Israja dhe Mi raxhi

Israja dhe Miraxhi ishin një rast dhe provim i mirë për t’i pastruar radhët e myslimanëve nga të gjithë ata që ishin të luhatshëm, dhe për të forcuar edhe më shumë bindjen e pasuesve të sinqertë të Muhamedit a.s..

Njëra nga ngjarjet më madhështore në historinë e njerëzimit, e cila u realizua në një mënyrë të jashtëzakonshme, vetëm për të Dërguarin e fundit të Allahut - Muhamedin a.s., e të cilën myslimanët e përkujtojnë shekuj me radhë, është nata e Israsë dhe Miraxhit. Në këtë natë, i Dërguari i Allahut u ftua nga ana e Krijuesit të Tij prej Mekës në Kuds, e prej atje për t’u takuar me Të në hapësirat e larta qiellore, i pritur dhe i mirëseardhur me respektin dhe nderimet më të larta, për të parë vetë me sytë e tij tërë atë që ka krijuar Allahu Fuqiplotë, dhe për t’u bindur në fitoren përfundimtare të Islamit dhe ardhmërinë e tij të ndritshme. Allahu i Lartësuar përmend këtë ndodhi në Kur’anin fisnik, ku thotë: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij Që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’i treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit). (El Isra, 1).
Po ashtu, lidhur me miraxhin i Lartëmadhërishmi në suren En-Nexhm thotë: “Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë (nga lindja). Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte afër sa dy harqe (dy kute) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që i shpalli. Zemra nuk e mohoi atë që pa (me sy). A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Pranë së cilës është xhenetul Me’va (kopsht strehimi). Atëherë kur Sidrën e mbuloi ç’e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhamedi), vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet”. (En Nexhm,7-18).
S’ka dyshim se Israja dhe Miraxhi janë nga mrekullitë më të dalluara të Muhamedit a.s., që ngacmojnë logjikën e njeriut të shëndoshë për të medituar më shumë rreth Krijuesit dhe Fuqisë së Tij të pakufishme, ndërkaq për besimtarin përbëjnë stimulim për forcimin e besimit dhe ngritjen e shkallës së vetëdijes së tij fetare.


Kuptimi i Israsë dhe Miraxhit

Isra është udhëtimi tokësor, brenda natës,të cilin ia mundësoi Allahu të dërguarit të Tij, Muhamedit a.s., prej Meke në Kuds, prej Mesxhidul Haramit (Qabesë) deri në Mesxhidul Aksa (Palestinë). Ndërkaq, Miraxh është udhëtimi prej Toke në qiell, prej Kudsit në qiejt e lartë, deri në atë horizont qiellor, ku nuk ka arritur asnjë njeri, deri në Sidretu-l-Munteha, thellësi qiellore për të cilat di vetëm Allahu Fuqiplotë.

Koha dhe arsyet e ndodhjes së Israsë dhe Miraxhit

Dhjetë vjet pas Shpalljes, në një nga periudhat më të vështira të pejgamberisë së Muhamedit a.s., kur torturat, maltretimet dhe persekutimet ndaj tij dhe pasuesve të tij kishin arritur kulmin, kur pengohej falja në Qabe, pengohej kumtimi i fesë hapur: Kur Pejgamberi a.s. u detyrua t’i dërgonte disa pasues të tij në Habeshe (Etiopi) për shkak se në Mekë gjendja sa vinte e rëndohej më shumë. Kur atij i vdiqën xhaxhai-Ebu Talibi dhe bashkëshortja-Hatixheja, njerëzit e përkrahnin më së shumi. Kur i Dërguari i Allahut u përgatit dhe shkoi në Taif me shpresën se atje do të gjente përkrahje, po pësoi edhe më keq. Pas të gjitha këtyre ngjarjeve, në atë gjendje, Allahu Fuqiplotë ia mundësoi atë udhëtim të dërguarit të Tij dhe e mori atë në fqinjësi të Tij, që të bëhej ngushëllim dhe relaksim për të nga ajo që kishte përjetuar, të bëhej kompensim për atë që u maltretua, dhe t’ia bënte me dije se, nëse e kishin braktisur njerëzit në tokë, ta dinte se atë e mbështesnin ata që janë në qiell, nëse do ta refuzonin njerëzit. Allahu i uroi mirëseardhje, pejgamberët e tjerë e ndoqën dhe e morën për imam të tyre.(1)
Ai udhëtim qe një kompensim, nderim dhe mbështetje e fuqishme nga ana e Allahut xh. sh. për të dërguarin e Tij.
Po ashtu, ai udhëtim ishte edhe përgatitje për të dërguarin e Allahut për periudhën e ardhshme, atë të shtetndërtimit në Medinë. Kjo, ngase i dërguari i Allahut pas një kohe do të bënte hixhretin, e periudha pas hixhretit do të ishte xhihadi dhe rezistenca e armatosur, sepse i dërguari i Allahut do të ballafaqohej me të gjithë arabët të cilët do ta pengonin dhe sulmonin bashkërisht, si dhe do të hapeshin fronte të shumta kundër thirrjes së tij botërore.


