Kamata dhe kredia - rrezik katastrofal për besimtarin

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë: "Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngritën ndryshe vetëm se si ngritët ai i çmenduri nga të prekurit e djallit. Allahu e ka lejuar shitblerjen por e ka ndaluar kamatën."(1)

Përveç mëkateve të shumta që sot janë përhapur në Tokë, nuk ka mëkat që me aq shpejtësi dhe tempo shkatërron individin, familjen dhe tërë shoqërinë, siç është kamata në cilëndo formë qoftë.
Vërseti kur'anor i përmendur për besimtarin është udhërrëfyes i qartë dhe njëherit tërheqës i vërejtjes që nga kamata me ik sa më larg, sepse në të kundërtën hyhet në luftë të haptë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij: "O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata) atëherë binduni se keni hyrë në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e tij."(2)
Hadithet që flasin për ndalesën e kamatës dhe madhësisë së mëkatit që bartë me vete, janë edhe më të qartë dhe më të ashpër në kërcënime. Në hadithin që e shënon Imam Muslimi në Sahihin e tij (nr.1598) ndërsa e transmeton Ebu Hurejre r.a. Pejgamberi, s.a.v.s. e ka mallkuar atë që merr dhe atë që jep kamatë, atë që dëshmon dhe atë që shënon. Në hadithin tjetër, Pejgamber, s.a.v.s. ka thënë që një dërhem (argjend) nga kamata që njeriu shërbehet duke qenë i vetëdijshëm se është nga kamata, te Allahu është më i keq (sipas madhësisë së mëkatit) se bërja e prostitucionit 36 herë.(3)

Përse ky mëkat kaq i madh?

Pasi që dëgjojmë këto tekste nga sheriati që flasin për ashpërsinë e dënimit të atyre që merren me kamatë, shumë besimtar të udhëzuar dobët në rregullat fetare me dyshim lëvizin kokën, sepse ju duket se kjo është diçka e tepruar, e sidomos në kohën kur ne jetojmë, në të cilën kamata është bërë pjesë përbërëse e "jetës moderne" dhe "biznesit bashkëkohor". Mirëpo të gjithë ata që kanë pasur përvojë me kamatë, pasi që kanë anashkaluar ndalesën dhe vërejtjen e cila u ka ardhur nga Zoti i tyre dhe Pejgamberi, s.a.v.s. në të shumtën e rasteve kanë kaluar nëpërmes vuajtjeve të mëdha, turpërim dhe përçmim, kanë përjetuar dhembje psikike dhe fizike, e deri te vetëvrasjet e regjistruara kohëve të fundit.
Të gjithë njerëzit anojnë kah jeta e bukur dhe e qetë, ndërsa nevojat e jetës me tendencë të një komoditeti siç janë banesa komfore, makina e bukur, mobilieria kualitative, vajtja në pushime luksoze e të ngjashme nuk realizohen lehtë, sepse për të mbledhë të gjitha këto para të nevojshme në "kesh" nuk është edhe e lehtë. Por për këtë paraqitet zgjidhja nga ofertat joshëse të bankave që me mirësjellje të bukura të shfrytëzojnë "kredi" të leverdishme për të realizuar të gjitha dëshirat jetësore.
Në vend që të jenë të kënaqur me atë që kanë fituar hallall, dhe presin kohë më të mira, shumë njerëz drejtohen kah realizimi i shpejtë, duke marrë kredi të vogla ose të mëdha, shpesh pa menduar për mënyrën si do t'i kthejnë. Shumica e njerëzve vetëm marrin formularin dhe plotësojnë, pa lexuar fare se çfarë shkruan në te, e kush ta lexoj tërë atë formular të madh, bile edhe ekonomisti solid nuk kupton tërësisht mirë "të drejtat dhe obligimet" që me mjeshtri janë të paketuara në formular. Me rëndësi është të arrihet deri te paraja, e në çfarë mënyre të kthehen, do të mendoj nesër. Duhet theksuar se numri më i madh i këtyre kredive merret vetëm për të kaluar nga e mira në diçka më të mire?(nga auto solid kah tipi më i ri, për meremetimin e banesës ose shtëpisë, ndërrimin e kuzhinës, mobileve, etj.). Pas marrjes së kredisë për shumicën e njerëzve fillojnë ankthet e natës. Vetëm ndjenja që do të jetë borxhlinj tre, pesë, dhjetë ose më shumë vjet te shumica e njerëzve shkakton presion psikik të përhershëm, frustrim dhe depresion, e që përsëri shkakton nervozë, pagjumësi, sjellje jokorrekte ndaj familjes dhe tjerëve. Kështu ndodhë me kusht se çdo gjë shkon "sipas planit".
Por, Xhehenem të vërtet kalojnë ata persona që marrin shërbime te fajdexhinjtë që veprojnë nëpër të gjitha qytetet e mëdha. Gati për çdo ditë, mediat lajmërojnë tregime rrëqethëse për njerëzit naiv që kanë marrë kredi, e që nga atëherë jeta e tyre është bërë çmenduri. Kamatat rritën për çdo ditë dhe njerëzit vazhdojnë me vite të tëra "të kthejnë" huan e marrë edhe pse e ka kthyer dhjetë apo njëzet fishin e tyre. Çdo vonesë në rate dënohet me rrahje, kërcënime dhe forma të ndryshme të presioneve, kështu që një grup i caktuar i njerëzve vendos për ikje nga shtëpia ose të bëjë edhe vetëvrasje duke krijuar kështu probleme të reja në familjen së tij.
Njëzet raste janë regjistruar në Prizren vetëm muajve të fundit tij, duke sjellë shqetësime dhe probleme jo vetëm policisë, enteve shëndetësore, por edhe tërë shoqërisë. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se shumë njerëz të ndershëm ju bëhen "dorëzon", e që më vonë këta duhet të plotësojnë kredinë e mikut të tyre të pa turp, kjo bëhet shkas i ndërprerjeve të lidhjeve miqësore e familjare, atëherë është e qartë që kamata me pasojat e saja të rënda, thjeshtë hyjnë në të gjitha poret e shoqërisë njerëzore duke e shkatërruar në themel.
Pasi që të analizohet në mënyrë kualitative tërë dëmi që sjellë kamata, secili person i mençur në tërësi, dhe në mënyrë logjike do të kuptoj urtësinë e madhe të Allahut të Madhërishëm në ndalimin e kamatës dhe tërë "rigorozitetin" kur është gjykimi i saj nga ana e sheriatit.

A mund të ikim nga ky mëkat?

Ka thënë Muhammedi, s.a.v.s. në një hadith që e transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij nga Ebu Hurejre r.a. që do të vij koha kur nuk do të mbetet askush e që nuk do të ushqehet me kamatë, ndërsa ai i cili nuk e ha, do ta spërkatë "pluhuri i kamatës".(4)
Ky hadith edhe pse është i dobët (duke marrë parasysh vargun e transmetuesve) , kuptimi i tij me siguri është real, dhe në vete përmban një prej mrekullive të shumta të Muhammedit, s.a.v.s. sepse e ka thënë një gjë e cila në kohën e tij ka qenë e pa parashikueshme, ndërsa sot tërësisht është realizuar. Shumica e njerëzve sot, dashur e padashur, kanë kontakt të caktuar me kamatën, që nuk mund kurrsesi t'i shmangen. P.sh. njeriu i cili punon një punë tërësisht hallall-të lejuar, më së shpeshti është i detyruar që pagën e tij ta marrë nga banka e cila kryesisht punon me kamatë. E njëjta gjë është edhe me privatët të cilët rregullisht, të ardhurat e tyre duhet t'i paguajnë përmes bankës e cila disponon me këto para dhe e përzien me ato të realizuara nga kamata. Sot është nevojë e domosdoshme (daruret) me e pasur xhirollogarinë private në bankën me kamatë, për të marrë pagesën, realizon transferimin e lehtë dhe ruajtjen e të hollave, e secila depozitë e të hollave, detyrimisht tërheq me vete llogaritjen e kamatës,qoftë nëse të hollat qëndrojnë edhe në një periudhë të shkurtër kohore.

A ka alternativë?

Çfarë duhet bërë myslimanët në shoqërinë e cila kredinë dhe kamatën e sheh si një fenomen normal? Si të gjendemi në sfidat e kohës që jetojmë e që të rrimë anash nga çdo lloj forme e kamatës dhe veprimtarisë me kamatë?
Një grup mendon hapjen e bankave me prefiks "islame" e cila në asortimanin e gjerë të shërbimeve kanë një lloj forme të veprimtarisë me kamatë, por ata nuk e quajnë kamatë, por tepricën që e marrin nga paratë e huazuara i japin emra të ndryshëm, duke u shmangur ta quajnë kamatë. Të njëjtat banka, nëse klienti qoftë individ ose formë e regjistruar i ofron një projekt tërësisht në rregull nga ana e sheriatit në të cilin p.sh. banka do të ishte investitor, ndërsa klienti kryes i punëve ose partner, ata me njerëzi përgjigjen se këso mënyre të veprimtarisë nuk e kanë në servisin e shërbimeve. Por, me buzëqeshje do tu ofrojnë kredi të cilën do ta ktheni me përqindje të caktuar më tepër se shuma e ofruar (i cili shpesh është më i madh se në bankat me kamatë), por do të ju thonë se kjo nuk është kamatë por diçka tjetër. Principi në fakt është i njëjtë, por me nuanca të ndryshme.
Në anën tjetër ekzistojnë mysliman që këshillojnë për durim në këtë kohë duke mos treguar as dëshirën më të vogël që të lëvizin çfarëdo qoftë- projekte të lejuara me sheriat, me të cilat do të ndihmoheshin myslimanët në nevojë për mjete materiale, dhe kështu të krijonin mundësin dhe mënyrën që të zbusin nevojën reale për huadhënësit.
Me këtë pasivitet të tyre vetëm frenojnë përparimin e myslimanëve në lëmin e ekonomisë islame, duke anashkaluar potencialin shumë të madh intelektual e material I cili është I pranishëm në ummetin islam.
Zgjidhja me ndihmën e Allahut, në mes tjerash mund të jetë sa vijon:
Në njërën anë me përhapë lajmin e ndalesës dhe dëmit që sjellë kamata, e në anën tjetër me folur për shpërblimin shumë të madh që i pretë ata që japin hua myslimanëve tjerë, duke dëshiruar me këtë kryesisht mirësinë dhe shpërblimin nga ana e Allahut të Madhërishëm. Në hadithin që transmeton Abdullah ibn Mes'udi r.a. tregohet se Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: "Nëse myslimani i jep dy herë hua myslimanit tjetër, i llogaritet sikur të njëjtën (shumën e njëjtë) ia ka dhënë si lëmoshë (sadaka)."(5)
Përveç kësaj secila familje e gjerë, anëtarët e ndonjë kolektivi, shoqërie, janë në gjendje të formojnë "bankën" e tyre interno të vogël, e cila kryesisht do të kishte për qëllim kursimin dhe depozitimin e të hollave nga ana e secilit anëtar, e këto të holla do të shërbenin për huazim afatshkurtër ose afatgjatë atyre që kanë nevojë. Këso "banka" apo projekte të ngjashme, edhe pse modeste munden me ndihmën e Allahut të Madhërishëm, me sjellë rezultate të mëdha në ndihmën reciproke e njëherit edhe si një provë e llojit të veçantë si dhe hyrje për hapjen e bankave islame në kuptim të vërtet të fjalës, të cilat do të bazoheshin kryesisht në principet islame të huazimit dhe veprimtarisë.
Në fund, duhet të jemi të vetëdijshëm edhe për faktin, që kur do që myslimani për hir të Allahut të Madhërishëm, largohet nga një gjë e ndaluar, Ai ia zëvendëson me diçka më të mirë se kjo. Pejgamberi, s.a.v.s. iu drejtua një beduini duke i thënë: "Vërtet nuk do të lësh diç për hire të Allahut, e që Allahu atë që e ke lënë nuk do ta zëvendësoj me diç më të mirë dhe më të vlefshme se kjo".(6)
Duke u larguar nga krediti me kamatë dhe nga kamata në përgjithësi, ruajmë vetën dhe familjet tona nga nënçmimi në këtë botë, si dhe nga dënimi i padurueshëm në botën tjetër. Nëse i frikësohemi me sinqeritet Allahut, Ai do të na japë zgjidhje për problemet tona dhe do të na furnizojë nga nuk shpresojmë: ".kush i përmbahet dispozitave të Allahut atij Ai i hapë rrugë, dhe furnizon atë prej nga nuk e kujton fare."(7)
Lutemi Allahut të Madhërishëm që të na ruaj nga çdo formë e kamatës si dhe nga mëkatet tjera, që janë të pranishme në këto kohëra të sprovave të mëdha, të na japë durim dhe vazhdimësi kah e Vërteta, dhe të na bëjë prej atyre që janë të devotshëm dhe vdesin duke qenë besimtar të sinqertë.


_____________________

(1) El Bekare, 275
(2) El Bekare,278-279
(3) Ahmedi 5/225 dhe Taberaniu
(4) Ahmedi, 2/494, Ebu Davudi nr 3331, Nesai 7/243, Ibn Maxhxheh nr.2278
(5) Ibn Maxhxheh,nr.2430
(6) Ahmedi, nr.22969, nga Ebu Katade r.a.
(7) Talak, 2-3



Përgatiti: Prim.dr.med.sc.Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim