Profeti në Kuran urdhërohet të ftojë njerëzit, të ftojë jomyslimanët, të krishterët, çifutët, arabët paganë t'i përgjigjen thirrjes së Allahut, Zotit Një.
Komunikimi i besimit dhe mësimeve të Islamit qoftë te myslimanët apo edhe jashtë tyre, duhet të bëhet me modesti, urtësi dhe me një mënyrë të butë të prezantimit të kësaj feje tek masa e gjerë. Ky komunikim në vete përmban parimet mbi ekzistimin e Krijuesit, Allahut xh.sh., dhe se jeta jonë në këtë botë mbetet e përkohshme, dhe se një ditë njeriu do të jap llogari para Zotit në ditën e llogarisë. Ky vizion në jetën e myslimanit është qenësorë dhe ndikon në zhvillimin e jetës së tij duke vendosur para vetës prioritetet në jetë. "Për njerëzit që besojnë islamin, daveja do të implikonte përkthimin e këtij besimi në jetën personale, familjare, jetën e përditshme, si dhe atë shoqërore, politike dhe ekonomike në përgjithësi. Origjina e davesë, gjendet në mësimet e Kuranit dhe nga jeta e Muhamedit a.s.. Profeti në Kuran urdhërohet të ftojë njerëzit, të ftojë jomyslimanët, të krishterët, çifutët, arabët paganë t'i përgjigjen thirrjes së Allahut, Zotit Një. Nëse ata i nënshtrohen Allahut, thotë Kurani, ata janë të udhëzuar. Nëse ata nuk i nënshtrohen, Kurani e urdhëron Muhamedin a.s. të shpall: "E keni kryer detyrën", kjo është e tëra që u është kërkuar të bëni."(1)
Muhamed el Bejanuni duke sqaruar ajetin 110 në suren Ali Imran, thotë se ftesa për në Islam është cilësi e përgjithshme e cilësive të umetit islam andaj dhe si e tillë mbetet obligim i përgjithshëm.
Kur jemi tek obligueshmëria dhe përçimi i islamit tek masa, dijetarët janë në ujdi se ajo është obligim, por kanë shfaqur mospajtime në lidhje me faktin se a është obligim individual apo obligim kolektiv (nëse ndonjëri prej myslimanëve e zbaton të tjerët janë të liruar nga ky obligim). Në këtë rast secili grup i dijetarëve mbështet mendimin e vet me tekste sheriatike dhe argumente mendore. Edhe pse mosujdia mes tyre është nga sfondi teorik, kurse ngushtohet sipërfaqja mes tyre nga aspekti praktik.
Së pari prezantoj më argumentet e atyre që ndajnë mendimin se thirrja islame është obligim individual.
Mbështetja e tyre është në këto argumente kuranore:
Parafjala "min" në ajetin kuranor "Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit" (Ali Imran, 104), duke shkoqitur këtë ajet, dijetarët thonë se është për qëllim "sqarimi" e nuk është me kuptim "disa" (një grup). Në vazhdim argumentet e tyre i ndërtojnë duke i mbështetur në atë se ligjërimi me thirrje islame është për të gjithë moshërriturit, dhe së këtejmi thirrja islame mbetet obligim për çdo mysliman brenda mundësive të tij.(2)
Autori i librit El Med'hal ila ilmi ed-dave", Muhamed el Bejanuni duke sqaruar ajetin 110 në suren Ali Imran, thotë se ftesa për në Islam është cilësi e përgjithshme e cilësive të umetit islam andaj dhe si e tillë mbetet obligim i përgjithshëm.
Kurse në hadithin e Muhamedit a.s. që transmeton Ebu Seid el Hudriu, "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut,duke thënë:
"Kush nga ju sheh një të keqe - le ta ndryshojë me dorë, e nëse nuk mundet këtë ta bëjë - atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet këtë ta bëjë - atëherë me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët'.(3) Pra, parafjala "men" këtu është nga parafjalët e përgjithshme, e edhe dispozitën e ka të përgjithshme.
Po ashtu argumentojnë edhe me hadithin tjetër të Muhamedit a.s. të cilin e transmeton imam Buhariu:
"Le t'ia komunikojë dijen ai që është prezent atij që nuk është prezent".(4)
Grupi i tjetër i dijetarëve që ndajnë mendimin se ftesa në islam (dave) është obligim kolektiv (profesionistët dhe të shkolluarit për këtë fushë), parashtrojnë këto argumente.
Parafjala "min" në ajetin kuranor "Nga ju le të jetë një grup që thërret .. është për qëllim "disa" (një grup) e jo nuk ka për qëllim të gjithë. E kjo argumentohet edhe me ajetet e mëposhtme: "Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t'u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen te ata, në mënyrë që ata ta kuptojnë (e të ruhen). (E-tevbe, 122).
Kjo për shkakun se urdhërimi në të mira dhe pengesa nga të këqijat është detyrë që duhet të mbështetet në dije e fakte të qarta, njohjen e rrethanave e kushteve e kjo nuk gjendet tek të gjithë myslimanët, andaj obligimi bie mbi ata që plotësojnë këtë kusht. Nëse ata e kryejnë atëherë mëkati nuk e përfshinë masën dhe kështu lirohen nga ky obligim.
Dy mendimet pajtohen se thirrja është obligim
Por, secili mendim është më mbizotërues ndaj tjetrit, disa e mbështetin të parin e disa të dytin, por duke parë se nuk është e nevojshme për lexuesin të thellohet në këto çështje kjo për arsye se mospajtimi siç e kemi thënë nuk është i thellë dhe nuk ka ndonjë gjurmë praktike dhe sepse të dy mendimet pajtohet se thirrja është obligim si dhe ata që mbrojnë qëndrimin se thirrja islame është obligim kolektiv pajtohen me mendimin se nëse nuk kryhet ai obligimi nuk hiqet ai prej të tjerëve dhe nëse nuk kryhet nga ndonjëri atëherë mëkatar janë të gjithë.
Shikuar nga ana tjetër edhe ata dijetarë që mbajnë qëndrimin se thirrja është obligim individual, obligimin e kushtëzojnë me mundësi (el istita'atu), për faktin se ai që nuk e njeh fushën e fesë- dispozitat mbi të keqën nuk numërohet si i mundshëm nga të gjithë. Edhe personi që nuk është i aftë (axhiz) të bëjë ndryshimin e të keqes, nuk obligohet me të. Por edhe sikur të binte obligimi me kryerjen e kësaj çështje, duke marrë për bazë se disa e kanë kryer këtë mision, prapë dispozita e saj mbetet mendub (e preferuar), ku të gjithë myslimanët do ta kryejnë këtë përgjegjësi. Kjo gjënë mbështetje në fjalën e Zotit xh.sh.: "E kush ka fjalën më të mirë prej atij që thërret te Allahu, vepron (punë) të mira dhe thotë: "Unë jam prej myslimanëve?" (Fusilet,33), e shumë ajete tjera që nxisin për thirrjen islame, duke ditur se për këtë veprim ka shpërblime të mëdha.(5)
Dijetarët islamë në këtë aspekt mund të veçohen në përçuarjen e mesazhit të Allahut tek njerëzit për shkak të kumtimit të disa detajeve dhe koncepteve të thella të fesë për shkak të horizonteve të gjera të dijes dhe eksperiencës së tyre në këtë fushë. Ky obligim është si për mashkullin ashtu edhe për femrën, e kjo qartësohet edhe më shumë kur kemi parasysh fjalën e Allahut xh.sh.: Thuaj: "Kjo është rruga ime, ftoj për tek Allahu, me fakte të qarta, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët." (Jusuf,108).
Imam Ibën Kethiri duke komentuar këtë ajet thotë: Allahu i lartësuar në këtë ajet i ka thënë të Dërguarit të Tij, që t'i informojë njerëzit se kjo rrugë është thirrja që të dëshmohet se nuk ka Zot tjetër pos të vetmit Allah, që nuk ka rival dhe se ky i thërret njerëzit në bazë të fakteve të qarta dhe po kështu veprojnë edhe ata që ndjekin ata besimtarë, d.m.th edhe këta thërrasin për tek Allahu mbi bazën e fakteve të qarta, qofshin ato fakte të sheriatit apo logjike".(6)
Kurse Imam Taberiu në tefsirin e tij thotë se Zoti i drejtohet Muhamedit a.s.: "O Muhamed thuaj se kjo është thirrja në të cilën unë ftojë, rruga në të cilën jam unë që thërras në Njësinë e Zotit, sinqeritetin në adhurimin ndaj Tij, duke mos adhuruar zota tjerë e as idhuj. Kjo rrugë është bindje ndaj Tij dhe shmangie ndaj mëkateve."(7)
Thirrja e njerëzve për në Islam dhe arritja e bindjes së tyre që t'i pranojnë mësimet islame dhe ligjet e saj, mbetet nga mjetet me të cilat mund të realizohet ngritja e shoqërisë islame si dhe vazhdimësia e jetës islame. Duke marr për bazë se sot Islami nuk ka një shtet ku të gjithë do t'i drejtonin synimet kah ai dhe për çdo gjë do të ishte referencë e tyre. Zbatimi i dispozitave islame nga ana institucionale shtetërore nuk funksionon. Prandaj, prej mjeteve që të ngritët një shtet i cili do të funksiononte sipas islamit nevoja për thirrjen islame është jetike, farzi ajn për çdo mysliman derisa të jetësohet ai shtet. Dhe ata që nuk ngritët dhe të veprojnë për këtë çështje -islamin (janë mëkatarë) fetarisht, dhe nuk iu hiqet barra e mëkatit derisa të ngritën dhe të bëjnë thirrje për në fenë e Allahut duke kontribuar konkretisht brenda mundësive dhe fuqive të tyre.(8)
Unifikimi i qëndrimeve dhe mundësive
Por, duke parë realitetin tonë të sotshëm, dhe sfidat që po përballen dijetarët e fesë (thirrësit), kërkon një unifikim të qëndrimeve dhe mundësive për ta kryer thirrjen në mënyrë kolektive është diçka si tejet e domosdoshme dhe imediate. Por, edhe në shoqëritë jo islame janë përhapur ide e imazhe të gabuara rreth islamit duke lidhur islamin me gjithçka të keqe. Ai etiketohet me terrorizëm, fundamentalizëm, radikalizëm me dhunë, agresivitet, i prapambetur, jokohor, i egër, i dhunshëm, jo social etj. E gjithë kjo kërkon një angazhim të madh sa që individi i vetëm nuk mund të përballojë, por edhe një grup individësh nuk mund t'i bëjë ballë gjithë kësaj. Thirrja islame kërkon që të veprohet në mënyrë kolektive dhe këtë e argumenton vetë suneti i Muhamedit a.s., i cili urdhëronte secilin mysliman që përqafon fenë islame të shkonte në Medinë me qëllim që ta bashkojë energjinë-punën e tij me forcën e myslimanëve tjerë që të orientohet në drejtim të saktë, ashtu siç orienton i Dërguari i Tij.(9)
Aktiviteti thirrës për nga madhështia, rëndësia dhe vlera që ka, kërkon njerëz me aftësi të jashtëzakonshme dhe të larta, njerëz me veti burrërore dhe bujare, trimen dhe durim, vendosmëri dhe burrëri, maturi dhe kujdes. Na duhet përqendrimi te këta njerëz të këtyre vetive të larta dhe të jashtëzakonshme, këta njerëz doemos duhet të prezantohen dhe përgatiten jashtëzakonisht mirë. Ata janë stoli në jetë, stoli në mirëqenie dhe përgatitje ose armë në vështirësi. Kujtoj se me të zhvillohet thirrja. Kjo nuk nënkupton se ata janë të pagabueshëm dhe pa të meta, çdo njeri është i tillë, por me rëndësi është që në përgjithësi janë njerëz me veti të larta dhe të jashtëzakonshme, nëse gabojnë menjëherë korrigjohet dhe i kthehet të saktës. Këta i japin përparësi gjërave universale ndaj atyre të veçanta, thelbit para formës, të vërtetës që duket, vendosmërisë së parimit, pa marrë parasysh rreziqet që mund të jenë, deri sa ta takojnë Allahun e madhërishëm me këtë. Rritja e numrit të atyre që shquhen me veti të larta e të jashtëzakonshme në aktivitetin e davetit, njëherësh nënkupton edhe uljen e të paaftëve dhe është shenjë e suksesit dhe anasjelltas.(10)
Këshilla ndaj njëri-tjetrit në të drejtë dhe në durim
Nga ana tjetër kërkohet nga myslimanët që të kontribuojë në shoqërinë e tij duke dhënë këshilla të dobishme në zhvillimin e mendimit njerëzor dhe atij mysliman në veçanti. Temim Evs Eddari, r.a., transmeton se ka thënë i Dërguari i Allahut: "Feja është këshillë, feja është këshillë, feja është këshillë." - Thanë: "Për kë o i Dërguari i Allahut?" - tha - "Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për drejtuesit e myslimanëve dhe për mbarë myslimanët."(11)
Këshillimi njëri-tjetrin në të drejtë dhe në durim janë kushte themelore prej kushteve të shpëtimit në këtë botë ashtu siç e cek Allahu në Suretul Asr. Gjatë misionit të ftesës për në Islam, duhet të kihet durim shumë i madh dhe është prej tipareve kryesore që na ka urdhëruar Zoti me të.
"O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtetë Allahu është me durimtarët". (El Bekare,153).
Kurse në ajet tjetër thotë: O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut. (Ali Imran, 200).
Kjo cilësi për thirrësit bëhet edhe më obligative kur dihet se sabri është tre llojesh, durim në kryerjen e urdhrave të Allahut, durim në shmangien e ndalesave dhe durim në vendimet dhe caktimet e Zotit. Këtë cilësi duhet ta kemi para se të nisemi në misionin e daves.
Edhe urtësitë e Lukmam Hakimit drejtuar birit të tij flasin mjaft dhe Kurani na i sjellë si shembull konkret në rrugën e islamit. Në Kuran thuhet:
O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet këto janë nga çështjet më të preferuara. (Lukman, 17).
_____________________
1) Ziauddin Sardar, Fytyra të Islamit (biseda për probleme bashkëkohore), Logos-A, Shkup,2017, f.152-153.
2) Për më detajisht referojuni tefsirir të Ibën Kethirit 2/195- 196, tefsiri i Rraziut 7/177-178 si dhe tefsiri i Kurtubiut 4/165 dhe të tjerë.
3) Sahih Muslim nr.45,8/111 dhe Ibën Maxhe nr.4013.
4) Sahih Buhari, nr.67 dhe Fet'hul Barti, 1/158.
5) Muhamed el Bejanuni, El Med'hal ila ilmi ed-dave”, botim i tretë, Muesesetu rrisale, Bejrut, 1995, F.33.
6) Imam Hajidh ebil Fida Ismail ibn Kethir el Kureshi Ed-dimeshki, Tefsirul Kur'anil adhim, Darul ma'rife, Bejrut, v.2,1993. f. 514.
7) Ebu Xhafer Muhamed bin Xherir Et- Taberi, Xhamiul bejan fi te’vil el kur'an, v.7, Dar el kutub el ilmije, Bejrut,1992, bot. I-rë. f. 314-315.
8) Fet'hi Jekin, Kejfe ned'u ilel islam. Muesesetu errisale, Bejrut, bot. i tretë, 1977, f. 16, Bejrut.
9) Abdulkerim Zejdani, Usulu eddave, Muesesetu errisale, botimim i IX-të, 1999, Bejrut, f.310.
10) Hisham Talib, Besëlidhja e thirrjes islame, Logos-A, Shkup,2017, f. 48.
11) Sahih Muslim, nr.55, Ebu Daudi nr.4944, tek Tirmidhiu nr. 1927 dhe Nesaiu (7/156).