Namazi i teravisë, kuptimi dhe ligjshmëria


Pejgamberi a.s., u frikësua që namazi i teravisë të bëhej obligim (farz) me xhematë në xhami, dhe për këtë shkak i urdhëroi që ta falin namazin e teravisë në shtëpitë e tyre.

Teravia(1), nga gjuha arabe është shumësi i fjalës terviha, që është pushimi. Namazi me xhematë në netët e Ramazanit është quajtur teravi, sepse në fillim, kur u mblodhën për faljen e tij, pushonin në mes të çdo selami.
Ajo është synet i fortë(2) (sunetun-muekede), ku sipas transmetimit të hazreti Aishes r.a., bashkëshortes së Resulullahut a.s., mësojmë se: “I Dërguari a.s. u fal (natën e parë të Ramazanit) në xhami (namazin e teravisë, pas namazit të jacisë) dhe së bashku me të u falën edhe ca njerëz. Pastaj u fal natën pasuese (të dytën). Pastaj njerëzit u tubuan në natën e tretë, por Resulullahu a.s. nuk doli. Të nesërmen, u tha: E pashë atë që vepruat, dhe nuk më ndaloi të dal në mes jush vetëm se frika që t’ju obligohet (ky namaz) në Ramazan!”(3)
Pejgamberi a.s., u frikësua që namazi i teravisë të bëhej obligim (farz) me xhematë në xhami, dhe për këtë shkak i urdhëroi që ta falin namazin e teravisë në shtëpitë e tyre. Ky kuptim ra me vdekjen e Pejgamberit a.s. dhe për këtë, hazreti Omeri r.a. i tuboi myslimanët pas një imami të vetëm, që ishte Ubej ibën Kabi r.a., për t’i drejtuar ata në namazin e teravisë, pasi që e falnin atë në mënyrë individuale, ose me xhemate të vogla, siç e transmeton Imam Buhariu.
Për këtë veprim të hazreti Omerit r.a., namazi i teravisë i atribuohet atij, dhe asnjëri prej sahabëve nuk e kundërshtoi në atë që veproi, duke u bërë namazi i teravisë me xhematë, çështje konsensuale (ixhma).(4)

Koha e kryerjes, numri i rekateve dhe forma e tij

Koha e këtij namazi është mes namazit të jacisë dhe atij të vitrit.(5) Kësisoj nuk lejohet të falet para jacisë, as pas vitrit. Numri i rekateve të tij është njëzet (20), siç kanë thënë shumica e dijetarëve, prej të cilëve: Imam Ahmedi, Imam Shafiiu, hanefitë, etj.
Imam Maliku ka thënë: “Namazi i teravisë është tridhjetë e gjashtë (36) rekate dhe falja e tij në xhami me xhematë është më e mirë se falja e saj në shtëpi në mënyrë individuale.
Ajo falet dy nga dy, duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh dhe me një pushim pas katër rekateve. (Në trashëgiminë diturore të medhhebit tonë hanefi, lexojmë: “Termi teravi, është shumës i fjalës terviha; me të quhen katër rekate, pas së cilave ka një pushim. Shënim i përkthyesit”)(6) Në këtë pushim bëhet dhikër dhe salavate për të Dërguarin a.s..

Namazi i teravive për gratë

Transmetohet nga Urve ibën Zubejri r.a., se hazreti Omeri r.a. i mblodhi njerëzit për faljen e namazit të teravisë në Ramazan; burrat pas Ubej ibën Kabit dhe gratë pas Sulejman ibën ebi Hajtheme. Ndërsa në transmetimin e Said ibën Mensurit thuhet se personi që u caktua nga hazreti Omeri për të drejtuar teravinë e grave ishte Temim Dariu r.a.. Ndoshta, kjo ka ndodhur në dy kohëra të ndryshme, sikurse ka thënë Ibën Haxher Askalani.
Arfexhe eth-Thekafiu ka thënë: “Ali ibën ebi Talibi i urdhëronte njerëzit për namazin e teravisë, duke caktuar një imam për burrat dhe një imam për gratë, ndërkohë që unë isha imami i grave”, siç e transmeton Imam Bejhekiu.
Nga sa u tha më lart, kuptojmë se lejohet që gratë të falin namazin e teravisë në xhami me imam të posaçëm, sikurse i lejohet të falen pas rreshtave të burrave. E, duke marrë parasysh lejimin e grave për faljen e teravisë me xhematë në xhami, duhet të merren në konsideratë rregullat dhe kushtet e përmendura nga fukahatë (juristët islamë) në lejimin e daljes së grave për në xhami. Prej këtyre rregullave është edhe dalja e tyre me leje nga bashkëshortët a prindërit e tyre, si dhe duke pasur parasysh që dalja e tyre të mos shkaktojë fitne , për ta a për dikë tjetër pos tyre, etj.
Po ashtu theksojmë se meqë u lejohet që ta kryejnë namazin e teravisë në xhami me xhematë të posaçëm për to, ose edhe me burrat (si zakonisht në xhamitë tona sot, si dhe pothuajse në mbarë botën islame – shënim i përkthyesit -), po ashtu u lejohet që ta kryejnë këtë namaz në shtëpi, në mënyrë individuale, ose me xhematë femëror, duke i drejtuar një grua.
Nga vepra: El-Mufassal fi ahkamil-mereti vel-bejtil-muslim fish-sheriatil-islamijje,
botimi i dytë, Sh.b. Muessesetur-risale, Bejrut, 1994, vëll. i parë, f. 329-331.
Nga arabishtja me përshtatje në shqip dhe pajisi me shtesa të konsiderueshme nga burimet serioze të medhhebit hanefi:


Nga vepra: El-Mufassal fi ahkamil-mereti vel-bejtil-muslim fish-sheriatil-islamijje, botimi i dytë, Sh.b. Muessesetur-risale, Bejrut, 1994. vëll. i parë, f. 331-329. Nga arabishtja me përshtatje në shqip dhe pajisi me shtesa të konsiderueshme nga burimet serioze të medhhebit hanefi: Muhamed B. Sytari. Shkodër, më 28 mars 2021



1. Në "Multekal-ebhur" lexojmë: "Teravia është synet i fortë, në çdo natë të Ramazanit, pas jacisë, para vitrit dhe pas tij, me xhematë. njëzet (20) rekate me dhjetë selame dhe me një pushim pas katër rekateve ... Ajo është synet i fortë për burrat dhe për gratë, me konsensus (ixhma) të sahabëve dhe ata që pasuan prej imamëve lë mëdhenj. Mohuesi i këtij namazi është shpikës i devijuar që i kthehet mbrapsht dëshmia .... Aliu r.a. e vlerësoi hazreti Omerin r.a., duke thënë: 'Ia ndriçofië Allahu varrin Omerit, siç na i ndriçoi xhamitë tona!' Njëzet rekate: Hazreti Aisheja r.a .. ka thënë: "Resulullahu a.s .. përkushtohej në Ramazan sa nuk e bënte jashtë tij', siç e transmelon Muslimi. Shejkh Dhufer ka thënë:
"Nëse tetë rekate (namaz nate) ishte tradita e Resulullahut a.s. përgjatë gjithë vitit, në Ramazan ai shtonte rekate të tjera që mbërrinin deri në njëzet a edhe më shumë." Transmetohet nga Saib ibën Jezid: 'Faleshim në kohën e Omerit r.a. njëzet rekate dhe vitrin’. (pra. njëzet rekate namazin e teravisë - shënim i përkthyesit) Ibën Kudatne në veprën e tij "El-Mugni'' ka thënë:
"E përzgjedhura nga Ebi Abdilah, rahmet pastë, është njëzet rekate. Kështu ka thënë edhe Theuriu, Ebu Hanife dhe Shafiu. Ndërsa Maliku ka thënë: Tridhjetë e gjashtë etj.' (1/803)." - Për më shumë, mund të shihet: El-Alame El-Fakih Ibrahim ibën Muhamed ibën Ibrahim El-Helebi, Multekal-ebhur; me verifikim dhe studim të dijetarit shqiptar Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, botimi i tretë. Sh.b. Darul-Bejruti, Damask, 2005, f. 111-112. (Shënim i përkthyesit).
2. Hoxha i jonë, dijetari i shquar Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, në veprën e tij "Erkanul-Islam", në lidhje me këtë temë, na mëson: "Prej syneteve të forta që pasojnë farzet - vetëm në Ramazan - është namazi i teravisë... Numri i rekateve të tij: Teravia ka njëzet rekate që falen me dhjetë selame. Në çdo rekat lexohet Fatihaja dhe diçka nga Kurani; tre ajete të shkurtra. një ajet i gjatë a një sure.” - Për më shumë mund të shihet:
Vehbi Sulejman Gavoçi. Erkanul-Islam, botimi i parë, Sh.b. Darul-beshairil-islamijje, Bejrut, 2002, vëll: i parë. F. 330. (Shënim i përkthyesit).
3. Të shihet: Sunen Ebi Davud. vëll. 4. F. 247.
4. Tek Imam Ibën Abidini lexojmë: "Praktikimi i saj (i teravisë) ndodhi në kohën e kalifati: të hazreti Omerit r.a.. gjë për të cilën e miratuan pjesa dërrmuese e sahabëve dhe ata që pasuan, deri në ditët tona, pa asnjë mohim. Si jo, kur është transmetuar nga Resulullahu a.s.: Kapuni pas traditës sime dhe asaj të hulefai-rashidinëve, të udhëzuarve! Shtrëngojini fort me dhëmballë!’, siç e transmeton Ebu Davudi". - Për më shumë, mund të shihet: Vula e verifikuesve Muhamed ibën Emin, i njohur si: Ibën Abidin, Reddul-muhtar alad-duril-mukhtar sherh tenviril-ebsar; botimi i dytë, Sh.b. Darul-kutubil-ilmijje, Bejrut, 2003, vëll. i dytë, f. 493. (Shënim i përkthyesit).
5. Tek Imam Ibën Abidini lexojmë: "(Ka tre mendime) l pari:
Koha e këtij namazi është krejt nata, para jacisë dhe pas saj, para vitrit dhe pas tij, sepse ky lloj namazi është namaz nate (kijamul-lejl). Ka thënë autori i 'El-Bahr': Nuk kam gjetur dikë ta ketë korrigjuar! Në pamje të parë duket se koha e këtij namazi hyn me perëndimin e diellit. I dyti: Koha e tij është mes jacisë dhe vitrit ... I treti: Mendimi i autorit: (më i sakti: 'Nëse personit që falet i ka ikur një pjesë e teravisë dhe ndërkohë imami ngrihet për të falur vitrin, ai fal vitrin me imamin, pastaj plotëson atë që i ka ikur )." - Për më shumë. mund të shihet: Vula e verifikuesve Muhamed ibën Emin, i njohur si: lbën Abidin, vep. e cit. vëll. i dytë, f. 494. (Shënim i përkthyesit).
6. Në trashëgiminë diturore lë medhhebit tonë hanefi, lexojmë: “Termi teravi, është shumës i fjalës terviha; me të quhen katër rekate, pas së cilave ka një pushim." - Për më shumë, mund të shihet: Vula e verifikuesve Muhamed ibën Emin, i njohur si: lbën Abidin, vep. e cit. vëll. i dytë. F. 493. (Shënim i përkthyesit).



Autor, dr. Abdulkerim Zejdan,
përktheu Muhamed B. Sytari,
Dituria Islame nr. 364)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë ramazani në qytetin tonë