Maturia dhe bamirësia jonë - kërkesa të Zotit xh.sh.


“O ju te cilët keni besuar, kijani frikën Zotit (në veprat tuaja) dhe (kur flisni) flisni fjalë të matura. Keshtu do te ju përmirësohet gjendja juaj dhe ju falen mëkatet tuaja dhe ta dini se kush i bindet Zotit dhe të dërguarit të Tij ai ka arritur një sukses te madh." El Ahzab, 70-71)

Nuk ka dyshim se Zoti i Gjithëdijshëm në mënyrën më të mirë projektoi jetën e njeriut dhe caktoi binaret në të cilat duhet të hapërojë e të gjallërojë, dhe tregoi atë që është produktive për ta thënë dhe për ta vepruar. Të gjitha veprat e mira të cilat janë produktive i bëri obligim ose të pëlqyera për t'u vepruar, dhe të gjitha veprat e liga i bëri të ndaluara ose të urryera për t'u vepruar. Qartazi na tregoj se këto norma apo dispozita, apo këto urdhëresa dhe ndalesa shkojnë në favor dhe interes të njeriut për një jetë sa më të dinjitetshme dhe më të mirë. E për të qenë jeta e njeriut sa më e mirë, nuk ka dyshim se rol shumë të rëndësishëm luan maturia dhe bamirësia e tij, ngase nëse njeriu është i matur në jetën e tij, nuk do të pendohet për të bëmat e tij. Për këtë arsye Zoti xh.sh na porositi që në fjalët dhe veprat tona të jemi të matur, të jemi të kujdesshëm në atë që themi dhe veprojmë. Në një ajet kuranor thotë: "O ju të cilët keni besuar, kijani frikën Zotit (në veprimet tuaja) dhe (kur flisni) flisni fjalë të matura ... " (El Ahzab, 70).
Ebu Musa El Eshariu transmeton se kur Pejgamberit a.s. i zbriti ky ajet kuranor, mblodhi sahabët dhe u tha atyre: "Më të vërtetë Zoti më ka obliguar mua që t'ju obligoj ju që t'ia keni frikën Ati dhe mos të flisni përveçse duke qenë të matur dhe të flisni fjalë produktive dhe të dobishme".(1)
Sigurisht se Zoti i Madhërishëm me këtë ajet deshi të na tregojë se maturia e njeriut në vepër dhe fjalë, është kriteri kryesor që tregon devotshmërinë, ndërgjegjen, karakterin dhe personalitetin e një besimtari që mund të jetë model për të tjerët.
Ngjashëm me ajetin kuranor, edhe Muhamedi s.a.v.s. i kushtoi rëndësi të madhe maturisë në të shprehur dhe në të vepruar. Ai definoi si njeriun më të mirë dhe besimtarin më të sinqertë, atë person i cili nuk ngacmon të tjerët me gjuhën dhe dorën e tij. Ai në një hadith thotë: "Mysliman i vërtetë është ai person, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt myslimanët”.(2)
Vini re: Muhamedi s.a.v.s. gjymtyrët-dorën në të vepruar dhe gjuhën në të shprehur, i cilësoi si kritere matës e për një "besimtar të vërtetë", duke e dalluar besimtarin e tillë nga të tjerët me një lëvdatë shumë meritore. Kjo, për faktin se, nuk mund të jetë besimtar i mirë ai person që atakon të tjerët me gjymtyrët e tij apo me dorën e tij, dhe ngacmon, thumbon e lëndon të tjerët me gjuhën e tij.

Nga maturia rezulton suksesi

Vërtet, nëse besimtarët janë të matur, në veprat dhe thëniet e tyre, do të ketë rezultate shumë të kënaqshme dhe suksese shumë të mira në shoqëritë islame. Kështu, në mesin e tyre nuk do të ketë urrejtje, nuk do të ketë padrejtësi e as nuk do ketë vëllavrasje. Ta kuptojmë se Zoti Fuqiplotë shumë qartë porositi për maturi në të vepruar dhe në të shprehur dhe shumë qartë i tregoi edhe rezultatet e maturisë, kur tha: "O ju të cilët keni besuar, kijani ftikën Zotit (në veprimet tuaja) dhe (kur flisni) flisni fjalë të matura. Kështu (si rezultat i maturisë suaj) do të ju përmirësohet gjendja juaj dhe ju falen mëkatet tuaja dhe ta dini se kush i bindet Zotit dhe të dërguarit të Tij ai ka arritur një sukses të madh" (El Ahzab, 70-71).
Nëse me vëmendje shikojmë këtë ajet kuranor, vërejmë se, si rezultate të maturisë, janë theksuar dy gjëra kryesore:
• Përmirësimi i gjendjes, pra ka garantuar përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të njerëzisë në këtë dynja, dhe
• Falja e mëkateve, rëndom nëse falen mëkatet atëherë nuk do ketë dënim në botën tjetër.(3)
Pra, nga ky ajeti kuranor nënkuptohet se njeriu i cili është i matur, ka rezultate pozitive dhe do të jetë faqebardhës edhe në këtë dynja, po edhe në Ahiret nesër kur do të dalim para Zotit Mëshirëplotë.
Kurse në një ajet tjetër kuptohet se vërtet fatlum është ai njeri, të cilit i është dhuruar maturia si cilësi e personalitetit të tij, thotë Zoti xh. sh. : “Zoti i jep maturi atij që do dhe kujt i është dhënë maturia-urtësia atij i është dhënë mirësi e madhe, edhe pse këtë gjë nuk e kuptojnë përveçse njerëzit e mençur. " (El Bekareh, 269).
Të përqendrohemi tek fjala "mirësi e madhe" e përmendur në këtë ajet kuranor, e cila fjalë ngërthen në vetvete kuptim shumë të gjerë, ngase mirësi e madhe për njeriun llogaritet çdo sukses pozitiv, në çdo pore të jetës së tij, si në aspektin personal, familjar ashtu edhe atë shoqëror.

Pamaturia rezulton dështim

Është reale se pamaturia e njeriut, pa marrë parasysh se a është në vepra apo në fjalë, mund të jetë shkaktare për të sjellë dëme marramendëse, si në raportet familjare e farefisnore, ashtu edhe në raportet shoqërore ose kolektive. Madje pamaturia e tij, përveçqë mund të jetë destruktive dhe çrregullues e me të tjerët, mund t'i sjellë dëme edhe vetë personit të pamatur, ngase shumë herë e degradon edhe personalitetin e tij para rrethit ku ai jeton. Pikërisht edhe për këtë arsye, Zoti Fuqiplotë zbriti një sure të tëre që nga kuptimi i saj konkludohet porosia për maturi dhe vepra të mira, duke sinjalizuar se në të kundërtën pason dështimi i njeriut dhe misionit të tij si krijesa më e përsosur në tokë. Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë, në suren El Asr, thotë: "Pasha kohën! Më të vërtetë njeriu është në një humbje të sigurt, me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen së vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm".

Edhe pse kjo kaptinë konsiderohet prej kaptinave më të shkurtra në Kuran, në vervete ngërthen virtyte të cilat janë shkak i fatbardhësisë së njeriut në këtë dhe botën tjetër. Imam Shafiu për rëndësinë e kësaj kaptine kishte thënë: "Sikur të mos zbriste në Kuran asnjë sure tjetër përveç kësaj sureje, do të mjaftonte". Imam Shahu këtë fjalë e tha duke ditur se kjo kaptinë i tregon njeriut se si mund të këtë suksese në jetën e tij ose të jetë i dështuar, duke kuptuar rëndësinë e tri elementeve bazike të konkluduara nga kjo kaptinë:
• Besimin e drejtë dhe të mirëfilltë
• Punimin e veprave të mira
• Kujdesin në gjuhën e tij, të flasë fjalë të vërteta dhe porosi të hairit e produktive.
Në të kundërtën, jeta e njeriut do jetë drejt humnerës së vërtetë, nëse ai nuk ka besim, nuk bën veprat e mira të cilat do t'i shërbejnë atij dhe shoqërisë ku ai jeton dhe nuk flet fjalë të matura e dobishme.(4)

Pas maturisë porositemi për vepra të mira

Veprat e mira janë produkti dhe fryti i njeriut në këtë dynja, në bazë të këtij produkti apo fryti caktohet edhe vendqëndrimi i tij ne ahiret. Pra, njeriu shpërblehet ose ndëshkohet në bazë të veprave të tij, pikërisht për këtë arsye edhe vetë sheriati orientoi njerëzimin kah veprat e mira në mënyrë që të jenë të dobishëm në këtë dynja, dhe ta fitojnë të përjetshmen nesër para Zoti xh.sh. Në këtë kontekst, mund të themi se qëllimi i zbrit jes së Kuranit Fisnik ishte që njeriun ta udhëzojë për besim dhe për vepra të mira dhe ta largojë nga të ligat dhe veprat e këqija. Ta bëjë atë të dobishëm për veten e tij dhe për të tjerët. Andaj, nëse shikojmë ajetet kuranore që flasin për nxitjen e njeriut për vepra produktive, janë të shumta. Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë: “Më të vërtetë ata që besuan dhe bënë vepra të mira, të tillët janë krijesat më të dobishme. Shpërblimi për ta te Zoti i tyre është xheneti nëpër të cilin burojnë lumenjtë, aty janë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të ...” (El-Bejineh, 7-8). Në këtë ajet shohim qartë se si Allahu Fuqiplotë nxit njeriun për vepra të mira, duke e radhitur atë si krijesën më të mirë në tokë nëse ai është ve-përmirë, i premton atij xhenetin si vendshpërblim të përhershëm dhe i tregoj atij se Ai është i kënaqur me të dhe me rezultatet e korrura nga veprat e tij të mira.

Andaj ta mbajmë parasysh se njeriu mbron epitetet e tij si "krijesa më e dalluar në tokë", "krijesa më e dobishme në tokë", "krijesa e cila posedon mendjen dhe inrelektin' etj., vetëm me vepra dhe punë të mirë, vetëm me fjalë dhe shprehje të dobishme dhe vetëm me qëndrime e maturi të sakta, në mënyrë që kjo prodhimtari e tij të shkoj në të mirën e njerëzisë dhe të botës mbarë.

Pas maturisë porositemi ne fjalë të mira

Gjuha si mjet komunikimi është mirësi shumë e madhe nga Zoti i Madhërishëm, mirëpo mënyra se ta orientojmë atë në kahje të duhur është lënë në kompetencën tonë. Pa dyshim se shfrytëzimi i saj në të mirë ka një domethënie mjaft të madhe, si rezultat i saj njeriu mund të fitojë dy botët, mirëpo edhe keqpërdorimi i saj mund të sjellë dëme marramendëse, sepse njeriu nganjëherë mund të rrëshqasë me gjuhën e tij më shumë sesa me këmbët e tij. Për këtë arsye Pe-jgamberi a.s. garantoi xhenetin për atë njeri i cili ruan moralin dhe gjuhën e tij. Në hadithin e transmetuar nga Sehel Bin Sad, Pejgamberi a.s. thotë: "Kush më garanton mua se do ta ruajë moralin dhe gjuhën e tij, unë ia garantoj xhenetin.”(5) Dhe në anën tjetër, tregoi se shkaktari kryesor që njeriun e hedh në zjarr nesër kur dalim para Zotit Fuqiplotë është gjuha e tij e pamatur. Transmetohet se Muadh Ibn Xhebeli i kishte thënë Muhamedit s.a.v.s.: O i dërguar i Zotit, a do të japim përgjegjësi para Zotit për atë që flasim me gjuhën tonë? Atëherë i dërguari i Zotit s.a.v.s. tha: "Mjerë për ty o Muadh! Kush i hedh njerëzit në zjarr përveçse gjuhët e tyre?!”(6)


________________
1. Shiko: Mexhmeu Ez-zeveid (7/97).
2. Transmeton Imam Ahmedi ne musnedin e tij (7086).
3. Tefsir,. El- Vexhiz. pr.dr. Vehbetu Zehajli, Darul Fikr, 1994.
4. Teftir Ibn Kethir 5/254, Dar Sadir Bejrut. 1999.
5. Transmeton Imam Buhariu në "Sahihun e tij" me numër 6474.
6. Transmeton Tirmidhiu me numër 2616 (4/362).



Mr. Ekrem Maqedonci


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi