Fortësia e besimtarit dhe qëndrueshmëria e tij

Ebu Hurejra r.a. tregon se Resulullahi s.a.v.s. ka thënë: “Besimtari i fortë (këmbëngulës) është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët (në besim), Në të dy ka mirësi. Ruaje atë që të bën dobi. Kërko ndihmë prej Allahut e mos u bëj dembel. Nëse të godet diçka mos thuaj: Sikur të kisha vepruar (ndryshe), do të ishte kështu dhe kështu. Por, thuaj: Atë që e ka caktuar Allahu, ashtu edhe ka ndodhur, se vërtet (pjesëza) "sikur" hap veprimet e djallit (shejtanit)."(1)

Fjalët e panjohura në hadith

Fjala El-muëminul-kavij - besimtari i fortë ka kuptimin gjeneral që përfshin forcën e besimit, të shpirtit, të dijes dhe të trupit.
Folja urdhërore ihris ka kuptimin e kujdesit dhe ruajtjes së nënshtrimit ndaj Allahut dhe dëshirës për t'i kryer detyrimet ndaj Tij.
Folja La ta'xhez - mos u bëj dembel domethënë mos u bëj i paaftë në kërkimin e mirësive dhe ndihmës prej Allahut xh.sh., mos u dembelos në kryerjen e detyrimeve, mos neglizho, e mos u trego i dobët.
Pjesa Teftehu amelesh-shejtani - hap veprimet e djallit, do të thotë vesvesen, ngacmimin dhe cytjen e shejtanit.

Shpjegimi i hadithit

Hadithi ka në konotacion fjalë shumëdimensionale që përfshijnë bazat e rëndësishme të individit në çështjen e besimit. Personaliteti i besimtarit duhet të përmbajë shumë veti pozitive, si: vetinë e besimit, dijes, fuqisë, guximit, durimit, korrektësisë, sinqeritetit, besueshmërisë, qetësisë, faljes, mëshirës, përpjekjes, mençurisë etj.
Besimtari nuk duhet të ketë veti negative siç janë theksuar në hadith. Pra, nuk duhet të jetë dembel, indiferent, i shkujdesur, i paaftë etj ...
Këtu në hadith është një apelim i hapur që personaliteti i besimtarit të pajiset me të gjitha cilësitë pozitive që në hadith janë shprehur brenda fjalës apo cilësisë i fortë. Kështu fortësia e besimtarit shprehet në dashuri ndaj Allahut, besim të fortë, qëndrueshmëri në sfida, këmbëngulje në kryerjen e detyrimeve, përpjekje për të luftuar veset negative që të mos dominojnë në personalitetin e tij, lufta dhe mposhtja e djallit në shumë sfera të jetës etj .. Besimtari gjithashtu kujdeset edhe për fuqinë fizike për të qenë ndihmës në kryerjen e adhurimeve, në luftën kundër armikut të brendshëm dhe atij të jashtëm, në urdhërim për të mirë dhe pengesë nga e keqja dhe për të bartur barrë të rënda në rrugën e Allahut. Këtë lloj besimtari kërkon hadithi bazë, që të jetë shpresë në ringjalljen, ndërtimin dhe mbrojtjen e ymetit.
Këtu kemi edhe maksimën: "Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë." Edhe mendja edhe trupi duhet të jenë të shëndosha për të qenë besimtari i fortë.
Hadithi nuk ka për qëllim forcën e cila i është nënshtruar pasionit, as guximin për veprimin e ndalesave, as qëndrueshmërinë në mëkate, as fuqinë për ambicie të ulëta, as dëshirën për keqbërje etj ...
Sa forca dhe energji negative të mëdha ka shkatërruar Allahu xh.sh. prej padrejtësive që kanë ushtruar ndaj njerëzve në këtë botë! Allahu xh.sh. në këtë kontekst thotë: "A nuk e ke parë si bëri Zoti yt me popullin Ad. Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta. Që si ata (populli Ad) nuk është krijuar askush në tokë. Kështu që Zoti yt derdhi mbi ta shumë ndëshkime." (El Fexhr, 6-8,13).
Ky popull edhe pse ishin të zhvilluar, të fortë, të qëndrueshëm, u shkatërruan, sepse Allahu nuk e do forcën që bën padrejtësi dhe forca e Allahut është mbi të gjitha forcat e tjera. Edhe sot askush mos të mahnitet me forcën që posedon, nëse ajo forcë derdh gjak, bën terror, shkatërron shtete, se forca e Allahut është duke e vëzhguar dhe shumë shpejt do ta shkatërrojë ashtu siç e shkatërroi popullin Ad, Themud etj ..

Reflektim i imanit në hadith

Hadithi bazë konfirmon se dashuria është prej cilësive të Allahut. Kjo cilësi e Allahut xh.sh. është forcë e lidhur me ata që e duan Allahun, me ata që i përkushtohen dhe i mbeten besnikë në të. Dashuria e Allahut është e lidhur ngushtë me dëshirën dhe kënaqësinë e Tij. Gjithashtu në këtë cilësi ka preferencë. Kështu dashuria ndaj besimtarit të fortë e këmbëngulës është më e madhe sesa dashuria ndaj besimtarit të dobët në besim.
E kush u përkushtohet këtyre degëve të besimit, e pajis veten me dituri të dobishme, bën vepra të mira, ai konsiderohet besimtar i fortë. E kush nuk mund t'u përkushtohet këtyre degëve të besimit konsiderohet besimtar i dobët. Kjo bëhet varësisht nga dija e imanit dhe praktikimi i tij. Sa më shumë të shtohet besimi, aq më i fortë është.
Kur Resulullahu s.a.v.s. bëri epërsi duke krahasuar besimin në mes besimtarit të fortë dhe atij të dobët, pati frikë se mos po keqkuptohet se i dobëti po akuzohet, ndaj edhe tha: në të dy ka mirësi apo dobi, d.m.th. edhe tek i dobëti në bazën e tij ekziston imani, pema e imanit është mbjellë në zemrën, por ky ka nevojë ta ujitë e të kujdeset më tepër derisa ta forcojë, e kështu edhe ai bëhet besimtar i fortë në një të ardhme të afërt. Çështjen e avantazhit dhe epërsisë për shkak të veprave e sinjalizon edhe Kurani: "Dhe për të gjithë do të ketë shkallëzime sipas asaj çfarë punuan." (Ahkaf,19)
Pra, peshore e matjes është forca e besimit e jo forca fizike. Nëse humbet forca e besimit, atëherë forca fizike është e padobishme. Këtë më së miri e ilustron ky hadith: "Vërtet Ditën e Kiametit do të shfaqet një burrë i madh, i shëndoshë e tek Allahu nuk ka peshë as sa krahu i mushkonjës."(2)
Kështu nëse forca fizike nuk shoqërohet me forcën e besimit, atëherë njeriu veçse shndërrohet në një kafshë të tërbuar ashtu siç është sot gjendja e atyre që janë jobesimtarë ndaj myslimanëve në përgjithësi. Resulullahu gjithashtu tha: "I fortë nuk është ai njeri që i mund të tjerët me forcën e tij, por i fortë është ai i cili e mund veten kur është zemëruar dhe i nxehur."(3)

Si bëhemi besimtarë të patundur

Në hadithin bazë Resulullahu s.a.v.s. nga pozita udhëzuese dhe orientuese kalon në përshkrimin e ilaçit të sëmundjes së dobësisë, sëmundje e cila mund të godasë një pjesë të fuqisë apo fuqisë në tërësi.
Nëse besimtari goditet me dobësi në besim, në shpirt, në dije, në trup, atëherë si duhet të veprojë? Përgjigjja është në katër pika argumentuese brenda hadithit të Resulullahut:

- E para: "Ruaje atë që të bën dobi:(4)

Kjo pjesë e hadithit ka një përmbajtje gjithëpërfshirëse që tregon për dobitë e dy botëve, botës materiale dhe botës së amshueshme.
Çështjet e dobishme janë dy llojesh: çështje fetare dhe çështje jetësore. Njeriu ashtu siç ka nevojë për çështje jetësore, ngrënie, pirje, relaksim, ashtu ka nevojë për çështje fetare, si namaz, agjërim, lutje etj. Të dyja dobitë arrihen me angazhim, me veprimin e shkaqeve që të çojnë tek ato, mënyrën e arritjes dhe korrjen e rezultateve. Kush nuk i ruan këto dobi, por bëhet përtac, ai nuk arrin asgjë. Përtacia në esencë është frikë dhe dështim. Përtacia nuk përfiton mirësi, nuk merr famë e as nuk është hisetar i çështjeve të fesë dhe jetës. I së njëjtës pozitë është edhe ai i cili angazhohet në çështje të dëmshme. Shumë njerëz bëjnë mund dhe përpjekje të dëmshme nga të cilat nuk përfitojnë veçse lodhje, shkatërrim dhe dështim. Çështjet e dëmshme janë vdekjeprurëse për individin. Po ashtu, çështjet e dobishme në fe për burim kanë dy gjëra: diturinë e dobishme dhe veprën e mirë.
Në çështjet e dobishme të kësaj jete konsiderohet kërkimi i rizkut. Besimtari nuk duhet të jetë indiferent ndaj kësaj bote materiale, por përkundrazi duhet t'i veprojë të gjitha shkaqet që çojnë në kërkimin e rizkut. . Çështjet e dobishme të jetës ndryshojnë varësisht prej nevojave të njerëzve. Njeriu e ka detyrim t'i kryejë obligimet ndaj vetvetes, familjes dhe atyre që ka në përgjegjësi. Për disa njerëz më e dobishme është industria e prodhimit, për disa biznesi apo tregtia e për disa të tjerë produktet e agrikulturës apo bujqësia. Nëse njeriu rizkun e tij e fiton me ndershmëri, atëherë ecja, lodhja, djersa, puna, angazhimi konsiderohen ibadete tek Allahu.
Njeriu merr nga kjo botë për t' u forcuar në çështjet e botës shpirtërore.

E dyta: "Kërko ndihmë prej Allahut”

Prej gjërave që njeriun e bëjnë besimtar të patundur dhe të qëndrueshëm është edhe kërkimi i ndihmës dhe mbështetjes tek Allahu Fuqiplotë. Të gjitha çështjet e dobishme fetare dhe jetësore nuk mund të realizohen pa ndihmën e Allahut. Porosia e Resulullahut është që, pas angazhimit që bën njeriu në çështjet e dobishme fetare dhe jetësore, të kërkojë ndihmën, begatinë, lehtësimin dhe suksesin e punës nga Allahu xh.sh ... Allahu asnjëherë nuk bëhet monoton nga kërkesa e robit për ndihmë. Resulullahu s.a.v.s. thotë: "O Zoti im, kërkoj nga Ti çështjen më të mirë, veprën më të mirë, jetën më të mirë dhe vdekjen më të mirë."(5)
Po ashtu thotë: "Kush nuk i kërkon ndihmë, Allahu hidhërohet me të."(6)
Te njeriu është e kundërta, nëse kërkon prej tij, ai lodhet, bezdiset dhe në fund hidhërohet pse po i kërkon, kurse Allahu xh.sh. në mënyrë të vazhdueshme dëshiron t'i kërkohet ndihmë: "Kërkoni nga Allahu nga të mirat e Tij, se Allahu dëshiron të kërkohet nga Ai."(7)

E treta: "Mos u bëj i paaftë (dembel).”

Për të qenë besimtarë të patundur nuk duhet të jemi neglizhentë dhe të dobët para kërkesave të fesë dhe jetës. O njeri, mos u bëj i paaftë në kërkimin e mirësive materiale dhe mirësive shpirtërore. Mos e humb hisen tënde në këtë botë e as të botës tjetër. Të derdhim mundin dhe energjinë në forcimin e trupit tonë për të qenë të fortë edhe në adhurime. Të qëndrojmë sa më larg paaftësisë dhe pamundësisë. Për këtë është lutur edhe Resulullahu s.a.v.s.: "O Zoti im, kërkoj mbrojtje tek Ti nga pamundësia dhe përtacia."(8)

E katërta: "Nëse të godet diçka mos thuaj: Sikur të kisha vepruar (ndryshe), do të ishte kështu dhe kështu. Por, thuaj: Atë që e ka caktuar Allahu, ashtu edhe ka ndodhur se vërtet (pjesëza) “sikur" hap veprimet e djallit (shejtanit)."

Ky është një ilaç prej Resulullahit s.a.v.s. për trajnimin e besimtarit për t'u dorëzuar para caktimit dhe vendimit të Allahut xh.sh. në çështjet tona, pasi
të kemi derdhur mundin dhe energjinë tonë në ruajtjen e gjërave të dobishme. Nuk ka vend për dyshim dhe kundërshtim pasi ka ndodhur caktimi i Allahut xh.sh. në ndonjë sprovë tonën. Nëse na godet diçka e padëshirueshme, atëherë nuk duhet që ne t' ua atribuojmë disa shkaqeve që nuk i kemi vepruar e për të cilat ndoshta supozojmë se do të ishin të dobishme nëse do t'i kishim vepruar. Fjala "sikur" në këto rrethana hap vesveset dhe veprimet e shejtanit, ngjall dyshim, tërheq mallkim, shton keqardhje, trashëgon trishtim dhe fut depresion shkatërrues në përmasa të paparashikueshme.
Kjo që na ka urdhëruar Resulullahi s.a.v.s. në rast të ndonjë goditjeje apo sprove është rruga më' e mirë për stabilitetin e zemrës dhe kënaqësisë shpirtërore në këtë jetë. Njeriu nuk mund ta kthejë prapa atë që ka ndodhur, sado që të shprehë hidhërimin dhe pikëllimin. Nëse përdor fjalën" sikur", ai ka grumbulluar për veten e tij disa të këqija: sprovën që e ka goditur, humbjen e shpërblimit për durimin, tërheqjen e hidhërimit të Allahut, sëmundjen e mundshme të zemrës dhe shpirtit, dëshpërimin dhe depresionin. Kështu me këtë hidhërim i mundëson djallit të futet në trupin e njeriut dhe të lëvizë ashtu siç qarkullon gjaku: "Shejtani qarkullon ashtu siç qarkullon gjaku.”(9)
Pra, në të gjitha rastet duhet t' i dorëzohet caktimit të Allahut, të jetë i kënaqur me të dhe të mos mbjellë hidhërimin në veten e tij dhe tek Allahu Fuqiplotë për atë që i ka ikur.


___________________________
(1) "Sahihu Muslim", Kitabul kader, vëll. IV, fq. 2052, nr. 2664; "Sunen Ibn Maxhe", vëll. I, fq. 31, nr. 79; "Musned Ahmed", vëll. II, fq. 366.
(2) "Sahihul Buhari", vëll. XIV, fq. 355, nr. 4360.
(3) "Sahihul Buhari", vëll. 19, fq. 72, nr. 5649.
(4) Vëll. XIII, fq. 142, nr. 4816.
(5) "El-Mustedrek ala es-sahihajn", El-Hakim En-Nisaburij, vëll. I, fq. 701, nr. 1911.
(6) "Sunen Et-Tirmidhij", vëll. XI, fq, 223, nr. 3295.
(7) "Sunen Et-Tirmidhij", vëll. XI, fq. 488, nr. 3494.
(8) "Sahihu Muslim", vëll. XIII, fq. 227, nr. 4878. (9) "Sahihul Buhari", vëll. VII, fq. 178, nr. 1897.



Prof. ass. dr. Musa Vila

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.