të cilin e bëri Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ve sel-lem) me shokët e tij në vigjilje të betejës, si dhe pranimi i konsultës nga një ushtar i rëndomtë.
Sa shumë nevojë kemi në ditët e sotme për konsultim në mes vete, në këtë kohë të pakohë, në të cilën ka humbur mençuria, ndonëse shumica hiqen si të mençur!

Parimi i kualitetit kundrejt kuantitetit

Islami asnjëherë nuk ju ka kushtuar rëndësi numrave dhe kuantitetit, në llogari të vlerave dhe kualitetit.
Kështu, Allahu Fuqiplotë deshi që një raport të këtillë ta qartësojë edhe në momentet më ekstreme (në rast lufte), edhe atë pikërisht në luftën e Bedrit, me ç’rast, thotë: “Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha”! All-llahu është me durimtarët” (El-Bekare: 249).

Parimi i së drejtës universale

Ai që e bëri Islamin të ngadhnjejë ndaj çdo sfide dhe ideologjie ishte dhe vazhdon të jetë parimi i të drejtave universale në të cilat fton ai, qoftë edhe nëse bëhet fjalë për robër lufte. Kjo, ngase, të drejtat njerëzore në Islam janë kategori primare në të cilën ka zero tolerancë.
A thua vallë ekziston personifikim më i mirë i këtij parimi se sa në rastin e Bedrit, kur, robërit e luftës jo vetëm që u trajtuan në mënyrë dinjitoze, por ato madje morën epitetin e mësuesve të popullit.
Në saje të këtyre dimensioneve dhe parametrave të cilat u përmendën, si dhe shumë e shumë segmenteve tjera të cilat nuk u thanë, kjo ngjarje meriton të shndërrohet në datë ndërkombëtare dhe mbarëbotërore, ngase, njerëzimi i sotëm ka më se nevojë për mësimet dhe porositë e Bedrit.
Këto janë vetëm disa aspekte që e karakterizuan këtë ngjarje të rëndësishme me përmasa mbarënjerëzore, ndonëse, shumëçka mbeti pa u thënë.
Andaj, i inkurajoj të gjithë lexuesit e respektuar që të ndajnë pak nga koha e tyre për t’u njoftuar më për së afërmi me këtë ndodhi, sepse, Bedri, para se të jetë betejë luftë, ajo mbi të gjitha është luginë mesazhesh dhe porosishë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës