Nata e Kadrit, fitore mbarënjerëzore


"Ne e zbritëm atë (Kur'anin) në natën e Kadrit (1) E ç'të bëri ty të dijsh se ç'është nata e Kadrit? (2) Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! (3) Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje (4) Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit (5)" [Suretu-l-kadër]

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë prej Ebu Hurejres se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: "Kush e kalon natën e Kadrit me adhurim duke besuar dhe llogaritur (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet që i ka bërë më parë".

Nata e njëzet e shtatë e Ramazanit, e cila njihet me emrin nata e Kadrit, paraqet një nga ndodhitë më të rëndësishme jo vetëm në kalendarin Islam, por edhe në atë botërorë në përgjithësi.

Në natën e Kadrit, u hoq perdja e madhe e cila ishte hedhur mbi lirinë e të menduarit të njeriut dhe ndjenjat e tij shekuj me radhë, dhe ajo ishte forcuar me ndryshkun e besimeve të gabuara të mbartura nëpër gjenerata, që nga momenti kur njerëzit u larguan nga rruga e vërtetë dhe imagjinuan besime të ndryshme të gabuara.

Pra, karakteristika e parë e kësaj nate është se në këtë natë u hap një faqe e re në historinë botërore dhe atë sociale, politike, ekonomike e humane të njerëzimit. Në këtë natë, filloi shpallja e Kur'anit, iu kumtua nga ana e Zotit Muhamedit paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se është i dërguari i fundit i Zotit për gjithë njerëzinë, dhe se ai ka një mision madhështor, pra duhet t'i thirr njerëzit në të vërtetën dhe t'i luftojë energjikisht besëtytnitë që e kishin okupuar dhe ngulfatur njeriun.

Bota, në këtë natë, pati rastin të jetë dëshmitare e fillimit të një ere të re në këtë glob, të sheh një metodë të re të trajtimit të gjërave dhe të të menduarit, të sheh se ku i ka pasur gabimet, ta dallon atë që është e arsyeshme dhe atë që është e deformuar dhe e dëmshme për njeriun.

Në natën e Kadrit filloi shpallja e librit të Zotit, i cili do të sjell një platformë të qartë, jo vetëm në sferën e besimit, pra nuk do ta pastroje vetëm besimin e njollosur dhe të deformuar aq rëndë nga idhujtarët, por do të sjell një platformë gjenerale për të gjitha sferat e jetës dhe të aktivitetit njerëzor. Kjo shpallje e Allahut ofroi zgjidhje për të gjitha problemet e shtresuara shekuj me radhë, edhe atë për të gjithë njerëzit dhe shoqëritë.

E mbroji para së gjithash prestigjin e njeriut dhe e respektoi atë si njeri, pa dallim race, gjuhe, vendi dhe statusi ekonomik, gjëra këto që deri atëherë kishin qenë standard për vlerësimin e njeriut dhe të qëndrimit ndaj tij e statusit të tij në shoqëri. Islami thirri në mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke ia siguruar atij të drejtën e jetës, besimit, punës, fjalës dhe mendimit, gjëra këto që kishin qenë jo vetëm larg realitetit, por edhe larg imagjinatës së njeriut të atëhershëm. Islami fuqishëm e promovoi parimin: Nuk ka dallim në mes arabit dhe jo arabit, të bardhit e të ziut, të varfrit e pasanikut, bajraktarëve dhe masës së thjeshtë, por dallimi është vetëm në devotshmëri.

Islami solli drejtësi sociale, duke e ndaluar keqpërdorimin e mundit të njeriut dhe eksploatimin e tij në mënyrë të padrejtë, ngrënien e djersit të punëtorit nga bossat e tregtisë dhe biznesit, si dhe një varg masash tjera.

Islami ia dha edhe gruas të drejtat që i meriton, e që deri atëherë kishin qenë temë e ndaluar për tu biseduar.

Islami i thirri njerëzit që të mendojnë me logjikë të shëndoshë rreth asaj në të cilën besonin, a ia vlen të besohet apo jo, a është reale apo jo. Për herë të parë në Kur'anin famëlartë, njeriut i bëhet thirrje që të mendojë dhe të logjikojë rreth dëshmive natyrore të cilat flasin për madhështinë e Krijuesit. Në këtë drejtim, për të parën herë njeriut i njihej edhe liria e besimit, sepse Kur'ani miratoi parimin e pa kontestuar: Nuk ka imponim të besimit me dhunë.

Nga aspekti shpirtëror, nata e Kadrit flet për madhështinë e mëshirës së Zotit. Kjo, ngase në Kur'anin famëlartë Allahu i madhërishëm tregon se nata e Kadrit është ma e vlefshme se sa një mijë muaj.

Pra, Allahu i Madhërishëm është shumë i mëshirshëm, sepse ua ka mundësuar njerëzve një natë e cila është më e vlefshme se sa një mijë muaj, dhe normalisht adhurimet që bëhen në këtë natë janë më të avancuara në kuptim të shpërblimit te Allahu i Madhërishëm.

Nisur nga kjo, besimtari duhet ta shfrytëzojë natën e Kadrit maksimalisht qe ta pasurojë repertorin e punëve të veta të mira me vepra sa ma atraktive fetare dhe me shpërblime ekskluzive që jepen enkas për këtë natë për ata që veprojnë.

Nga ana tjeter, muslimanët duhet ta gjallërojnë këtë natë me ibadete praktike dhe programe kulturore Islame, sepse paraqet fitore të madhe për njerëzimin dhe mburrje për ne si musliman. Le ta shënojmë atëherë këtë fitore të madhe si është ma mirë dhe ma e preferuar nga Zoti.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës