Një nga gjërat që do të na ndihmonte që përmes sajë të ripërtërijmë besimin dhe të forcojmë fenë tonë, është që me të vërtetë t’i drejtohemi sinqerisht Allahut xh.sh. me lutjet dhe pëshpëritjet e zemrës, me përulësi dhe nënshtrim maksimal ndaj Fuqiplotit.
Sa më shumë të përulet njeriu para Allahut të Plotfuqishëm, aq do të jetë afër Tij, dhe sa më shumë që njeriu ngre kokën lartë, aq do të largohet prej tij!
Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Njeriu është më afër Zotit të tij, atëherë kur ai bie në sexhde, ndaj shpeshtoni lutjet tuaja, derisa jeni në sexhde!" (Muslimi)
Sexhdeja është mishërim i përulësisë dhe bindjes dhe kjo nuk mund të gjendet në asnjë formë dhe pozitë tjetër në të cilën mund të gjendet njeriu! Kur një njeri vë ballin e tij në tokë, përderisa koka dhe balli janë diçka më fisnike te njeriu, në këtë formë njeriu krijon lidhjen e vërtetë me Krijuesin e tij.
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thenë: “Zjarri i xhehennemit do ta djegë tërë trupin e birit të Ademit , me përjashtim të pjesëve të trupit të cilat kanë rënë në sexhde, Allahu xh.sh. ia ka ndaluar zjarrit të xhehennemit që t’i djeg pjesët e trupit të cilat kanë rënë në sexhde!” (Sunen Ibnu Maxhxhe, nr.4326.)
Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: „ Kur biri i Ademit e lexon ajetin në të cilin ndodhet sexhde-tilavet, dhe më pas e kryen sexhden, shejtani largohet ose skajohet me një anë duke qarë dhe thotë: „ Mjerë për mua! Birit të Ademit i urdhërohet të bëjë sexhde dhe ai e bënë, gjë për të cilën ka shpërblim Xhennetin, e mua kur më urdhërohet sexhdeja, unë e refuzoj, gjë për të cilën, dënim e kam xhehennemin!“ (Muslim, nr.254.)
Rebi’a b.Ka’ab el-eslemi r.a. thotë: “Kam qenë një natë musafir te Pejgamberi s.a.v.s., i dërgova ujë për abdes dhe për nevoja tjera, ndër kohë ai më tha: „ Kërko diçka! I thash: Po kërkoi që të jem me ty në Xhennet. A dëshiron prapë ndonjë gjë tjetër? I thash: Jo, vetëm këtë. Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Më ndihmo kundër dëshirave të shpirtit tënd në mënyrë që të jesh më shpesh në sexhde!" (Muslim, nr.1122.)
Ma’adan b.Ebi Talha thotë: “E kam takuar Sevbanin, shërbëtorin e Pejgamberit s.a.v.s. dhe i thash: Më trego cila vepër është më e dashur tek Allahu xh.sh. Sevbani heshti, e pyeti për herë të dytë, prapë heshti, e pyeti për herë të tretë, e ai mu përgjigj: Të njëjtën gjë e kamë pyetur edhe unë Pejgamberin s.a.v.s. dhe më ka thënë: „Shpeshtoje sexhden për Allahun, sepse kur t’i biesh Allahut xh.sh. në sexhde, Allahu xh.sh. për shkak të saj do të ngrit në nivel më të lartë, dhe për shkak të asaj sexhdeje do t’i falë mëkatet!" Ma'adan thotë: Pas kësaj e kam takuar Ebud-Derda'an, dhe i kam parashtruar të njëjtën pyetje, ai më tha të njëjtën gjë që më tha Sevbani ". (Muslim, nr.1121.)
Abdullah b.Busr r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: „Umeti im në Ditën e Gjykimit do të dallohet me anë të shkëlqimit të ballit, për shkak të rënies në sexhde, dhe të shndritjes së këmbëve për shkak të marrjes së abdestit. "(Sunen Tirmidhi,nr.607.)
Huzejfe r.a.transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: „"Nuk ka asnjë situatë dhe gjendje në të cilën mund të gjendet njeriu e të jetë më e dashur për Allahun xh.sh. se prej momentit kur njeriu është në sexhde, të ketë vendosur fytyrën e tij në tokë" (el- Mu'udžem el-Evsat, Taberaniu, 6/158).
Të gjitha këto shpërblime i premtohen krijesës së Allahut xh.sh., vetëm për një pjesë të ibadetit, që do të thotë vetëm për shkak të rënies në sexhde, po çfarë do të ndodhë me ibadetet tjera, siç janë: namazi i kompletuar me leximin dhe këndimin e Kur’anit, përkuljen - ruku’në dhe dorëzimin para Allahut xh.sh., qëndrimin para Tij, me të gjitha dhikret tjera, tesbihët, tekbiret, tahmidet, që të gjitha gjenden vetëm në një rekat, në një pjesë të namazit. E, nëse njeriu vendos dhe rregullisht i falë pesë kohët e namazit, atëherë do të binë mëkatet nga njeriu, një lloj sikurse kur bie ndyrësira nga trupi gjatë larjes.
Muslimani duhet t’i bie Allahut xh.sh. në sexhde, nga falënderimi ndaj Tij dhe të mirave të Tij, me të cilat na mbulon, e jo ta përjetojë atë si një obligim dhe detyrim. Faljen e namazit duhet ta shikojmë si nderë që na është dhënë, jo si detyrim!
Hafiz Ibnul-Kajiim el-Xhevziu, ka thënë: „Nuk ka fjalë më të ëmbla, të cilat i drejtohen Allahut xh.sh. se fjalët të cilat i shqipton besimtari derisa është në sexhde: „Pash Madhërinë Tënde dhe përuljen time, më Mëshiro, pash Fuqinë Tënde dhe dobësinë time, pash pasurinë Tënde dhe varfërinë time, ky bistek i flokëve të rreme dhe mëkatare ka rënë në sexhde para Teje. Ti përkrahë meje ke më shumë robër të sinqertë. Nuk ka ikje dhe nuk ka shpëtim vetëm tek Ti. Të lutem ashtu si luten të varfëritë, të frikohem ashtu si të frikohen të vegjlit dhe të nënshtruarit. Po të drejtohem me lutjen, me të cilën të drejtohet i sëmuri dhe i frikësuari. Kjo është lutja e atij supet e të cilit janë përulur para Teje, vullneti i tij është vullneti Yt, sytë e të cilit qajnë për Ty dhe zemra e të cilit është e përulur para Teje! "
Kur njeri vjen para Allahut xh.sh. me këto fjalë dhe në këtë mënyrë i drejtohet, në atë moment feja dhe besimi në zemrën e atij njeriu shumëfishohet!
Në të njëjtën mënyrë, edhe shfaqja e nevojës për Allahun xh.sh., dhe ndërgjegjësimin se ne jemi të varur nga Ai, e forcon besimin dhe fenë e një muslimani. Allahu i Plotfuqishëm na ka informuar se ne kemi nevojë për Atë, me fjalët: "O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari." (Fatir, 15)
Hafiz Ibn el-Kajjim el-Xhevziu, ka thënë: "Kam shikuar në cilën hyrje të trokas për të arritur sa më shpejt që të jetë e mundur te Allahu xh.sh., dhe kam ardhur tek dera e namazit ku kishte shumë njerëz në atë derë. Erdha tek dera e agjërimit, edhe aty kishte shumë njerëz. Erdha tek dera e përulësisë dhe njohjes së varësisë në Allahun xh.sh., ku në atë derë rrallë mund të shihje dikë. Pak njerëz dinin për këtë derë! "
Nevojën për Allahun xh.sh. dhe varësinë ndaj Tij, do ta njohim atëherë kur:
- Kur ne mendojmë rreth fuqisë dhe forcës së Allahut xh.sh. e cila reflektohet në kupën e qiellit, në hapësirën tokësore, por edhe në veten tonë.
- Kur mendojmë për atë se si Allahu i Plotfuqishëm di të vë një njeri në sprovë pavarësisht nga fakti se ky njeri ka mendjen, moshën, përvojën, paratë, shëndetin, reputacionin, etj... që na mëson se në asnjë moment nuk duhet të heqim dorë nga Allahu xh.sh, pa marrë parasysh se ne mendojmë se jemi fizikisht të fortë.
- Kur mendojmë, apo të paktën shoqërohemi, ulemi dhe bisedojmë me të varfëritë dhe nevojtarët. Atëherë zemra jonë zbutet dhe bëhet gjithnjë më e vetëdijshme për varfërinë e tij dhe varësinë e tij në Allahun.
Shenjat e iftikharit, nevojës së sinqertë dhe varësisë në Allahun xh.sh., janë si më poshtë:
1. Shkalla më e lartë e përuljes para Allahut dhe kulmi i dashurisë për Atë.
2. Dashuria ndaj Allahut xh.sh. dhe dashuri ndaj asaj që Allahu e do.
3. Dhikri i vazhdueshëm dhe përkujtimi i Allahut të Plotfuqishëm, me kërkesë për falje prej Tij.
4. Shqetësimi nga ajo që ndoshta Allahu xh.sh. nuk do të na pranojë.
5. Frika nga Allahu xh.sh. fshehtazi dhe haptazi.
6. Lavdërimi i urdhrave dhe ndalimeve të Allahut të Plotfuqishëm.
7. Shpejtimi i pendimit pas kryerjes së mëkateve.
Pa sexhde, lutje të sinqertë dhe vetëdijes se ne jemi të varur nga Allahu, ne jemi të dobët në çdo fushë të jetës sonë, dhe në momentin që bimë në sexhde, me lutje të sinqerta, drejtuar Allahut xh.sh., me vetëdijen se ne jemi të varur nga Ai, e jo Ai nga ne, dhe kështu, në këtë mënyrë, besimi dhe feja jonë përparon dhe rritet.
E lusim Allahun xh.sh. që të na pajis me besim të fuqishëm dhe qëndrueshmëri në fe, që do të na çojnë në pragun e kënaqësisë dhe Mëshirës së Tij. Amin.
Pergaditi: Sead ef. Jasaviq, prof. i fikhut
Përktheu dhe përshtati: Esat Rexha