Të qenët ekstravagant

Ekstravaganca paraqet tejkalim a teprim të shfrenuar ose të papërballueshëm, qoftë në veprime a në mendime; harxhim ose shpenzim i tepërt për sa i përket parave; rast harxhimi i tepërt për ndonjë gjë.

Me një fjalë, ajo nënkupton të harxhosh më shumë para sesa që është e nevojshme; shkapërderdhje të mjeteve (materiale) ose shpenzim (blerje, harxhime) jashtëzakonisht të madh. Sinonimet për të janë: të mos qenët i moderuar, mosparashikimi, teprimi (në harxhim), tejshpenzimi, shkapërderdhja, shthurja, të shpenzuarit pa hesap, pamaturia, pakujdesia etj.

Ekstravaganca, sipas një dijetari musliman, pikësëpari paraqet shpenzim të pasurisë në gjëra të ndaluara, siç është: bixhozi, pirja (e alkoolit), prostitucioni etj., edhe nëse sasia e parave që jepet për këto që u përmendën është fare e vogël; së dyti, shpenzim i tepërt në gjëra të lejuara, qoftë brenda ose jashtë mundësive ekonomike të personit; së treti, të shpenzuarit për qëllime bujare e humane që bëhen thjesht për t'u dukur.

Islami e ka ndëshkuar ekstravagancën dhe të qenët ekstravagant, meqë prodhon koprraci, e që të dyja këto skajshmëri (të shpenzuarit e tepërt dhe koprracia [shën. i përkthyesit]) dëmtojnë ekonominë islame. Koprracia, për më tej, i mban resurset/pasurinë e njerëzve për t'u përdorur në vend e kohë të duhur, përderisa ekstravaganca e harxhon atë (pasurinë) në nevoja të padomosdoshme dhe të tepërta.

Argumente nga Kur'ani

1) "O bij të Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)!" (Kur'an, 7: 31).

2) "Dhe jepja çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe atij në gërbet, po mos shpenzo tepër e pa rrugë! Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij!" (Kur'an, 17: 26-27).

3) "Dhe mos e bëj dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bën koprrac), e as mos e shtrij në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt)!" (Kur'an, 17: 29).

4) "Edhe ata që, kur shpenzojnë, nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur!" (Kur'an, 25: 67).

Argumente nga Sunneti

1. Rrëfehet nga ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Pejgamberi, alejhi selam, një herë, ka tërhequr vërejtjen se gjëja ndaj së cilës Zoti është më së shumti i pakënaqur në lidhje me robin është kur ai bëhet ekstravagant. [Muvatta e imam Malikut]





Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 21.02.2010
Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhammed el-Kudri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë