Letër vëllait mysliman që ngurron të vijë në xhami!


I nderuari vëlla im, mysliman!
Po të drejtohem ty me këtë letër, sepse ta dua të mirën. Nuk pretendoj të të them diçka që ti nuk e di. Vetëm dua të t’i kujtoj disa gjëra që të kanë kaluar në harresë. Këtë e bëj, sepse unë dhe ti jemi vëllezër. Jemi bashkë robër të Allahut. Ai është që na ka krijuar ne dhe është synimi ynë i përbashkët. Njeri tjetrin plotësojmë. Kemi nisur nga padituria, por ja që tani nuk mund të themi se nuk dimë asgjë. Krejt kjo në saje të dhuntive të Allahut dhe komunikimit tonë të ndërsjellë. Gjithnjë njeriu ka nevojë për dije dhe për tjetrin. Padituria e njeriut fillon atëherë kur ai mendon se i di të gjitha. Unë kam nevojë për dijen tënde, po edhe ti ke nevojë për dijen time. Shkenca ka arritur rezultate, sepse në metodën e vet ka pranuar pluralizmin e ideve dhe diversitetin e mendimeve. Në- përmjet kësaj letre, nga ti kërkoj që të hapesh dhe të komunikojmë. Bashkërisht do të bisedojmë dhe gjithsesi do të përfitojmë. Brengosem pse nuk vjen në xhami!? Së paku një herë në javë, ditën e xhuma. Mos u mbyll në vete! Mos e privo veten nga identiteti yt islam. Ai është krenaria jote. Nëse këtë nuk e di, të këshilloj të hulumtosh, se do ta vërtetosh! Ne mund të dimë shumë gjëra, madje vërtet shumë, por nëse një të vërtetë nuk e kemi lexuar a dëgjuar, atë e pranojmë se nuk e dimë. E ti e di se njerëzit janë armiq të gjërave që s’i dinë. Atë që ai nuk e di, atë edhe nuk e do, sepse nuk di si ta dojë. Prandaj, për këtë arsye dhe të tjera, të ftoj sinqerisht, në Emër të Allahut, që t’i kthehesh rrugës së xhamisë, në mënyrë që ta njohësh fenë tënde, ta duash atë dhe të mos bëhesh armik i saj.
Unë dua të besoj se ti, vëlla i dashur, në mos gjë tjetër, e di se xhamia është vendi ku buron mirëqenia dhe vetëdija për një shoqëri të shëndoshë. Është shtëpia ku nisin dhe përfundojnë begatitë. Këtë mbase e dinë të gjithë. Po ashtu ti e di se feja jote islame, ngrihet mbi konceptin e monoteizmit, se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Këtë dije nuk mund të ta mohoj. Po edhe nuk mund ta mohoj se edhe shumë gjëra të tjera nuk i di. Dija e paktë që ke për fenë tënde islame, shpesh gjysmake, nuk të mjafton. Ti ke nevojë akoma më shumë për t’u pajisur me dije fetare. Për ta shijuar ëmbëlsirën e identitetit tënd islam. Nuk kërkoj që të bëhesh islamolog, mbase pse jo, por aq, sa konceptet islame t’i kesh të qarta. Kjo është dija e domosdoshme për çdo mysliman. Mos harro, edhe unë si hoxhë edhe ti si një profesionist tjetër, nuk kemi përgjegjësinë t’i njohim të gjitha profesionet. Mirëpo, nevoja për ta mësuar fenë, është diçka që qëndron mbi të gjitha të tjerat. Feja nuk është profesion dhe nuk zëvendësohet me asnjë dije tjetër. Ajo është nevojë që buron instinktivisht në natyrën e secilit njeri. Është pjesë e pandashme e tij. Pa marrë parasysh përfitimet nga dije të tjera, nevoja për besimin mbetet kaptinë në vete.

Vëlla i dashur!
Unë nuk e di se pse ti nuk vjen në xhami. Nëse, eventualisht, ke ndonjë neveri, të ftoj që të ‘zgjohesh’ dhe t’i heqësh të gjitha dilemat dhe keqkuptimet për xhaminë. Eja dhe bindu për këtë. Eja dhe adhuroje Allahun. Ai është i vetmi Që meriton për t’u adhuruar. Mos e fito hidhërimin e Allahut duke adhuruar dikë tjetër. Nëse nuk e adhuron Allahun, ta dish se instinkti yt, natyrshëm, do të adhurojë dikë tjetër. Mos u gënje me askënd! Mos u mashtro! Bëhu i madh me kthesa të mëdha! Tek ti nevojitet vetëm një vendim. Unë besoj se aversioni ndaj xhamisë nuk është yti. Ai të është infiltruar nga dezinformuesit. Bëhu i guximshëm dhe shporre këtë apati të transplantuar gabimisht në natyrën tënde për besimin tënd Islam! Përfundimisht do ta shohësh se lumturia jote është mu aty. Se jeta jote mu atëherë do të marrë rol. Kjo është vetëm kështu dhe assesi ndryshe. Të premtoj, se do të bindesh aq për mirësitë dhe lumturinë që të ofron xhamia, saqë vetveten tënde do ta fajësosh se përse nuk të ka dërguar një ‘ftesë’ më herët se tani. Në rrugën e xhamisë nuk ka asnjë humbje. Aty ka vetëm fitore dhe të mira. Po ta them edhe këtë: Allahu, Krijuesi im dhe yti dhe i çdo gjëje tjetër, nuk ka nevojë as për mua e as për ty, dhe për asgjë tjetër. Nuk ka nevojë për adhurimin e njerëzve. Ne jemi të dobët dhe të nevojshëm. Unë dhe ti dhe të gjithë, kemi nevojë.
Të lutem, kthehu në vete dhe mendo seriozisht. E di se rrethi yt dhe ambienti ku jeton ti, ndoshta të pëshpërisin dokrra për xhaminë. Këtë mund ta kuptoj. Por ta dish se ata vetëm shpifin dhe asgjë të vërtetë nuk thonë. Besoj se ti e di këtë më mirë se unë. Mbase me këtë nuk dua të merrem. Mos u gjunjëzo para kërkushit! Mos dhe - vetëm mos! Në dorën tënde është t’i dëgjosh llomotitjet e njerëzve, apo të dëgjosh thirrjen e Zotit tënd: ”O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd…, I cili të ka krijuar”! (82:6). Gjyko ti vetë. Gjyko pak më thellë. Gjykoje vetveten. Medito rreth mirësive që ke në shërbim dhe shfrytëzim. Bëji një pyetje vetvetes: kë do të dëgjosh? Llomotitësit që nuk kanë në dorën e tyre asnjë të mirë!? Apo, Allahun e Madhëruar, Që të ka krijuar në formën më të bukur dhe të ka dhuruar të gjitha të mirat!? Pa dyshim që arsyeja jote e shëndoshë do të thotë: Allahun!
Duhet ta dish edhe këtë: shkuarja në xhami dhe adhurimi i Allahut, nuk është asgjë tjetër, përveçse një falënderim ndaj Tij. Këtë e ke obligim, daç fetar, daç moral. Të thashë edhe më parë, Allahu nuk është i nevojshëm as për falënderimin tënd e as timin, dhe për asgjë. Ai është i falënderuar edhe atëherë kur krijesat nuk E falënderojnë. Sepse në dorën e Tij është çdo gjë. Por, Ai dëshiron që ti të mos jesh përbuzës ndaj të mirave të Tij. A nuk po e sheh se sa të mira të ka dhënë Allahu!? Pa, mendohu pak! Fillo prej vetvetes! Më së pari për veten tënde që ke, ti nuk ke asnjë meritë për krijimin e saj. Ti këtë e di shumë mirë. A nuk je i vetëdijshëm se gjithçka që njeriu posedon, qoftë prej vetes apo veprave të tij, të gjitha I përkasin Allahut!? Ti do të më thuash - si është e mundur kjo? Unë po të tregoj: njeriu nuk mund të bëjë asnjë lëvizje dhe asnjë vepër, përveçse të ndodhë me anë të një fuqie. Sepse, dihet, i pafuqishmi nuk mund të lëvizë. Kjo ‘fuqi’, apo ‘taakat’ - si i themi ne, i përket Allahut, ngase rrënjët i ka në rrëskun e Tij, përkatësisht në dhuntitë e Tij, që i ka krijuar për ne në tokë e në qiej. Ai na ka dhuruar mendje, gjymtyrë, me një fjalë trup funksional, me të cilin veprojmë dhe për këtë trup na ka krijuar ushqime nga më të mirat. Njeriu, pa u furnizuar me ujë dhe ushqime, nuk mund të ketë fuqi e as energji, e kur nuk i ka këto, ai nuk mund të bëjë asgjë, sepse nuk ka forcë. E kur nuk mund të bëjë asgjë, ai nuk mund të jetojë. Mu për këtë arsye, jeta jonë është në varësi të pashmangshme prej këtyre mirësive të panumërta. Nëse për një kohë na mungojnë, jeta jonë për një çast merr fundin e pa kthim. Atëherë, të pyes: a nuk është meritë e Allahut gjithçka që kemi ne!? A nuk është bamirësi e vërtetë kjo!? Pa dyshim se po!
Po, edhe më tej. Të lutem, vështro, do të bindesh për të gjitha. Do t’i gjesh të gjitha arsyet që të çojnë pashmangshëm në falënderimin ndaj Krijuesit tënd. Lëshoja një shikim gjithësisë! Shikoje rreth e përqark! Shiko ajrin! A nuk e sheh se ajri që thithim për çdo çast, nuk është në dorën tonë!? Pastaj, a nuk po e sheh se vetë mekanizmi për të qarkulluar atë ajër është edhe një mirësi tjetër e madhe!? Gjithë atë që sheh, Allahu e ka vendosur në shërbimin tënd, dhe vetëm për ty. Jo për Veten e Tij, sepse nuk ka nevojë për të. Nëse bukën e blen në dyqan, - e pa të nuk mund të rrosh, mos mendo se atë po e krijon dyqanxhiu. Absolutisht jo. Ajo burimin e ka në krijimin e Allahut. A nuk po bindesh se Allahu është i vetmi Bamirës i vërtetë!? A nuk e meriton që të merresh pak me këto begati të panumërta!? Allahu në Kuran të ka thënë: “… edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër)…” (Ibrahim:34). Të lutem, më thuaj se a mban në mend historia njerëzore ndonjë njeri që ka provuar t’i numërojë të mirat e Allahut!? Për këtë, unë po të përgjigjem: nuk e mban në mend dhe nuk do të ndodhë asnjëherë. Pse? Sepse, Allahu e ka cilësuar të pamundshme. Normalisht të pamundshme, ngase nuk e ke mendimin se nga i jep Allahu të mirat e Tij. Të mirat e Tij, janë në çdo çast. Vetë prirja për të menduar, është dhunti e Allahut. Thjesht, nuk do të mundnim, sepse nuk mund ta pushtojmë gjithësinë me miliarda trupa qiellorë.
A nuk ndihesh mendjemadh, që për gjithë këto mirësi nuk e ke guximin t’i thuash Krijuesit: O Allahu im, më ke dhuruar shumë të mira, unë nuk mund të t’i paguaj ato, por në dorën time është t’u përgjigjem kërkesave të Tua. Nëse një njeri të ndihmon, ti jo vetëm se do ta falënderosh për atë ndihmë, por edhe, sa herë ta takosh herë të tjera, do të të kujtohet ndihma e tij. Po, nëse ai të dhuron qoftë edhe një ‘leckë’, ti do ta teprosh me falënderimin ndaj tij. Ani çfarë e mire që është ajo!? Ajo në të vërtetë nuk është fare e mirë e tij, sepse ku e mori ai atë fuqi për të të ndihmuar? A mos e krijoi vetë!? Jo, sepse nuk mund të krijojë asgjë. Por e mori në rrëskun e Allahut. Askund tjetër. Atëherë, nëse falënderon njeriun, thënë kushtimisht - pa pasur nevojë, po si të mos E falënderosh Allahun!? A nuk të bie ndërmend që ta falënderosh Allahun qoftë edhe pak, për begatitë e Tij!? A nuk janë ato që ta mbajnë jetën? E di se do të më thuash, se unë e falënderoj. Unë këtë e çmoj, por ai falënderim nuk është sikur ai që Allahu kërkon prej teje. Allahu kërkon që ti të shkosh në xhami dhe ta adhurosh Atë, ashtu sikurse Ai ka zgjedhur për ty. Pa të munduar fare. T’u përmbahesh urdhëresave dhe ndalesave të Tij. Allahu nuk dëshiron vështirësi me këto. Ato janë shumë të lehta dhe të thjeshta. Këtë duhet ta dish. Allahu nuk na ka dërguar fenë për të na munduar, po për të na mësuar rregullimin e jetës sonë. Sistemi islam është po ai që e kërkon natyra jonë. Të gjitha sistemet e tjera, ndonëse janë krijuar nga soji njerëzor për njeriun, nuk janë bërë për shtatin e tij. Prandaj, ose i vijnë të ‘vogla’ ose të ‘mëdha’. Sistemi islam i jetës është ‘ngjyrosje’ e Allahut. Atëherë, më thuaj kush mund të ngjyrosë më mirë se Allahu!? A do ta marrësh guximin e t’i bësh kritikë Allahut!? Mos! Mos e ngarko veten me diçka që nuk mund ta durosh! Jotja dhe imja është të besojmë Allahun dhe t’i përgjigjemi Fjalës së Tij.

Vëlla mysliman, mik i dashur!
E di se e zgjata pak. Por, nuk do të heq dorë nga kërkesa ime. Në të vërtetë nga kërkesa që Allahu e dëshiron për të gjithë njerëzit. Ti ndoshta edhe e humb durimin për të më dëgjuar. Por, unë nuk do të pushoj: Eja, eja bëhu i rëndësishëm me një vendim të rëndësishëm! Xhamia në çdo moment të pret. Të gjithë na pret. Të gjithë na kërkon, të rinj e të moshuar, fëmijë e pleq, burra e gra. Nëse je në moshë të re, mos e mashtro veten me farsën se ke kohë “për të shkelur” në xhami, e nëse je i moshuar, mos e humb shpresën, mos u dëshpëro! Xhamia është e të gjithëve dhe për të gjithë. Ajo është tempulli që gërsheton dijen, adhurimin e Allahut, mirëqenien dhe lumturinë e përjetshme. Përmirësoje gabimin që ke bërë deri tash! Gabimtar i vërtetë nuk është ai që gabon, por ai që këmbëngul në gabimet. Kërko falje për gabimin, dhe pendohu! Allahu është Falës dhe Mëshirues, më tepër sesa e mendon ti dhe unë. Ti mund të mendosh se e ke zemrën të pastër dhe nuk ke nevojë për falje e as për lutje. Por, të them sinqerisht dhe me kompetencë, se edhe po ta zëmë se deri në këtë moment ke qenë i pamëkate, edhe pse kjo absolutisht nuk ka mundësi të ndodhë, po thjesht le ta supozojmë, atëherë vetë fjala jote - e ke ‘zemrën të pastër’, mu ajo po të nxin zemrën. Pse? Sepse kjo fjalë është e rëndë për Krijuesin, ngase është refuzim i Dhuntive dhe Mirësive të Tij. Ti je qenie e krijuar dhe mëkatare, dhe nuk mund ta marrësh prerrogativin e ‘mjaftueshmërisë’, cilësi kjo që I përket vetëm Allahut. Ne jemi qenie të nevojshme e të varura. Bindu se kjo është kështu! Dua të besoj se, më në fund, e ke kuptuar se nuk ke asnjë arsye për vetëkënaqësi. Je mysliman dhe gëzoju këtij emri! Arsyetoje atë me fjalë, me sjellje dhe vepër! Shkuarja në xhami është shenjë e falënderimit tënd ndaj Allahut, e adhurimit ndaj Tij dhe e njerëzisë sate të vërtetë.
Ve’s-selam alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kurbani 2022