Zekatul-Fitri pastrim për agjëruesin

Allahu është furnizuesi ynë, Ai jep shumë e njerëzit janë të dobët, andaj Allahu na sprovon me shumë gjëra, me pasuri dhe me varfëri:

”Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve.” (Bekare 155).
Sigurisht që Zekatul fitri është obligim për çdo musliman, dhe braktisja e tij është mëkat dhe largim nga urdhri i Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem). Abdullah ibën Umeri thotë: “Pejgamberi e ka bërë obligim për të gjithë muslimanët… ta japin Zekatul-Fitrin…”. Kurse është quajtur zekatul-fitri sepse lidhet me kohën kur përfundon agjërimi. Sepse fjala “Fitr” d.m.th. të përfundosh agjërimin dhe të ushqehesh, andaj Bajrami quhet Fitr-Bajram sepse përfundon agjërimi merret shpërblimi dhe gëzohet miskini-fukaraja e jetimi. Zekati Fitrit jepet në ushqim dhe jepet sikur për vete ushqim i freskët dhe jo i përdorur sepse Allahu na urdhëron: “O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dijeni se All-llahu s'ka nevojë për ju, është i madhëruar.” (Bekare 267)
“Pejgamberi e ka bërë obligim zekatul fitrin një sa’(Masë-sasi e caktuar) me ushqim si pastrim për agjëruesin nga fjalët dhe veprat e kota dhe si ushqim për të varfrit”
Në hadithin të cilin e transmeton Ibn Umeri te Buhari dhe Muslimi, thotë: ”E ka bërë detyrë i Dërguari i All-llahut dhënien e zekatit të Fitrit të Ramazanit, sa (masa) një sa hurmash ose një Sa`elbi…”
Ndërkaq dijetari i ummetit Ebu Hanife dhe të tjerë thonë se zekati i fitrit hynë në radhën e vaxhibeve. Është mirë që shpërndarja e zekatul fitrit të filloj një ditë apo dy para bajramit, duke u bazuar në transmetimin e Nafi ibën Abdullahut se Abdullah ibën Umeri dhe sahabet tjerë e shpërndanin atë para bajramit një ditë a po dy. Kurse përfundon në kohën e faljes së namazit të bajramit. Përndryshe nuk lejohet të jepet para kësaj kohe e as pas saj, dhe ai i cili pa ndonjë arsye e ka vonuar dhënien e zekatul fitrit deri sa është falë namazi i bajramit ka bërë mëkat, duhet të pendohet tek Allahu, sepse është transmetuar nga Abdullah ibën Umeri të ketë thënë:“Pejgamberi ka urdhëruar që zekatul fitri të jepet para se të dalin njerëzit për të falur namazin e bajramit” (Buhariu: (1509), Muslimi: (9860) ).
Abdullah ibën Abasi ka thënë: “kush e jep para namazit të bajramit ajo është e pranuar, kurse ai i cili e jep pas namazit, ajo konsiderohet një sadakë e zakonshme (nuk konsiderohet zekatul fitr). ( Buhariu: 597, Muslimi:683.).
Për Zekatul-Fitr obligohet çdo musliman mashkull apo femër, i rritur apo fëmijë, pa marrë parasysh të ketë agjëruar apo jo, siç është rasti me personin që është në udhëtim apo është i sëmurë. Për këtë tregon hadithi i Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) që e transmeton Ibën Umeri, ku thotë:“Pejgamberi e ka bërë obligim për të gjithë muslimanët, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, meshkujt dhe femrat, skllevërit apo të lirët që ta japin sadakatul fitrin një sa’ të mbushur me hurma apo drithë”.(Buhariu dhe Muslimi). Sa’ është një masë e cila peshon afërsisht 2,200 kg (dy kilogram e dyqind gram) grurë. Por kjo ndryshon sipas llojit të drithit që matet. Apo ndryshe kjo matet me katër palë grushta të mbushur. Kujt i jepet Sadakatu El-fitri? I jepet të varfrit ashtu siç ka ardhur në hadithin e Pejgamberit a.s.: “Sadakatu El-Fitri është pastrim për agjëruesin prej fjalëve të këqija dhe të kota, të cilat i ka thënë gjatë Ramazanit, është ushqim dhe ndihmë për të varfrit”.Definicionin e të varfrit e ka sqaruar Pejgamberi a.s. në një hadith ku thotë:
“I varfër është ai i cili nuk gjen të pasur që ta pasuron atë, nuk kujdeset askush për te dhe nuk bisedohet për te në mënyrë që të jepet për të, dhe nuk e pyesin njerëzit asgjë” (Muttefeku nalejhi).
Zekatul Fitri është një institucion i mirëqenies sociale,një vend pa mirëqenie sociale është i destinuar të rrënohet dhe ta pllakos varfëria, në një vend me shumë varfëri shfaqen vjedhjet, plaçkitjet,vrasjet, problemet dhe krizat e mëdha.

Zekatul-Fitri ka këto mesazhe :

1) Agjëruesi e jep Fitrin pak para faljes së bajramit të gëzojë ndonjë familje
2) Allahu i do bamirësit andaj ky është momenti adekuat për bamirësi
3) Ndihmo fukaranë, jetimin, studentin për shkollim
4) Ndihmo përhapjen e islamit ndihmo fjalën e Allahut të përhapet dhe materialisht
5) Përmirëson gjendjen shoqërore
6) Përmirëson gjendjen ekonomiko-psikologjike
7) Vendos ekuilibrat barazinë
8) Shton bereqetin rrit solidaritetin
9) Miqësohesh dhe afrohesh me gjitha shtresat
10) Largon polarizimet dhe keqkuptimet
11) Zekatul-Fitri është dëshmi e sinqeritetit në besim dhe e besimit në Ditën e Gjykimit
12) Lehtëson barrën nga një obligim islam dhe merr shpërblim nga Allahu inshallah.
13) Pastron pasurinë dhe ruhesh nga harami
14) Je më human më njerëzorë në mirësi e në të mira
15) Mendon se dhe t’i do ishe sprovuar ashtu
16) Pastrohesh nga fjalët dhe veprat e këqija
17) E shton bindjen ndaj Allahut dhe falënderon që të dha të mira
18) Mesazhi i zekatul-fitrit jep që të marrësh e të fitosh nga Allahu pa limit-kufi.
19) Allahu të dha shumë të mira sa ti jep për Allah?
20) Nderoje njeriun-krijesën e Allahut me të mira ndihmoje atë sepse Allahu të ndihmon, se ti je njeri dhe Allahu ju ndihmon të gjithëve e ku ka ndihmëtarë më të Madh se Allahu i Lartmadhërishëm.
Zekatul Fitri jepet nga çdo individ veç e veç kurse prindi e jep për fëmijën për frymë familje sa anëtar ka ajo familje. Fitri nuk u jepet njerëzve të afërm të gjakut sepse ne ndaj tyre kemi obligim t’i ndihmojmë më shumë e jo t’i respektojmë njëherë në vit me Fitra pra kjo është trup nga njëra anë sepse ne duhet të kemi më shumë obligime ndaj të afërmve tanë çdo moment e jo njëherë në vit. Institucionet islame duhet të dinë ti shpërndajnë aty ku duhet këto të mira materiale, dihet se në një vend që ka varfëri shumë dhe njerëzit japin diku çalon puna sepse institucionet islame nuk janë duke menaxhuar dhe ndihmuar fukarenjtë musliman të cilët janë shumë, pra duhet të ketë një projekt për mirëqenien e muslimanëve në tërësi. Ku jemi ne me hadithin e pejgamberit a.s.: “Nuk keni besuar derisa nuk doni për vëllanë e juaj atë që doni dhe për vete”. Unë sot shoh musliman miliarderë dhe musliman që mezi sigurojnë bukën e gojës kjo do të thotë se kemi mosmenaxhim dhe injorancë dhe imani-besimi nuk është si duhet pra kanë iman-besim, por imani-besimi tyre është fasad-maskë asgjë më shumë,kur ajo nuk vendoset në praktikë duke pastruar pasurinë dhe dhënë Zekatul-Fitrin dhe duke dhënë sadak shumë se ajo ruan nga zjarri.
Allahu tregon për ata besimtarë që do të hyjnë në xhenet, se cilat janë veprat që ata bëjnë: “Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi (dënimit të) Zotit tonë në një ditë që fytyrat i bën të zymta dhe është shumë e vështirë.(Insan 8-10).
Allahu i do ata që japin për Allah dhe vepra e tyre është e sinqertë. Pra besimtarët ushqejnë dhe nuk ndalen së ushqyeri muslimanët e varfër. I ushqejnë për hir të Allahut duke qenë falënderues për pasurinë që u dha Allahu Fuqiplotë. Allahu nuk i do koprracët: “Ata që vetë janë koprracë dhe urdhërojnë njerëzit për koprraci, dhe e fshehin atë që ju ka dhënë Allahu nga mirësitë e Veta. Ne kemi përgatitur dënim të turpshëm për jobesimtarët!” (Nisa 37).
Andaj Allahu na bëftë prej dorëdhënësve dhe atyre që japin për Allah për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë e muslimanëve dhe njerëzve në përgjithësi. Allahu na ruajt dhe na i forcoftë këmbët për në rrugën e drejtë e ndriçoftë fytyrat ditën kur nuk bën dobi as pasuria as fëmija që kemi akumuluar e mbledhur gjatë kësaj bote kalimtare, por vetëm vepra e mirë për Allah dhe puna e mirë e vazhdueshme. Amin!!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës