Argumente mbi Njëshmërinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij

“Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin (shiun) që Allahu e zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka argumente për njerëzit me intelekt”. (El- Bekare, 163-164)


Lidhmëria me ajetet paraprake

Në ajetet paraprake Allahu i Madhërishëm ka sqaruar disa nga parimet kryesore, në të cilat mbështetet koncepti i vërtetë i besimit islam, duke kundërshtuar hebrenjtë, të cilët në çdo mënyrë pengonin të vërtetën dhe pasonin të kotën, fshihnin të vërtetën që e dinin fare mirë, dhe bënin përgënjeshtrim të të gjitha çështjeve hyjnore. Kështu, hasim sqarimin hyjnor mbi çështjen e vizitës - ecjes në mes Safasë dhe Merves, çështje e cila ishte ngatërruar për shkak të zakoneve të injorancës. Sqarimi lidhet gjithashtu edhe me çështjen e kthimit nga Kibla në namaz në drejtim të Qabesë, dhe kryerjen e detyrave të tij. Vijohet më tutje duke i sulmuar ashpër ithtarët e librit, të cilët fshihnin argumentet e Allahut xh.sh., por edhe duke lënë hapur derën e pendimit për atë që do të pendohet, ndërsa ai i cili mbetet me ngulm në mosbesim dhe vdes i tillë, merr mallkimin dhe dënimin e përjetshëm. Ndërsa, në këto ajete, sqarohet Njësia e Allahut xh.sh. dhe Mëshira e Tij, duke paraqitur argumente në gjithësi, të cilat e dëshmojnë këtë të vërtetë absolute, dhe, duke vijuar pas këtyre ajeteve me qortim dhe kritikë të ashpër ndaj atyre që adhurojnë dikë tjetër përveç Krijuesit të çdo gjëje - Allahut xh.sh..

Shkaku i zbritjes së ajeteve

Transmetohet nga Ibni Abasi se ajeti: “Zoti juaj është një Zot i vetëm!”, zbriti pasi që pabesimarët e Mekës iu drejtuan Muhamedit a.s. me fjalët: “Na e përshkruaj zotin tënd!(1)
Transmetohet nga Ataja të ketë thënë: I zbriti Pejgamberit a.s. në Medinë ajeti: “Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”, dhe pabesimtarët kurejshë në Mekë thanë: Si ta kërkojnë njerëzit një zot? Dhe Allahu xh.sh. zbriti ajetin vijues: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën….”(2)
Gjithashtu transmetohet nga Ebi Duha të ketë thënë: Pasi zbriti ajeti “Zoti juaj është një Zot i vetëm!...”, u habitën pabesimtarët dhe thanë: Një zot!!??, Nëse ai është i sinqertë çfarë thotë, atëherë le të paraqesë argument, dhe Allahu xh.sh. zbriti ajetin vijues: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën…”(3)
Zoti juaj është një Zot i vetëm – Allahu “Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” I Madhërishmi Allah paraqet formimin e konceptit islam mbi
bazën e fuqishme dhe stabile, mbi themelin e Njësisë së Allahut, besimit në Zotin Një, duke paraqitur argumente në gjithësi, të cilat nuk kontestohen fare dhe vërtetojnë Njëshmërinë e Tij. Pa dyshim, besimi në Njëshmërinë e Allahut paraqet bazën kryesore mbi të cilën mbështetet koncepti i besimit islam, prandaj tek njerëzit nuk ka pasur asnjëherë polemika dhe as kundërshtime rreth besimit në zot, pavarësisht nga mospajtimet rreth Qenësisë së Tij, cilësive dhe lidhjeve të Tij me krijesat. Parimisht, ndjenja e besimit në zot në natyrshmërinë e njeriut ka ekzistuar gjithnjë, edhe pse sot në shumë raste është shkëputur kjo ndjenjë, e cila bie ndesh me natyrën e njeriut dhe është dukuri e izoluar dhe nuk ka asnjë lidhje me natyrshmërinë e pastër të tij, prandaj një bindje e tillë tek dikush pa dyshim rezulton me zhgënjim dhe përfundim të keq. Mbështetur në këtë, Kurani është përqendruar gjithnjë në sqarimin e Njësisë së Zotit, duke e cilësuar atë të domosdoshme për konceptin e vërtetë të besimit të drejtë dhe bazë të tij, gjithashtu edhe për të ndërtuar dhe konsoliduar fuqishëm të gjitha parimet
e moralit dhe shoqërisë, meqë e tëra buron nga ky koncept - Njësia e Zotit, s’ka tjetër përveç Tij në gjithësi.
Nëpërmjet vërtetimit të Njësisë së Zotit Fuqiplotë, konfirmohet qartë adhurimi me përkushtim vetëm i Tij nga krijesat, konfirmohet burimi prej nga krijesat marrin bazat e moralit e mirësjelljes, dhe konfirmohet burimi prej nga krijesat marrin parimet e ligjit hyjnor, si dhe konfirmohet qartë metoda dhe programi që e marrin njerëzit si sistem për jetën e tyre. Me një fjalë, konteksti i këtij ajeti synon të përgatisë shoqërinë islame për rolin e madh që ka në tokë, synim i cili përmendet shumë herë sidomos në periudhën mekase të zbritjes së Kuranit, dhe sistematikisht Kurani përfshiu hollësisht të gjitha sferat e tjera të mendjes së shëndoshë, por edhe të jetës e ekzistencës. Allahu xh.sh. thekson shumë herë çështjen e besimit në Njëshmërinë e Tij, që mbi të të ndërtojë tërë ligjin - Sheriatin e Tij dhe obligimet. Me këtë rast Krijuesi përmend cilësitë e tij “Er-Rahman dhe Er-Rrahim – të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” ngase nga mëshira e Tij e madhe dhe e jashtëzakonshme, burojnë tërë ligji hyjnor dhe obligimet.(4)
Dëshmia kuranore “Zoti juaj është një Zot i vetëm!”, paraqet bazën kryesore dhe themelore, ngase kjo nënkupton se i adhuruari i vetëm me plot të drejtë është Një Zot, dhe realisht Zoti i vërtetë ekziston (pa fillim dhe pa mbarim) para se të ekzistonte mosbesimi - kufri. Ndërsa shprehja “S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij”, paraqet shtyllën e dytë, ngase injoranca dhe shpërfillja e njerëzve bënë që shumë prej tyre të adhuronin dikë tjetër përveç Krijuesit të vërtetë. Ndërkaq, Allahu xh.sh. në vazhdim thotë: “të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”, që tregon se gjithçka përveç Tij, në parim, ose është dhunti nga Ai, ose që i është dhuruar dikujt. Sa kohë që është kështu, atëherë e tëra është e dhuruar nga Ai që quhet i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë, prandaj edhe dhuntitë s’mund të quhen zot, ngase janë të dhuruara nga dikush tjetër. Ndërsa, ata që këto dhunti i quajnë zota, mbështeten në shkaqet e tyre, kurse Allahu xh.sh. është krijues i tyre, po edhe i shkaqeve të tyre.(5)
Përsëritja e emrit Zot dy herë radhazi brenda këtij ajeti, konfirmon fuqishëm se Allahu është Një dhe Absolut në çdo çështje, i pashembullt dhe vetëm Ai meriton adhurimin me plot të drejtë.(6)
Transmetohet nga Esma bint Jezid, se Muhamedi a.s. kishte thënë: “Emri më madhështor i Allahut gjendet në këto dy ajete: “Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”, si dhe në ajetin tjetër: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje”.(7)
Të dy këto cilësi - këta Emra të Allahut xh.sh. paraqesin mëshirën e Tij dhe përmbajnë formën sipërore të mëshirës, kurse cilësia Er-Rahman është më gjithëpërfshirëse sesa Er-Rahim.(8)
Cilësitë e Allahut janë absolute dhe në to asnjëherë nuk vihet në diskutim pakësimi apo rritja e nivelit të tyre. Allahu është “Er- Rahman – i Gjithëmëshirshëm” në këtë botë, ngase përfshin të gjithë njerëzit me mëshirë dhe i furnizon e u jep mundësi t’i shfrytëzojnë dhuntitë në këtë botë, pavarësisht nëse janë besimtar ose jo. Dhe është “Er-Rahim - Mëshirëplotë” në Botën tjetër, vetëm për besimtarët, kurse pabesimarët nuk i përfshin mëshira e Tij.(9)
Allahu i Madhërishëm me këtë rast ka përmendur Njëshmërinë e Tij si Zot i Vetëm, dhe mëshirën, e nuk ka përmendur cilësi të tjera, sepse, duke qenë Zot i Vetëm në gjithësi, ua kujton pabesimtarëve që fshehin argumentet e shpallura nga Ai dhe i pengojnë të tjerët që të mos i shohin ato; njerëzve të tillë u kujton se nuk do të kenë rrugëdalje përveçse të kthehen tek Allahu dhe aty do të marrin ndëshkimin e merituar. Mirëpo theksohet edhe mëshira e Tij për inkurajimin e njerëzve të tillë që të pendohen dhe të marrin rrugën e vërtetë.(10)

