Njeriu i mirë dhe urtësia

(Urtësia, dituria dhe informacionet)

"Kjo edhe nuk është kohë e mirë, dhe ju nuk mund të kuptoni se ndonjëherë kishte njerëz të mirë ..." (AlijagaKarabeg)
Ne sot jetojmë në një kohë të progresit dhe zhvillimit të madh, kohën e kulmimit të teknologjisë dhe arritjeve të saja. Çdo kohë ka rrjedhën e saj, “koritën e saj” në të cilën rrjedh sikur uji i burimit. Ne nuk kemi asgjë kundër kësaj kohe të teknologjisë, mirëpo, ajo ka shumëçka të drejtuar kundër nesh. Kjo epokë e ka anën e saj pozitive, megjithatë, ajo fsheh anën tjetër të saj të cilën është vështirë ose e pamundur që të kuptohet. Kjo epokë e teknologjisë i ngjan një pasqyre, ne e shohim veten në pasqyrë ashtu si na e paraqet ajo, por, e njëjta ajo pasqyrë e fsheh dhe nuk e tregon anën e saj të kundërt - e cila paraqet realitetin tonë të njëjtë.
Sot, në kohën në të cilën jetojmë, dëshirojmë të arrijmë gjithçka, sikurse thotë populli "të gatshme”, e gjitha e shërbyer e gatshme "si në pjatë."
Koha në të cilën jetojmë është një kohë e informacioneve dhe arritjeve teknologjike, madje, deri në masën që edhe njohuritë shkencore janë reduktuar në informacione të thjeshta dhe të avashta. Sikurse ka thënë profesori në FSHI në Sarajevë, dr. Enes Kariq, në një emision televiziv: “Dikur ishte urtësia (mençuria) të cilën e harruam me diturinë, e më pastaj diturinë e zëvendësuam me informacione...”
Si të mos jetë gjendja çfarë është dhe çfarë e përjetojmë, kur gjithmonë e më shumë dituria dhe urtësia margjinalizohen, kur urtësia lihet mënjanë dhe më shumë i jepet prioritet informacioneve të thjeshta të shërbyera për ne në pajisje më të reja teknologjike të kohës. I mbaj mend edhe fjalët e profesorit tjetër po nga FSHI-ja në Sarajevë, të kurra-hafëzit dr. Xhevad Shoshiqit, i cili me një rast na patë thënë: "Sot, si kurrë më parë shkruhen dhe përkthehen libra fetarë, por më pak ka lexues për t'i lexuar këto libra." Në të vërtetë është kështu, për fat të keq, prandaj duhet ditur se “dituria” dhe “urtësia” fitohen vetëm me leximin e librave dhe në asnjë mënyrë tjetër, por, sot kjo gjë është bërë si “e mërzitshme”.
Në fillim të këtij teksti, me shkas e kemi përmendur thënien e Alijaga Karabegut, një plaku të urtë dhe të devotshëm i cili ka jetuar në kohën e fëmijërisë së autorit të mirënjohur boshnjak Alija Nametak. Ky autor në librin e tij "Tregimet e Ramazanit"(1) e përmend shembullin e shkëlqyer të Alijaga Karabegut, i cili kishte jetuar në qytetin Mostar të Bosnje e Hercegovinës, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet. Kur disa ditë para pushtimit të Bosnje e Hercegovinës (në v. 1878) turma e përflakur e likuidoi myftiun Karabeg, i cili nuk ka dhënë pëlqimin e tij për t'i rezistuar hyrjes së Austro-Hungarisë, plaku Alijaga u largua nga Mostari në fshatin Uzariqi, ku mbeti për dyzet vjet. Pas viteve që kaloi në fshatin e përmendur, Alijaga kthehet në Mostar, por krejtësisht i zhgënjyer me çdo gjë që kishte parë tani aty. Shtrohet pyetja se çfarë kishte parë në Mostar e që e zhgënjeu aq shumë? Qyteti ka ndryshuar, njerëzit kanë ndryshuar, zakonet janë bërë ndryshe. Është venitur imazhi i qytetit të vjetër me shtëpi të vogla e me çati prej guri, përplot me hoxhallarë e haxhilerë, me fese e çallma mbi krye... Nuk ka më tubime sikur kishte dikur - nuk ka më tregime plot urtësi... Me një fjalë, kishte kuptuar se gati se urtësia është zhdukur nga ai qytet...
Po në të njëjtin libër autori në fjalë, përmend shembullin e një njeriu të zgjuar dhe të mirë, ndërsa të tjerët e konsideronin si njeri të furishëm. Ky njeri është quajtur Mehmed Hindo, i cili ishte pak njeri “në dorën e vetë”. Shtëpia e tij ishte e agallarëve të vjetër, të cilët kishin vende të bukura dhe bujkrobërit, por ai kurrë nuk donte të hante nga ajo që sillnin bujkrobërit në shtëpi. Atë që sillnin bujkrobërit dhe për çfarë të gjithë thoshin se është e fituar "me të drejtë" ai e quajti "pa të drejtë", sepse, sipas tij, nuk është e drejtë që ata të punojnë kurse të tjerët të hanë frytet e punës së tyre. Ky njeri i urtë nuk kishte ndonjë zanat, por, kishte nevojë që të jetojë, dhe vendosi që të enjteve në mbrëmje (d.m.th. në prag të së premtes) të vizitojë shtëpitë e hoxhallarëve, mualimëve dhe myderrizëve, të cilët ishin dhjetë prej tyre në qytet, dhe u kërkoi atyre që t'i përgatisin pite: byrek me mish, me djathë, me patate, etj.
Shtrohet pyetja, përse Hindo nuk pranoi të hajë nga ajo që sillnin bujkrobërit kurse pranoi të kërkojë nga personalitete fetare, nga ajo që kanë fituar prej duarve të tyre? Përgjigjja është e thjeshtë, Hindo besonte dhe ishte i bindur se hoxhallarët fitonin me të drejtë dhe në mënyrë të ligjshme, dhe donte që të hajë vetëm prej punës së tyre. Natyrisht, prej këtij gjesti kuptojmë se me të vërtetë ishte njeri i mençur dhe i urtë, edhe pse atë e trajtonin ndryshe në vendin e tij.
Ne, në veçanti sot, kemi nevojë që të marrim shembuj/ibret dhe mençuri/hikmet prej njerëzve dhe shembujve të këtillë, nga stërgjyshërit dhe gjyshërit tanë të cilët janë munduar që të fitojnë kafshatën e bukës në mënyrë të drejtë e të ligjshme e që t'i ushqejnë fëmijët e tyre në mënyrë hallall dhe të drejtë. Ne sot, shohim dhe jemi dëshmitarë se disa edhe prej “myslimanëve” nuk ia vunë veshin kësaj çështjeje, nuk i shqetëson se si fitojnë kafshatën e bukës dhe si i ushqejnë fëmijët e tyre, kurse kur të shfaqet ndonjë problem në familjet e tyre nga ana e fëmijëve, ata ia gjuajnë fajin fëmijëve, kurse vetë problemi qëndron tek ata si prindër të tyre sepse nuk janë menduar me kohë se si i ushqejnë fëmijët e vetë.
Ta kujtojmë hadithin e Muhamedit s.a.v.s., të cilin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi, ku thuhet: "Pejgamberi s.a.v.s., tregon për një njeri që ishte në udhëtim, i cili kishte flokët të pluhurosura, i ngre duart nga qielli dhe thotë: “O Zoti im! O Zoti im!” Ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram dhe ai është i zhytur në haram. E si t'i përgjigjet Allahu këtij njeriu?!"(2)
Si mund të jenë të lumtur dhe si mund të ndjejnë kënaqësinë e adhurimit ndaj Zotit të Plotfuqishëm përderisa marrin ryshfet, merren me kamatën, iu bëjnë padrejtësi njerëzve?(3)
Nuk ka dyshim se ata që ushqehen me haram, nuk mund ta adhurojnë Allahun, dhe krekosen me këto fjalë boshe që thonë. Kjo krekosje e tyre vlen vetëm për jetën e kësaj bote. Në Ditën e Gjykimit, kur të vijë momenti që ata do të ndahen nga besimtarët e sinqertë dhe të devotshëm, atyre do t'u thuhet: “E tash, o ju kriminelë, ndahuni! O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk ua dërgova porosinë që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!? (Ju porosita) Të më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt! Vërtet, ai ka humbur shumë njerëz prej jush, a nuk mblodhët mend?”(4)
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Numan Ibn Beshiri r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Hallalli është i qartë e po ashtu edhe harami është i qartë, ndërkohë që mes tyre ka gjëra të paqarta, të cilat nuk i dinë shumica e njerëzve. Andaj kush ruhet nga gjërat e dyshimta e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet. Ndërsa kush bie në to, ka rënë në haram. (Kjo është) ngjashëm me çobanin që e kullot bagëtinë përreth tokës së ruajtur (të dikujt tjetër); nga çasti në çast pritet që bagëtia e tij të futet aty... Vërtet se në trupin e njeriut është një copë mishi, e cila nëse është e shëndoshë, edhe trupi tërësisht do të jetë i shëndoshë. E, nëse prishet, edhe trupi tërësisht do të prishet. Ajo (copë mishi) është zemra.”(5)
Së fundi, le të kujtojmë hadithin e Pejgamberit s.a.v.s., i cili me një rast ka thënë: “Të gjithë jeni barinj dhe të gjithë do të përgjigjeni për tufën tuaj. Kryetari i popullit është bari i popullit dhe do të përgjigjet për popullin e vet. Njeriu është bari i familjes së vet dhe do të përgjigjet për të. Gruaja është bareshë e shtëpisë së burrit dhe do të përgjigjet për të. Shërbëtori është bari i pasurisë së zotëriut dhe do të përgjigjet për të..”(6)
Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara.”(7)
Gjithashtu, le të kujtojmë edhe fjalët e Aliut r.a., i cili kishte thënë: "Edukoje fëmijën tënd para se të lindë."(8)
Një fjalë popullore thotë: "Fëmija edukohet njëzet vjet para se të lindë!"

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.