Lexojmë bashkë me familjen

Mënyra më e mirë për të transmetuar, ruajtur dhe fiksuar dijen, lajmin, mendimin dhe ndjenjën është duke e shkruar atë... Leximi më i mirë arrihet kur kapim shenjat e vogla të fshehura mes rreshtave...

Në kohën kur njerëzit nuk dinin shkrim e këndim, ishte shumë i përhapur komunikimi verbal. Ndjenjat, mendimet, besimet, lidhjet dhe rregullat ruheshin në mendje dhe transmetoheshin me anë të fjalës, gjuhës dhe zërit. Kujtesa ishte burimi i dijes. Njerëzit regjistronin në mendje të gjitha ato që dëgjonin dhe ngjarjet në të cilat kishin qenë dëshmitarë e më pas ua përcillnin edhe të tjerëve. Më pas u zbulua shkrimi. Fjala është e dobët, ndërsa shkrimi është i fuqishëm. Njerëzimi kishte gjetur mënyrën për ta përjetësuar mendimin duke ua transmetuar brezave të ardhshëm. Fjalët u kthyen në fjali; fjalitë në paragrafë dhe paragrafët në libra.
Teksa librat, banesat e mendimeve dhe ndjenjave, u shumëfishuan, u rrit edhe niveli i diturisë së shoqërive, aftësia artistike dhe fuqia shpirtërore e materiale. Qytetërimet filluan të përmendeshin me bibliotekat, shtëpitë e librave... Bibliotekat e Bagdatit, Egjiptit dhe Kordobës u kthyen në djepe kulture.

Qytetërimi i librit

Nuk ka asnjë dyshim se libri i shkruar merr vlerë nga lexuesi. Në momentin kur libri nuk takohet me lexuesin, ai e humb qëllimin e vet. Për këtë arsye, qytetërimi nuk formohet nga libri, por nga leximi. Njeriu që lexon nuk fiton vetëm njohuri të reja; përtej diturisë, ai fiton veçanti dhe perspektivë të re. Njeriu mëson duke lexuar, dallon duke lexuar dhe ripërtërihet duke lexuar. Pikërisht kjo përtëritje bën të mundur fitimin e një këndvështrimi të ri. Ai shikon gjëra që nuk i ka shikuar më përpara, gjëra që nuk i ka dëgjuar dhe ndjenja që nuk i ka provuar. Ai arrin të fitojë eksperienca të reja pa i jetuar ato. Mbase për këtë arsye urdhri i parë ka lidhje me leximin... Mos të harrojmë se urdhri “lexo” i erdhi një populli në të cilin komunikimi verbal kishte mundur komunikimin e shkruar. (Razi, et-Tesfirul Kebir, XVII/94). Për më tepër që historianët nxjerrin në pah faktin se para Islamit, arabët nuk kishin asnjë vepër të shkruar. (Hamidullah, Historia e Kuranit Kerim, 56) Eksperti i Çështjeve Fetare në Këshillin e Lartë, Dr. Bahattin Akbash, në lidhje me urdhrin e parë (“Lexo!”) thotë: Allahu i Lartësuar na shfaq qëllimin e krijimit tonë duke thënë: “lexo”. Leximi është një detyrë dhe përgjegjësi e rëndësishme. Njeriu duhet të lexojë veten, njerëzit që e rrethojnë, ajetet Kuranore dhe gjëra të dobishme.”

Përfitimet e leximit

Akbash thotë: “Njeriu mëson duke lexuar dhe zhvillohet duke mësuar; në këtë mënyrë fiton lumturinë e kësaj bote dhe të Ahiretit.” Jo më kot, specialistët e fushës kanë arritur në përfundimin se leximi e zhvillon zgjuarsinë dhe tregojnë se aftësia për të kuptuar dhe për të perceptuar është 60% më e madhe tek njeriu që lexon, krahasuar me atë të njeriut që nuk lexon. Kjo ndodh sepse gjatë leximit truri fillon të krijojë lidhje mes dy lobeve dhe kjo lidhje ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e trurit. Leximi nuk zhvillon vetëm aftësitë logjike të njeriut, por edhe aftësitë sociale. Sipas Dr. Bahattin Akbash: “Ne jemi përgjegjës për mësimin e gjërave të reja çdo ditë dhe transmetimin e këtyre njohurive tek njerëzit e tjerë. Ne duhet t’i lexojmë mirë vlerat tona në mënyrë që të kuptojmë të shkuarën, historinë dhe më pas t’i japim formë të ardhmes.”

Leximi i duhur

Leximi na është bërë farz nga Allahu dhe në të njëjtën kohë është një veprimtari prej të cilës kemi përfitime të mendjes e të shpirtit. Por lind pyetja: “Cila është mënyra e duhur e leximit?”. Pikat më të rëndësishme janë: zgjedhja me kujdes e materialit të leximit, kuptimi i asaj që lexojmë, thellimi në brendësinë e shkrimit, meditimi në lidhje me vërtetësinë e asaj që lexojmë dhe kthimi në vepra i dijes së re të fituar. Libri ynë i shenjtë, Kurani Kerim, në lidhje me leximin e duhur e vë theksin pikërisht në këto pika: lexim i kujdesshëm, i ndërgjegjshëm, duke kuptuar dhe duke vepruar. Në ajetin e 121-të të sures Bekare thuhet: “Ata, të cilëve u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç është shpallur, besojnë vërtet në të. Kurse ata që nuk besojnë në të, pa dyshim, janë të humbur. ” Sipas komentimit të Fahreddin er- Razi, fjala: “tilavet / lexim” ka kuptimin: “duke zbatuar detyrat, pa hequr asgjë prej saj”. (Mefatihul Gajb, I, 703) Mos të harrojmë se leximi që mbetet abstrakt dhe nuk kthehet në vepra çon tek krahasimi: “si një gomar që mbi shpinë mban vëllime të tëra me libra”. Për këtë arsye duhet t’i japim leximit atë që i takon.

Lexojmë bashkë me familjen

Kur mënyra e leximit është ajo e duhura, të fituar dalin individët, shoqëritë si dhe familjet. Leximet e bëra së bashku me familjen ndikojnë në forcimin e komunikimit dhe transmetimin e diturisë dhe eksperiencës. Dihet se dallimet gjuhësore mes brezave të ndryshme sjellin diferenca shoqërore dhe në mënyrën e jetesës. Leximi është mënyra më e mirë për t’i përcjellë fjalët nga një brez në tjetrin.
Ndodh shumë herë që fjalët e përdorura nga prindërit janë të pakuptueshme nga fëmijët. Nga ana tjetër këto të fundit përdorin fjalë të huazuara nga gjuhët e tjera, të cilat janë të huaja për prindërit. Pasurimi i “thesarit të fjalëve” do të bëjë të mundur përdorimin e një gjuhe të përbashkët për të gjithë familjen. Ja pra, në këtë pikë vjen në ndihmë “leximi”, i cili pasuron fjalorin e pjesëtarëve të familjes dhe forcon lidhjet shpirtërore mes tyre. Fatkeqësisht, në ditët e sotme, “leximi” është shumë larg nga të qenit një aktivitet i përbashkët familjar. Familjet lexojnë shumë pak. Tashmë televizioni dhe interneti ka zënë pjesën më të madhe të kohës sonë. Libri po përballet me konkurrentët e vet. Rrjetet sociale janë përhapur aq shumë dhe na kanë sjellë instrumente të reja komunikimi. Tashmë ne mund ta shprehim mendimin tonë duke përdorur vetëm 140 karaktere. Në të kundërt me atë që mund të mendohet, kjo nuk na ka dhënë aftësinë për të folur pak dhe saktë. Thjesht, jemi kthyer në njerëz që mund t’i kuptojmë edhe çështjet më të rëndësishme me 140 karaktere dhe në këtë mënyrë na është zbehur durimi për të lexuar shkrime të gjata. As perceptimi i kësaj të vërtete nuk ndryshon asgjë. Për shkak të të gjitha këtyre që thamë më sipër, ne duhet ta zbatojmë urdhrin e Allahut të Lartësuar (lexo!) në familjet tona; duhet t’i mundësojmë fëmijëve dhe të rinjve tanë kushtet për ta shijuar këtë aktivitet.
Dr. Bahattin Akbash thotë: “myslimanët që duan të kenë një familje të bërë një me leximin dhe me librat nuk mund ta kufizojnë leximin vetëm në disa fusha. Mos të harrojmë se urdhri “lexo” përfshin të gjitha fushat fetare dhe njerëzore. Prandaj është shumë e rëndësishme që individi të fitojë zakonin e të lexuarit që në strehën familjare, që në periudhën e edukimit. Familja ka një rol shumë të rëndësishëm në përvetësimin e këtij zakoni. Prindërit, para se të këshillojnë fëmijët për të lexuar, duhet të bëhen vetë nëna dhe baballarë që lexojnë. Këshilla më e mirë jepet me vepra. Zakoni ynë i bukur dhe i rëndësishëm i leximit, do të ketë efekt pozitiv tek fëmija. Gjithashtu mund të caktohet një orar leximi për familjen. Në këtë kohë të paracaktuar mund të zhvillohen lexime individuale ose në grup. Kjo ndihmon njeriun për të fituar zakonin e të lexuarit. Unë besoj se regjistrimi në biblioteka dhe vajtja atje së bashku me fëmijën ose vizitimi i panaireve të librit, do të jetën shumë të dobishëm.”
Fëmijët takohen me librat nën drejtimin dhe vëzhgimin e të rriturve. Prindërit që e kryejnë me sukses këtë detyrë, do t’u mësojnë fëmijëve nevojën për lexim. Në fakt leximi nuk është detyrë, por nevojë. Nevojë për të kryer urdhrin e parë dhe për të dalë faqebardhë në Ditën e Gjykimit me librat që kemi shkruar dhe ato që kemi lexuar...

A lexojmë së bashku me familjen?

• A merrni libra të përshtatshëm për moshën e fëmijës tuaj?
• A i keni lexuar librat që ia keni këshilluar fëmijës tuaj?
• A keni një orar të caktuar për leximin me familjen?
• A keni bibliotekë në shtëpinë tuaj?
• A janë pjesëtarët e familjes anëtarë të bibliotekës së qytetit?
• A flisni me familjen tuaj në lidhje me librat e lexuar?



Dr. Fatma Karahan
Revista Etika

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.