Krijimi i qiejve dhe i Tokës

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës”... Pas dëshmisë së argumentuar fuqimisht mbi Njëshmërinë e Allahut xh.sh., në ajetin vijues Ai na e tërheq vëmendjen për argumentet që vërtetojnë këtë të vërtetë, duke na bërë thirrje që të meditojmë dhe të hulumtojmë gjithësinë e begatitë që na i ka dhuruar, në mënyrë që të bindemi se e tëra është krijuar dhe është dhuruar nga Krijuesi Fuqiplotë.
Allahu xh.sh. e ka krijuar njeriun me mëshirën ndaj tij, dhe ka krijuar gjithë ç’ka në gjithësi, si dhuratë begatuese për të, edhe na e ka tërhequr vëmendjen neve për këtë çështje me argumente të shumta në gjithësi. Sikurse u bën me dije atyre që adhurojnë dikë tjetër përveç Allahut, se këto argumente të kësaj gjithësie të mahnitshme, të theksuara në këtë ajet kuranor, vërtetojnë bindshëm se Krijuesi i tyre është madhështor dhe më i merituari për ta adhuruar sesa ato që adhurojnë ata. Kështu, Allahu xh.sh. sikur i tërheq vëmendjen njeriut që të përdorë ekzistimin e tij, që është dhunti hyjnore për të, dhe nëpërmjet këtyre argumenteve të arrijë bindjen se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, ngase është e palogjikshme që këtë gjithësi të çuditshme ta ketë krijuar dikush tjetër përveç Tij. Askush nga njerëzit, me gjithë kryeneçësinë e tyre, nuk ka pretenduar asnjëherë ta ketë krijuar këtë gjithësi, po edhe sikur të pretendojë kushdo një gjë tillë, doemos ajo mbetet iluzion dhe gjë e kotë, prandaj kjo nënkupton se ti, o njeri, nuk e ke krijuar atë, dhe atëherë pra është Allahu Krijuesi i saj dhe s’ka zot tjetër përveç Tij. Ai thotë: “Krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë”.(11)
Pse kështu? Sepse njerëzit janë të krijuar nga toka dhe në të jetojnë dhe zhvillojnë jetën e tyre, prandaj është shumë e logjikshme që Allahu të ketë krijuar më përpara atë nga e cila është krijuar njeriu, d.t.th. tokën. Pra, edhe krijimi i tyre është më i madh se krijimi i njeriut. Lidhur me këtë Krijuesi na ka informuar se krijimi i qiejve dhe i Tokës është nga çështjet e së fshehtës - gajbit, ngase askush nga krijesat nuk ka qenë i pranishëm kur janë krijuar ato.
Krijuesi thotë: “Unë nuk i bëra ata dëshmitarë të krijimit të qiejve dhe të Tokës e as të krijimit të vetë atyre; dhe, sigurisht që Unë nuk mund t’i marr si ndihmës ata që i çojnë të tjerët në humbje”.(12)
Me këtë sikur na bën me dije se do të ketë njerëz të cilët do të thonë se qiejt e Toka janë krijuar kështu ose ashtu, dhe njeriu është i krijuar kështu ose ashtu, prandaj, kur i dëgjojmë të tillët, themi: Ata janë që i humbin të tjerët, meqë Allahu xh.sh. na ka informuar për ta. Ekzistimi i njerëzve të tillë me pohime të pabaza, si: njeriu ka origjinë nga majmuni etj., vërteton dëshminë e vërtetë të Allahut xh.sh., sepse, po të mos ekzistonin të tillët, atëherë ne do të thoshim: O Zot, ku janë ata që i quan ‘njerëz që i humbin të tjerët’? Kështu, edhe Allahu xh.sh., kur tha se njerëzit i kam krijuar nga toka, shkenca, qoftë edhe nga pabesimtarët, vërtetoi përshtatshmërinë e shumë elementeve që ekzistojnë tek njeriu e tek dheu, me se konfirmohet dëshmia e Krijuesit. Meqë krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se i njerëzve, atëherë është më mahnitës, prandaj ti, o njeri, gjithsesi mendo rreth asaj që është krijuar për ty, dhe kështu të vërtetosh e të argumentosh për Krijuesin tënd Një e të Vetëm, dhe mos i beso kur dikush përpiqet të të humbë kinse ka zot tjetër përveç Allahut.(13)
Shtatë qiej të jashtëzakonshëm janë të krijuar me përsosmëri dhe funksionojnë në mënyrë shumë precize e të saktë, ekzistojnë shumë planetë e sisteme galaktikash në gjithësi, kurse Dielli me dritën e tij bën që të funksionojnë e të gjallërojnë njerëzit, shtazët dhe bimët. Të gjithë planetët në gjithësi lëvizin në orbitat e tyre, edhe Toka bashkë me ta i përmbahet kësaj, dhe, sikur të mos ishte ajo që shkenca e quan gravitacion, do të shkatërrohej e tëra. E në Tokë jetojnë bota njerëzore, shtazore, bimore etj., dhe ajo është e mbushur përplot me dobi të llojllojshme, - argumente këto që dëshmojnë për një krijim të përkryer. Fuqiploti thotë: “Në tokë ka argumente për ata që besojnë me bindje”.(14)
Në anën tjetër, njerëzimi me të gjitha arritje shkencore dhe teknologjike,
ka arritur vetëm deri në Hënë, e cila është periferi e Tokës dhe është larg nga ne vetëm ndonjë sekondë drite, kurse gjithësia është shumë e madhe. Ne jemi mësuar që të caktojmë largësinë e ndonjë sendi me milje ose kilometra, mirëpo, kur është fjala për yjet, këto masa nuk vlejnë, ngase, p.sh., Dielli, që konsiderohet nga trupat qiellorë shumë afër Tokës (në krahasim me shumë trupa të tjerë qiellorë), është larg nga Toka 93 milionë milje, drita e të cilit zbret në tokë për afro 8 minuta e një çerek. Kurse, për të llogaritur largësinë e yjeve, duhet vënë pas numrit shumë e shumë zero, gjë që e bën numrin të pavlefshëm, dhe pikërisht për këtë arsye astronautët kanë zgjedhur si mjet për të përcaktuar largësinë e tyre, atë që e quajnë “vit dritë“. Dihet se shpejtësia e dritës është përafërsisht 300.000 km në sekondë, prandaj, për të përcaktuar largësinë në mes nesh dhe yjeve, nevojiten llogaritje shumë të sakta. Kështu ne habitemi kur mësojmë se drita e shumë yjeve arrin tek ne për 50 vjet dritë. Dhe e gjithë kjo brenda qiellit të parë të dynjasë!(15)
Kjo është madhësia e jashtëzakonshme e qiellit të parë të dynjasë, dhe imagjinoni madhësinë e gjashtë qiejve të tjerë që ka krijuar Allahu?!

Këmbimi i natës me ditën

“...në këmbimin e natës me ditën”.
Kur Allahu xh.sh. flet mbi njeriun, e cilëson atë shumë të vlefshëm në gjithësi, i cili ka nevojë për dy komponentë: për kohën dhe hapësirën/vendin, dhe vendi i njeriut është toka ku qëndron dhe zhvillon aktivitetin, dhe qielli përmbi të, kurse koha është ajo që përbëhet nga nata e dita, dhe për këtë arsye Krijuesi paraqet argument këmbimin e natës me ditën, që nënkupton pasimin e njëra-tjetrës. Lidhur me këtë, Allahu xh.sh. thotë: “Ai krijoi natën dhe ditën, që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë”.(16)
Këmbimi i natës me ditën nënkupton që asnjëra prej tyre të mos jetë e përhershme, për këtë shkak në shumë ajete të tjera Zoti Fuqiplotë na e kujton këtë dhunti: “Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën natën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte dritën? Vallë, a nuk dëgjoni? Thuaju (o Muhamed): Pa mendoni, nëse Allahu jua bën ditën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte natën, në të cilën pushoni? Vallë, a nuk e shihni?”.(17) Prandaj, mbështetur në këtë, edhe për ty, o njeri i gjallë, funksionon gjithçka sikur edhe për krijesat e tjera, pas lodhjes ke nevojë për pushim e qetësi, për këtë arsye është ndarë koha në natë - për të pushuar, dhe në ditë - për të gjallëruar. Allahu xh.sh. thotë: “Dhe është Ai që jua ka bërë natën mbulesë dhe gjumin pushim, kurse ditën jua ka bërë për të lëvizur (gjallëruar)”.(18)
Allahu xh.sh. e di fare mirë që nata nuk mund të jetë pushim gjumi për të gjithë, prandaj shumë njerëz doemos, për shkak të angazhimeve, rrinë zgjuar gjatë natës, dhe për të tillët Ai thotë: “Të tjera argumente të Tij janë gjumi juaj natën e ditën”.(19)
Kështu Fuqiploti, atyre që natën rrinë zgjuar detyrimisht, u jep mundësi pushimi ditën. Me rëndësi është që këmbimi i natës me ditën përbën madhështi e mëshirë nga Krijuesi, ngase, po të ishin nata ose dita të përhershme, atëherë do të shkatërrohej jeta. Prandaj Allahu xh.sh. betohet me fjalët: “Betohem në shkëlqimin e paradites. Dhe në natën kur erret e qetësohet”.(20)
Prandaj, të dyja bashkë, dita e nata, duhet të ekzistojnë patjetër. Nata e dita pasojnë njëra-tjetrën dhe asnjëherë nuk vonohen.
Thotë Krijuesi: “As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën dhe as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta”.(21)
Nganjëherë nata zgjatet e dita shkurtohet dhe anasjelltas, në huazim të njëra-tjetrës, ashtu siç thotë Zoti xh.sh.: “Ai e bëri natën të kalojë në ditë dhe ditën të kalojë në natë”.(22)
Natën e ka përmendur përpara ditës, ndoshta për shkak se ajo është krijuar më përpara, ose për shkak të nderimit të saj.(23)
Pa dyshim, në këmbimin e natës me ditën, në zgjatjen e shkurtimin e tyre, e në dobitë e të mirat që na sjellin ato, - në gjithë këto ka argumente mbi Zotin Një të Vetëm, e konfirmuar në shumë ajete të tjera, si: “Ne i bëmë natën e ditën dy mrekulli. Natën e mbështollëm me errësirë, kurse ditës i dhamë ndriçim, që ju të kërkoni begati nga Zoti juaj e që të dini numrin e viteve dhe njehsimin e kohës. Çdo gjë e kemi shpjeguar hollësisht”.(24)

Lundrimi i anijeve

“...në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve” - këtu mund të shtrohet pyetja: Si të jetë argument hyjnor lundrimi i anijes nëpër ujë? Njeriu e kupton se po mos të lëvizte uji, nuk do të kishte mundësi të lëvizte anija mbi të, dhe kjo është e domosdoshme, sepse, para se të zbuloheshin mjetet motorike me lëndë djegëse, anijet lundronin nëpër det me ndihmën e
erërave. Pse kjo? Ngase ujërat ndahen në: ujëra të lumenjve dhe ujëra të deteve.
Doemos ujërat e lumenjve rrjedhin nga lart poshtë, dhe kështu anija lundron nga shkon rrjedha e ujit, ndërsa, nëse dëshirojmë që anija të lundrojë në anën e kundërt të rrjedhës së ujit, gjithsesi ka nevojë për një forcë shtytëse, prandaj, kur njeriu zbuloi teknologjinë motorike, nuk pati nevojë më që anijen ta drejtonte fuqia e erërave.(25)
Doemos lundrimi i anijes nëpër det mundësohet nga kushtet që ka krijuar aty Krijuesi, kushte që mundësojnë një lundrim stabël. Mbështetur në këtë, gjithsesi kemi të bëjmë me një krijim të jashtëzakonshëm dhe me një sistem të; përkryer që vërteton Njëshmërinë e Krijuesit, ashtu sikur thuhet në Kuran: “Dhe nga argumentet e Tij janë anijet lundruese nëpër det si të ishin kodra. Nëse do Ai, e ndal erën dhe ato mbesin të palëvizshme në sipërfaqen e ujit”.(26)
E dobia e theksuar në ajet, argumenton doemos mëshirën e Krijuesit ndaj nesh, sepse lundrimi i anijeve sjell fitime të mëdha: shkuarja nga një vend në një tjetër, udhëtimet, bartja e mallrave, tregtia e të tjera, - që të gjitha këto sjellin dobi të mëdha për vendet dhe popujt e botës. Është theksuar kjo dhunti hyjnore e Allahut xh.sh., meqë Ai e ka sqaruar këmbimin e natës me ditën, ngase udhëtari ka nevojë të dijë saktë orën e ndryshimit të natës e ditës, si dhe të dijë orientimin me anë të yjeve, në mënyrë që të ketë dobi nga udhëtimi i tij. I Madhërishmi thotë: “Është Ai që i ka krijuar yjet, për t’ju rrëfyer rrugën në errësirat e tokës dhe të detit (që të orientoheni në errësira kur jeni në tokë ose në det)”.(27)

Shiu që zbret nga lart

“...në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash”. Allahu xh.sh. shpjegon mënyrën e zbritjes së shiut, për se thotë: “Allahu është Ai Që i dërgon erërat, që ato t’i lëvizin retë, pastaj i shpërndan nëpër qiell dhe i ndan në pjesë, e ti sheh sesi shiu bie prej tyre”28, kjo është çfarë e shpjegojnë sot shkencëtarët, se shiu formohet kur avulli i ujit ngrihet lart me ndihmën e nxehtësisë se ajrit, i cili krijohet tek ujërat e deteve gjatë fërkimit të ujërave ndërmjet veti, gjatë fërkimit të ajrit me sipërfaqen e ujit, dhe duke u ngritur lart në atmosferë ato shpeshtohen e bëhen re të dendura, dhe pastaj zbresin si shi në tokë. Me të vërtetë, me zbritjen e shiut ngjallet dhe gjallërohet gjithçka e vdekur në tokë, dhe kjo ndodh në mënyrë sistematike sikur e shohim. Këtë e konfirmon Fuqiploti, kur thotë: “Dhe ti e sheh tokën të tharë – të vdekur, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo gjallërohet, dhe prej saj mbijnë gjithfarëlloj bimësh të mrekullueshme”.(29)
Zbritja e ujit (shiut) në mënyrën që është vërtetuar, dhe fakti se uji është gjallëri e jetë për të gjitha krijesat dhe bimët në tokë, është argument mbi Njëshmërinë e Allahut, kurse dobia që përfitojnë njerëzit nga tërë kjo, paraqet mëshirën e Krijuesit.(30)
Pra, zbritja e ujit nga qielli bëhet në formë të shiut, dhe kësaj i paraprijnë disa faza, si: avullimi, dendësia dhe mbarësimi i reve nga erërat etj. Këto faza, të cilat i ka përmendur Krijuesi qysh moti në Kuran, ne i kemi zbuluar së voni, dhe, nëse njeriu provon ta imitojë këtë metodë, duke e avulluar ujin e njelmët, për të nxjerrë ujin e pastër, një proces që kërkon harxhime të mëdha financiare, angazhim të madh dhe një kohë të gjatë, kurse ‘aparatura’ e Krijuesit sjell ujë shiu për ne në tokë, sa as që mund ta llogarisim sasinë e tij. Allahu xh.sh., në mënyrë precize ka bërë që niveli i ujit të ëmbël - të lumenjve, të jetë më i lartë sesa niveli i ujit të njelmët, sepse, po të ishte e kundërta, atëherë uji i njelmët do t’i mbulonte lumenjtë dhe nuk do të ekzistonin fare. Prandaj Krijuesi bëri që niveli i ujit të lumenjve të jetë më i lartë sesa i ujit të deteve dhe oqeaneve, në mënyrë që ujërat e ëmbla të derdhen në det. Kështu, me ujin e ëmbël Allahu xh.sh. gjallëron tokën pas thatësisë - vdekjes së saj, po ne me shqisat tona nuk mund ta vërejmë (sekondë pas sekonde) gjallërimin dhe zhvillimin e saj, përveçse shohim që ajo po ngjallet e zhvillohet.(31)
Allahu i Madhërishëm gjallërimin e tokës e konfirmon në shumë ajete të tjera: “Argument për ata është toka e vdekur. Ne e ringjallim atë dhe prej saj nxjerrim drithëra, me të cilat ushqehen. Ne kemi krijuar në tokë kopshte hurmash dhe vreshta, e kemi bërë të shpërthejnë në të burime uji, në mënyrë që ata të hanë frutat e tyre. Këto nuk i bënë duart e tyre, prandaj, përse ata nuk duan të jenë mirënjohës?!”(32)
Ai gjithashtu ka bërë që në tokë të shumohen e të lindin gjallesa, dhe kjo ka të bëjë me të gjitha gjallesat33. Llojllojshmëria e gjallesave përfshin: formën, ngjyrën, madhësinë, dobitë etj., dhe Allahu xh.sh. di gjithçka rreth tyre në mënyrë absolute dhe i furnizon ato. Ai thotë: “S’ka asnjë gjallesë në tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës (furnizimin) prej Allahut. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes.(34)

Lëvizja e erërave dhe retë

“...në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës”.
Erërat dhe lëvizjet e tyre pa dyshim që krijojnë një balancim të dyanshëm në atmosferë: nganjëherë ato vijnë nga pjesa e nxehtë dhe fryjnë në rajonin e ftohtë dhe anasjelltas, prandaj kjo paraqet një dhunti të Allahut ndaj nesh, ngase po të frynin gjithnjë e pa pushim, do të ishin të bezdisshme për njerëzit. Kur hasim shprehjen në Kuran “erërat” në shumës, kuptojmë se kjo theksohet në aspektin pozitiv, ngase, po të ishte përdorur në njëjës, kuptojmë se ajo është erë e dëmshme, si në ajetin: “Ndërsa fisi Ad është shkatërruar nga një erë (furtunë) e fortë (e furishme)”.(35)
Mirëpo, nga ky rregull bënë përjashtim vetëm një ajet, ku thuhet: “E, kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme, dhe ata i gëzohen kësaj”.(36)
Përse ka ardhur në këtë ajet shprehja “erë” në njëjës? Ngase, sikur era të frynte në drejtimin e kundërt të (lëvizjes së) anijes, që theksohet këtu, atëherë ajo do të shkatërrohej, prandaj era frynte patjetër andej nga shkonte edhe anija. Në vijim po të këtij ajeti thuhet: “arrin një stuhi (erë) e fortë”, me se Allahu xh.sh. na e tërheq vëmendjen për Fuqinë e Tij, në mënyrë që askush të mos mendojë se Ai ka krijuar gjithësinë dhe krijesat dhe për to i ka përcaktuar ligjet, e më pastaj sikur do të ketë lënë mënjanë mbikëqyrjen e tyre!! Jo assesi! Allahu Fuqiplotë, gjithnjë e në mënyrë absolute, është mbikëqyrës dhe sistemues i qiejve dhe i Tokës.(37)
Lëvizja e erërave bëhet në bazë të dëshirës së Tij dhe ligjit - sistemit të përkryer që Ai ka paraparë, siç është edhe mbarësomi ushqyes i bimëve: “Ne i lëshojmë erërat mbarësuese”.(38)
Zoti Fuqiplotë ka bërë që retë të jenë në shfrytëzim të njerëzve, ngase dëshiron që ato të lëshojnë shi, dhe janë nën sundimin e Tij, e më pastaj pasojnë erërat dhe i drejtojnë ato (retë) nga dëshiron Krijuesi, dhe njeriu përfiton nga shiu që bie edhe në ndonjë vend tjetër, si p.sh., nga rrjedha e lumit, i cili mbushet ujë nga shira dhe kalon nga një vend në tjetrin.
Allahu xh.sh. retë i ka përmendur pas erërave, ngase këto të fundit shkaktojnë lëvizjen dhe funksionimin e reve, ashtu siç thotë Fuqiploti: “Allahu është Ai që i dërgon erërat, që ato t’i lëvizin retë”.(39)
“...pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka argumente për njerëzit me inteligjencë”.
Në të gjitha këto që u theksuan, ka argumente mbi Njëshmërinë e Allahut dhe mëshirën e Tij, për ata që dinë të mendojnë, të logjikojnë e të meditojnë arsyeshëm. Allahu xh.sh. thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve e të Tokës dhe në ndërrimin e natës e ditës, ka argumente për ata që kanë arsye dhe inteligjencë.
Për ata që E përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë, dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë): O Zoti ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj, na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit”!(40)
Sikur Allahu xh.sh. do të na thotë: Nëse njerëzit mendojnë dhe meditojnë në mënyrë të logjikshme dhe të arsyeshme, do të arrijnë tek e vërteta që e kërkon Krijuesi Fuqiplotë, meqë duke medituar për këto argumente me mendje të shëndoshë, secili bindet se Allahu është Krijuesi i Vërtetë dhe i Vetmi Që, me plot të drejtë, meriton të adhurohet. Transmetohet nga Aisheja r.a., se Muhamedi a.s., pasi lexoi këtë ajet, kishte thënë: “Mjerë për atë që lexon këtë ajet dhe nuk mediton rreth tij”.(41)
E tërë kjo gjithësi dëshmon Njëshmërinë dhe Mëshirën e Krijuesit, dhe metodologjia kuranore në ajet troket mbi ndjenjat dhe shqisat njerëzore, në mënyrë që përpara këtyre argumenteve mahnitëse, njerëzit t’i hapin sytë e zemrat dhe të besojnë në Krijuesin e tyre dhe të gjithësisë, ngase kjo gjithësi grandioze dhe gjithë krijesat e gjallesat e çuditshme, s’ka mundësi të jenë krijuar vetvetiu ose rastësisht. Doemos qiejt e Toka dhe gjithë ç’ka në to, është e planifikuar dhe e krijuar nga Krijuesi Një i Vetëm, Allahu xh.sh., i Cili, në mënyrë absolute, mbikëqyr, sistemon dhe kontrollon gjithçka, prandaj vetëm Atij I takojnë adhurimi dhe falënderimi nga ana jonë. Këto argumente që Fuqiploti ka theksuar vetëm në një ajet, po dhe në shumë të tjera në Kuran, pavarësisht nga gjithë këto, ka shumë njerëz që adhurojnë dikë tjetër përveç Krijuesit të tyre, dhe kjo për shkak të kryeneçësisë e xhelozisë së tyre, dhe zemrave të sëmura që kanë. Megjithëkëtë, kjo njerëzve të tillë nuk do t’u sjellë asnjë dobi dhe ata në Botën tjetër do të jenë të humbur përgjithmonë.


______________________
1. Imam Alusi, Ruhul Meani fi Et-Tefsir El-Kuran El-Adhim ve Es-Seb’ul Methani,
vëll. i parë, faqe 29, Shtëpia botuese: Ihja Et-Turath El-Arabi, pa vit botimi,
Bejrut.
2 Imam Nisaburi, Esbabu En-Nuzul, faqe 47, viti I bot. 1996, Kajro. Gjithashtu Tefsiri i Ibni Kethirit, vëll. i parë, faqe 202, pa vit botimi, El Mektebetu Et- Tevfikije, Kajro.
3 Imam Nisaburi, Esbabu En-Nuzul, faqe 47. Gjithashtu Tefsiri i Ibni Kethirit, vëll. i parë, faqe 202.
4 Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran
5. Tefsiri i Muhamed Meteveli Esh-Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 683, pa vit botimi, Kajro.
6. Imam El-Alusi, Ruhul Meani fi Tefsir El-Kuran El-Adhim ve Es-Seb’ul Methani, vëll. i dytë, faqe 30, Ihja Et-Turath El-Arabi. Bejrut.
7.Tefsiri i Ibni Kethirit, vëll. i parë, faqe 201. Ajeti nga kaptina Ali Imran 1-2.
8. Këtë mendim e ndan edhe Ibni Xheriri, shih: Tefsiri i Ibni Kethirit, vëll. I parë, faqe 20.
9. Tefsiri i Sharaviut, faqe 50.
10. Tefsir El-Meragi, Ahmed Mustafa El-Meragi, vëll. i dytë, faqe 34, viti i botimit, 1946, Egjipt.
11. Suretu Gafir 57.
12. El- Kehf 51.
13. Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 685-686.
14. Tefsir El-Meragi, pjesa e dytë, faqe 34. Ajeti nga kaptina Edh-Dharijat, 20.
15.Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 1105-1106.
16. El-Furkan 62.
17. El-Kasas 71-72.
18. El-Furkan 47.
19. Er-Rum 23.
20. Ed-Duha 1-2.
21. Jasin 40.
22. Tefsiri i Ibni Kethirit, vëll. i parë, faqe 201. Ajeti nga kaptina Fatir 13
23. Imam Alusi, Ruhul Meani, vëll. i dytë, faqe 31.
24. El-Isra 12.
25. Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 688.
26. Esh-Shura 32-33.
27. Tefsir El-Meragi, vëll. i dytë, faqe 35. Ajeti 97, nga kaptina El-En’am.
28. Er-Rum 48.
29. El-Haxh-xh 5.
30. Tefsir El-Meragi, vëll. i dytë, faqe 36.
31. Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 690.
32. Jasin 33-35.
33. Imam El-Alusi, Ruhul Meani, vëll. i dytë, faqe 32.
34. Tefsiri i Ibni Kethirit, vëll. i dytë, faqe 201. Ajeti 6, nga kaptina Hud.
35. El-Hakka 6.
36. Junus 22.
37. Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 691.
38. El-Hixhr 22.
39. Imam El-Alusi, Ruhul Meani, vëll. i dytë, faqe 33. Ajeti 48, nga kaptina Er-Rum.
40. Ali-Imran 190-191.
41. Imam El-Alusi, Ruhul Meani, vëll. i dytë, faqe 33.



Mr. Adnan Simnica


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi