Besimtarët myslimanë në Shqipëri festojnë Kurban Bajramin

Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ceremonia e të cilit u zhvillua në sheshin “Skënderbej”, ku mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Kurban Bajramit dhe qindra mijëra të tjerë kanë festuar dhe kryer faljen në sheshet e çdo qyteti të vendit.

Festimet e kësaj dite filluan që në orët e para të mëngjesit me faljen e përbashkët të namazit të sabahut.
Para faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër. Program i cili filloi me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli zv/myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja.
Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Kurban Bajramit.
“Në këto ditë të begata të gjendemi më afër njerëzve në nevojë, duke forcuar lidhjet farefisnore, duke falur dhe mirëkuptuar gabimet e njëri-tjetrit, duke respektuar më shumë të moshuarit, duke gëzuar me përkëdhelje dhe dhurata fëmijët tanë, duke kontribuar për të mirën tonë të përbashkët, sepse vetëm duke ndjekur këtë rrugë mund ta fitojmë kënaqësinë e Zotit. Besimtari i cili ka shijuar ëmbëlsinë e besimit është zemërgjerë, lutet dhe punon për të mirën e të tjerëve, dhe ndan me të tjerët mirësitë dhe begatitë që i ka dhuruar krijuesi i gjithësisë. Kurbani është një shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh), i Cili na ka dhënë mirësi të panumërta. Prandaj le të lutemi në këto ditë të begata ku mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje”, – u shpreh z. Bruçaj.
Ndërsa nënkryetari i KMSH-së z. Bujar Spahiu mbajti ligjëratën para faljes së namazit të Kurban Bajramit.
“Kurbani ndër të tjera ka shumë urtësi përsa i përket jetës sociale. Ai mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës. Gjithashtu ai ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kapërcimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore duke i nxitur njerëzit drejt bashkëpunimit dhe mirëqenies së përbashkët ndërmjet tyre.” – tha z. Spahiu gjatë fjalës së tij.
Më tej ai drejtoi faljen e namazit të Kurban Bajramit, për t’ia lënë fjalën Myftiut të Tiranës z. Ylli Gurra, i cili mbajti hutben e rastit.
“Ajo që sot kemi nevojë më së shumti është dashuria për Zot dhe fe, dashuria për besim dhe drejtësi, dashuria për prindërit tanë, dashuria për vendin tonë, dashuria për të afërmit tanë, dashuria në mesin e myslimanëve të Shqipërisë e mbarë botës, prandaj le të jetë kjo ditë bajrami pikënisje për shumë ditë të tjera të mbushura me dashuri në mesin tonë. ”- tha ai.
Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSH. z. Dorian Demetja, i cili moderoi programin, u shpreh se Kurban Bajrami është festa e mirësisë, bashkëpunimit, vëllazërimit dhe e mirënjohjes. Kurban Bajrami është një festë për të gjithë, prandaj ti ndajmë të mirat materiale e shpirtërore me të afërmit tanë dhe nevojtarët.
Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e prerjes së kurbanit si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.
Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë të fesë Islame./kmsh/

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.