Në sheriatin islam, tri gjëra që janë bërë pas vdekjes së Muhamedit a.s., të cilat po të mos ishin bërë, do ta gjenim islamin një emër, por pa përmbajtje, e ato janë:
1. Tubimi i Kuranit në një vend (në Mus'haf );
2. Tubimi dhe shkrimi i haditheve në libra, dhe
3. Themelimi i medhhebeve.
Të tri këto veprime janë bërë, nga frika që të mos vjen ekzistenca e islamit në rrezik.
Shkaku i iniciativës për tubimin e Kuranit u bë vdekja e mbi 60 hafëzëve të Kuranit në betejën e jemames, dhe nga frika se rrezikohej të humbej Kurani, u mor iniciativa e tubimit të tij në Mus'haf, edhe pse këtë nuk e kishte bërë Muhamedi a.s. në jetën e tij.
Tubimi dhe shkrimi i haditheve u bë vetëm atëherë kur filloi të rrezikohet hadithi, dhe filluan njerëzit të grinden mes vete për kategoritë e haditheve, sepse njerëz të ndryshëm vendosnin fjalët e tyre dhe i quanin hadithe. E për të ruajtur fjalët e Muhamedit a.s. u detyruan që t'i shkruanin hadithet.
Kurse, themelimi i shkollave juridike islame, u bë pas fillimit të grindjes së njerëzve mes vete për çështje të legjislativit islam, për të cilat nuk kishte argument të qartë dhe të pakontestueshëm për veprimin e tyre, por kishte hapësirë veprimi në më shumë se një mënyrë.
E për të shpëtuar këtë, dhe për të evituar të këqijat që mund t'i ndodhnin umetit myslimanë, u morën iniciativa për sistematizimin e argumenteve fetare, dhe nxjerrjen e dispozitave të fesë nga argumentet, duke përdorur kompetencat dhe aftësitë e tyre në njohurit rreth Kuranit, hadithit, analogjisë etj. Pra, përdorën ixhtihadin (inteligjencën).
Bazë e veprimit të tyre ishin sahabët dhe tabiinët, të cilin kishin përdorur ixhtihadin para tyre.
Para se të shtjellojmë këtë temë, krahas shkaqeve të themelimit të medhhevebe, do të njihemi me përmbajtjen edhe të disa nëntitujve që do t' i paraqesim këtu në pika të shkurtra, e ato janë:
1. Domethënia e shkollave juridike;
2. Historiku i themelimit të shkollave juridike;
3. Shkaqet e themelimit të shkollave juridike islame (medhhebeve);
4. Mospajtimet në çështjet e fikhut dhe formimi i medhhebeve, ishin dhe vazhdojnë të jenë bashkëpunuese dhe të dobishme për myslimanët;
5. Jo toleranca (apo fanatizmi) i pasuesve të medhhebeve në medhhebet e tyre, dhe çfarë duhet të bëjmë për ta evituar këtë;
6. Periudha e imitimit dhe stagnimit;
7. A obligohet myslimani që ta pasojë një prej medhhebeve?;
8. Shkollat juridike më të njohura dhe ato që mbijetuan, dhe disa njohuri rreth imamëve të katër medhhebeve më të njohura;
9. Rezyme dhe përfundimi.
Domethënia e shkollave juridike
Me shkollat juridike nënkuptojmë rezultatin e dallimeve që kishin dijetarët në kuptimin e çështjeve të sheriatit, të cilat nuk kishin argumente të prera nga Kurani apo hadithi, por në përmbajtjen e tyre mund të kishte më tepër se një kuptim.
Ose, orientimi i çdo fakihut në nxjerrjen e dispozitave të sheriatit, ku atij i bashkëngjiten fukahatë e tjerë dhe atë e bëjnë bazë në orientimin e tyre fikhor përmes ixhtihadit.
Mospajtimet në çështjet e fikhut, "ihtilaful fukahaë" janë baza kryesore e shkollave juridike islame. Këto mospajtime nuk kanë të bëjnë aspak me bazat e besimit islam, lidhja e vetme mes tyre është se si t' i mësojmë ato baza të besimit dhe si t'i praktikojmë. Pra, medhhebet islamike, nuk kanë të bëjnë me bazat e besimit islam, por vetëm me legjislaturën, apo praktikën e saj në jetën e përditshme.
