Vlera e të humburës ndërmjet së kaluarës, mësimit dhe porosisë

“Kush dëshiron madhështi (krenari e fuqi), e tërë madhështia është tek All-lahu. Te Ai shkojnë fjalët e mira dhe veprat e mira i pranon. Ndërsa ata që kanë qëllime të këqija i pret dënim shumë i rëndë, sepse dredhitë e tyre janë të dështuara.” (Fatir, 10)

Vëllezër të dashur në Islam!

Falënderojmë All-llahun, i Cili krijoi vdekjen që jeta të ketë kuptim, i Cili krijoi sëmundjen që shëndeti të ketë kuptim, i Cili krijoi natën që dita të ketë kuptim, i Cili krijoi Ahiretin që jeta në dynja të ketë kuptim. I dërgojmë salavate dhe selame të Dërguarit të All-llahut, selam shpirtrave të shehidëve dhe lutemi për udhëzimin e All-llahut për ne të gjallët.

Nga viti në vit, me kalimin e kohës, rrotull moteve, lind dhe vdes jeta në natyrë. Në mënyrë të pandalshme, fuqishëm e rrufeshëm sa që edhe shkëmbinjtë dërrmohen, zhduken, kështu vijimisht e pandërprerë zhduken dhe vdesin të gjitha botët në gjithësi. Edhe ne njerëzit perëndojmë. Askush, përveç All-llahut (xh. sh.), nuk mund ta pengojë ose ta ndalojë marshimin tonë drejt fundit të jetës.

Njeriu i vdekur, duke jetuar në dynja, shpesh edhe nuk mendon për ata që ishin këtu dhe u zhduken. U larguan nga kjo botë me duar të hapura tatëpjetë, e mbeti i tërë pushteti i tyre dhe pasuria e tyre, çdo gjë që kishin pasur, e lanë pas vete e me ta shkuan vetëm veprat e tyre.

Prandaj, çdo musliman dhe çdo njeri në këtë botë duhet të jetë i vetëdijshëm për fjalët e All-llahut (xh. sh):

Çdo gjë që është në të (në tokë) është kalimtare. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar! E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? (Er-Rahman, 26-27).

Një mendimtar islam, duke iu drejtuar të birit, thotë: “Bota në të cilën ke lind, biri im, është e vdekur. Herët a vonë era edhe këtu do të sjell farën e shkatërrimit tonë, e cila më pas do të mugullojë në çdo mal e çdo shtëpi... Në këtë botë të re ku ne jetojmë ekziston një mënyrë e re e të vdekurit. Në botën e vjetër e vritnim njëri tjetrin, dhe me të mbaronte çdo gjë. Por, tani e kam mësuar që indiferenca e plotë mund të jetë njësoj vdekje e pamëshirshme si edhe të humbësh kokën në dyluftim.”

Të kujtojmë të kaluarën e art kur të jetuarit ka qenë për të jetuar jetën, e jo për të fituar e grumbulluar miliona, pozita dhe medalje...

Si të kuptojmë vlerën, rëndësinë dhe madhështinë e asaj që e kemi humbur? Si humbje e së kaluarës, apo si mësim për të tashmen e porosi për të ardhmen? Në jetët tona ka momente kur e ndiejmë veten mirë, por, gjithashtu, edhe momente kur ndihemi keq. Po të kthehemi në të kaluarën e të fillojmë të numërojmë e rinumërojmë: “ka qenë një kohë kur kam kaluar momente të mira”..., a po e vëreni që thash “ka qenë” që do të thotë se ajo nuk është më, nuk është e përjetshme, por, gjithashtu nuk është e përjetshme edhe ajo që është e keqe. Shpesh herë e dëgjojmë proverbin e vjetër: “I ngopuri s’e kujton të uriturin”. Vallë, a mundet ai që është i shëndosh dhe i ri të kuptojë atë që është i sëmurë dhe i plakur? Eh, po të mundej ai që është i shëndoshë dhe i ri të shoh vlerën e shëndetit e të rinisë me sytë e të sëmurit e të plakut?! Kur e themi fjalën “pasuri”, natyrisht që mendojmë për atë materiale. Por çfarë dobie ka nga pasuria dhe shkëlqimi, nëse në vete ndjesh mjerim dhe varfëri?!

Shohim se disa njerëz kënaqen edhe nga minimumi në fe, por nuk do të kënaqen nga minimumi në nevojat jetësore. Në dobi të fesë hiq dorë nga dynjaja, e cila u takon pushtetarëve, siç pushtetarët heqin dorë prej fesë në llogari të dynjasë.

Pejgamberi (s) ka thënë: “Shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave”. Njëra prej tyre është jeta para vdekjes”.

Ndërsa poeti thotë:

“Injorantin e pushton shpresa
e vdes ai të cilit i ka ardhur exheli.
Kujt i afrohet vdekja
kurrfarë dredhie nuk i ndihmon
Si mund të jetojë përgjithmonë ai,
të parët e të cilit kanë vdekur?
E me njeriun në varr
vetëm veprat e tij shkojnë”.

Kur në jetë na ndodh diçka që nuk e duam, dëshirojmë të vdesim apo që Zoti të mos na kish bërë. E dëshirojmë vdekjen, a nuk e dimë se a kemi kuptuar vlerën e jetës para vdekjes dhe nuk e dimë fatin e jetës pas vdekjes, nuk e dimë a do të jemi prej atyre, të cilët në Ditën e llogarisë do të thonë: “Ah sikur të kisha qenë dhe”!!! (En-Neb’e, 40).

Omer Kajjami thotë:
“Eh! Si më kot fluturoi kjo jetë:
çdo kafshatë mëkatare, çdo ditë bëhej e lig fare,
listë e zezë detyrash që pa kryer kanë ngelur,
mal i tërë ndalesash që i kam shkelur!
Unë jam tejngopur, o Zot, nga ajo “esenca” ime,
nga frymëshkurtësia ime dhe paaftësia ime;
çdo gjë që nuk është, Ti e bësh të ekzistojë:
ngrite hiçin tim tek esenca Jote.”

O njeri, humbja jote, mësimi (porosia) – e kaluara, zgjidh?!
“Rruga që çon në shkatërrim është e gjerë, e rruga që çon në jetë është e ngushtë.” “Jeta nuk ka pushtet mbi njeriun që ia di vlerën vetes”.

Poeti i madh arab Halil Xhubrana thotë:
“Njerëzit bëhen robër të jetës dhe për shkak të asaj robërie ditët i kanë plot poshtërime e pësime, e netët të tëra në gjak e lot.
Ja, kaluan shtatë mijë vjet nga lindja ime e parë dhe deri tani nuk pash gjë veç se robër të nënshtruar, të prangosur e të robëruar.
E vizitova Tokën nga lindja në perëndim, e njoha edhe errësirën edhe dritën e jetës, pash procesionet e popujve si vrapojnë nga shpella në pallate, por deri më tani s’pashë tjetër veç se qafë të futura nën zgjedh, duar të lidhura me zinxhir dhe gjunjë të përkulur para idhujve.”

Njerëzit i ka pushtuar dynjaja dhe dashuria ndaj saj. Të joshur, të dehur, të hutuar, që bredhin rreth e rrotull me sy të mbyllur dhe ndjenja të topitura, kështu që Paralajmëruesi vetëm mund t’i tund, duke ua përkujtuar varret:

Ju preokupon përpjekja për shumimin e pasurisë. Derisa të mos zëni vend në varre (të vdisni). Jo, nuk është ashtu! Gjithsesi këtë do ta kuptoni! Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni! Jo, nuk bën ashtu – ta dini këtë me siguri (të jeni të bindur). Ju pa tjetër do ta shihni Xhehennemin. Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht. Pastaj, atë ditë do merreni në pyetje për kënaqësitë e jetës (në dunja). (Tekathur,1-8)

Njerëzit bëjnë gara për të fituar prestigj dhe për të grumbulluar sa më shumë pasuri materiale. Jeta jonë e përditshme është jetë garuese, agresive dhe ambicioze.

Besimtari kurrë nuk bëhet rob i margaritarëve dhe i shkëlqimit të tyre. Paraja kurrë nuk guxon të zotërojë shpirtin e tij. Shumë njerëz për ar e kanë shitur edhe nderin e tyre, për ar - për këtë mallkim njerëzor – që të ketë sa më tepër, pa marr parasysh arsyet dhe pengesat morale. Janë nënçmuar vlerat shpirtërore dhe janë shitur për stoli të çmuara.

Pejgamberi (s) thotë: “Kush dëshiron të lartësohet vetëm në këtë botë, All-llahu (xh. sh.) po aq ose edhe më shumë do ta poshtërojë në botën tjetër.” (Taberaniu).

Njeriu duhet të ketë kujdes për jetën e vet para vdekjes, duhet të shfrytëzojë rininë para pleqërisë; duhet të kujdeset për pasurinë e vet para varfërisë; duhet të shfrytëzojë fuqinë e mendjes së vet para dobësisë; njeriu duhet të ruajë shëndetin e vet para sëmundjes.

Mos ke frikë të ballafaqohesh me vetën tënde para se të të ballafaqohesh me Krijuesin, sepse siç thuhet në një traditë: “njerëzit duhet t’i japin llogari vetes së tyre para se të dalin për të dhënë llogarinë e madhe para Zotit.” Sepse askush nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë para drejtësisë së Zotit.

E All-llahu (xh. sh.) në Kur’an thotë: "E kur të çahet qielli. Dhe kur të shkapërderdhen yjet. Dhe kur të përzihen detet.

Dhe kur të trazohen varret. Atë botë secili njeri e din se çka ka punuar dhe çka ka lënë prapa! (82, 1-5)

Vëllai im! Dije mirë se një ditë njeriu do të zhduket nga faqja e dheut. Dhe pas saj do të qëndrojë para Krijuesit të vet, All-llahut (xh. sh.). Gjithçka rreth nesh flet për vdekjen, si një e vërtetë e pashmangshme. Vdekjen e shohim çdo ditë, dëgjojmë çdo ditë për të. Gjithkund rreth nesh njerëzit vdesin. Në një epitaf të vjetër qëndron:

“Ai, All-lahu është Krijues i amshueshëm!
O vizitues i varrit tim,
mendo për gjendjen time.
Unë dje kam qenë, siç je ti sot,
kurse nesër, ti do të jesh si unë sot.”
Ndërsa thënia e urtë thotë: “Ne atyre lamtumirë, ata neve mirupafshim.” (Të vdekurit të gjallëve)

Një ditë, kur të vijë çasti i vdekjes, njeriu i veprave të mira do të qëndrojë i qetë para Krijuesit të vet. Qëndron i qetë, sepse ka jetuar një jetë të frytshme dhe të dobishme, shpirti i tij do të shndrisë si ylli më i bukur dhe më i ndritshëm, kështu që edhe ai vetë do të pyes: “ O Zoti im, a thua kështu po sherrit shpirti im, a thua kjo dritë është shkëlqim i jetës sime të kaluar? Para tij do të çelen dyert e xhennetit dhe do të dëgjojë fjalët e engjëllit: “Paqe dhe Shpëtim!”.

Për bukurinë e këtij momenti, për takimin e mrekullueshëm me All-lahun e Madh vërtet vlen të jetohet jeta e ndershme dhe fisnike.

Vëllezër të nderuar! Ju këshilloj që të jeni të vetëdijshëm për All-llahun. Të jini të saktë në jetë, mendoni e meditoni, kërkojeni veten! Le të mos ketë as ditë as natë ku do të bënit gjynah! Çdo gabim regjistrohet midis veprave të njeriut. Prandaj, kini kujdes dhe vazhdimisht të jeni të vetëdijshëm për All-lahun.

Sot jemi ne dhe vepra jonë, nesër do të jemi ne dhe llogaria jonë. Sot është vepra pa llogari”, thotë H. Alia. Ç’thënie e mirë! Ajo ndikon, madje edhe në mure dhe shkëmbinj. Mirëpo, jo edhe në këto zemra të gurëzuara.

“Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë të forta si guri, e edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë, madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.” (El- Bekare, 74)

O All-llahu i Mëshirshëm,
Të vërtetën na e paraqit si të vërtetë!
Mashtrimin na e paraqit si mashtrim!
Bashkoi zemrat tona në dashuri!
Forcoje veprën tonë në drejtësi

O njerëz! All-llahu i lartësuar ju ka dhënë lirinë që të veproni si të doni, madje edhe atë që ligji i Tij e ndalon. Mirëpo, si muslimanë, jemi të lirë të zgjedhim të mirën, por nuk jemi të lirë të zgjedhim të keqën.

Ndikim të madh kanë etalonët (modelet) e gabuara, idhujt e ndryshëm, të cilët nuk janë në gjendje të edukojnë dhe të udhëheqin rininë. Prandaj, të rinjtë nuk janë në gjendje t’u rezistojnë të ligave të kohës.

Duhet t’i formojmë dhe edukojmë fëmijët që të jenë përgjegjës dhe të thonë “Jo”. T’i thonë “Jo” të keqes. Gjynahu nuk është rregull i jetës, sepse jeta nuk mbështetet në gjynah dhe në të keqën, por në të mirën...

Xhelaludin Rumiu thoshte: “Biri im, edukoje shpirtin tënd, qënien tënde, kjo është rruga e drejtë. Për shkak të edukimit të mirë kjo gjithësi noton në dritë, kurse engjëjt kanë fituar pastërtinë, ndërkaq, Iblisi, për shkak të arrogancës, është përzënë nga Dyert e përdellimit.”

Ebu Hamid Muhammed El-Gazali shkruante: “Djalosh, përpiqu të jesh shpirtgjerë e fisnik. Mos lejo që epshi të të pushtojë, por ai gjithnjë le të jetë i frenuar, përpiqu që trupin ta bësh të vdekur. Varri yt është shtëpia jote. Atje të presin çdo moment. Ruaju atje të mos vish pa pajisje.”

O njerëz! Sot është vepra pa llogari, e nesër do të jetë llogaria pa vepër. Nesër kur do të lutesh: Zoti im! Kam gabuar, më kthe, se do t’i fali në ditë 17.000 rekate në vend të 17 farzeve të përcaktuara, do të marrësh përgjigjen: “Koha jote ka mbaruar”.

“Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t'i vijë vdekja, e atëherë të thotë: "O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!"

"Po, All-llahu kurrsesi askënd nuk e shtyn për më vonë, kur atij t'i vijë afati i vet. All-llahu hollësisht është i njohur me atë që ju punoni” (El-Munafikun, 10-11)

“O njerëz, dëgjoni dhe mbani mend! Kur të mbani mend, përfitoni! Kush jeton – ai vdes, e kush ka vdekur – ka shkuar. Çdo gjë që duhet të vije, do të vijë: edhe shiu edhe bimët edhe pasuria edhe ushqimi, baballarët dhe nënat, të gjallët dhe të vdekurit, grupet dhe gjërat e shpërndara, pastaj shenjat pas shenjave.

Me të vërtetë në qiell ka lajme, e në tokë mësime: nata e errët, qielli plot hyllësi, toka plot vrima, e deti valë. Ç’është me mua? Shoh njerëz shkojnë e nuk kthehen. A janë të kënaqur me banimin e atjeshëm, e nuk vijnë, apo i mbajnë atje dhe nuk kthehen! Në betimin e tij s’ka gënjeshtër as gjynah: - Vërtet All-llahu ka besimin që i është më i dashur se besimi juaj dhe Pejgamberin ardhja e të cilit është afruar, dhe që tashmë ju ka mbisunduar. Lum për atë që arrin ta shohë dhe beson në atë pejgamber dhe niset pas tij e mjerë për atë që nuk e dëgjon dhe e kundërshton.” (Fjalimi i Ibni Sa’id Ijadij)

Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t'i thotë: "Bëhu!" Ai menjëherë bëhet. (Jasin, 82)

Kur All-llahu vendos të krijojë diçka, urdhëron krijimin e tij. Njerëzit e fillojnë jetën e vet me vullnetin e All-llahut. Janë foshnjë të pafuqishme e të paafta. Nuk dinë për jetën, mjedisin... Fillojnë të rriten dhe me vullnetin e All-llahut rriten, jetojnë, mësojnë, punojnë...

All-llahu i Lartësuar e jep farën e jetës në brendinë e Tokës. Del bima që në vete bartë farën e jetës, siç në ndonjë fryt gjendet trungu i madh.

S'ka dyshim se sundimi i qiejve e i tokës është i All-llahut, Ai jep jetë dhe vdekje, e ju, përveç All-llahut, nuk keni përkrahës tjetër. (Tevbe, 116)

Shpejtojmë të arrijmë në fund të kohës, të depërtojmë në fshehtësitë e patejdukshme të jetës, që kështu të papastër të arrijmë në zanafillë. Duam nëpërmjet vetes tonë dhe jashtë saj në pafundësinë e botës, e as në vetvete sa duhet nuk kemi qenë.

O njeri, ku po rebelohesh? A nuk e di vallë, ç'është jeta? A e di se jeta është kalimtare? A e di se në jetë çdo gjë është kalimtare? Në një ngushticë nëpër kohë, mbesin vetëm vlerat e vazhdueshme. A dëshiron të jesh njeri i kohës, dhe atë njeri i kohës në tërësi, e jo vetëm i kohës së jetës tënde të dunjallëkut. Dëshiron të jesh i pavdekshëm? Të gjithë e dëshirojnë Xhennetin, e askush nuk dëshiron të vdes. Vetëm ai që e beson dhe falë namazin bëhet pjesë e kohës, pjesë e historisë, të cilën e krijoi Zoti i Mëshirshëm sikur edhe vetë kohën. Ai, madje bëhet pjesë e metahistorisë! Kulmi i të arriturave tua në kohën ku jeton është NAMAZI. E ku po rebelohesh pra?

Përse nuk e dëshiron amshueshmërinë? Përse e do më shumë kalimtaren ? Shkon pas gjërave kalimtare. Shkon nga drita sikur mushkoja, por nuk shërbehesh me të. Vetëm paramendojë sa i pakuptimtë është konfori i trupit. Trupi i përflakur (djegur) i mushkonjës askënd nuk e iriton. Nuk dëshiron ta lësh shënimin tënd në listën të cilën e harton koha. Duke i kushtuar vëmendje të përpiktë trupit, nuk arrinë as edhe te faqja e parë e kalendarit. Vetëm përmes namazit lë gjurmë në kalendar, në udhëtimin nëpër kohë. E merr një pjesë të përjetësisë, priresh nga vlerat e qëndrueshme.

Ej, po ti e do më shumë kalimtaren se përjetësinë. Ti je njeri i vogël! Ti nuk je prej atyre njerëzve të mëdhenjë që lënë gjurmët e ekzistencës dhe qenësisë së tyre. La ilahe il-lall-llah . Vallë, a nuk e ke kuptuar se mbështetja jote e fuqishme për këtë botë, në të vërtetë është njëra nga të metat tua, sepse ti, në të vërtetë, nuk mund të kuptosh thellësinë dhe ta njohish botën e përjetshme. Ti mendon se ke arritur në lartësi të mëdha, por je në lajthitje, sepse nuk e ke kuptuar gajbin. A e di ti ç'është gajbi? Ti u ngrite dhe menodve se e tërë bota është e jotja, e në të vërtetë ti ke të metën më të madhe ndër të tjerat - nuk e sheh atë botë, kalosh nëpër kohë padobishëm dhe në fund nuk i sheh bukuritë dhe nuk arrinë te i Mëshirshmi. Sa të vogla janë mundësitë tua, e mendon se je i madh. O ç'lajthitje dhe gënjeshtër e madhe është kjo me të cilën jeton. Nuk e ke zbuluar as edhe një fshehtësi, e menodn se bota është e jotja. "Nuk kalon i vogli nën yje ". Këto fjalë të shërbejnë për ta ushqyer mburrjen tënde dhe egoizmin tënd, e nuk e kupton se je i vogël nën yjet nga një aspekt tjetër. A e di o njeri i mirë se, ndër të gjitha krijesat e gjalla në Tokë, kush kujdeset vetëm për konforin e trupit?! Ai që nuk e vret mendjen dhe ai që nuk ka shpirt. Kush i është kthyer vetëm kësaj bote dhe kush mendon vetëm për sot? Kush nuk e njeh botën e ardhme dhe punën për të? Këta janë ai lloj që ne, më fal, i quajmë kafshë! Me siguri nuk dëshiron të jesh i ngjashëm me këtë lloj apo edhe më keq se ata. Ç'është ajo që të bën njeri - mëkëmbës në Tokë? A je ngritur në të vërtetë, sipas cilësive tua, mbi këtë lloj? Të Mëshirshmit të gjithë i falen, sipas urdhërit dhe instinktit të brendshëm, por vetëm njeriu këtë duhet ta bëjë sipas bindjes së vet dhe sipas vetvendosjes. Dhe me këtë i Mëshirshmi e bëri atë dallimin (distinktin) e rëndësishëm ndërmjet njeriut dhe atyre llojeve tjera. Arsyeja është ai dallimi (distinkti) thelbësor, por ti e sheh se ajo është mjet për ta njohur të Mëshirshmin dhe për t'u kthyer nga Ai. Për këtë arsye i Mëshirshmi e krodhi atë në ty. Racion (mendjen) i Mëshirshmi ta dha ty duke ia mësuar Ademit (a.s.) kuptimin e fjalëve, por ti je mosmirënjohës, i bësh vetes keq dhe rezonosh kështu: "Meqë tashmë jam duke i bërë vetes keq, përse të mos u bëj edhe të tjerëve"?