Përshkrimi i Israsë dhe Miraxhit

Në bazë të transmetimeve, kjo ndodhi përshkruhet në këtë mënyrë: Pasi iu pastrua zemra në Mekë, i dërguari i Allahut, në përcjellje të Xhibrilit, u nis me Burakun (mjet udhëtimi) për në Bejtul Makdis-Palestinë. Pas arritjes atje, e lidhi Burakun për hallkën e derës së xhamisë dhe aty fali namaz bashkë me pejgamberët e tjerë, duke qenë imam i tyre. Sipas disa dijetarëve këtë namaz Muhamedi a.s. e kishte falur bashkë me pejgamberët pasi kishte zbritur prej Miraxhi. Pastaj, së bashku me Xhibrilin, u nis për në horizontet e larta qiellore, dhe në qiell u takua me pejgamberët e mëparshëm, të cilët e përshëndetën dhe i uruan mirëseardhje dhe rikonfirmuan besimin në pejgamberinë e tij. Ai u takua me: Ademin a.s., Jahjanë a.s., Isain a.s., Jusufin a.s., Idrisin a.s., Harunin a.s., Musain a.s., dhe në qiellin e shtatë u takua me Ibrahimin a.s. dhe pastaj u ngrit në horizontet e tjera të Allahut deri në pikën më të lartë - sidretu-l-munteha, për të cilën di vetëm Allahu Fuqiplotë. Në Miraxh, muhamedi a.s. ka kontaktuar me Allahun e Lartësuar pa ndërmjetësues. Aty u bë farz namazi pesë kohë. Aty Muhamedi a.s. ka parë Xhenetin dhe Xhehenemin si dhe banorët e tyre, aty iu treguan disa forma të dënimit të mëkatarëve, si p.sh.: Ngrënësit e pasurive të jetimëve-bonjakëve i pa me buzë si turinj devesh, të cilët përtypnin kafshata të zjarrit të Xhehenemit dhe gurë të skuqur, që gulfonin nga shpinat e tyre. I pa
shfrytëzuesit e kamatës me barqe tejet të mëdha, që nuk mund të lëviznin vendi. Po ashtu i ka parë laviret tek mbanin në dorë mish të mirë e të pastër dhe mish të qelbur, ato hanin mishin e qelbur dhe e linin të mirin, etj.(2)


Mësimet dhe porositë nga Israja dhe Miraxhi

Sigurisht, mësimet dhe porositë nga kjo ngjarje madhështore janë të shumta, ndër to:

1. Durimi-qëndrueshmëria

Myslimani duhet të jetë gjithherë durimtar e i qëndrueshëm, dhe në asnjë mënyrë e rrethanë nuk duhet të ketë vend për dëshpërim dhe pesimizëm në zemrën e tij, sepse ndihma dhe mbrojtja e Allahut është e pakontestueshme për besimtarët e drejtë dhe të sinqertë. Israja dhe Miraxhi erdhën në formë respekti dhe nderimi për Muhamedin a.s. e po ashtu si konfirmim për qëndrueshmërinë dhe misionin e tij. Kjo ndodhi erdhi pas disa ngjarjeve që i ndodhën Muhamedit a.s. . Kur i vdiq xhaxhai, i cili, edhe pse nuk e besoi, e mbronte në çdo rrethanë, kur i vdiq gruaja e tij fisnike, e cila i besoi e para dhe i dha përkrahje të madhe shpirtërore; kur u prit shumë brutalisht në Taif nga popullata e vendit dhe u persekutua, po megjithatë duroi dhe ishte shumë i qëndrueshëm në fenë e Allahut. Pas të gjithave, erdhën Israja dhe Miraxhi, për të treguar se Allahu i Lartësuar nuk e kishte lëshuar prej dore, ai nuk kishte pse të brengosej, sepse me të ishte allahu, dhe për këtë e nderoi me ngritjen e tij në sferat e larta qiellore, bile atje ku nuk kishte shkuar as meleku më i dalluar- Xhibrili. Për këtë arsye, çdo besimtar që ecën gjurmëve të Muhamedit a.s. dhe punon për këtë fe me sinqeritet, duhet të ketë durim dhe ta dijë se Allahu është në anën e tij.

2. Pastrimi i radhëve të myslimanëve

Pejgamberi a.s. ishte në prag të një periudhe të re, periudhës së hixhretit dhe asaj të shtetndërtimit në Medinë. Allahu i Lartësuar dëshironte që themelet e para të asaj periudhe të fillonin në baza të shëndosha dhe të forta. Israja dhe Miraxhi ishin një rast dhe provim i mirë për t’i pastruar radhët e myslimanëve nga të gjithë ata që ishin të luhatshëm, dhe për të forcuar edhe më shumë bindjen e pasuesve të sinqertë të Muhamedit a.s..

3. Besimi i vërtetë

Nga rasti i shokut më të afërt të Muhamedit a.s., Ebu Bekrit, e kuptojmë më së miri se si duhet të jetë besimtari i vërtetë, praktikisht mësojmë se besimtar i vërtetë është ai që I nënshtrohet plotësisht Allahut të lartësuar dhe zbaton me përpikëri tërë atë për se Allahu dhe i dërguari i Tij e urdhërojnë. Besimtari i vërtetë nuk bën të jetë i luhatshëm dhe as të ketë ndonjë dilemë për të vërtetat islame, veçse duhet të jetë i bindur plotësisht, ashtu siç ishte Ebu Bekri r.a., i cili, kur mori vesh nga pabesimtarët për Isranë dhe Miraxhin, nuk dyshoi aspak, por tha: nëse këtë e ka thënë i dërguari i Allahut, atëherë e ka thënë të vërtetën.

4. Rëndësia e namazit

Namazi është një prej shtyllave më të rëndësishme të Islamit. Rëndësia e tij kuptohet edhe nga vetë vendi dhe rrethanat ku është bërë obligim. Përderisa të gjitha obligimet e tjera fetare janë bërë obligim në Tokë, namazi është i vetmi obligim dhe adhurim i cili është bërë farz në qiell, gjegjësisht natën e Miraxhit, dhe me të drejtë namazi quhet ”Miraxh i besimtarit”. Çdo besimtar përpiqet ta ripërtërijë Miraxhin, ngritjen e tij shpirtërore, që në fakt është rilindja e tij shpirtërore. Dhe ashtu sikur Muhamedi a.s. në Miraxh kontaktoi me Allahun e lartësuar, po ashtu edhe çdo besimtar në namaz kontakton me Allahun dhe ngrihet mbi këtë botë materiale në botën e afërt të Allahut. Për këtë arsye myslimanët duhet t’i kushtojnë kujdes maksimal namazit dhe nuk duhet ta lënë pas dore në asnjë mënyrë.

5. Kalimi i udhëheqjes te Muhamedi a.s.

Vetë namazi i të dërguarit të Allahut në Bejtul-Makdis, imam i të dërguarve të tjerë, ka domethënien dhe mesazhin e vet, gjegjësisht flet se udhëheqja kishte kaluar tenjë i dërguar tjetër-te Muhamedi a.s., dhe se sheriati i tij-Sheriati Islam ka anuluar të gjitha legjislacionet e mëhershme, ai është gjithëpërfshirës dhe me karakter mbarëkombëtar. Kjo pejgamberi, e cila është mëshirë për mbarë njerëzimin, për të gjitha krijesat dhe për të gjitha vendet dhe kohët, është e përhershme dhe e patjetërsueshme deri në Ditën e Gjykimit.

6. Vlera e Mesxhidi Aksasë

Nga vetë udhëtimi i Muhamedit a.s. prej Mekës në Kuds-Palestinë, e pastaj ngritja e tij prej aty në sferat qiellore, vërehet rëndësia e këtij vendi dhe e xhamisë Aksa. Kjo lidhje e fortë në mes Qabesë dhe Aksasë, të cilën Allahu e bekoi me rrethinën e saj, dhe e cila ishte kibleja e parë e myslimanëve, është bërë që ta dijë myslimani se të dy vendet- xhamitë janë të shenjta dhe se kujdesi dhe mbrojtja e tyre është detyrim dhe përgjegjësi e çdo myslimani. Myslimanët e kanë obligim të detyrueshëm ta çlirojnë këtë vend, i cili përbën pjesë të pandashme të kulturës, qytetërimit dhe Islamit në përgjithësi.

7. Kultivimi i vlerave dhe largimi nga dukuritë negative

Nga ajo që pa Muhamedi a.s. në Miraxh, gjegjësisht disa lloje të njerëzve duke u dënuar për mëkatet e tyre, si: ngrënësit e pasurive të jetimëve, shfrytëzuesit e kamatës, laviret etj., shihet qartazi se Islami në përgjithësi, e kjo muxhize në veçanti, synon edukimin e mirëfilltë të individit, formimin e karakterit të fortë islam dhe largimin e myslimanit nga të gjitha dukuritë negative.
Nga kjo kuptojmë se ndodhitë në Islam, nuk janë thjesht vetëm një ngjarje historike, po ato rrëfime kanë për qëllim të kalitin shpirtin e besimtarit, të kultivojnë tek ai vlera të larta edukative-morale dhe ta largojnë atë nga çdo gjë që është e dëmshme për personalitetin e tij dhe për shoqërinë në përgjithësi.(3)


1. Es-siretu en-nebevijetu-ard vekai ve tahlil ahdath, Alij Muhamed Es-salabi f. 226-227. Darul marife. Bejrut. Bot. 4. 2006.
2. Shih: Muhamed a’dham el-besher-es-siretu ennebevijetu fi thevb xhedid, Muhamed Ahmed Hudar f. 165- 169. Dar Metabiul ahram. Kajro. Pa vit të botimit. 3. Es-siretu en-nebevijetu-ard vekai ve tahlil ahdath, Alij Muhamed Essalabi f. 227-230.



Mr. Fitim Gashi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim