Mulla Abdyl Tahiraj

Mulla Abdyli u lind në vitin 1925 në fshatin Tërdefc, komuna e Drenasit, në familjen e njohur e bujare dhe patriotike të Fazli Behramit. Kjo familje në të gjitha periudhat e rezistencës së popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj, në kullën e vet u dha bukë dhe strehoi shumë luftëtarë dhe atdhetarë të njohur, që nga Isa Boletini, Azem Galica, Rrustë Kabashi, Dan Daroci e deri tek Sefedin Begu i Pejës dhe Murat Kurshumliu i Prishtinës.

Për shkak të kësaj veprimtarie atdhetare, kulla e Fazli Behramit ishte rrethuar disa herë nga xhandarmëria serbe-jugosllave dhe tri herë ia kishin vënë zjarrin. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore kjo familje ishte në shënjestër të pushtetit serb. Në vitin 1953, babën e mulla Abdylit, Sylejmanin, Gjyqi i Qarkut i Pejës e dënoi me katër vjet burg të rëndë, me akuzën se kishte bashkëpunuar dhe i kishte dhënë bukë Rifat Berishës, i cili me vëllezër ishte arratisur në mal.
Për vuajtjen e dënimit në fillim ai u dërgua në burgun e Nishit, e pastaj u transferua në burgun famëkeq të Goli Otokut, ku mbajti tre vjet. Me burgosjen e Sylejman Fazlisë, si masë ndëshkuese shtesë, pushteti leçiti dhe izoloi nga të tjerët familjen e tij dhe kjo leçitje zgjati edhe shtatë vjet pas lirimit të tij nga burgu.
Mulla Abdyli shkollën fillore e kreu në Likoc, mektebin në xhaminë e Abrisë, kurse medresenë në Gjakovë tek myderrizi i njohur hafëz Fahri Iljazi. Gjatë luftës së Shaban Palluzhës në fillim të vitit 1945, mulla Abdyli ishte plagosur nga ushtria partizano-çetnike.
Me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për shkak se ndihej nevojë jashtëzakonisht e madhe për njerëz të shkolluar organet e arsimit i ofruan detyrën e mësuesit në Açarevë dhe ai e pranoi me kënaqësi. Mulla Abdyli, krahas arsimit fetar kishte kryer edhe kursin e mesëm financiar në vitin 1949 në Pejë. Megjithatë puna e tij në arsim nuk zgjati shumë, sepse organet partiake komuniste filluan t'i shtronin kushte që ai nuk mund t'i pranonte. Këto kushte kishin të bënin me ndalimin e zbatimit të detyrave fetare. Në muajin e Ramazanit, përpos të tjerash, i thanë se duhej të zgjidhte ose punën si mësues, ose Ramazanin. Ai nuk hoqi dorë nga zbatimi i detyrimeve të shenjta fetare dhe lëshoi detyrën e mësuesit.
Pas burgosjes së babait të tij, mulla Abdyli ishte nën përcjellje të pushtetit e për këtë shkak edhe pse kishte përgatitje të duhur shkollore, për një kohë të gjatë nuk pati mundësi të punësohej, madje as si imam në ndonjë xhami.
Fillimisht ai u angazhua si hoxhë vetëm për Ramazan në fshatrat Gradicë, Domanek, Mleçan etj., ndërsa si imam i përhershëm, me dekret nga kryesia e BI të Prishtinës, u emërua në maj 1970 në xhaminë e fshatit Baran të Pejës.
Për t'i shkolluar fëmijët, mulla Abdyli kaloi për të jetuar në Prishtinë, dhe në prill të vitit 1980 u transferua si imam në xhaminë e Sllatinës së Madhe. Në qershor të vitit 1981 ai u transferua imam në xhaminë e Llapit në Prishtinë, ku shërbeu deri në shtator 1997, kur u pensionua mbi bazë të pleqërisë.
Mulla Abdyli ishte njeri komunikativ me sjellje të mira dhe gjitherë i dashur e i respektuar në popull. Në të gjitha vendet ku ka shërbyer, ka qenë aktiv në detyrën e imamit dhe ka kontribuar në zhvillimin e jetës fetare. Ai ka qenë abonues i rregullt në shtypin fetar dhe shpërndarës aktiv i tij në xhemat. Sa ishte imam në Baran, me angazhimin e tij, xhemati e meremetoi xhaminë dhe ndërtoi minaren e saj. Gjithashtu edhe në Sllatinë, me iniciativën e tij qe ngritur minarja e re, kurse në xhaminë e Llapit, xhemati kishte bërë disa adaptime.
Edhe pse i takonte brezit të vjetër të hoxhallarëve, mulla Abdyli kishte ide përparimtare dhe botëkuptime bashkëkohore. Në ligjërimet e tij vazhdimisht i kushtonte rëndësi çështjes së arsimimit të të rinjve dhe punës në përgjithësi. Në lidhje me këtë, ai qysh herët duke i shkolluar të gjithë fëmijët e tij - si djemtë ashtu edhe vajzat, praktikisht u bë shembull për të tjerët. Përveç kontributit në aspektin fetar, mulla Abdyli dha kontribut të madh edhe në aspektin kombëtar. Si në xhami, ashtu edhe në tubime të ndryshme me xhemat, krahas obligimeve ndaj fesë, fliste edhe për detyrat dhe obligimet ndaj kombit dhe atdheut. Për këtë qëllim ai çmonte lart njerëzit në shërbim të atdheut, kurse ata në shërbim të armikut i kritikonte dhe i urrente shumë. Gjatë gjithë kohës së okupimit nga regjimi i Milosheviçit, mulla Abdyli me një optimizëm të madh u jepte vullnet dhe shpresë njerëzve për një të ardhme më të mirë që, me ndihmën e Zotit, do të kurorëzohej me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Duke marrë parasysh autoritetin që gëzonte mulla Abdyli në popull, dhe veprimtarinë e tij të gjithanshme për çështjen kombëtare, aktivistët e Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve e inkuadruan në gjirin e tyre. Në bashkëpunim me veprimtarët e këtij këshilli: Dr. Zekeria Cana, Kajtaz Rrecaj, Anton çetta, Muhamet Pirraku, Sami Peja, Musa Sinani, Tefik Geci, Hakif Bajrami etj., nga viti 1992 e deri në vitin 1999, u pajtuan shumë gjaqe e ngatërresa në tërë Kosovën e më gjerë.
Për shkak se policia serbe me autoblinda qe stacionuar pranë derës së xhamisë së Llapit dhe kohë pas kohe maltretonte xhematin e saj, mulla Abdyli u konfrontua trimërisht me policë, të cilët i kritikonte pse e pengonin dhe maltretonin xhemati n duke hyrë e dalë nga xhamia.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai strehoi bujarisht shumë familje të farefisit, të miqve dhe dashamirëve nga Drenica. Kur u dëbua popullata nga forcat ushtarako-policore serbe, mulla Abdyli qëndroi në shtëpinë e tij derisa hynë forcat e NATO-s dhe kapitulloi armiku.
Vlen të theksohet se vetëm pak çaste para se policia serbe t'i vinte zjarrin xhamisë së Llapit, mulla Abdyli, për fat, kishte dalë prej saj. Shumë njerëz kishin menduar se edhe ai qenkësh djegur në xhami, por Allahu e kishte shpëtuar, sepse Ai është caktues i jetës dhe vdekjes.



Hajrullah Hoxha

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.