Zhvillohet konferenca ndërkombëtare me temë: “Sfidat e myslimanëve në shoqërinë e shekullit XXI”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Kolegjin Universitar Bedër, organizuan Konferencën e Parë Ndërkombëtare në Shkencat Islame me temë: “Sfidat e myslimanëve në shoqërinë e shekullit XXI”.

E para në llojin e saj në vendin tonë, konferenca e zhvilluar në ambientet e KU Bedër, mblodhi së bashku rreth 40 akademikë të fushave të ndryshme nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe vendet e tjera fqinje.
Kjo konferencë fokusohet të trajtojë problemet aktuale shoqërore të myslimanëve kudo në botë dhe t’u jap zgjidhje me një vizion të qartë islam dhe social në dobi të integrimit të myslimanëve në shoqëritë ku jetojnë, duke u bërë faktor stabiliteti, paqeje dhe shprese për çdo vend.
Në fjalën e tij të hapjes, Kryetari i Konferencës, njëkohësisht edhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Genti Kruja, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve në aktivitet, u ndal në rëndësinë e trajtimit të problematikave të besimit Islam kudo në botë në platforma të tilla shkencore.
“Ndër sfidat më të mëdha, që përballet sot njerëzimi në përgjithësi dhe myslimanët në veçanti, pikë së pari vjen arsimimi dhe edukimi, të cilat lënë për të dëshiruar në shumicën e vendeve me popullsi myslimane. Myslimanët duhet t’i kthehen me urgjencë arsimimit dhe edukimit me frymën dhe edukatën islame, të gërshetuar me shkencat ekzakte dhe sociale bashkëkohore, sepse nga dituria dhe dija nuk vjen asnjë dëm, por vetëm se dobi, përparim, kulturë, mirëqenie dhe bashkëjetesë paqësore”. – tha ai.
Ceremonia e hapjes vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, i cili u shpreh entuziast për kontributin e akademikëve pjesëmarrës në gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme për një pjesë të problematikave aktuale të besimit Islam në Shqipëri, vendet fqinje e më gjerë.
“Para një shekulli, një dijetar mysliman i asaj kohe, theksonte se “problematikat kryesore të myslimanëve janë tre: E para, varfëria, që i ka kapluar; e dyta, injoranca dhe mungesa e dijes; e treta, përçarja mes tyre. Pavarësisht se ka kaluar një shekull, duket se këto probleme vazhdojnë të jenë të pazgjidhura, madje janë shtuar e thelluar. Pikërisht kjo duhet të jetë sfida jonë kryesore si myslimanë: Të përmirësojmë sa më shumë gjendjen tonë në aspektin shpirtëror, shkencor, kulturor e ekonomik dhe, si rrjedhojë, të shoqërisë në të cilën jetojmë. Lusim Allahun, që kjo konferencë, si një përpjekje modeste, të shërbejë për të hedhur dritë mbi sfidat që përmendëm dhe të japë zgjidhjet e duhura për problematikat e sotme”- theksoi ai gjatë fjalës së tij.
Më tej ishte radha e Znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet të përshëndeste të pranishmit. Pasi vlerësoi institucionet bashkëpunuese në organizimin e kësaj konference, ajo u ndal në politikat mbështetëse të institucionit që ajo drejton në sigurimin e të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimit në vendin tonë.
“Konferenca e sotme por edhe organizime të tilla të ngjashme që janë zhvilluar në vitet e mëparshme, janë dëshmi e qartë se institucionet e kultit në vendin tonë po bëjnë një punë mjaft të madhe në ruajtjen e vlerave dhe traditave të të parëve tanë në konsolidimin e mëtejshëm të shoqërisë me vlera morale universale. Në këtë aspekt mbështetja e Komunitetit të Kulteve do të jetë e pakushtëzuar sepse identifikimi dhe zgjidhja e problemeve identitare është në të mirën tonë të përbashkët”- përfundoi ajo.
Ndërsa Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe u shpreh entuziast në referime sa më të suksesshme me synimin për të arritur objektivat dhe pritshmëritë, reflektoi mbi gjendjen aktuale të myslimanëve sot në botë.
“Është detyrë dhe përgjegjësi parësore e të gjithëve ne, e myslimanëve kudo në botë, që fillimisht ta kuptojmë dhe jetojmë drejt Islamin, ashtu siç është ai ne vetvete, paqësor dhe tolerant, e më pas të japim kontribut sado të vogël në qarqet e ngushta lokale me organizime të tilla të ngjashme” – tha z. Gjana gjatë fjalës së tij.
Pas përfundimit të fjalëve përshëndetëse të të lartë përmendurve, Dr. Mustafa Ceriç, President i Kongresit Botëror Boshnjak, Sarajevë dhe njëkohësisht i ftuari special i kësaj konference, ndau me të pranishmit një sërë aspektesh aktuale të temës në fjalë.
“Ne na intereson të jetojmë dhe të punojmë bashkë për shkak të origjinës, autoktonisë në këto treva ballkanike, fesë, kulturës dhe traditës që ne ushqejmë. Shpreh mirënjohjen time ndaj kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe ndaj të gjithëve atyre të cilët me kontributin e tyre bënë të mundur organizimin e kësaj konference sa të domosdoshme aq edhe aktuale për nevojat e kohës në të cilën jetojmë. Ne si myslimane jemi pjesë edhe e problemit edhe e zgjidhjes së situatës. Na takon ne të zgjedhim ku duam të jemi. Ne duhet të fillojmë të mësojmë të jetojmë të bashkuar në diversitet, ta respektojmë njëri-tjetrin ashtu siç themi që e duam për hir të Krijuesit.” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Pas referimit të Dr. Ceriç, konferenca vazhdoi punimet e saj në disa sesione paralele me tema të ndryshme, ku akademikët pjesëmarrës ndanë me studentët dhe të ftuarit e tjerë të pranishëm tema të tilla si: “Arsimi fetar Islam në Shqipëri, përgjatë historisë”, “Roli i myslimanëve në shoqërinë evropiane”, “Përballja e Myslimanëve me Sprovën e Hipokrizisë në Shoqërinë e Shekullin XXI”, “Globalizmi, pluralizmi dhe kriza e identitetit”, “Domosdoshmëria e fesë në shoqërinë moderne” etj./kmsh/





Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.