O njeri, përse e merr të huajën? A nuk të mjafton që mbush stomakun tënd me fruta të prishura nga kopshti yt, por i kthehesh edhe kopshtit të huaj. Zoti yt të jep fruta të mira, por ti më shumë ke qejf të hash e të pijsh atë që me kalbësirë është rritur. Jij sikurse h. Mevlana, i cili e do më shumë Pronarin e vreshtës, se verën nga e cila dhemb stomaku dhe koka. Ushqehesh me haram, e nuk e kupton se çdo kafshatë duhet arsyetuar. Vetëm që në këtë nuk je i sigurt. Një këmbë na dunja e tjetrën në varr, megjithatë të huajën e merr dhe ushqehesh me haram. Ti mendon se çdo frut nga kopshti i Zotit është i lejuar dhe se pikërisht për ty është destinuar. Ti, as që mendon se ka edhe të tjerë, të cilët kanë të drejtë të shijojnë frutin e lejuar nga kopshti i Zotit. Sepse, vetëm All-llahu (xh. sh) është Një i Vetmi Krijues i përkryer dhe Zot i çdo gjëjë, Nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Atij i takon falënderimi dhe lavdërimi i përjetshëm. Ti, o njeri, në egërsinë (ashpërsinë) tënde nuk je i barabart as me luanin. Lakmia jote është e pafrenueshme dhe e pangopshme. Nuk është fakir (i varfër) ai që s'ka, por ai që kurr s'ngopet, - i cili nuk e kupton se ka edhe njerëz tjerë në mjedisin e tij. Kjo do të thotë se ti je nga brendësia i varfër, gjë që është lloji më i madh i varfërisë. Po, miku i dashur si po e sheh çdo gjë është e kundërta, mendon se je i mençur - por nuk je, mendon se je i pasur - e nuk je. Mendon se ke të drejtë - por nuk ke. Për ty është e vërtetë kjo botë e dukshme dhe kalimtare dhe ti jetosh vetëm për të, por bota tjetër është më e sigurt, në të vërtetë shumë më reale. Jeta jote është shumë e shkurtër dhe kalimtare, ndërsa shenja e qenësisë tënde është reduktuar në ditarin tënd. Më tej prej fillimit nuk ke lëvizur.

Ti rrënon çdo gjë para vetes, duke shkelur dhe nuk e vëren nën kembë se nëpër çka je duke ecur, ndërsa te folurit tënd është në kundërshtim me atë çka vepron. Ai vetëm mashtron. Duke dëgjuar njeriu fjalëembëlsinë tënde vetëm në lajthitje mund të bie.Ti i largon edhe të tjerët nga rruga së cilës duhet shkuar. La ilahe il-lall-llah. Këto fjalë të mëdha nuk i kupton.

A e di se të duhet të përgjigjesh për veprat tua, ndërsa për shkak të gjuhës sate edhe më keq da ta pësosh. Gjuha jote ka tëholluar ushqimin dhe fjalët, kështu duke e mbushur stomakun më therra dhe ujë të valë. Kjo do të të ndodh me siguri nëse nuk përmirësohesh, nëse nuk ndërrohesh. Por, a do të ndërrohesh ti? Sepse, mendjemadhësia në shpirtin tënd është e paasgjësueshme, ndërsa lakmia dhe epshi ta bëjnë edhe më të keq shpirtin e tillë. Si të ndryshosh, atëherë, kur nuk ka ilaç më për atë shiprt. Ti e mashtron edhe veten edhe mjekun. Sepse si do ta sherojë mjeku të sëmurin, kur ai e fsheh sëmundjen tij dhe nuk merr ilaç nga terapia e përcaktuar. La ilahe il-lall-llah. Por të gjitha këto gjëra ti nuk i sheh, e mbase i Mëshirshmi t'i ka mbyllyr sytë, e nuk meriton të shohësh. Kush është i verbër i vërtetë, mendo mirë? Ilaçet e vërteta janë gjithmonë të idhta dhe ato shpesh nuk merren, prandaj fëmijët dhe njerëzit e vegjël nuk mund t'i kuptojnë. Sepse mendja e fëmijës është shkurtëpamëse, ndërsa gjuha shumë e shpejt, mbase u ngatërrohet mendja dhe fillojnë t'i lidhin fjalët dhe mendimet, por kjo është joadekuate për moshën fëmijnore. A e sheh, o njeri që mendja jote është e cekët dhe se je në lajthitje, por, me gjithë këtë traktat të kuptueshëm, më shumë dëshirosh t'i pëlqesh vetvetes dhe ta ushqesh nefsin tënd, duke mos zgjedhur mjete për t'ia arritur qëllimit. Ti nuk kupton ose nuk don të kuptosh. Faktet dhe të vërtetën i refuzosh apo në momentin kur duhet t'i rrëmbesh si plaçkë, i flakë ato. Për ty nuk kanë absolutisht rëndësi kufijt, kriteret, vlerat. Në garën e jetës, ti nuk zgjedh mjete. Ty fare nuk të shkon ndërmend se Gjykatësi Suprem çdo gjë shënon dhe e peshon në gram dhe në milimetër. Tani mendo pak për këtë fakt: ti merr me tonelata, E Gjykatësi e di për çdo gram që e ke marrë në mënyrë të padrejtë dhe për mjetet që i ke shfrytëzuar në tërë lojën e jetës dhe në këtë garë, e cila ka qëllimin dhe kuptimin e saj. Por ti nuk e sheh.

