Ruani pasardhësit tuaj prej zjarrit

Transmetohet se Pejgamberët gjithmonë kanë jetuar me shqetësimin për brezat e rinj dhe gjithmonë i janë lutur Allahut në lidhje me këtë çështje.

Për shembull, Ibrahimi (a.s.), është lutur me këto fjalë: "0 Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje!”(1) “O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin!”(2) Zekerija (a.s.). ka thënë: "(0 Zot!)...më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im! Bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!”(3)
Ndërsa Allahu i Madhëruar, i ka këshilluar myslimanët të kujdesen seriozisht për brezat e tyre dhe të luten në këtë mënyrë: “O Zoti ynë! Na dhuro prej grave dhe trashëgimtarëve, të cilët do të jenë drita e syve tanë dhe bëna shembull për të mirët!”(4)

Nisur nga kjo, mund të themi se nuk mjafton që njeriu të përpiqet të shpëtojë vetëm veten e tij prej dënimit të Allahut. Por, në të njëjtën kohë, ai ka për detyrë t'i edukojë familjarët e vet, në mënyrë që ata të bëhen robër të dashur të Allahut. Ai nuk duhet të mendojë vetëm për ushqimin, pijen, strehimin, paqen dhe rehatinë e tyre në këtë botë, por edhe për shpëtimin e tyre në botën tjetër, me qëllim që të mos bëhen lëndë e zjarrit të xhehenemit. Në lidhje me këtë çështje, ky ajet fisnik ka cilësinë e një paralajmërimi serioz:

“O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët ...” (Tahrim, 6)

Ndërsa Rasulullahu (a.s.), ka thënë: "Të gjithë jeni çobanë dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj (ata që keni nën vete) ... .Burri është çobani i familjes së tij dhe është përgjegjës për tufën e tij. Gruaja, është çobane në shtëpinë e burrit të saj dhe po ashtu është përgjegjëse për tufën e saj .. "(Buhari. Ahkam 1; Muslim, Imaret 20)

Kur zbriti ajeti i gjashtë i sures et-Tahrim, sahabët fisnikë pyetën:
"O Rasulullah! Veten tonë mund ta ruajmë nga zjarri, po familjen tonë si ta ruajmë?" Rasulullahu (a.s.), u përgjigj: "Urdhërojini ata të bëhen robër të Allahut, të jenë të bindur dhe të kryejnë adhurimet. Pengojini ata nga mosbindja ndaj Allahut dhe bërja e gjynaheve. Ja pra, kjo do të thotë t'i ruash ata.” (Alusi, XXVIII, 156.)

Prindërit duhet të tregojnë shumë kujdes në edukimin e fëmijëve. Prandaj, nëse e trajtojmë edukimin që duhet të marrë fëmija brenda familjes, duke i shpjeguar në periudha të lidhura me njëra-tjetrën, mbase prindërit do të vetëdijesohen më tepër në lidhje me përgjegjësitë e tyre në këtë çështje dhe do të përpiqen të bëjnë atë që duhet:

