Gjërat me të cilat arrihet ëmbëlsia e besimit

Enesi (r.a.), transmeton se Profeti (a.s.), ka thënë: ''Ai që ka këto tri cilësi, ka gjetur ëmbëlsinë e besimit: Të dojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdo gjë tjetër. Ta dojë një person vetëm për hir të Allahut. Ta urrejë kthimin në mosbesim (kufr), ashtu siç urren të hidhet në zjarr".(1)

Pejgamberi (a.s.), ka thënë: "E ka shijuar besimin ai që është i kënaqur me pranimin e Allahut si Zot, Islamit si fe dhe Muhamedit si të dërguar"(2)
Pejgamberi (a.s.), na ka lajmëruar, se besimi ka shije dhe zemra e shijon atë, ashtu siç e shijon goja ushqimin dhe pijen. Kush e arrin diçka të tillë, zemra i qetësohet dhe ai ka fituar kënaqësinë e Allahut.
Ëmbëlsia e besimit në Zot nuk krahasohet me asnjë ëmbëlsi tjetër, që ekziston mbi tokë. Kur njeriu e shijon ëmbëlsinë e besimit, do të thotë ashtu siç kanë thënë të parët tanë: "Sikur ta dinin pasanikët se çfarë ëmbëlsie kemi ne në zemrat tona, do të luftonin për të na e marrë, qoftë edhe me shpatat e tyre". "Shija e imanit nuk është si shijet e tjera, sepse shija e një ushqimi largohet pas ngrënies së ushqimit tjetër, kurse shija e imanit mbetet një kohë të gjatë, sepse njeriu kur bën një ibadet me zemër, përkushtim dhe përulje ndaj Allahut, vëren se ushqehet një kohë të gjatë me atë iradet.”(3)

Profeti (a.s.), ka thënë: "Rruga e parë për të shijuar ëmbëlsinë e besimit është: "Ta duash Allahun (xh.sh.), dhe Muhamedin (a.s.), më shumë se çdo gjë tjetër që ekziston në gjithësi".

Abdullah ibn Hudhafe, ishte një nga shokët e profetit Muhamed (a.s.). Ai u kap rob nga bizantinët, bashkë me disa shokë të tjerë. Komandanti bizantin, bëri disa tentativa që ta thyejë dhe ta nxjerrë nga besimi, por dështoi. Fillimisht, ai e lidhi në një pemë dhe i urdhëroi ushtarët të hidhnin shigjeta drejt tij, por pa e goditur. Abdullahu nuk lëvizte fare dhe nuk tregonte shenja frike dhe dëshpërimi. Komandanti mori dy nga shokët e Abdullahut dhe i hodhi të gjallë në një kazan me vaj të nxehtë. Ai i kërkoi të braktiste fenë Islame, në këmbim të faljes së jetës, por Abdullahu sërish refuzoi. Kur e afruan pranë kazanit me vaj të nxehtë, Abdullahut i rrodhën disa pika lot. Kjo e gëzoi komandantin bizantin, pasi mendoi se e kishte rrënuar qetësinë shpirtërore, e cila e kishte karakterizuar gjer atëherë. Duke qeshur me ironi, ai i tha: "Përse qan? Apo je gati që tani ta braktisësh fenë tënde, në këmbim të jetës?" Abdullahu iu përgjigj: "Jo, unë qava pasi kam vetëm një shpirt të vetëm, të cilin do ta jap për hatër të Zotit. Do të doja që të kisha shpirtra aq sa kam qime në trup dhe të gjithë t'i jepja për hatër të Zotit."
Ibn Tejmije (Allahu e Mëshiroftë) ka thënë: "Në dynja ekziston një xhenet, kush nuk e shijon atë, nuk e shijon xhenetin e ahiretit. Ai xhenet është njohja e Zotit dhe dashuria për Të."

Rruga e dytë për të shijuar ëmbëlsinë e besimit është: "Ta duash tjetrin vetëm për hir të Allahut".

Vëllazëri e vërtetë është ajo që lidhet për hir të Allahut, larg interesave të dynjasë, qofshin ato poste apo gjëra materiale, sepse sado dhe sido që të jenë, ato mbeten të përkohshme. Allahu i madhëruar Ditën e Kiametit do të thotë: “Ku janë ata të cilët kanë dashur njëri tjetrin për hir të Madhërisë Sime? Sot do të jenë nën hijen Time, në këtë ditë kur nuk ka hije tjetër pos hijes Sime."(4)
Allahu thotë: “Ata që duan njëri tjetrin për hir të Madhërisë Sime, ata do të jenë në piedestale të dritës dhe do t'ua kenë lakmi pejgamberët dhe shehidët."(5)
"Një njeri vendosi të vizitojë vëllain e tij në një qytet tjetër. Allahu ia caktoi një melek në rrugë. Kur iu afrua meleku e pyeti: Për ku je nisur? Kam një vëlla në këtë qytet dhe desha ta vizitoj, tha ai. Meleku e pyeti: "A mos të ka borxh ndonjë pasuri dhe shpreson ta marrësh atë?" Ai tha: "Jo, unë e dua atë vetëm për hir të Allahut." Meleku tha: "Unë jam i dërguar i Allahut te ti për të të lajmëruar se Allahu të do ty siç do ti vëllain tënd për hir të Tij."(6)
Tregohet se Ahmed Ibn Hanbeli,(7) një dijetar shumë i madh, shkoi nga Bagdadi në një vend tjetër. Nata e zuri në xhami, por pasi u fal namazi i jacisë, pastruesi i saj, i cili nuk e njihte, i tha: "Dil se do të mbyll xhaminë dhe nuk lejohet askush të rrijë në xhami". Imam Hanbeli doli në shi dhe nuk dinte ku të strehohej. Dikush e pa dhe i tha: "O njeri përse rri në mes të shiut". Imam Hanbeli u përgjigj: "Vallahi nuk kam ku të rri sonte". "Hajde rri tek unë" - ia ktheu tjetri. Ky person e mori Imam Hanbelin në shtëpinë e tij dhe ia ndërroi rrobat. Imam Hanbeli shikoi se ky njeri e përmendte shumë Zotin. U habit nga kjo gjë dhe e pyeti: "O njeri, po e shoh se ti po e përmend shumë Zotin. ç' është kjo punë"? Burri ia ktheu: "Vallahi nuk më ka dalë keq kjo punë. Me këtë përmendje që bëj, Allahu (xh.sh.), më ka dhënë një sekret. Për çdo dua (lutje) që bëj më vjen përgjigja. Vetëm një dua nuk më është plotësuar dhe inshallah ma pranon Zoti para se të ndërroj jetë. E kam lutur Zotin të mos ma marrë shpirtin pa u takuar me dijetarin e madh Ahmed Ibn Hanbel dhe shpresoj, se Zoti do të ma pranojë këtë dua". Atëherë Imam Ahmedi i tha: "Allahu (xh.sh.), ta ka pranuar lutjen, sepse unë jam Ahmed Ibn Hanbel". Atëherë ky person filloi të qajë dhe ta përqafojë Imam Hanbelin. Imam Hanbeli u habit dhe pyeti: "Po ti kush je"? Ai tha: "Unë jam Is'hak Ibn Rahauej (një tjetër dijetar i madh).

Rruga e tretë për të shijuar ëmbëlsinë e besimit është: "Të urrejë njeriu kthimin në mosbesim, ashtu siç urren hedhjen në zjarr".

Ta urresh kufrin e ta duash besimin, do të thotë të thuash gjithmonë: "O Zot! Ty të falënderoj që më udhëzove, se nëse nuk do të më udhëzoje, unë do të isha prej të humburve".
Ta duash besimin, do të thotë të sakrifikosh për këtë gjë. Pse u hodh në zjarr Ibrahimi (a.s)?! Sepse ai e dinte se zjarri i dynjasë nuk krahasohet me zjarrin e Ahiretit dhe pranoi me kënaqësinë më të madhe, që të mbante besimin dhe të hidhej në zjarrin e kësaj dynjaje. Nuk iu lut askujt për ndihmë. Nuk kërkoi as ndihmën e Xhebrailit (a.s.), por tha: "Vetëm për Allahun (xh.sh.), kam nevojë".


____________________
1. Buhariu dhe Muslimi.
2. Muslimi.
3. "Kitabu Teuhid" Ibn Uthejmini.
4. Muslimi.
5. Tirmidhiu.
6. Muslimi.
7. Është lindur ne vitin 164 hixhri (780) në Bagdat po ashtu ka ndërruar jetë ditën e xhuma në të njëjtin vend më 12 Rabiul evvel 241 (31 Korrik 855).



Naim Drijaj
Revista 'Etika'

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.