Ti vrapon në drejtim krejtësisht të kundërt nga qëllimi. Sepse, nëse i Mëshirshmi dhe Gjykatësi e ka caktuar dhe u ka dhënë garuesve një qëllim: grumbullimin i gjërave dhe veprave të mira, devotshmërinë, e ti ngarend nga e kundërta; grumbullon të këqija dhe vepra të liga dhe duke mos iu frikësuar dënimit, ti atëherë fund e krye gabon. Për arsye se shkon në vend të gabuar duke arritur në qëllim nga drejtimi i kundërt dhe duke sjellë me vete ngarkesa vështirësish. Atë që e ke sjellë për gjykatës të vertetë është një gur i pavlerë, të cilin e ke lidhur me mbështjellës rreth qafës vetanake. E ti tërë këtë kohë të jetës sate në këtë botë e ke kaluar duke mbledhur gurë të pavlerë. Duke shkuar në drejtim të gabuar dhe duke shfrytëzuar mjete te palejueshme, duke gabuar ndaj vetvetes, duke mos respektuar ato që i Mëshirshmi t'i dha si mjete në atë rrugë dhe në atë garë devotshmërie, ti nuk i respektove rregullat e lojës. Ti me siguri gjatë rrugës i ke lejuar vetes ushqimin e nefsit nëpër disa kënaqësi që janë kalimtare dhe shpesh të palejuara në rregulloren e lojës, por si nuk e kupton se është i rëndësishëm qëllimi? Nëse të thotë dikush të shkosh në ndonjë vend dhe t'i sjellish pasuri në formë margaritarësh, gurësh të çmuar, dijamantësh, dhe ta jep biletën për atë rrugë dhe të furnizon me të gjitha mjetet e mundshme të nevojshme për atë rrugë, e përkundër të gjithave, shkon në një vend tjetër, i harxhon të gjitha gjatë rrugës dhe në fund ke sjellur gurë të thjeshtë të pavlerë, atëherë kush është fajtor, i paarsyeshëm dhe gabimtar?!!

Ai që të ka udhëzuar apo i udhëzuari?!! Si mund të mos e dëgjosh Atë i cili ta mundësoi në çdo mënyrë që të udhëtosh? Ti e përfill dhe e dëgjon atë që të nxit të besh keq, që të mashtron, i cili nuk të çon nga e mira dhe për të cilin i vetmi qëllim është mashtrimi.

Devijimi yt nga drejtimi i lejuar është kuptimi dhe detyra e tij themelore, e ti, fatkeqësisht atij i përulesh. O njeri kthehu Atij Krijuesit dhe Gjyqtarit të Përkryer që është gjithmonë i falënderuar dhe i lavdëruar - All-llahut xh. sh. që është i mëshirshëm ndaj robit të vet dhe i cili do ta udhëzojë gjithmonë nga e mira.

“Jeta e secilit njeri duhet të jetë si libri i hapur: vetëm jeta e hapur është guximtare, vetëm jeta e hapur është e pastër” (Ervin Sinko)

All-llahu (xh. sh.) ia cakton afatin gjethit, kështu ai thith ujin dhe rrezet diellore, dhe fillon të shushurisë. Në vjeshtë gjethi përsëri fillon të shushurisë, por bjer dhe shpërndahet në tokën e ftohtë dhe me ujë të zhytur.

Gjëja më e vështirë si dëshmitarë për mua është, kur në mes të ditës takoj njeriun në errësirë, e nuk i bën fare përshtypje kur i ofroj Dritën që të dalë nga errësira.

Vallë a është më e fuqishme gënjeshtra dhe lajthitja e huaj se e Vërteta e jote? Më vjen të thërras, të bërtas... Por jo, kam frikë që urrejtja të mos ma pushtojë dëshirën dhe atëherë s’do të mund të bëja asgjë për njeriun. Unë edhe këtë, zaten, nuk mund të bëj pa vullnetin e Zotit, por dëshira mund të mbetet e pastër dhe ajo është më e fuqishme se kur bashkohet me urrejtjen, që të dyjat do të lodheshin shpejt dhe do t’u tërhiqeshin nga përpjekjet e mëtejshme që të shpëtohet dikush. Kjo do të ishte krim.

Në botë më shumë ka të verbër dhe të shurdhër dhe prej atyre që zemrat i kanë të sëmura... E vërteta për ata është ilaç dhe me këmbëngulje u duhet ofruar (ofrimi i ilaçit duhet të jetë më këmbëngulës se sëmundja që të ketë efektin e vet), ndodh që disa përjetojnë shërimin, vetë kam qenë dëshmitarë i të tillëve.

Po, kush do të ofrojë ilaçin, kur të shëndoshët janë të pakët?

Ku jeni o vëllezër e motra, që dikur ishit betuar me të Vërtetën se kurrë nuk do ta tradhtoni, përse tani e keni ngatërruar (përlyer) besimin me jobesimin (diturinë me injorancën) siç ndyhet uji i pastër me të papastrin?!

Vallë, a më mirë ju duket të bredhni në moçal, në vendin ku myshku përgatitet për kundërmim... Vallë, njohja juaj, a fare nuk ua bëri të mprehtë të parit tuaj?

Këtë botë e keni shikuar si fatamorganë dhe me pasion i jeni dorëzuar, duke menduar se fundi i sprovës është shumë largë, dhe akoma nuk keni flijuar asgjë për të vërtetën, prandaj, ia ktheni shpinën.

Por nuk është kjo fakeqësia më e madhe, më e rëndë është të përballosh atë që ju veten të besueshëm e quani, ndërsa mu’minët e vërtetë për fanatikë i mbani dhe talleni me ta siç talleshin idhujatarët me Pejgmaberin dhe fenë e tij, paqja e Zotit qoftë në shpirtin e tij dhe të pasardhësve të tij të vërtetë!

Nuk dua më të merrem me ju, të cilët dunjan e keni më afër se Zotin, pabesimtarin më afër se vëllain dhe motrën, dredhinë e shejtanit më afër se mëshirën e Zotit...

Qofshit largë meje edhe në këtë botë edhe në botën tjetër!

Por, shejtani nuk do të më bëjë të hesht dhe të pushoj së zbuluari hipokrizinë dhe aleancat me të. Nëse do të dëshmoj për turpin tuaj dhe dredhinë e shejtanit, do ta privoj atë nga kënaqësia që të ma sundojë shpirtin.

E ju o vëllezërit e motrat e mia, që jeni në pakicë, ju të bindurit dhe të nënshtruarit e Lartmadhërishmit (të vetmit ju jeni vëllezërit e motrat e mia), ngjeshni radhet, kthehuni nga ata që vuajnë nga shumë fatekeqësi, kthehuni nga të varfërit, të uriturit, të sëmurët, të trishtuarit e të humburit, drejt atyre të cilët akoma nuk i ka shtrënguar mendjemadhësia e shejtanit, ngjesheni radhët që t’u ndihmojmë.

Zgjojeni misionarizmin e fesë dhe jepni çdo gjë prej vetes, flijimin, vetëmohimet e qoftë edhe pak komoditet nga jeta jonë dhe të fillojmë nga individi te individi, t’u kthehemi të lajthiturëve që të jemi njëri pranë tjetrit, të kthejmë gëzimin në zemrat e të merziturve dhe të vetmuarve, t’u ofrojmë ilaçin të sëmurëve, t’i ushqejmë dhe t’i veshim të uriturit dhe të zhveshurit që të jemi njësoj. T’ia çojmë në vend të drejtën atij që i është marrë. Kemi nevojë për të gjithë ata, sepse bashkarisht jemi më të fuqishëm dhe më të mirë. Të kultivojmë mëshirën ndaj njëri –tjetrit dhe ashpërsinë dhe trimërinë ndaj zullumqarëve (Kështu urdhëron i Lartësuari).

Të thërrasim njëri tjetrin në rreshta dhe vendi i tubimit le të jetë i përbashkët për të gjithë ne... Dhe të punojmë... Ka tepër shumë prej atyre që vetëm flasin!



Literatura:

1. Ebu Hamid Muhammed el-Gazali, Savjeti vlastima, Sarajevë, 2001.
2. El-Hasan el-Basri, Cujem sum prijatelja ne vidim, Zagreb, 1989.
3. Elharun Selimovic, Psihologija namaza, pa vit dhe vend botimi.
4. Feriddudin Attar, Pend-nama, Sarajevë, 1990.
5. Ismet U. Shehibrahimoviq, Snagom vjere do savrsensva duse, Sarajevë, 1984.
6. Dr. Mustafa Ceric, Vjera, narod i domovina, Sarjevë, 2002.
7. Mr. Refik Catic, Vjeronauka za cetvrti razred osnovne skole, Sarajevë, 1996.
8. Mual’lim, nr. 12- Islamska revija, Sarajevë, 1991
9. Takvim, 1993, Podgorica, 1993


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi