Haxhi Hafiz Jusuf Këlmendi (1876-1943)

Emrin e Hafiz Jusuf Këlmendit, për herë të parë e kam dëgjuar aty nga vitet '90 nga gjyshi im, që e përmendte shpesh për diturinë dhe emrin e mirë që kishte patur ndër dijetarë të Shkodrës.

Pas ndryshimit të sistemit politik në vendin tonë, filluan të dalin në pah edhe gazetat dhe revistat e para fetare, ndër to edhe islame, në të cilat shkruhej edhe për hoxhallarë të ndryshëm, imamë të xhamive, vaizë oratorë, myezinë me zë të bukur e dijetarë të ndryshëm që jetuan me Islamin dhe për të, në këtë vend. Fare pak, a thuaj aspak, u shkrua për Hafiz Jusuf Këlmendin. Kushedi pse?!.
Në Damask, në një prej viteve afër diplomimit tim, më ra në dorë një vepër enciklopedike mbi dijetarët islamë të Damaskut, në shekullin e 14 hixhri, ku përmendej edhe Hafiz Sulejman Gavoçi, një hoxhë i ditur shkodran, i emigruar në Damask për arsye kryesisht politike dhe fetare. Në biografinë e tij përmende] se ndër hoxhallarët tek të cilët ishte formuar teologjikisht, ishte edhe Hafiz Jusuf Abdullah Këlmendi, emri i të cilit më lidhte me kujtimet e gjyshit tim, që përherë më edukoi me dashurinë për njerëzit e mirë, hoxhallarët, shërbyesit e sinqertë të Thirrjes Islame ...
Po çfarë gjurmësh ka lënë pas Hafiz Jusuf Këlmendi?
"Si mbaron mejtepin, fillon të marrë mësime të kualifikuara te Hafiz Halid Bushati(1) ... Aty mëson edhe gjuhën arabe e turke ... Nuk kalon shumë dhe ai nga dora e Hafiz Halid Bushatit merr ixhazetin dhe titullin "Myderriz" ... (2)
Nxënësi i devotshëm Jusuf Këlmendi, do të ecte në gjurmët e hoxhës së tij, do të përfitonte nga këshillat e do të jepte rezultatet e pritura prej prijësit të tij në rrugët e dijes dhe të përkushtimit ndaj Fjalës së Allahut: "Kontributi i veçantë i tij si imam në xhamitë e qytetit të Shkodrës dhe si myderriz, ka një vlerësim të lartë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili i jep Hafiz Këlmendit titullin "Kryeimam honoren" ...(3)
Myderriz dhe mësues besimi. Ishte njëri ndër dijetarët e regjistruar në "vargun e myderrizëve që kanë pas ixhazetname (diplomë) me të drejtë mësimi ndër medrese ose privatisht.”(4)
"Mbas mejtepit të Mulla Medos(5), është i përmendur edhe ai i Hafis Jusuf Këlmendit, pranë Shkollës Ruzhdije në Fushë Çelë.
Mejtepi ishte i vendosur për nën shkollën e Ruzhdijes, ishte një ndërtesë në vete, konsiderohej si pjesa fillore e Ruzhdijes ... "(6)
Në Ar'kivin Qendror të Shtetit(7), duke kërkuar për Hafiz Jusuf Këlmendin, janë gjetur mjaft të dhëna, që të mbledhura së bashku i japin formën e duhur personalitetit fetar të tij. Kështu, është gjetur një shkresë e myftinisë së Shkodrës drejtuar Komunitetit Musliman, Shqiptar, me nr. shkrese 107, datë 08. 04. 1917, ku përmendet s.e H. H. Jusuf Këlmendi në këtë vit ka qenë imam në xhaminë e lagjes Perash, në xhaminë e Bardhë.(8) Gjithashtu në listën e prijësve muslimanë të prefekturës së Shkodrës, të licencuar për të ushtruar detyrën, për vitet 1926-1927, emri i Haxhi Hafiz Jusuf Këlmendit renditet i shtati.(9) Ndërsa në të dhënat e vitit 1928, mësohet se H. H. Jusuf Këlmendi ka qenë imam në xhaminë e Teqes, në Pazar të vjetër, me rrogë 460 franga ari.(10) Në vijim të të dhënave për këtë dijetar, në vitin 1929, mësohet se ai ka qenë sërish imam në Xhaminë e Bardhë të Perashit.(11) Në listën e imamëve të vitit 1930, që mbajnë petkun dhe funksionet përkatëse fetare, ekziston edhe dekreti i imamatit të H. H. Jusuf Këlmendit, emri i të cilit mban nr. 14, në këtë listë, me dekret nr. 32, datë 25. XI. 1930.(12)
Me kalimin e viteve, Komuniteti Musliman Shqiptar, nëpërmjet një shkrese me nr. 139, datë 17. 05. 1937, i jep H. H. Jusuf Këlmendit titullin "Krye imam honoren" për Shkodrën.(13)
Muhadithi shqiptar Abdulkadir Amaut, duke shkruar për mësuesin e tij, Hafiz Sulejman Gavoçi, ndër të tjera përmend: "Sulejmani, i biri i Halilit, Gavoçi, Shkodrani, Shqiptari, lindi në qytetin e Shkodrës, në Shqipëri dhe u rrit në të, ku mori edhe mësime nga dijetarët e atij vendi, ku mund të përmendet: Hafiz Jusuf Abdullah Këlmendi, që i qëndroi pranë disa kohë dhe mësoi në duart e tij: fikhun hanefi, gramatikën arabe, morfologjinë arabe, retorikën arabe, tefsirin (komentimin e Kuranit), akiden (besimin)"(14)
Në parathënien e broshurës së tij "Shpëtimi i besimtarëve në mos përngjasimin me jobesimtarët"(15), duke përmendur hoxhën dhe mësuesin e tij Hafiz Jusuf Këlmendi, H. Sulejman Gavoçi(16), shkruan: "Kërkesa më e lartë dhe më e ndershme, është kërkimi i diturive, që është i lidhur ngushtë me mësimin dhe mësimi me një mësues të ditur, të ndershëm dhe një murshid(17) të plotë, këshillues.
Për këto cilësi të lartpërmendura karakterizohej Hafizi i Kur'anit, shërbëtori i Furkanit, Imami, Hatibi, Hafiz Jusuf Abdull-llah Këlmendi, e mëshiroftë Allahu dhe e pastë në hapësirat e xhenneteve të Tij. Amin, për hatrin e Zotërisë së të Dërguarve. Atë e zgjodha si mësues dhe ndoqa dersin e tij, për një periudhë të caktuar. E kur Allahu më dha mbarësi në plotësimin e diturive logjike dhe teologjike, i kërkova ixhazet mësuesit të lartpërmendur, për t'ua mësuar të tjerëve këto dituri. Pas istihares së bërë, ai më dha ixhazet gojor (ixhazeten melfudhaten).
Dhe fillova, me mbarësinë e Allahut të Madhëruar, të përhap (këtë dituri) dhe të sjell dobi. Në mexhlisin e këtij të ngrati(18), prezantuan disa të nderuar nga vendi ynë, të cilët e vazhduan atë, derisa, me mbarësinë e Allahut, përfituan logjiket e teologjiket.
Pas përfundimit të mësimeve, kërkuan prej meje ixhazet, siç më dha mua mësuesi im, dhe u dhashë ixhazet, me gojë e me shkrim, në dituritë logjike e teologjike, me kusht që të mos më harronin asnjëherë pas çdo dersi, me një dobi, kujtim e transmetim, sikurse i këshillova të jenë të ndershëm, të përkushtuar dhe të kujdesshëm. Bëra siç bëri mësuesi im.(19)
Po në dosjet e Arkivit Qendror të Shtetit, në të dhënat për Hafiz Riza Boriçin, mësojmë se nëpërmjet një shkrese nr. 73, datë 04.12.1939, drejtuar K.M.sh., ai kishte kërkuar të emërohej n/myfti në Lezhë. Në mes të tjerash në shkresën e tij lexojmë:
"Kam marrë mësime 16 vjet dhe ixhazetin prej Haxhi Hafiz Jusuf Këlmendit dhe kam qenë 14 vjet vaiz e myderriz privat në Ishëm, Durrës ... "(20), çka vërteton gjithashtu se nga shkolla teologjike e Hafiz Jusuf Këlmendit kanë dalë në "dritë" hoxhallarë të nderuar me kontribute të vyera në shërbim të Islamit dhe mësimeve të tij.
Dhe pema e mbjellë dhe e ujitur me devotshmëri, dituri e përkushtim nga Hafiz Jusuf Këlmendi, lulëzoi. Ajo vazhdon të lulëzojë edhe sot nëpërmjet trashëgimisë që këta hoxhallarë lanë te brezat në vijim ...


___________________
1. "Ky personalitet asht pinjuell i fisit të Bushatlinjve. Për zotësinë e tij si jurist në legjislaturën islame, meriton të radhitet në vargun e specialistëve të njohun të kohës ... H. Halit Bushati gjatë 20 vjetve dha dy herë ixhazet, d.m.th. ai qiti dy palë hoxhë e myderrizë ... "- Hamdi Bushati "Shkodra dhe motet'', vëllimi I (botim i dytë i rishikuar, Shkodër, 2005), fq. 471.
- [Personaliteti më i shquar që u bëri nder pasardhësve të drejpërdrejtë si dhe tërë fisit, është Hafis Halit Bushati, i njohur shkurtimisht "Lito begu"]- Hamdi Bushati, "Bushatllinjtë", pajisur me shënime nga Nexhmi Bushati, fq. 397, Shkodër, 2003
2. Smajl Bala, "Institucionet islame dhe hoxhallarët e Shkodrës", Shkodër, 2005, fq.84.
3. Po aty, fq.85.
4. Hamdi Bushati, "Shkodra dhe motet", (botim i dytë i rishikuar), Shkodër, 2005, vëllimi I, fq. 481.
5. Sipas Hamdi Bushatit ("Shkodra dhe motet", Shkodër, 1999, vëllimi II, fq. 31), mësohet se ai vdiq në Shkodër, në muajin shtator të vitit 1917 në një moshë të kaluar, afro 80 vjeçare. Mejtepi në fjalë vazhdoi i hapur deri më 1916, më se 30 vjet me radhë.
6. Hamdi Bushati, "Shkodra dhe motet", Shkodër, 1999, vëllimi II, fq. 31.
7. Të dhënat e gjetura në AQSh mbi personin e H. Jusuf Këlmendit, janë nxjerrë nga z. Smajl Bala, i cili pati mirësinë të m'i afronte me shumë dashamirësi. 8 Për më shumë të dhëna, shihet AQSh, viti 1917, dosja 7, fq. 176- 177.
9. AQSh, viti 1926, dosja 10, fq. 120.
10. AQSh, viti 1928, dosja 13.
11. AQSh, viti 1929, dosja 10, fq. 100. 12 AQSh, viti 1940, dosja 7, fq. 97- 98.
13. AQSh, viti 1937, dosja 6, fq. 102.
14. Muhammed Mutie el-Hafidh dhe Nizar Ebadha, "Enciklopedia e dijetarëve të Damaskut në shekullin e 14-të hixhri", në gjuhën arabe, Damask, 1986, vëllimi II, fq. 700.
15. Në sqarim të këtij titulli, mbi kopertinën e librit shënohet: "Hedh dritë mbi kapelën dhe vendimet rreth saj, zbulimin e gruas, martesën e jomuslimanit me muslimanen dhe të kundërtën, fotografimin, trashëgiminë dhe zëvendësimin e saj, e të tjera".
16. Në fund të kësaj broshure me 59 faqe, autori shkruan: "Unë jam i varfri, plot të meta e mangësi, shkodrani Haxhi Sulejmani i Hafiz Halil Gavoçit. E trajtoftë Allahu me butësinë e Tij të fshehtë e të dukshme, për hatrin e Zotërisë së Enbijave dhe Murselinëve (s.a). Amin!"- Shih: Shejkh Sulejman Halil Gavoçi el-Albani, "Nexhatul-mu'minine biademit-teshebbuhi bil-kafirin", botim i shtypshkronjës "El-Hashimijje", Damask, 1949, fq. 59.
17. Murshid, është një fjalë arabe me prejardhje nga folja reshedel resh ide, jershudu/jershedu, rushden/reshdenl reshaden, rashidunl reshidun: personi: u udhëzua, fëmija: arriti moshën e pjekurisë, njeriu çështjen e tij: iu dha mbarësia në të. Mësuesi nxënësin: e udhëzoi drejt rrugës së drejtë dhe e drejtoi drejt saj. Murshidun/une, murshidetun/datun: Udhërrëfyes, udhëzues - ai që udhëzon një grup studentësh, etj. Shih: "El-Mu’xhemul-arabijjul-esasi", i një grupi autorësh, prej gjuhëtarëve më të mëdhenj arab, të ngarkuar nga Organizata Arabe për Edukim Kulturë dhe Shkence, Tunizi, 1988, fq. 524.
18. Kjo shprehje (i ngratë) dhe shumë të tjera të ngjashme me të, si: i varfri, i dobëti, i mangëti, shërbëtori, i pakti, etj., jane një traditë prezente në librat dhe shënimet e shumta të dijetarëve islamë të shekullit të kaluar. Kjo traditë, në përmasa më të vogla, ekziston edhe sot. Shënim imi. M. S.
19 H. Sulejman Gavoçi, "Shpëtimi i besimtarëve në mos përngjasimin me jobesimtarët", në gjuhën arabe, Damask, 1949, fq. 3-4.



Muhamed Sytari

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.