Intervistë me mësuesen Sara Fahem fituese e Çmimit Kombëtar “Mësuesi i Vitit 2018”

Mësimdhënia është një art më vete, që kërkon durim, takt dhe këmbëngulje. Mësuesit më të suksesshëm janë ata që edukojnë me zemër dhe jo me libër. Duke qenë se kanë në dorë edukimin e një kombi, përgjegjësia e mësuesve përballë shoqërisë është shumë e madhe. Për pasojë, edhe vlerësimi i tyre duhet të jetë një shtysë për të përmirësuar punën e palodhur me brezat e rinj. Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, prej vitesh i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë përzgjedhjes së mësuesve më të mirë, në të gjithë vendin, duke akorduar çmimin kombëtar “Mësuesi i Vitit”.

Për vitin 2018, në listën e tre finalistëve ishte edhe një mësuese me shami, Sara Fahem, e cila ushtron mësimdhënien në shkollën “Qëllimi i Jetës”, për lëndën “Gjuhë Shqipe dhe Letërsi”. Teknikat mësimore që ajo ndjek: Kllaster, Braimstorming, Ditar dypjesësh, Ese, Dramatizim etj., i bëjnë edhe më tërheqëse orët mësimore, duke thyer monotoninë e duke arritur një pjesëmarrje të gjerë dhe aktive të nxënësve në klasë. Gjatë një interviste me të, Sara na tregon për çelësin e suksesit në mësimdhënie dhe hapat që duhen ndjekur për zhvillimin e mendimit kritik të nxënësve.



Përshëndetje Sara! Urime për vlerësimin që keni marrë në kuadër të nismës kombëtare “Mësuesi i vitit 2018”, duke u radhitur ndër tre finalistët. Ky është një privilegj i madh për ju, por edhe një tregues i aftësive tuaja profesionale në mësimdhënie. Si e pritët këtë lajm?

Përshëndetje Armida! Ju falënderoj përzemërsisht për urimin! Sigurisht, jo vetëm arritja në finale për këtë çmim, por edhe vetë pjesëmarrja, si një nga konkurrentet për të marrë çmimin “Mësuesi i vitit 2018”, ishte privilegj për mua. Duke qenë se konkurrentët ishin mësues nga e gjithë Shqipëria, padyshim, arritja në finale ishte një lajm shumë i gëzuar për mua, familjen time, stafin e shkollës ku unë punoj, por edhe shumë miq e mikesha që gjej rastin t’i falënderoj për urimet që më përcollën sapo morën vesh që unë isha finaliste.

Ju jeni mësuese e lëndës “Gjuhë Shqipe dhe Letërsi”, në shkollën “Qëllimi i Jetës”. Përse zgjodhët këtë profesion dhe a jeni bërë ndonjëherë pishman për zgjedhjen tuaj?

Po, është e vërtetë! Hapat e parë si mësuese për një periudhë 5-vjeçare i kam hedhur në Medresenë e Beratit, ndaj gjej rastin këtu, të përshëndes drejtuesit e medresesë për atë periudhë kohore, profesorin e nderuar Bedri Telegrafi e, më vonë, profesor Hajrullah Zonja, të cilët më kanë mbështetur shumë, por edhe gjithë kolegët dhe nxënësit e mi të asaj periudhe.

Që prej vitit 2010 unë jam mësuese në shkollën “Qëllimi i Jetës”, pra thuajse që në hapat e para të hapjes së kësaj shkolle dhe ndihem krenare që, për vite me radhë, kam dhënë dhe vazhdoj të jap kontributin tim në këtë shkollë, në të cilën kam gjetur mirëkuptimin, bashkëpunimin, mbështetjen për profesionin tim. Me shumë sinqeritet, shpreh mirënjohjen time të thellë për drejtuesit e kësaj shkolle, në veçanti për presidentin e kësaj shkolle, z. Nazim Belba, për mbështetjen që na ka dhënë gjithë stafit tonë pedagogjik, për ushtrimin e profesionit tonë me standarde të larta, duke na mundësuar bazën e nevojshme materiale dhe një frymë të ngrohtë bashkëpunimi e mirëkuptimi, çështje këto shumë të rëndësishme në procesin e mësimdhënies.



Profesioni i mësuesit, më shumë se sa një profesion, është një mision. Të edukosh brezat është një mision fisnik e, për këtë, ndihem shumë krenare dhe më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme, sidomos kur shoh sot shumë nga ish-nxënëset e mia, që sot janë ndër degët më të mira të fakulteteve, ose kanë përfunduar studimet dhe janë duke ushtruar me dinjitet profesionet e tyre. Unë jap lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë dhe marrëdhënia me nxënësit zë një pjesë të madhe të ditës sime, ndaj, përveç materialit shkencor të lëndës që jap, të cilin përpiqem ta jap me gjithë aftësitë e mia profesionale-pedagogjike, ajo që përcjell te nxënësit çdo ditë, është shumë më e madhe. Unë nuk synoj te nxënësi të jap vetëm lëndën dhe kaq. Jo, asnjëherë! Gjithmonë përpiqem të përcjell tek ata, me shumë dashuri, vlera të larta morale si: respektin, mirëkuptimin, tolerancën, sinqeritetin për prindërit, mësuesit, shokët dhe gjithë komunitetin ku jetojnë. E gjitha kjo, me një synim madhor, që nesër mos të kemi thjesht një mjek, inxhinier apo mësues vetëm me nivel të lartë shkencor, por të kemi një mjek shumë të zot në profesionin e tij, por edhe human; një inxhinier të aftë, por edhe të sinqertë; një mësues të kualifikuar, por edhe fisnik; e kjo nuk arrihet vetëm duke dhënë lëndën shkencore, por duke ndërthurur në mënyrën më të bukur dijen me moralin.

Gjithë sa thashë më sipër, nënkupton qartë, se unë e dua profesionin tim dhe asnjëherë nuk jam bërë pishman për zgjedhjen time.

Jeni vlerësuar pikërisht për një performancë të mirë në mësimdhënien me në qendër nxënësin. Cilat janë teknikat, metodat dhe programet kurrikulare që ju ndiqni, për të pasur një sukses të tillë?

Normalisht, duke qenë në profesionin e mësuesit, jam në kontakt të vazhdueshëm me çdo risi që ndodh në këtë fushë, jo vetëm duke lexuar çdo informacion që institucionet përkatëse të arsimit ofrojnë, por edhe duke ndjekur trajnime të posaçme që lidhen me risitë në arsim. Metodat dhe teknikat moderne të mësimdhënies i kanë dhënë mësuesit mundësi të jashtëzakonshme në realizimin e orëve model të mësimdhënies. Ndër teknikat e mia të preferuara në procesin mësimor, janë Kllaster, Brainstorming, Dramatizim, Ditari dypjesësh, të cilat përshtaten kaq bukur me lëndën “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, për të realizuar një orë tërheqëse dhe për të pasur nxënës aktivë gjatë gjithë orës mësimore.

Një ndihmesë për mësuesin është edhe kurrikula me bazë kompetencat, e cila synon zotërimin e kompetencave kyçe nga nxënësit në lëndët përkatëse. Ndërtimi dhe zhvillimi i këtyre kompetencave kyçe është i domosdoshëm për një individ, me qëllim që të përmbushë me sukses kërkesat personale, shoqërore dhe profesionale.

Të gjitha këto, kur zbatohen me rigorozitet, ndjen produktivitetin te përfitimi i nxënësit në përthithjen e përgjithshme të materialit mësimor.

Çfarë aftësish përvetësojnë nxënësit përmes këtyre teknikave?

Këto teknika kanë treguar se nxënësi është epiqendra e orës mësimore, duke nxitur tek ata aftësitë krijuese dhe kritike, duke i bërë të gjithëpërfshihen dhe të ndihen pjesë e pandarë e procesit mësimor dhe e përthithjes së dijes shkencore.



A mendoni se sot mësuesit janë ende të kufizuar në metodat tradicionale të mësimdhënies dhe e kanë mjaft të vështirë të përqafojnë teknikat dhe metodat e reja?

Besoj se mësuesit e shkollave tona e kanë kapërcyer me sukses fazën nga mësuesi tradicional, tek ai bashkëkohor, sigurisht, flas për mësuesit e kualifikuar.

Sa e vështirë është për ju të gëzoni vëmendjen e plotë në një klasë me 40 nxënës. Si arrini ta bëni orën tuaj të mësimit më të këndshme dhe tërheqëse për ta?

Unë kam pasur fatin, që në të dyja shkollat ku kam dhënë dhe jap mësim, të mos e kem arritur këtë numër nxënësish. Shkolla jonë nuk e kalon numrin 20-25 nxënës për klasë dhe them se kjo më ka favorizuar që ora mësimore të menaxhohet më mirë dhe të gjithë nxënësit të aktivizohen në orën e mësimit.

Atmosfera e ngrohtë që përpiqem të përcjell te nxënësit, ndoshta është çelësi i një ore të këndshme. Vetë lënda që jap, të favorizon që të kalosh në zhanre të ndryshme, duke thyer monotoninë e duke dalë çdo orë unike.

A mendoni se nxënësit sot janë më të lirë në nxënien e dijes, larg të mësuarit përmendësh? Si ndikon kjo në përvetësimin e dijeve që do t‘i shërbejnë gjatë gjithë jetës?

Po, sigurisht. Të mësuarit në formë bashkëbisedimi, apo rrëfim situatash konkrete nga nxënësit, lidhur me temat mësimore, i bën ata që të jenë të vëmendshëm dhe t’i fiksojnë njohuritë e reja në praktikë, pa qenë nevoja të mësojnë faqe e faqe të tëra përmendësh. Të mësuarit në mënyrë robotike është një dije e përkohshme, ndaj metodat e reja mësimore synojnë të jenë sa më larg të mësuarit përmendësh.

Cila është mësuesja që ju ka lënë më shumë mbresa në jetën tuaj shkollore dhe a ka qenë ajo një pikë referimi apo shembull për krijimin e profilit tuaj në mësimdhënie?

Besoj mësuesja e ciklit fillor është ajo që lë gjurmë te një individ. Unë kam pasur fatin që këto gjurmë të jenë tepër ndikuese tek unë, falë profesionalizmit dhe dashurisë së mësueses sime të fillores, të cilën gjej rastin ta përshëndes, mësuese Vitori Ymeri.

Nuk do lija pa përmendur edhe mësuesen time të gjuhës dhe leximit letrar në ciklin 8-vjeçar, mësuese Leonora Guri, e cila më aktivizonte në çdo aktivitet që organizonte shkolla, duke ngjallur tek unë dashurinë për të dhe lëndën që ajo më jepte.

Shumica e prindërve sot kanë tendencën t‘u krijojnë presion fëmijëve të tyre për arritjen e rezultateve të larta në shkollë, duke nxitur një konkurrencë jo të drejtë mes tyre. Jeni pro apo kundër këtij imponimi?

Në procesin e mësimdhënies prindi është një faktor shumë i rëndësishëm bashkëpunimi. Ajo që kërkohet nga prindi, është që t’i qëndrojë pranë fëmijës së tij, t’i japë ndihmën që i nevojitet në realizimin me rigorozitet të detyrave të ngarkuara nga mësuesi, si dhe të jetë objekt frymëzimi për ta ushqyer fëmijën me dashuri e respekt ndaj shkollës. Nëse do të arrijë t’i realizojë të gjitha këto, nuk do ishte aspak e nevojshme të krijonte presion mbi fëmijën e tij, sepse rezultatet do të ishin ato që duheshin. Një prind që pret që çdo gjë ta bëje shkolla apo mësuesi dhe ai të jetë thjesht spektator i procesit të mësimnxënies së fëmijës së tij, normalisht që do të ishte imponues ndaj rezultateve të fëmijës, sepse mungesa e tij në procesin e mësimnxënies do të sillte rezultate jo të pritshme nga ai.

Çfarë këshille do t’i jepnit kolegëve tuaj, duke u nisur nga eksperienca juaj personale dhe nga fakti që jeni renditur ndër tre mësuesit më të mirë të vitit 2018, në kategorinë “Mësuesi i vitit në mësimdhënie”? Ku qëndron çelësi i suksesit për një mësues të dalluar?

Në fakt, mësues të dalluar nuk të bën përfshirja në konkurse apo edhe marrja e ndonjë çmimi. Këto janë thjesht motivime e shtysë për t’u bërë më i mirë seç je. Ajo që vërtetë të jep sukses, është sinqeriteti në punën e përditshme. Ta japësh dijen me sinqeritet e dashuri, kjo besoj të bën të dalluar, e pikërisht këtu besoj qëndron edhe çelësi i suksesit të një mësuesi të dalluar.



Nga Oriola Sula
Armida Plumbi
Revista Familja, nentor 2018

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Hallo Admin Site ?s No Safe ! e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.