E nëse shtrohet pyetja, se pse argumentet fikhore në Kuran dhe Sunet përmbajnë më tepër se një kuptim, ku pastaj nga kjo lindi hapësirë e madhe e polemikave dhe mospajtimeve ?!
Përgjigja është se, që çështjet e sheriatit vijnë në mënyra dhe praktika të ndryshme, për të plotësuar dhe përfshirë nevojat dhe interesat e njerëzve, sado që të jenë ato nevoja dhe interesa, dhe sado që ato do të zhvillohen nëpër kohë.
Shkollat juridike pikënisjen e themelimit e kishin nga një fakih, imam, muxhtehid, dhe pasues të tij, të cilët e pasonin atë në dispozitat që i nxirrte ai nga argumentet e sheriatit.
Pasuesit apo nxënësit luajtën një rol shumë të rëndësishëm në themelimin dhe përhapjen e shkollës juridike, duke i shkruar ato, i plotësonin, i rregullonin dhe i përhapnin në popull.
Historiku i themelimit të shkollave juridike
Historiku i themelimit të medhhebeve daton qysh nga koha e sahabëve.
Gjatë jetës së Muhamedit a.s. burim kryesor i ligjit ishte shpallja, pastaj ishte vetë Muhamedi a.s., i cili i rregullonte të gjitha çështjet.
Megjithatë edhe në kohën e tij ndodhte që sahabët ta përdorin ixhtihadin, ku edhe pajtoheshin për dispozita të ndryshme e shpeshherë kishin edhe dallime. Ata e përcillnin ixhtihadin e tyre te Muhamedi a.s., e ai asnjëherë nuk i qortoi për veprimet e tyre, por me heshtjen e tij e përkrahte përpjekjen e tyre, pavarësisht a e përkrahte apo jo rezultatin e arritur nga ta.
Për shembull, Muhamedi a.s. kërkoi nga ata që namazin e ikindisë të falin të fisi Beni Kurejdha, ata disa e falën gjatë rrugës, e disa e falën në Beni Kurejdha. Ai nuk i qortoi, por i pranoi të dyja veprimet e tyre.
Pastaj, një sahabi për ta arritur rukun në namaz, shpejtoi me vrapim, por pas namazit, Muhamedi a.s. i tha: "Zoti ta shtoftë kujdesin për namazin, por mos vepro më ashtu."
Pas vdekjes së Muhamedit a.s. Islami filloi të përhapet nëpër vendet arabe dhe joarabe, pastaj Islamin e pranuan edhe njerëz të tjerë joarab, depërtoi te myslimanët literatura e huaj e përkthyer nga filozofia dhe shkencat e tjera.
Sahabët edhe pse kishin pajtueshmëri në njohjen e shumicës së dispozitave fikhore, ata megjithatë kishin disa dallime në disa çështje, sado të vogla që ishin.
Mendimet e tyre personale në atë dispozitë, vetvetiu formonin qëndrimin fikhor të tij, me të cilin ai dallohej nga të tjerët, pavarësisht a ishin ato mendime shumë apo pak.
Nisur nga kjo p.sh. Abdullah ibën Abasi kishte orientimin e tij të veçantë, pastaj Abdullah ibën Omeri orientimin e tij, gjithashtu Ali ibën Ebi Talibi etj. Në këto periudha njiheshin fukahatë nga sahabët, e pastaj edhe nga tabiinët.
Mendimet e tyre që i dalluan këta sahabij, nuk u publikuan me emrat e tyre në formë të orientimeve apo medhhebeve të tyre, sepse ato nuk u mblodhën dhe nuk u shkruan që të ruhen te njerëzit sikurse katër medhhebet ekzistuese.
Këto dallime të sahabëve në mendime, ishin edhe si rezultat i shpërndarjes së tyre në kohën e Othmanit nëpër vende të ndryshme, pas depërtimit të Islamit në ato vende. Ku më pas rezultoi me themelimin e dy shkollave të para juridike, shkolla racionaliste "Medrestu rrej'i" - në Irak dhe shkolla e hadithit apo tradicionaliste "Medresetul hadith" në Hixhaz.
Në këto periudha, shkenca e fikhut filloi të lulëzojë në shtetin islamik, jo vetëm me shpërndarjen e sahabëve, por edhe për disa shkaqe tjera si:
Zgjerimi i shtetit islamik, fetvatë e shumta dhe ndodhitë që kërkonin fetva, përhapja e dialogut dhe polemikave mes dijetarëve, fillimi i shkrimeve dhe përkthimeve, ndikimi i politikës së shtetit në përparimin e fikhut, fikhu hipotetik, ndikimi i robërve që kishin pranuar islamin etj.
Shkaqet e themelimit të shkollave juridike (medhhebeve) islame
Formimi apo themelimi i shkollave juridike islame nuk erdhi befasisht e as rastësisht, e as për dëshirën e ndonjë muxhtehidi që ta ekspozonte veten e tij, por edhe kjo erdhi sikurse tubimi i Kuranit, pastaj shkrimi i haditheve, si nevojë për ta ruajtur islamin dhe unitetin e myslimanëve.
Ebu Bekri r.a. kishte frikë të madhe që ta bënte tubimin e Kuranit, sepse ishte përgjegjësi para Zotit.
Edhe Imam Buhariu gjithashtu kishte frikë të madhe që të fillonte tubimin dhe shkrimin e haditheve, sepse ishte përgjegjësi para Zotit.
Gjithashtu edhe imamët e medhhebeve kishin frikë që të vendosnin dispozita nga argumentet dhanijeh (aproksimative).
Por, në të kundërtën, e ndjenin veten përgjegjës nëse nuk veprojnë, ngase Islami dhe uniteti i myslimanëve po rrezikohej, atëherë duke u mbështetur në Zotin dhe me modestinë, sinqeritetin dhe përgjegjësinë më të lartë, i morën këto iniciativa.
Shkaqet kryesore, ku dijetarë kompetentë e ndjenin veten të detyruar që të ndërmarrin veprime direke për sistematizimin e argumenteve fetare dhe nxjerrjen e dispozitave të sheriatit, për të shpëtuar sheriatin islam, por edhe unitetin e myslimanëve, e të cilat më vonë u quajtën shkolla juridike të fikhut, apo medhhebe, janë këto:
1. Mospajtimet në kuptimin e termeve të gjuhës arabe. Kjo për shkak të ardhjes së termeve, fjalëve
në mënyrë të përgjithshme apo të veçantë, të pakontestueshme apo të kontestueshme, të kushtëzuar apo të pakushtëzuar, ose dallimet e termave në rrjedhat gramatikore, si në analiza etj., ose kur bashkohen termet në njëjësin e fjalës, si p.sh. fjala "kurë", që e ka kuptimin e pastrimit pas ciklit menstrual te femrat, ose termi urdhërues a ka për qëllim obligimin apo të preferuarën, pastaj termi ndalues a ka për qëllim ndalimin për haram apo për të papëlqyerën, apo nëse termi në tekst është i përgjithshëm apo i veçantë dhe disa çështje tjera gjuhësore. Këto mospajtime ishin prej shkaqeve të para dhe më të shpeshta që i detyruan dijetarët të kenë dallime në të komentuar, sipas aftësive të tyre shkencore e fetare.
2. Dallimet apo mospajtimet në hadith, kjo ndodhte për shkak të mos arritjes së atij hadithi të muxhtehidi, dyshimit që kishte ai në saktësinë e hadithit, mospajtimet në kushtet e pranimit të hadithit, dallimet që kishin rreth veprimit me hadithin e dobët, ose me hadithin e abroguar e kështu me radhë.
3. Mospajtimet mes fukahave për argumentim nga disa burime ose argumente. P.sh. disa fukaha fjalën e sahabiut e merrnin për argument, kurse disa të tjerë jo. Kishte nga dijetarë të atillë, që veprimin e banorëve të Medinës e konsideronin si argument, karshi disa të tjerëve që veprimin e tyre nuk e konsideronin për argument, dhe nuk vepronin me të. Ndër dallime tjera ishte edhe argumentimi apo ajo nga istihsani, istis'habi, el mesalih, el mursele etj.
4. Dallimet mes fukahave në rregullat e usulit, dhe mënyrën se si e trajtojnë argumentin. P.sh. te hanefitët argumenti i përgjithshëm është argument i prerë para se të veçohet, e nëse veçohet atëherë bëhet dhanij (aproksimativ), kurse te shafiitët konsiderohet dhanij edhe pa u veçuar.
5. Përdorimi i analogjisë (kijasit) si burim i dispozitave të sheriatit. Ndoshta ky mund të jetë njëri ndër shkaqet që më së shumti zgjoi polemika mes fukahave. Edhe pse të gjithë pajtoheshin me argumentimin me kijas, përveç dhahirive, ata dallonin nga njëri-tjetri në kushtet e kijasit dhe kushtet e arsyes për të cilat lejohet kij asi, në mënyrën e argumentimit me të etj. Dallim tjetër mes tyre, sa i përket kijasit ishte edhe përzgjedhja e arsyeve njëra prej tjetrës, kur ato vijnë në kundërshtim, dhe metoda për ta vërtetuar arsyen. Saqë përveç se janë pajtuar që të argumentohet me kijas, në rregullat e vendosura thuajse askund nuk gjejnë pajtime.
6. Argumentet kundërthënëse mes vete, kjo duket në kuptimin sipërfaqësor, sepse po të studiohej mirë nuk ka kundërshtim real, që një argument të thotë hallall, e tjetri të thotë haram për një çështje të caktuar, por ka një arsye se pse janë ashtu. Ky kapitull përmban komentime, arsyetime, ujdi mes argumenteve, abrogim të argumenteve mes vete. Në sunet këto kundërthënie mund të jenë në fjalë dhe në vepra, dhe për këtë ky është një shkak serioz në mospajtimet e fukahave.
7. Dallimet e fukahave në dispozitat e sheriatit të nxjerra nga argumentet e mundshme (el muhtemeleh), të cilat në vete bartin më tepër se një kuptim.
8. Shpërndarja e sahabëve nëpër qytete të ndryshme.
Këtu rëndësi të madhe luante vendi apo mjedisi në të cilin ata shkonin. Pastaj rreth tyre mblidheshin shumë njerëz dhe nxënës të cilët shkruanin nga ata, e më vonë pavarësoheshin në mendimet e tyre personale.
9. Zbritja e Kuranit në shtatë lexime ndikoi shumë, sepse dallimet në lexime shpinin edhe në dallime në kuptim.
10. Mospajtimet në kuptimin e tekstit dhe komentimin e tij.
11. Mungesa e argumenteve për çështjen që duhet njohja e dispozitës së saj. Ky shkak ndoshta është ndër shkaqet më të theksuara të polemikave dhe dallimeve mes dijetarëve.
12. Dallimet e mjediseve, zakoneve dhe traditave mes vendeve, por edhe periudhave kohore. Kjo ishte një arsye mjaft e rëndësishme për dallimet mes fukahave, saqë një fakih bënte kthesë nga shumë mendime të tija, kur e ndërronte mjedisin e jetesës. Shembull për këtë është Imam Shafiu, kur e lëshoi Bagdadin dhe shkoi në Egjipt, ai u tërhoq nga shumë mendime të tija të mëparshme dhe ato i zëvendësoi me të tjera.
13. Problemet politike brenda shtetit islamit, që çuan daljen në skenë të shiave, havarixhëve dhe të grupit murxhie.
14. Mospajtimet mes fukahave për përkufizimin e ixhmait (konsensusi i dijetarëve kompetent). A duhet të jetë ixhmai i të gjitha kohëve dhe vendeve apo jo dhe a duhet të përfshihen dijetarët e të gjitha vendeve apo jo?
DituriaIslame 316