Jeta e Profetit Ibrahim (alejhi selam)

Historia e Ibrahimit (a.s.), ceket në Kuranin fisnik në shtatëdhjetë e tre vende, gjë e cila është tregues i madhështisë së këtij Profeti dhe rëndësisë së historisë së tij. Ibrahimi (a.s.), është nga pasardhësit e Sam-it, djalit të Nuhut (a.s.).

Ibrahimi (a.s.), lindi dhe u rrit në veri të Irakut, në qytetin e Babilonisë. Ky qytet ishte selia e civilizimit të asaj kohe dhe banorët e tij ishin idhujtarë. Zoti në Kuran thotë: Dhe ai tha: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë.”(1)
Po ashtu, kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: ‘Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?’, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.”(2) Ata vetë e pranonin se ishte një rit që e kishin trashëguar nga të parët e tyre. Me pyetjet e tij, Ibrahimi (a.s.), synonte stimulimin e tyre për të menduar dhe logjikuar mbi adhurimin e idhujve të tyre. Njeriu e adhuron Zotin, me qëllim që kur të ketë nevojë ta lusë dhe Ai t’i përgjigjet. Ai e adhuron Zotin, me qëllim që ta udhëzojë në jetë dhe ta ndihmojë të jetojë konform natyrës dhe ligjeve të Zotit. Megjithatë, këta njerëz e kishin kyçur arsyen e tyre dhe nuk ishin racionalë në këtë çështje. Këtë çështje Kurani e përshkruan më këto ajete: “Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë).”(3)
Ibrahimi (a.s.), është njëri prej pesë pejgamberëve që janë të cilësuar me nofkën “Ulul-Azmin” që ka kuptimin pejgamberët e vendosmërisë së lartë, prej të cilëve Allahu pati marrë premtimin e fortë, e të cilët janë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhamedi (a.s.). Ky pra është Ibrahimi (a.s.), të cilin Allahu e sprovoi me sprova të mëdha, sprova që tejkaluan mundësitë njerëzore. Prej mirësive të Allahut ndaj Ibrahimit (a.s.), është fakti se atë e kishte bërë prijës të njerëzimit, duke bërë që nga pasardhësit e tij të ndriçonte drita e pejgamberisë dhe e librave të shpallur. Çdo pejgamber pas Ibrahimit (a.s.), ishte prej bijve dhe nipave të tij, me çka edhe u plotësua premtimi i Allahut dhënë atij, se asnjë pejgamber nuk do të dërgohej më pa qenë prej lozes së tij.(4)
Nëse vazhdojmë të hulumtojmë më tutje rreth nderimit, fisnikërimit dhe dhuntive të Allahut (xh. sh.), ndaj Ibrahimit (a.s.), vërtet do të mbesim të mahnitur e të habitur për epitete të tjera që ja jep Kurani i madhërishëm. Ibrahimi (a.s.), dallohet në Kuran po ashtu edhe me titullin Halilullah (mik i Allahut). Dijetaret kanë thënë se fjala Halil do të thotë: i dashur, i afërt, dashamir, mik.(5)
Po ashtu, Ibrahimi (a.s.), përshkruhet si shembull dhe model i të mirëve, adhurues i sinqertë dhe besimtar i drejtë: “Vërtet, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i Allahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.”(6)
Një ditë Ibrahimi (a.s.), e pa babain e tij duke gdhendur puta dhe e pyeti: “Çfarë është kjo o baba? Veshët i paska të mëdhenj, madje shumë më të mëdhenj se veshët tanë.” Azeri iu përgjigj: “Ky është ‘Merduhu’ Zoti i Zotave, o biri im! Këta dy veshë të mëdhenj simbolizojnë urtësinë dhe mençurin e tij të thellë.” Atëherë Ibrahimi e pyeti babain e tij dhe i tha: “Kush e ka krijuar njeriun?” Ai i tha: “Unë të kam bërë ty, e mua babai im.” Ibrahimi (a.s.), u përgjigj: “Kjo nuk është e vërtetë baba, sepse unë kam dëgjuar një plak të moshuar duke u ankuar dhe thoshte: ‘O zoti im, përse nuk më fal fëmijë?” Atëherë babai i kishte thënë: “Ashtu është biri im. Zoti e ndihmon njeriun që ta bëjë njeriun, por ai nuk vë dorën e tij në të, por thotë “BËHU!” dhe bëhet. Njeriut nuk i mbetet tjetër pos të lutet dhe të përulet para krijuesit të të gjithë botëve. Atëherë Ibrahimi (a.s.), i tha: “Nëse Zoti ndihmon në bërjen e njeriut, atëherë si mundet që njeriu të bëjë zotat? Ti po gdhend dhe laton zota të shumtë dhe po u ndihmon atyre, atëherë pse zotat nuk të ndihmojnë ty për të bërë shumë fëmijë, që të bëhesh njeriu më i fuqishëm në botë?” Kështu dialogu mes tyre përfundoi me zgjatjen e dorës se babit, i cili e goditi fort në faqe Ibrahimin (a.s.).(7) Nga kjo revoltë në shtëpinë e Azerit, babit të tij, Ibrahimi (a.s.), vazhdoi të sfidojë politeizmin e fisit të vet.
Ibrahimi (a.s.), njihet edhe si prishësi i idhujve dhe themelues i monoteizmit dhe luftues i injorancës. Ibrahimi (a.s.), i shkatërroi të gjithë idhujt e tyre dhe la vetëm njërin pa prishur. Kur panë banorët se çfarë kishte ndodhur, thanë se këtë kishte mundësi ta bënte vetëm Ibrahimi. Dhe çuan njerëz ta thërrisnin Ibrahimin. Ata e pyetën se kush e kishte bërë këtë. Ibrahimi (a.s.), u përgjigj duke u thënë të pyesnin më të madhin se ndoshta ai e dinte kush e kishte bërë këtë gjë. Ata iu përgjigjën se ai nuk di të flasë. Ibrahim (a.s.), u përgjigj: “Si adhuroni ju një idhull, kur ai nuk flet; mjerë për ju dhe për ata që ju adhuroni!” “Po përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm të thoshin: “Mbyteni atë ose digjeni! Mirëpo Allahu e shpëtoi atë prej zjarrit. Për një popull që beson, këtu vërtet ka fakte bindëse.”(8)
Ata e sollën Ibrahimin (a.s.), para idhujve të tyre. Ndezën zjarrin në praninë e tyre, qëllimi i djegies ishte që ata të shohin dhe të kënaqen në vend hakmarrjeje, ceremonia e hakmarrjes ishte tejet masive. Ata grumbulluan drurë si dhe iu drejtuan zotavetë tyre. Para të pranishmëve, filluan ta ndezin zjarrin. Ibrahimi (a.s.), nuk tentoi të ikte, por u fut në turmën e drurëve ku zjarri ishte gjithnjë e në rritje. Në një situatë të tillë siç ishte Ibrahimi (a.s.), ishte e mundur që zjarri të shuhej nëpërmjet rrëkeve të shiut, nëse dëshironte Allahu (xh.sh.), por Ai (xh. sh.), nuk e deshi këtë duke u dhënë atyre një bindje se i dërguari i Zotit Ibrahimi (a.s.), ishte në mision për t’i shpëtuar njerëzit nga injoranca dhe për t’i bindur se ekziston vetëm një Zot i plotfuqishëm në këtë botë. Vullneti i Allahut pamundësoi dhe pengoi vetitë djegëse të zjarrit dhe për këtë Allahu (xh.sh.), në Kuranin fisnik, thotë: “Po Ne i thamë: ‘O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”(9)
Sidoqoftë, kjo mrekulli që ndodhi në sytë e tyre për t’u bindur se Ibrahimi (a.s.), ishte i dërguar i Zotit, ata prapë se prapë nuk i dhanë fund përpjekjeve të jobesimtarëve për ta persekutuar dhe izoluar Ibrahimin (a.s.), i cili qëndroi i patundur në besimin e tij, i durueshëm në vuajtjet e tij, i dashur në sjelljen e tij deri në migrimin e tij për në tokat e Aramit dhe Kananit. Duke parë refuzimin e banorëve të tij, Ibrahimi (a.s.), vendosi ta lërë qytetin e tij të lindjes, ndërkohë mbreti Nemrud për të cilin thuhet se kishte në sundimin e tij një pjesë të madhe të botës asokohe, kishte dëgjuar për një djalosh që e kishin hedhur në zjarr dhe nuk ishte djegur . Ai dërgoi ushtarët që ta gjenin djaloshin në fjalë. Ata e gjetën Ibrahimin (a.s.) dhe e sollën para Nemrudit. Ai filloi ta pyeste Ibrahimin (a.s.), mbi besimin dhe Zotin e tij. Këtë ngjarje e përshkruan Kurani ku Zoti (xh.sh.), thotë: “A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” – ai (Nemrudi) u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje” – për të vërtetuar se edhe ai jep dhe merr jetë, Nemrudi solli dy të burgosur, njërin e ekzekutoi në çast, kurse tjetrin e liroi – Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.”(10) Pas kësaj bisede Nemrudi e la të lirë të largohej Ibrahimin (a.s.).


_____________________________________
1. El-Ankebut: 25 (përkthimi i ajeteve Kuranore është marrë nga Kurani –në gjuhën shqipe, përktheu H.sherifi 1992.
2. Enbija, 52-53.
3. Enbija, 51.
4. Ahmet Behgjet “Të dërguarit e Allahut”, Boton Dituria islame, Pris - tinë, 2009, faq. 120.
5. Po aty fq. 120. 6. Nahel, 120.
7. Ahmet Behgjet "Të dërguarit e Allahut" ,Boton Dituria islame, Pris - tinë, 2009, fq. 124.
8. Enbija 67.
9. Enbija, 69.
10. Bekare, 258.



Ibrahim Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.