Hixhreti është një nga ndodhitë më madhështore të historisë islame, gjegjësisht ngjarje që bëri ndarje të dy periudhave bazë të historisë islame:asaj në Mekë para hixhretit, dhe asaj në Medine pas hixhretit, gjë që reflektoi në disa segmente të fesë dhe të jetës.

Kështu, mund të flitet në planin e shpalljes dhe të shënohen dy periudha të shpalljes:shpallja apo ajetet e zbritura në Meke, dhe shpallja apo ajetet e zbritura në Medine. Këto ajete kanë edhe veçoritë e veta. Derisa ajetet e zbritura në Meke ishin më të shkurtra dhe silleshin rreth boshtit të besimit e moralit, ajetet e shpallura në Medine ishin më të gjata dhe më së tepërmi u referoheshin çështjeve juridike.
Në planin e misionit dhe thirrjes u vërejtën disa forma të thirrjes:ajo fshehurazi e haptazi; thirrja e njerëzve më të afërm dhe e gjithë fiseve e popujve që ishte veçori e periudhës mekase, si dhe thirrja haptazi e tërë njerëzimit dhe e klasës sunduese të kohës përmes mesazheve të veçanta, që ishte veçori e periudhës së Medines.
Në planin e organizimit, në Meke, apo para hixhretit, kemi organizim brenda një shoqërie që udhëhiqej nga kundërshtarët e fesë dhe besimit, ndërkaq në Medine kemi organizim në nivel shtetëror, gjegjësisht nuk flitet për grupime islame, por për shtet islam.
Së këndejmi, hixhreti nuk duhet shikuar vetëm si ndodhi thjesht historike, por një ngjarje që ngërthen mësime e mesazhe madhore për të gjitha brezat e umetit.
Mesazhet e hixhretit janë të shumtë, por duke u bazuar në gjendjen aktuale të umetit, do ta veçonim mesazhin e shpresës.
Le të ndalemi e ta analizojmë gjendjen e umetit islam në periudhën mekase. Një grup i vogël njerëzish besimtarë që terrorizohej nga shumica injorante idhujtare. Por jo vetëm kaq, edhe vendet përreth nuk ishin në favor të tyre ngase mësimet fetare që i promovonte i dërguari i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. nuk ishin kompatibile me besimet pagane apo krishtere të popujve në vendet përreth, që të mund të rrinin të qetë se kanë vend ku të strehohen. Por, ja një grup i tillë i shtypur nga idhujtarët injorantë ndërtoi shtet, i mposhti armiqtë dhe u bë faktor me ndikim në rajon dhe më gjerë. Besimi i paluhatshëm në Allahun e Madhërishëm, besimi në drejtësinë e kauzës dhe shpresa në ngadhënjim ishin prej faktorëve vendimtarë që e ngritën umetin islam në pozitën e shkruesit të historisë e jo vetëm konsumuesit të historisë së shkruar nga tjerët.
Rruga e hixhretit e pjesës dërmuese të muslimanëve e pasqyron më së miri gjendjen e vështirë në të cilën ishin muslimanët e parë në Mekë, gjegjësisht u larguan prej Meke fshehtazi, larg syve të idhujtarëve, planifikuan për udhëtim në fshehtësi të madhe ashtu që mos kuptojnë idhujtarët, e gjithë këtë e bënë me qëllim që mos vërehen nga armiqtë e mos u shkaktojnë probleme e t’ua prishin planet.
Po ashtu, edhe vetë Muhamedi s.a.v.s bashkë me Ebu Bekrin u larguan prej Meke pa ditur gjë paria idhujtare, ashtu që kur kuptuan veç më ishte vonë. Bile, ndërruan edhe rrugë, apo thënë ndryshe ndoqën rrugë tjetër nga ajo që e ndiqnin si zakonisht kur shkonin në Meke. Më pas, qëndruan të fshehur në shpellën Theur, e më pas pa u vërejtur shkuan në Medine.
E gjithë kjo flet për faktin se bashkësia muslimane ishte e pafuqishme t’i kundërvihet palës idhujtare në Meke, për atë edhe muslimanët u larguan fshehtazi nga Meka.
Por, më vonë ky komunitet, pjesëtarët e të cilit u larguan fshehtazi mos të vërehen nga armiqtë, u bë bartës i flamurit të sukseseve dhe ndryshimeve madhore në rajon dhe më gjerë. E shkatërruan bastionin më të fortë të idhujtarisë në Gadishullin Arabik, bajraktarin idhujtare kurejshite në Meke, i mposhtën pushtetarët më të mëdhenj të asaj kohe Qesarin dhe Kisraun dhe e promovuan mesazhin islam në vende të pashkelura deri atëherë nga arabët.
Në këtë mënyrë, gjenerata e parë e shkollës pejgamberike ishte përplot shpresë dhe ambicie për ndërtimin e një të ardhme të ndritshme për brezat e ardhshëm dhe hapjen e një faqe të re të realitetit dhe ofrimin e opsionit më të sigurt për gjithë njerëzimin.
Imagjinoni çfarë shprese ka mbjellur në zemrat e nxënësve të vetë mësuesi më i madh i historisë, i dërguari i fundit i Allahut Muhamedi s.a.v.s. Derisa ishte duke shkuar për në Medine bashkë me Ebu Bekrin, në rrugë e sipër i mbërriti Suraka i cili ishte nisur ti vret apo t’i zënë të gjallë, me qëllim që ta marrë dhuratën e majme që e jepnin idhujtarët për këtë gjë. Por, pas dështimit të realizimit të këtij qëllimi të mbrapshtë, dhe pasi e pa qartë se ky është pejgamber, ngase ajo që i ndodhi ishte përgjigje nga Allahu i Madhërishëm për qëllimin destruktiv të kapjes së të dërguarit të Allahut dhe dorëzimin e tij te idhujtarët, u mbush plotë shpresë se e prêt një e ardhme e lumtur në hijen e besimit në të cilin thirrte ky pejgamber. Me fjalë tjera, pasi e pranoi gabimin dhe dëshmoi se kalon në Islam, Muhamedi s.a.v.s. ia la porosi që ky ti merr teshat e Kisrasë, mbretit të Persisë. Kjo do të ndodhte kur do të mposhtej perandoria persiane nga muslimanët. Pra, në momente të rënda kur rrezikohej edhe nga likuidimi fizik, i dërguari i Allahut s.a.v.s. dha mesazh të fuqishëm shprese duke ndjallur ambicie të larta te muslimanët për të eliminuar nga skena pushtete tirane dhe kriminele, edhe nëse janë perandori më të fuqishme të kohës.
Porosia e dhënë Surakës për të marrë teshat e perandorit Persian, është mesazh i qartë se ky rrugëtim është rrugëtim i ngadhënjimit dhe shpresës e jo humbjes dhe dorëzimit.
Së këndejmi, gjeneratat e më vonshme të shkollës pejgamberike, ky umet madhështor, nuk duhet humbur shpresat edhe përskaj anomalive të shumta dhe vuajtjeve të muslimanëve në vende të ndryshme. Duhet shpresuar në fitore që do të jetë shpëtim edhe për gjithë njerëzimin prej problemeve serioze të cilat e rrezikojnë ekzistencën e tyre, por për këtë duhet punuar me përkushtim pas besimit të paluhatshëm në Allahun e Madhërishëm.
Allahu i Madhërishëm ka premtuar se do t’u ndihmojë besimtarëve, por ne si besimtarë duhet të punojmë për ta fituar me mëshirën e Allahut ndihmën e Tij. Udhëtarët e hixhretit e ngritën lartë bajrakun e Islamit, e le të jemi ne ata që do ta vazhdojmë rrugën e tyre.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë