Ehlu suneti dhe xhemati

Shqyrtime paraprake

Shqyrtime paraprake

Myslimanët e Ballkanit, e sidomos të trojeve shqiptare më herët, pa përjashtim, i përkisnin shkollës akaidore hanefi-maturidi. Edhe aktualisht kjo përqindje është dominuese, me përjashtim të ndonjë individi ose grupi të vogël, të cilët kanë hamendje në aspekt të identitetit të besimit apo idesë.

Të gjithë këta besimtarë identifikohen me togfjalëshin ehlu suneh vel xhemaah, apo pasuesit e sunetit dhe komunitetit. Shkurtimisht quhen sunit ose sunij, në disa raste ehli sunet, me të cilin term kuptohet ortodoksia islame apo besim drejtësia islame. Me këtë emër besimtarët e drejtë njihen edhe në gjuhët evropiane ndër orientalistët. Lidhur me këtë shprehje është shkruar një malliteraturë në akaid dhe fikh ose usuli fikh, nga njerëzit specialistë për këto fusha, të bazuar në Kuran dhe Sunet.

Shprehja "Ehlu suneti dhe xhemati"

Shprehja "Ehlu suneti dhe xhemati" nuk është e ditëve të para të Islamit, por paraqitet më vonë, si rezultat i paraqitjes së sekteve myslimane, apo si reagim ndaj paraqitjes së sektarizmit ndër myslimanët. Shprehja është e qartë dhe tregon pasuesit e sunetit dhe përkatësinë e komunitetit. Tërë kjo ka bazë në hadith: "Përmbajuni sunetit tim dhe drejtimit të halifëve të mi pas meje; fuqishëm përmbajuni kësaj dhe ruajuni nga risitë, sepse çdo risi është mashtrim." (Tirmidhiu)
Fjala" ehl" nga gjuha arabe domethënë përkatësi dhe afërsi, prandaj edhe kuptimi i togfjalëshit ehlu suneh tregon edhe përkatësinë edhe afërsinë ndaj sunetit të Pejgamberit a.s.
Por, shprehja "ehlu suneti dhe xhemati" ka kuptimin edhe të përgjithshëm ku nënkuptohen të gjithë myslimanët, pos shiitëve, dhe kuptimin e veçantë ku nënkuptohen të gjithë ata që ndjekin praktikën apo sunetin e Muhammedit a.s., kundrejt atyre që kanë përvetësuar në besim edhe risi të caktuara, sikurse shiitët, harixhitët, xhehmitët, kaderitët, mutezilitët etj.
Ndërsa, ata të cilët fuqishëm i janë përmbajtur sunetit dhe shumicës myslimane dhe shmangen nga risitë në besim, ata me mëshirën e Allahut do të jenë në mesin e grupeve të shpëtuara.
Ka edhe disa shprehje tjera me të cilat emërtohen pjesëtarët e ehlu sunetit dhe xhematit, sikurse:

- Pasuesit e hadithit dhe traditës (as'habul hadithi vel ether);
- Të parët e mirë dhe korrektë të myslimanëve (es selefu salih) dhe;
- Grupi i shpëtuar dhe ndihmuar (el firkatun naxhijetul menthure).(1)

Edhe pse fillimet e sunizmit i kemi qysh me Ebu Hanifen (vd. 767), kuptimin e plotë sunizmi e fitoi me paraqitjen në skenë të Maturidiut (vd. 238-333 h.) dhe Eshariut (vd. 260-324 h.), të cilët sunizmit i dhanë fizionomi, metodologji, përmbajtje, jetë, dinamik.(2) Këta njëkohësisht janë dhe themeluesit e përfaqësuesit kryesorë të ehlu sunetit dhe xhematit,(3) por edhe sot e përbëjnë shumicën e sunizmit.

Parimet themelore të doktrinës së ehlu sunetit dhe xhematit

Dijetarët janë pajtuar se ka disa parime kryesore, të cilave nuk mund t'u kundërvihemi. El Eshariu pohon se ka 50 pika të cilat janë të përbashkëta për ehlu sunetin dhe xhematin, Abdulkadir el Bagdadi mendon se ekzistojnë pesëmbëdhjetë parime (erkanud din), rreth të cilave janë pajtuar ulemaja e ehlu sunetit dhe xhematit, kurse ata që i kundërshtojnë kanë lajthitur. Që nga koha e Pejgamberit a.s. deri sot, përkundër disa mospajtimeve mes dijetarëve, nuk ka dominuar paqartësi në gjërat e besimit. Dijetarët janë kujdesur që çdo gjë ta sqarojnë dhe bëjnë bazë për meditime të reja, për punë të reja. Ata kanë pasur metodë unike në studimin e çështjeve akaidore dhe shpjegimit të tyre, vërtetimit dhe mbrojtjes së tyre dhe u janë përgjigjur novatorëve në sulmet e shumta.(4)

Karakteristika thelbësore të sunizmit janë:

1. Pajtimi i rezultateve të arsyes njerëzore dhe postulatet e ligjit hyjnor;
2. Perceptimi se dy pjesët e shehadetit përmbajnë vërtetimin e të Qenët të Zotit (dhat), cilësive të Tij (sifat), veprave të Tij (efal) dhe vërtetësisë (së dërgimit të) të dërguarit Muhamed;
3. Sunitët nuk e shpallin njëri-tjetrin jobesimtar (tekfiri, apostazia, ekskomunikimi);
4. Në interpretimin e Kuranit dhe hadithit nuk kufizohen vetëm në anën e jashtme të tekstit, por meditojnë edhe në kuptimet qera të mundshme.(5)

Maturia në bindje

Ndër parimet karakteristike të ehlu sunnetit dhe xhematit është edhe maturia në bindje. Këtë çështje e trajton bukur Imam Gazaliu në veprën El Iktisad fil itikad (Maturia në bindje),(6) ku shtrohen bazat dhe parimet e bindjes së ehlu sunetit dhe xhematit. Kjo bindje manifestohet në sintezën e shpalljes hyjnore dhe arsyes njerëzore. Ky është tip ari kryesor që e dallon ehlu sunetin dhe xhematin nga grupimet qera sektare. Ai thotë: "O sa poshtë ka rënë dhe bredhë në skajet e mashtrimit ai që nuk ka unifikuar këto dallime të arsyes dhe sheriatit! Sepse arsyeja është sikur syri i shëndoshë, i cili nuk ka të meta apo mangësi, kurse Kurani është sikurse dielli, i cili shkëlqen përreth. Sa e mjerë për ty është të kërkosh udhëzim nga ata të cilët, në agoninë e mosdijes, janë të kufizuar në njërën nga këto dyja. Sepse ai që shmang përdorimin e arsyes duke u kënaqur me dritën e Kuranit është sikur ai që i ekspozohet dritës së diellit me sy të mbyllur. Nuk ka dallim ndërmjet tij dhe të verbrit. Arsyeja së bashku me Kuranin është dritë mbi dritat! Dikush që ka sytë e tij të drejtuara ekskluzivisht në njërën nga këto dy do të mbetet në prangat e mashtrimit."(7)
Një pohim të tillë do të demonstrojë Ibën Rushdi në veprën e vet "Libri mbi debatin përfundimtar",(8) duke e konsideruar joekzistent problemin e kundërshtimit të fesë dhe arsyes: "Përsiatja mbi bazën e dëshmive nuk shpie në kundërthënie (të shkencave) që i sjell ligji i Zotit. Sepse, e vërteta nuk mund të jetë e kundërt me të vërtetën: ajo me këtë pajtohet dhe dëshmon në dobi të saj."(9)
Tekfiri (akuza për pa fe) nuk ka vend në Islam Njëri nga parimet qera të ehlu sunetit dhe xhematit është që myslimanët që i përkasin këtij grupimi nuk e akuzojnë as nuk e shpallin njëri-tjetrin për jobesimtarë. Ky parim duhet të jetësohet edhe aktualisht. Askund nuk çon akuzimi dhe shpallja e tjetrit jobesimtar. Autorët e mëdhenj të këtij drejtimi ndalojnë përdorimin
e akuzave për pabesim, duke u bazuar në Kuran: " ... e mos i thoni atij që ju jep selamin: "Nuk je besimtar!", (En Nisa, 94) dhe në dhjetëra hadithe të sakta ku ceket se njeriu që drejtohet drejt kibles nuk mund të jetë jobesimtar apo politeist, qoftë edhe mëkatar apo i lajthitur: "Kush e thërret dikë tjetër' qafir' ose e quan' armik të Allahut', e ai s'është i tillë, këto fjalë i kthehen atij vetë."(10) "Ta mallkosh një mysliman është njëlloj sikur
ta vrasësh atë. Ai që akuzon një mysliman për mohim, supozohet sikur e ka vrarë atë!"(11)
Këtë e ka thënë Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Hanbeli, Maturidiu, Eshariu, Tahaviu, Nesefiu etj.(12)

Vazhdimësia e ehlu sunetit dhe xhematit

Bagdadiu në veprën e njohur "El ferk bejnel firek", kah fundi i veprës cek emrat e prijësve të imamëve të ehlu sunetit dhe xhematit, dhe thotë se ata janë "imamë në bazat e fesë dhe dijetarë të akaidit".(13) Bagdadi ndër as'habët thekson Aliun r.a., i cili ka diskutuar me harixhinjtë dhe kaderinjtë dhe Abdullah ibën Omerin r.a., i cili e largoi Mabed Xhuheniun për shkak të mohimit të tij të kaderit. Nga tabiinët përmend Omer ibën Abdulazizin, i cili kundërshtoi kaderinjtë, përfaqësuesit e lirisë së plotë etj. Në fikh përmend Ebu Hanifen, Shafiun, pastaj Maturidiun, Eshariun etj.

Prej Imam Ebu Hanifes deri sot

Lidhja e ehlu sunetit dhe xhematit tonë, brez pas brezi, shkon deri te imam Ebu Hanifja. Rrugët janë të ndryshme dhe të shumta por zinxhiri është i sigurt. Të gjitha medresetë tona kanë mësuar doktrinën hane-fite-maturidite, si në fushën e akaidit, ashtu edhe në fushën e fikhut, usuli fikhut, tefsirit, hadithit etj. Edhe te ne gjatë 2-3 dekadave të fundit janë përkthyer një varg veprash të kësaj natyre, sikurse trajtesa e Imam Maturidiut, "Trajtesa mbi besimin islam".(14) trajtesa e Imam Nesefiut me titull" Akaidi islam sipas Imam Nesefiut",(15) trajtesa e Imam Ebu Hanifes "El Fikhul ek-beri"(16) dhe "Kitabul vasijjeh",(17) trajtesa e Imam Eshariut me titull "Trajtesa mbi arsyeshmërinë e marrjes me kelam",(18) vepra e Imam Meturidiut me titull "Ki tabut tevhid",(19) trajtesa e Imam Tahaviut me titull "Nyja e besimit të Imam Tahaviut".(20) vepra e Imam Nurudin Sabunit me titull "Akaidi Maturidij”(21) etj.
Qëndrimet e kësaj shkolle duhet mbajtur lart dhe theksuar zëshëm. Këto qëndrime ekzistojnë për një kohë të gjatë në mesin tonë. Këto mësime me shekuj i rezistuan shumë ideologjive brenda myslimanëve dhe jashtë tyre. Ato janë mjaft fleksibile dhe kanë edhe thellësi edhe fuqi jo për t'u rezistuar sfidave por edhe për t' i ngadhënjyer ato. Por, kjo nuk domethënë që ndaj imamëve të deritashëm të ndërtojmë qëndrim shenjtërues, nënshtrues apo serviles. Shkenca mbi besimin, akaidi, është detyrë e të gjithë neve, sepse fati i saj është fati i bashkësisë. Këtë duhet mbrojtur me dituri dhe urtësi.


___________________________
(1) Kemaluddin Ahmed el Bejadij, Isharatul meram min ibaratil imam, Kajro, 1949/1368 h., vazhdim i fusnotës 1 në fq. 298.
(2) Nexhat Ibrahimi, Fjalori Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, në proces botimi, zëri: Sunizmi (Ehlu suneti).
(3) Kemaluddin A. El Bejadij, po aty, vazhdim i fusnotës 1 në fq. 298.
(4) Zuhdija Adilovic, Ehlus sunnetska metodologija istrazivanja akaidskih tema, Takvim, Sarajevo, 1999, fq. 49-59. Po aty, Definicija i znaçenje termina Ehlus-sunne vel-dzemaa, Zbornik radova, I, Islamska pedagoska akademija u Zenici, Zenica, 2003, 116-132.
(5) Orhan Bislimaj, Besimi i drejtë, Prishtinë, 2010/1430 h., fq. 64 e tutje: Nexhat Ibrahimi, Fjalori Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, në proces botimi, zëri: Sunizmi (Ehlu suneti).
(6) Ebu Hamid el Gazali, El Iqtisad fi li'tiqad, botimi I, Damask - Bejrut, 2003/1423 h., fq. +184. Shih vështrimin serioz të: Alrnir Fatic, El Iqtisad fi li'tiqad imama Ebu Harnida el Gazalija, në: Glasnik Rijaseta Islamske zajednice Bosnje i Hercegovine, Sarajevë, nr: 1-2/2015, fq. 93-110.
(7) Shih: Hamid el Gazali, El Iqtisad fi li'tiqad, botimi I, Damask - Bejrut, 2003/1423 h., iq. 17-30.
(8) Ibën Rushdi, Libri në debatin përfundimtar (Kitabu faslul mekal), Prishtinë, 2016.
(9) Sipas: Daniel Buëan, Averroës, Nesuvislost nesuvislosti, Zagreb, Naprijed, 1988, fq. XXV.
(10) El Buhari, Sahih, Fera'id, 29; El Muslim, Sahih, Iman, 27.
(11) El Buhari, Sahih, Ejman, 7; Et Tirmidhij, Sunen, Iman, 16.
(12) Orhan Bislimaj, Tekfiri, Prishtinë, 2009/1430, fq. 163 e tutje.
(13)Ebu Mensur Abdulkadir el Bagdadi, El ferk bejne firek, Revista Islamska misao, nr. 62/1984, Sarajevë, fq. 10; Fahrudin Razi, Risala o sektama, revista Islamska Misao, nr. 72/1984, Sarajevë, fq. 11-38.
(14) Imam Maturidiu, Jeta, vepra dhe mësimi, Prishtinë, 2003.
(15) Imam Nesefiu, Akaidi islam sipas Imam Nesefiut, Zëri Islam, Prizren, 2002.
(16) Imam Ebu Hanifeh, Fikhul ekber - Thelbi i besimit islam, Prizren, 2005.
(17) Edukata Islame - revistë fetare, v. 1985.
(18) Nexhat Ibrahimi, Vepra 4, Logos-A, Shkup, 2009.
(19) Imam Maturidi, Kitabut tevhid, Logo s-A, Shkup, 2016.
(20) Vehbi Sulejman Gavoçi, Nyja e besimit sipas Imam Tahaviut, Logos-A, Shkup, 2015.
(21) Imam Nuruddin es Sa buni, Akaidi Maturidij, Prishtinë, 2011.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.