1. Edukimi në lidhje me besimin

Themeli i kësaj çështjeje, është besimi i fortë në përputhje me Islamin. Pra, të besosh gjithçka që duhet besuar në mënyrën më të mirë; të pranosh ekzistencën e tyre dhe të bësh atë që duhet.
Kur një fëmijë prej bijve të Abdulmutalibit fillonte të fliste. Rasulullahu (a.s.). i mësonte ajetin 111 të sures el-Isra, duke ia lexuar atë shtatë herë: Thuaj: "Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës" dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë e Tijl" (Abdurrezzak, IV, 334;
Ibn-i Ebi Shejbe, l, 348.)
Në një hadith fisnik, Rasulallahu (a.s.), ka thënë: "Mësojini fëmijët tuaj që fjala e tyre e parë të jetë «La ilahe il-lallah»!" (Bejhaki, Shuabu'l-iman, VI, 398.)
Shkurtimisht, në çdo vend dhe kohë, qoftë gjatë ushqimit e kudo tjetër, fëmijëve tanë duhet t'u flasim për madhështinë e Allahut të Madhëruar, për faktin se Ai është krijuesi i gjithësisë, i ajrit që thithim, i diellit dhe i shumë mirësive të tjera si ushqimet, pijet etj., duke i ndihmuar ata, që në zemrat e tyre të zërë vend një besim i fortë në Allahun e Madhëruar. Gjithashtu, duhet t'u mësojmë atyre se Rasulullahu (a.s.). është një pejgamber i Zotit
dhe për këtë arsye, Zotin tonë dhe Pejgamberin e Tij, duhet t'i duam me gjithë shpirt dhe më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo, sepse prej një zemre që e do Allahun dhe Pejgamberin, nuk mund të pritet asgjë tjetër përveç mirësisë

2. Edukimi në lidhje me adhurimin

Një edukim i mirë në besim, ndiqet nga një edukim i mirë në adhurim. Allahu i Madhëruar, duke theksuar faktin se edukimi i fëmijëve me namaz është një çështje shumë e rëndësishme, thotë se, në mënyrë të veçantë namazit, duhet t'i jepet një rëndësi më e madhe nga ana e individit, familjes dhe shoqërisë në tërësi: "Urdhëroje familjen tënde që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë furnizim, por jemi Ne që të furnizojmë! .. "(Ta-Ha, 132)
Pas zbritjes së këtij ajeti, Rasulullahu (a.s.), shkoi në shtëpinë e vajzës së tij Fatma (r.a.) dhe urdhëroi: "Ejani në namaz!". Dhe këtë e vazhdoi me muaj të tërë. (shih. Buhari, Tehexhud 5; Muslim, Misafirin 206.)
Rasulullahu (a.s.). ka thënë: "Urdhërojini fëmijët tuaj të falin namaz kur të jenë shtatë vjeç dhe rrihini (lehtë), nëse nuk e falin kur të bëhen dhjetë vjeç. Po ashtu, ndajini krevatet e tyre (djemtë nga vajzat (Ebu Daud, Salat 26.)
Rasulullahu (a.s.), i jepte rëndësi të madhe edukimit të fëmijëve me Kuranin Fisnik dhe për këtë ka thënë: "Kush ia mëson fëmijës së tij leximin e Kuranit, i falen gjynahet e kaluara dhe të ardhme. Dhe kush ia mëson fëmijës Kuranin përmendsh, në Ditën e Kiametit, Allahu do ta ringjallë atë si hënë e plotë dhe fëmijës së tij do t'i thuhet: «Lexo!». Për çdo ajet që ai lexon, Allahu do ta ngrejë një gradë babain e tij. Kjo vazhdon kështu
derisa të mbarojnë ajetet e Kuranit që fëmija di përmendsh:'(Hejthemi,
VII,165-166.)

3. Edukimi në lidhje me ruajtjen nga gjynahet

Njëherë, kur Rasulullahu (a.s.), po e këshillonte Aishen (r.a.). të ruhej prej gjynaheve, përdori këto shprehje: "O Aishe! Ruhu prej punëve (gjynaheve më të vogla) që nënvleftësohen! Sepse tek Allahu gjendet dikush (një melek) që i vëzhgon dhe i shënon ato:' (Ibn-i Maxhe, Zuhd, 29; Darimi, Rikak, 17.)

4. Edukimi në lidhje me dhurimin

Ashtu siç i edukojmë fëmijët me namaz që në moshë të vogël, ashtu duhet t'i edukojmë ata që të japin, të ndihmojnë nevojtarët dhe të sakrifikojnë prej mundësive që kanë. Vogëlushët tanë duhet të shijojnë që në moshë të vogël kënaqësinë që të jep ndihma ndaj të tjerëve dhe marrja e duasë së tyre. Ata duhet ta dëshirojnë këtë kënaqësi shpirtërore më tepër se një ushqim të shijshëm dhe duhet ta përjetojnë paqen shpirtërore që të jep duaja e nevojtarit. Nëse fëmijët tanë rriten të privuar nga këto kënaqësi shpirtërore, kur të rriten do të jetë më e vështirë ta marrin këtë edukim. Kuptimi dhe të jetuarit e Islamit do të jetë më i vështirë për ta. Nisur nga kjo, njerëzit e mirë dhe dijetarët e vërtetë, ashtu siç i edukojnë fëmijët e tyre që në vogëli me besim dhe namaz, i mësojnë ata edhe të japin e të dhurojnë. Ata i mësojnë vogëlushët e tyre me zemra të freskëta, t'i duan nevojtarët dhe t'i ndihmojnë ata.
Hoxha ynë i nderuar Osman Nuri Topbash, tregon: "Në kohën e vegjëlisë, babai im Musa Efendi, Allahu e mëshiroftë, na merrte në xhami, na tregonte diçka në lidhje me xhaminë, pastaj na jepte një sasi parash, me qëllim që t'ua shpërndanim nevojtarëve aty përqark. Kurse nëna ime, rahmet pastë, gatuante ushqime të shijshme, i vendoste në enë të mbyllura dhe na i jepte që t'ua çonim fqinjëve tanë të sëmurë. Ne i çonim ushqimet dhe gëzoheshim aq shumë kur merrnim duatë e tyre, saqë dëshironim që t'u çonim edhe njëherë, me qëllim që të përjetonim përsëri atë gëzim shpirtëror që kishim ndjerë më parë.”

5. Edukimi në lidhje me mbulesën dhe veshjen

Mbulesa dhe nderi janë çështje që i takojnë vetëm njeriut dhe një urdhri fetar shumë të rëndësishëm. Në ditët tona, njerëzimi ka marrë një plagë të rëndë në lidhje me këtë çështje. Mënyra e veshjes, e cila nuk i përshtatet aspak natyrës njerëzore, është përhapur jashtë mase. Nisur nga kjo, është e domosdoshme që fëmijëve tanë, qofshin djem apo vajza, t'u japim edukimin e veshjes (mbulesës) që në moshë të vogël. Për fat të keq, disa prindër kanë mendime të gabuara dhe thonë; "Fëmijët janë ende të vegjël. Kur të rriten mbulohen e vishen si duhet”. Por, ky lloj mendimi nuk është i drejtë. Përkundrazi, fëmijës duhet t'i jepet ky edukim që në moshë të vogël, me qëllim që kur fëmija të vijë në moshën e pjekurisë, të mbulohet e të vishet pa vështirësi ashtu siç urdhëron Islami. Kjo ndodhi që transmetohet prej Pejgamberit tonë (a.s.), është shumë domethënëse në lidhje me këtë çështje:
Nëna jonë Aisheja (r.a.). ishte ulur në shtëpi bashkë me motrën e saj Esmanë (r.a.). Pejgamberi (a.s.). hyri brenda dhe vuri re se Esmaja (r.a.). kishte veshur një rrobë me mëngë të gjera. Sapo e pa, ai doli menjëherë jashtë. Ndërsa Aisheja (r.a.). i thotë motrës: "Largohu, sepse Rasulullahu pa tek ti diçka që nuk e pëlqeu.” Kur Esmaja (r.a.), doli, Pejgamberi (a.s.), hyri përsëri. Më pas, Aisheja (r.a.). e pyeti Rasulullahun (a.s.). për shkakun e këtij veprimi dhe ai u përgjigj: “A nuk e sheh gjendjen? Një gruaje myslimane mund t'i duket vetëm kaq (gjë)" dhe duke i kapur mëngët i mbuloi duart deri tek gishtat. Më pas mbuloi tëmthat me duar dhe la hapur vetëm fytyrën. (Hejthemi, V. 137.)

6. Shqetësimi për të ardhmen dhe përgatitja për botën tjetër

Në ditët e sotme, prindërit i ka kapluar një shqetësim i jashtëzakonshëm për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Si do të jetë e ardhmja e fëmijës tim? Çfarë do të hajë e do të pijë? Ku do të punojë? Do të jetë nëpunës apo drejtor? Mirëpo, brenda këtyre shqetësimeve, nuk zë vend asnjë shqetësim për jetën e përjetshme, pra për botën tjetër. E megjithatë, bota tjetër është e ardhmja e vërtetë. Jeta e vërtetë është ajo e botës tjetër. Nga kjo pikëpamje, shqetësimi kryesor duhet të jetë ai i botës tjetër. Në fakt, qëllimi numër një i dërgimit të pejgamberëve dhe zbritjes së librave, është t'u përkujtojnë njerëzve këtë të vërtetë.
Ejani të mësojmë direkt prej gojës së Pejgamberit tonë (a.s.), se si duhet të bëhet përgatitja e fëmijëve për botën tjetër: Për shkak se vajza e tij Fatma (r.a.), përdorte mullirin, duart e saj ishin bërë tërë plagë; për shkak se mbarte ujë me kacek, në qafë i hapeshin plagë dhe për shkak se fshinte shtëpinë, bëhej gjithmonë me pluhur kokë e këmbë. Njëherë, Rasulullahut (a.s.). i kishin sjellë disa skllevër. Sapo Fatma (r.a.), u mat të kërkonte një ndihmëse, Pejgamberi (a.s.), tha: "O Fatma! Ki frikë Allahun, kryej farzet (detyrimet) e Allahut dhe bëj punët e familjes. Kur të shtrihesh në shtrat, thuaj tridhjetetre herë subhanallah, tridhjetetre herë elhamdulil-lah dhe tridhjetetre herë Allahu Ekber! Kështu, gjithsej bëhen njëqind. Kjo, për ty është më e mirë se sa shërbyesja.” (Ebu Daud, Haraxh,19-20/2988. shih. Buhari, Humus, 6.)

7. Shembulli i prindërve

Nëna kangur i thotë birit të saj: "Biri im, përse ecën ashtu anash e anash? Ec drejt!" Biri i saj, i përgjigjet: "Nënë e dashur! Unë të kam parë të ecësh gjithmonë kështu. Prej teje kam mësuar të eci kështu. Nëse ti do të kishe ecur drejt, edhe unë do të kisha ecur si ti.”
Në fakt, kjo fabul e shkurtër tregon me të gjitha detajet kuptimin dhe rëndësinë e shembullit të prindërve për fëmijët e tyre, në çdo lloj sjelljeje, rregulli, virtyti dhe mirësie tjetër. Pra, s'ka nevojë për fjalë të tjera.
Nisur nga kjo, përgjegjësia e prindërve si kryefamiljarë në edukimin fetar të pjesëtareve të tjerë të familjes, është shumë i madh. Kjo çështje është aq serioze, saqë nuk pranon neglizhencë dhe nënvleftësim, sepse ekzistojnë shumë ndikues të jashtëm, që në mënyrë të veçantë, fshijnë ndjenjat e të rinjve, tundojnë egot e tyre dhe i shkëpusin ata nga shpirtërorja, duke i bërë robër të egos.
Nga kjo pikëpamje, shkolla, rruga dhe rrethi, përmbajnë cilësi më shumë të dëmshme se sa të dobishme. Ndikimi shkatërrues i mediave të shkruara e vizive, në mënyrë të veçantë i internetit, ka arritur në përmasa që nuk mund të shprehen me fjalë. Pra, është shumë e qartë se çfarë kujdesi dhe përpjekjeje duhet të bëjmë në lidhje me edukimin fetar të fëmijëve tanë.



Prof.dr. Omer Çelik
Revista Etika

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.