Nevoja dhe domosdoshmëria për thirrjen islame

Thirrja e njerëzve për në fenë islame, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja dhe çdo gjë negative që ekziston në shoqëri, është obligim islam që bie mbi punonjësit (imamët) në fushën e thirrjes islame, që duhet t'ia japin hakun nga mundi, mendimi dhe koha e tyre. Kjo pasi dihet se ky obligim në vete është mision primar për çdo thirrës (imam).

Thirrja islame, është domosdoshmëri për njeriun ashtu siç ndien nevojë për ushqim e pije gjatë jetës, ngase ajo përbën pjesën tjetër të tij dhe ushqen shpirtin, trupin si dhe ofron qetësi e stabilitet në jetë dhe shoqëri.
Mësimet islame ndërtojnë e nuk shkatërrojnë, afrojnë e nuk përçajnë. Nevoja e botës për Islamin është sikurse nevoja për një botë të vërtetë dhe nevoja për një plan të mirëfilltë.(1)
Është jashtë çdo dyshimi se feja i solli shërbime të mëdha kulturës njerëzore dhe kontribuoi në kufizimin e instinkteve kundër shoqërore e kundër individuale.
Mësimet e shumta kuranore na nxisin që të kryejmë këtë obligim, si p.sh. ajetet: "Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit". (Ali Imran, 104).
Në një vend tjetër thotë: "E kush ka fjalën më të mirë prej atij që thërret te Allahu,vepron (punë) të mira dhe thotë: "Unë jam prej myslimanëve?" (Fussilet, 33).
Zoti obligon Muhamedin a.s. që të thërrasë në rrugën e Tij, vazhdimisht, dhe mos të shmanget asnjëherë prej saj. "Dhe kurrsesi ata të mos shmangin ty nga ajetet e Allahut meqë ato t' u kanë shpallur ty, dhe ti thirr te Zoti yt dhe kurrsesi mos u bëj pasues i dëshirave të idhujtarëve. (Kasas, 87).
Thuaj: "Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Allahun e mos t'i bëj shok Atij. Unë vetëm te Ai thërras (njerëzit) dhe vetëm te Ai është kthimi im!" (Err rr'ad,36).
Duke u kthyer në retrospektivë, sa herë që njerëzimi ka devijuar apo është munduar të devijojë nga feja, Allahu xh. sh. dërgoi të dërguarit e Tij, që t' i kthejnë ata në rrugën e drejtë dhe të duhur dhe t'ua mësojnë atyre mësimet hyjnore.
Ligji i Zotit ekziston dhe shoqëria njerëzore duhet t' u bindet urdhrave. Si rezultat i kësaj bindjeje arrihet kënaqësia e Tij në dy botët.

Çdo popull pati të dërguar

Zoti këtë e sqaron në Kuran duke thënë: "Ne më pas dërguam pejgamberët tanë një pas një, mirëpo, çdo herë që një populli i erdhi i dërguari i vet, ata e përgënjeshtruan atë, prandaj Ne i përcollëm ata (me dënim) njeri pas tjetrit dhe i bëmë që të përmenden në tregime. I shkatërruar qoftë populli që nuk beson"! (El Muminunë, 44).
Dhe pas ndërprerjes së revelatës hyjnore (vahjit), me kalimin e Muhamedit a.s. në amshim, kjo përgjegjësi kaloi tek ymeti i Muhamedit a.s. "Disa ashtu (sikur u udhëzuam në fenë islame) Ne ju bëmë ju një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i Dërguari dëshmitar ndaj jush ... (El Bekare, 143).
Nga ky ajet kuptojmë se feja mbetet burim uniteti, unifikuese, njerëzit ndihen të barabartë si në obligime ashtu edhe në detyra, duke jetuar në harmoni e dashuri të vërtetë. Islami është sinonim i paqes dhe ka luftuar dhunën dhe çdo padrejtësi sociale.
"O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues. E besimtarëve jepu sihariq se prej Allahut ata kanë dhunti të madhe. Mos i dëgjo jobesimtarët e hipokritët dhe mos ua vër veshin mundimeve të tyre ndaj teje, e mbështetu Allahut se Allahu është mbrojtje e mjaftueshme." (El Ahzabë, 45-48).
Në vijim, do t'i radhitim disa shkaqe pse ndihet nevoja për thirrjen islame:
-Qenia njerëzore përbehet nga mendja dhe egoja.
Mendja është e kufizuar dhe nuk mund të arrijë të kuptoj shumë të vërteta, kurse egoja e tij e shumtë e ndihmon në të shumtën e rasteve që të kalojë të drejtën, të mbizotërojë mendjen dhe të nxitë në të keqe. "Unë nuk e shfajësoj veten time, pse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë. (Jusuf, 53).
Kurse në një ajet tjetër thotë: "Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten." (Esh-shems,10).
Pra, është domosdoshmëri të jetë funksional udhëzimi dhe ligji nga ana e Krijuesit të njeriut, Ai drejton mendjen në rrugën e drejtë në mënyrë që të mos devijojë nga rruga e drejtë apo të mos poshtërohet, të mos dështojë. Të vërtetën e ka thënë Allahu në suren Taha: "Ai (Allahu) u tha: "Zbritni prej aty që të gjithë, do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dynja) e as nuk ka për të dështuar (në botën tjetër)". E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: "Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?" (Ta ha,123-125).
Se mendja është e pamjaftueshme karshi udhëzimeve hyjnore sjellim disa shembuj
a. Të gjithë mendjet që nuk kanë besuar Zotin, vazhdimisht kanë qenë në kërkim të Krijuesit, habia e tyre me krijimin e qenies njerëzore që është një qenie mjaft komplekse si në përbërje poashtu edhe në shpirt, e përfundimi i tyre ishte besimi dhe nënshtrimi ndaj gurëve, yjeve apo shtazëve, duke i marrë për zota e duke mohuar Krijuesin e tyre, i Cili e krijoi këtë gjithësi në shërbim të njeriut. Për këtë Allahu na e tërheq vërejtjen që mos t'i bindemi askujt tjetër pos Fuqisë së Tij. "Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, dielli e hëna. Mos i bëni sexhde as diellit, as hënës! Bëjini sexhde vetëm Allahut, i Cili krijoi ato, nëse adhuroni vetëm Atë! (Fussilet, 37).
Të gjitha këto janë të krijuara dhe funksionojnë sipas sistemit perfekt dhe preciz që i nënshtrohet plotësisht Atij. "A nuk e di për Allahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej, edhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe kodrat, edhe bimët edhe shtazët, e edhe shumë njerëz.". (El Haxh,18).
b. Disa të tjerë u kundërvunë hapur duke formuar sisteme sociale të ndryshme, si p.sh, drejtime me bindje të ndryshme, ngritën thirrje të cilat rënduan dhe shkatërruan popuj të ndryshëm. Andaj bënë ligje që lejuan alkoolin, bixhozin, homoseksualizmin, nxitën femrën drejt turpshmërisë dhe të këqijave e shndërrimit të saj. Këto ligje janë produkt i gjithë atyre mendjeve të cilat shtrembëruan rrugën e drejtë dhe larg natyrës njerëzore duke ushqyer instinktin e tyre shtazor.
Mendja e shëndoshë mbështet argumentet fetare Që të jetë më e qartë kjo çështje duhet kuptuar se natyrshmëria e njeriut është fuqi dhe fakt, nëpërmjet të cilit ai arrin të bëjë dallimin mes rrugës së gabuar dhe asaj të drejtë. Të dallojë të mirën nga e keqja. Por kjo fuqi e mençur edhe pse në vete ka dritë të hapur dhe mendje të ndritshme assesi nuk mund të bëjë vijën e dallimit vetë mes rrugës së keqe dhe asaj të mirë dhe poashtu nuk e ka fuqinë që të dijë çdo argument, apo të shikojë çdo të drejtë. Poashtu mendja e njeriut nuk arrin edhe t' i menaxhojë me përpikëri veprimet njerëzore mbi sistemin, në të cilin nuk ka parregullsi. Menja njerëzore prapë mbetet e mangët dhe e humbur pa ndriçimin e shpalljes, mësimeve hyjnore dhe udhëzimeve profetike.(2)
"Por mund që ju ta urreni një send e ai të jetë shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send e ai të jetë dëm për ju. Allahu di e ju nuk dini." (El Bekare, 2016).
Edhe pse të gjithë e kanë obligim që të thërrasin dhe të shpjegojnë atë që dinë për fenë islame, prapë përgjegjësia kryesore e shpjegimit të mësimeve hyjnore, bie mbi dijetarët (thirrësit) të cilët edhe janë profesionistë të kësaj çështjeje. Sigurisht që në misionin e Davesë-thirrjes ka nevojë të kumtohen disa detaje si dhe zhvillimi i disa koncepteve të thella të fesë dhe dijetarët e kanë këtë aftësi. Kjo përgjegjësi përfshin të dy gjinitë (meshkuj dhe femra), duke u bazuar në ajetin kuranor: "Thuaj: "Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, ftoj unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët." (Jusuf,108).
Me rëndësi është të ceket tefsiri i imam Ibn Kethirit në lidhje me këtë ajet, ku thotë se Allahu xh. sh., në këtë ajeti i ka thënë të Dërguarit a.s., që t'i informojë njerëzit se kjo rrugë është thirrja që të dëshmohet se nuk ka zot tjetër pos të vetmit Zot, që nuk ka rival dhe se ky i thërret njerëzit në bazë të fakteve të qarta dhe po kështu veprojnë edhe ata që i ndjekin ata-besimtarë, do të thotë edhe këta thërrasin për tek Allahu mbi bazën e fakteve të qarta, qofshin ato argumente të sheriatit apo logjike.(3)
Luftimin dhe përballjen me të keqen shoqërore e ka bërë pjesë të misionit të thirrësit. Këtu mund të cekim edhe me argumente nga gurra pejgamberike, që na mësojnë se si të luftohen dukuritë devijante në shoqëri dhe të ruhet anija e shoqërisë nga fundosja, ruajtja e identitetit nga rënia dhe zhdukja.
Nga Ebi Seid el-Hudriu r.a., transmetohet se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: "Kush nga ju sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorë, e nëse nuk mund ta bëjë këtë, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mund ta bëjë këtë, atëherë me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët." (Transmeton Muslimi, Kapitulli i imanit, m.49).
Pra, e keqja duhet të jetë për të gjithë e keqe e mos të jetë në kuadër të çështjeve, për të cilat dijetarët kanë divergjenca e mospajtime, ngase atëherë mund të lindë fitne (sprovohen njerëzit) dhe do të shkaktonte kaos shoqëror.
Për këtë shkak, Zoti ymetin e Muhamedit a.s. e ka lavdëruar me Kuran në mesin e popujve tjerë duke thënë:"Jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, por shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit." (Ali Imran, 110).
Po kështu është më se e ditur se besimi pëson rënie që dihet te një pjesë e besimtarëve. Shpesh ata i kaplon ngurtësimi i zemrave, padija fetare dhe devijimi nga rruga e drejtë. Të gjitha këto ndodhin sa herë që njerëzit qëndrojnë larg burimit të shpalljes hyjnore dhe sa më shumë kohë të ketë kaluar që nga momenti i daljes në dritë të mesazhit.(4)
I Lartmadhërishmi në Kuranin famëlartë thotë: "A nuk është koha që zemrat të zbuten me këshillat e Allahut dhe në atë të vërtetën që zbriti (me Kuran), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës." (El Hadid, 16).

Butësia e thirrësit

Po ashtu në Kuran ka ajete të cilat hedhin dritë të qartë mbi obligimet dhe detyrat e thirrësit duke qartësuar mirë qëndrimin e tij. Gjatë misionit të tij në Dave-thirrje, thirrësi e shikon me mëshirë dhe butësi ata që i thërret dhe i fal ata. Zoti në Kuran thotë: "Ti (Muhamed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të paditurve". "Dhe kur një grup prej tyre thanë: "Përse këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose dënojë me një dënim të ashpër?" Thanë (këshilluesit): "Arsyetimi para Zotit tuaj dhe me shpresë që t'u largohen gabimeve". (El Arafë, 164).
Në fushën e thirrjes islame, nuk lypset teprimi por vazhdueshmëria, dhe në ligjërata më shumë t'i kushtojmë rëndësi realitetit e më pak ndjenjave!
Thirrësi duhet të drejtojë energjitë e tij në evidentimin e problemeve që ka shoqëria dhe mbi mësimet e Kuranit, fjalës së Muhamedit a.s. dhe që mendimin e dijetarëve ta paraqesë si opinion në lidhje me atë çështje. Pra, misioni i tij duhet të jetë kritikues ndaj realitetit shoqëror dhe të vërtetojë me argumente nevojën e njerëzimit për Islamin si sistem jete dhe vazhdimësie.
"Preferohet që imami (thirrësi) që në paraqitjen dhe tubimet e tij të shfaqë kritikën e tij karshi çështjeve të parregullta, të cilat i përjeton ymeti islam dhe mbi këtë të angazhohet që me arsyeshmëri, me gjuhën e shifrave dhe me logjikë të shtrojë kritikat. Së këndejmi, varësisht nga aftësia e tij që të bëjë analiza, të identifikojë sëmundjet duke i paraqitur shkaqet dhe faktorët e tjerë me ndikim në situatë, aq do të jetë edhe ndikimi i tij i thellë mbi të ftuarit".(5)
Si përfundim, Daveja-thirrja është nevojë jetësore për çdo njeri dhe shoqëri. Është shtylla dhe domosdoshmëria e çdo populli përgjatë historisë së pejgamberëve. Sikur mos të ishte obligim dhe nevojë thirrja, nuk do të kishim aq numër të madh të të dërguarve te popujt e tyre dhe kjo ishte në sajë të mëshirës së Allahut për ta. Nevoja për zërin e shpalljes dhe udhëheqje të të Dërguarve nuk ndërpritet asnjëherë.


__________________
(1) Muhamed el Gazali, Mea Allah, Darul Kalem, botimi VI, f. 26, Damask,1996.
(2) Tevfik el Vai, Ed-da'vetu ilallah, DarulJekin, 1995, Mensure, Egjipt, botim i dytë,f.38.
(3) Imam Hafidh ebil Fida Ismail ibn Kethir el Kureshi Ed-dimeshki, Tefsirul Kuranil adhim, Darul marife, Bejrut, v.2,1993.f.515.
(4) Adnan ibn Muhamed Ala Araur, Metodologjia e thirrjes islame në dritën e realitetit bashkëkohor,Tiranë, 2009, Tradita, f.10.
(5) Fet'hi [ekin, Kejfe ned'u ilel islam, Muesesetu errisale, Bejrut, bot. i tretë, 1977, f.49.



PHDc Rexhep Suma

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.