Shtatë njerëz të mirë


1. Kryetari i shtetit i cili punon me drejtësi.
2. I riu që edukohet me dashuri dhe respekt ndaj adhurimit të Allahut.
3. Njeriu, zemra e të cilit është e lidhur mbas xhamisë.
4. Ata që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut.
5. Ai që ruan nderin dhe namusin.
6. Mirëbërësi, i cili atë që jep me dorën e djathtë nuk ia di e majta.
7. Ai që e përmend Allahun kur është i vetmuar.

Pejgamberi (a.s.), ka ndjekur metoda të shumta për t’ia mësuar njerëzve këtë fe.
Përveç urdhrave dhe ndalesave, ndonjëherë ka rregulluar gabimin ose ka miratuar edhe punën e mirë të ndokujt. Ndonjëherë u ka drejtuar pyetje shokëve të tij dhe përgjigjen përsëri e ka dhënë vetë. Pyetjeve që i bëheshin, ndonjëherë u përgjigjej ashtu sikur ishte, por ndonjëherë duke dhënë edhe më tepër detaje nga ç’kërkohej.
Ka qëlluar t’i mësonte edhe duke e vepruar, ose duke u larguar vetë nga një vepër. Ndonjëherë ka folur pak dhe saktë, arsye për të cilën e kanë quajtur edhe “xhevamiu’l-kelim”, që do të thotë, “tregon shumë, me pak fjalë”. Këto fjalë ai i ka gdhendur në mendjen e njerëzve, duke i përmendur nga tri herë. Ndonjëherë, çështjen e ka shpjeguar gjerë e gjatë, ka treguar ndodhi dhe ka portretizuar çështje të ndryshme. Dhe ndonjëherë, i shpjegonte të ndara në kategori...
Është e mundur që këto t’i japim një nga një, me shembuj, sepse librat e haditheve janë të mbushur me mijëra nga këto shembuj. Mirëpo, këtu duam të marrim në dorë një hadith që na tregon se si i Dërguari i Allahut u ka mësuar njerëzve fenë, moralin e lartë, urtësinë dhe vlerat, duke ua dhënë diturinë të ndarë në kategori dhe grupe.
I Dërguari i Allahut na e përkujton shpesh botën tjetër dhe i portretizon në një mënyrë të gjallë ato që do të ndodhin atje, gjendjen dhe veprimet e njerëzve. Ja pra, hadithi ynë fillon duke treguar gjendjen e njerëzve në botën tjetër: “Atë ditë Allahu do të marrë nën hijen e (arshit të) vet shtatë persona. Atë ditë nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së (arshit të) Tij.” (Buhari, Xhemaat dhe Imamet, 8; Muslim, Zekat, 91)
Me këtë, Pejgamberi ynë (a.s.) na sjell para syve edhe gjëndjen e asaj dite në botën tjetër, por na bën edhe kureshtar për të ditur se cilët janë këta persona.
Cilët janë këta shtatë persona fatlumë?
Ç’është ajo që i bën ata të përgëzohen me këtë mirësi?
Në fillim Resulullahu (a.s.) tregon për kryetarin e shtetit që punon me drejtësi. Pra këtu na jepet një stimulim drejt fushës materiale të kësaj bote. Që në fillim, ai sikur na jep mesazhin se në këtë fe materialja dhe shpirtërorja janë të lidhura si mishi me thoin.
Resulullahu (a.s.) i jep shumë rëndësi sigurisë dhe mirëqenies ekonomike të njerëzve dhe dëshiron që populli të jetojë i qetë dhe i sigurtë. Për këtë arsye, nuk e lë bosh këtë fushë. Ai vë në dukje një vlerë universale: Drejtësinë. Ky është edhe një princip i cili theksohet shumë në Kur’anin Famëlartë. (Nisa 4/58; Maide 5/8; Nahl 16/90)
Madje Kur’ani na tregon për Davudin (a.s), i cili gjendet në kulmin e fuqisë shpirtërore dhe materiale. Allahu e urdhëron edhe atë, që të prijë me drejtësi dhe me barazi. (Sad 38/26).
Në një farë mënyre, edhe Omeri (r.a) halifja i dytë i Pejgamberit (a.s.) e përforcon këtë princip. Me veprimtaritë që zhvilloi, me institucionet që formoi dhe me vendimet që mori, ai u bë njeriu i parë që përfitoi nga ky përgëzim që solli Pejgamberi ynë (a.s.). Ai përbën shembullin konkret të këtij principi që stabilizoi Islami. Për këtë arsye, ai është quajtur “Umeru adlun”, që do të thotë, “Omeri (r.a) është vetë drejtësia”.
Së dyti, Pejgamberi (a.s.) bën fjalë për të riun që edukohet me dashuri dhe respekt ndaj adhurimit. Këta janë kategoria e dytë e njerëzve që do të strehohen nën hijen e arshit të Allahut. Të rinjtë që edukohen prej vegjëlisë me vetëdijen e besimit, të cilët ecin me kokën lart dhe pa u ndarë nga rruga e drejtë, në kohën kur iu zjen gjaku dhe kur mjedisi përreth tyre është mbushur përplot me qendra joshëse. Të rinjtë që përkushtohen me kujdes, me dashuri, me energji dhe dinamizmin në këtë rrugë... Në Kuranin Famëlartë kemi shembullin e “Shokëve të shpellës”. Allahu shprehet me lëvdata për këta të rinj sakrifikues! Që në fillim, përreth Resulullahut ka patur gjithmonë të rinj. Çështja e shenjtë e Islamit është lartësuar mbi supet e këtyre të rinjve të devotshëm. Janë ata që mundohen dhe punojnë për t’ia mësuar vetes dhe të tjerëve Kuranin në Mekke. Janë përsëri ata që qëndrojnë në krye të luftës në Medine dhe në përhapjen e Islamit në vende të ndryshme. Aliu (r.a) është shembulli më i mirë i atyre që e kanë kushtuar jetën e tyre në rrugën e Allahut. I pari që besoi, i pari që rrezikoi jetën në kohën e hixhretit, Luani i Allahut në Bedir dhe Uhud, Aliu (r.a).
Së treti, vjen ai zemra e të cilit është e lidhur me xhaminë. Pra, besimtari në zemrën e të cilit ndodhet një dashuri e pashoqe për xhaminë. Një vakt namaz e ka falur dhe pret me padurim të vijë vakti tjetër. Një njeri shumë i përkushtuar në faljen e namazit në xhami dhe në ripërtëritjen e synetit. Xhamia ujë dhe besimtarët peshq! Si mos ta dojë xhaminë besimtari? Në kohën kur Resulullahu (a.s.) emigroi për në Medine, puna e parë që bëri ishte ndërtimi i një xhamie dhe ai vetë mbajti gurë në supet e tij. Zemra e myslimanëve dhe pulsi i bashkësisë Islame rreh gjithmonë nëpër xhamia. Bashkimi, vëllazëria është aty. Ndihma dhe solidariteti janë aty. Libri i Allahut lexohet aty, emri i Tij përmendet aty dhe njerëzit po prej aty thirren për në shpëtim. Xhamitë janë projektimi i mëshirës që zbret nga Qabja. Mëshira gurgullon në xhami, qetësia zbret në xhami. Ja pra, për këtë arsye besimtarët që kanë dashuri për xhaminë dhe xhematin dhe që ndjejnë dëshirën për shërbim ndaj xhamisë, do të jenë nën hijen e arshit në Ditën e Kiametit.
Së katërti, Pejgamberi (a.s.) na tregon për ata që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut. Midis tyre nuk ka ndonjë interes të kësaj bote por ka vetëm një miqësi të pastër dhe pa pretendime. Kur bashkohen, bashkohen për hir të Allahut duke shpresuar kënaqësinë e Tij. Madje, edhe kur ndahen, ndahen për hir të Tij dhe shpresojnë kënaqësinë e Tij. Dhe kjo dashuri midis tyre vazhdon deri në fund të jetës. Çfarë ka më me vlerë në jetë se sa një mik i sinqertë? Të dimë që kemi një mik të sinqertë dhe besnik, që e duam dhe e duan, na jep një qetësi të madhe shpirtërore. Një pjesë e bukurisë së jetës përbëhet nga miqësia e ngrohtë, nga ajo miqësi që nuk bazohet në interesa...
Në Kuranin Famëlartë flitet për miq që do të jenë armiq në ditën e kiametit. Mirëpo, miqtë e vërtetë do të jenë larg kësaj. (Zuhruf 43/67) Në një vend tjetër tregohet për dikë që meriton dënimin dhe ky me një pendim të thellë thotë: “Ah sikur të mos isha mik i filanit!” (Furkan 25/28) Sa miqësi e bukur është ajo e të Dërguarit të Allahut (a.s.) me sahabët e Tij si Ebu Bekri dhe Omeri (r.a)! Përfytyroni për pak çaste tabllon e sinqertë që ekspozojnë këta miq të ngrohtë, të cilët bisedojnë të ulur pranë një pusi!
I pesti është ai që i jep një rëndësi të veçantë, nderit dhe namusit. Një grua me pushtet i propozon këtij marrëdhënie të pamoralshme dhe ky e refuzon atë duke thënë, “unë i frikësohem Allahut”. Sa virtyt i madh është nderi! Për çfarë virtytesh mund të bëhet fjalë, nëse në një popull ka humbur ndjenjat e nderit dhe namusit!? Ja pra, ajo që na e siguron këtë ndjenjë është devotshmëria. Pra të jesh i vetëdijshëm kundrejt përgjegjësive që ke ndaj Allahut.
Ato që ka jetuar Jusufi (a.s) janë të njëjta me ato që na ka treguar Resulullahu (a.s.). Të gjithë e dimë ndodhinë. Në suren Jusuf ajo jepet me detaje. Mirëpo, përgjigja e atij njeriu të lartë ndaj një propozimi të pamoralshëm është shumë ndikuese: “Allahu më ruajtë nga kjo gjë. Si mund të bëj këtë pasi që Allahu më ka dhuruar këto mirësi.” (Jusuf 12/23) Në rrethin që jetonte Jusufi (a.s), edhe burrat edhe gratë ishin zhytur nga koka tek këmbët në imoralitet. Jusufi (a.s) e pa më të arsyeshme të qëndronte në burg, se sa të jetonte pa ndjenja në një rreth të tillë: “Ai (Jusufi) tha: “O Zoti im, burgu është më i dashur për mua, se sa ajo që ma ofrojnë ato mua...” (Jusuf 12/33) Lutja e Pejgamberit tonë (a.s.) do të na ndihmojë në këto raste : “ Allahu im, dëshiroj prej teje që të jem në rrugë të drejtë, të përqafohem me devotshmërinë dhe të jetoj me nder.” Gjithashtu, edhe zotëruesi i dy dritave në kohën e Pejgamberit, Osmani (r.a), na ndriçon rrugën me ndjesinë e tij të veçantë ndaj nderit dhe turpit!
Për sa i përket të gjashtit, Pejgamberi ynë (a.s.), me këtë nënvizon një pikë të rëndësishme. Pra, dora e majtë e atij që bën mirë nuk duhet të dijë se ç’bën dora e djathtë. Kështu që, ai njeri mirësinë e bën në mënyrë të fshehtë. Sepse qëllimi i tij është vetëm kënaqësia e Allahut. Ai nuk e bën këtë për sy e faqe. Në ajetin e ndershëm shprehet se të japësh haptas është mirë, por të japësh fshehtas është edhe më mirë, (Bakara 2/271). Pejgamberi ynë i dashur, çështjen e fshehtësisë e ka shprehur në një mënyrë shumë interesante, për arsye që ai i cili merr lëmoshë të mos turpërohet midis të tjerëve. Atë që jep dora e djathë të mos e dijë e majta! Sigurisht, edhe njerëzit që marrin lëmoshë kanë një ndjenjë nderi dhe krenarie. Prandaj, kur të jepet, duhet të jepet pa i cënuar ndjenjat e tyre. Ja pra, edhe ata që e kanë këtë ndjesi, do të jenë nën hijen e arshit.
I shtati dhe i fundit është ai që e përmend Allahun dhe të Dërguarin e Tij kur gjëndet i vetmuar. Ky njeri është aq i mbushur me dashuri ndaj Allahut, sa që nga sytë e tij rrjedhin lot. Dashuria hyjnore ia djeg zemrën. Zemra e shuan zjarrin dhe shpirti e ujit tokën me lotët e tij. Kur e përmend Allahun dhe e lexon librin e Tij, zemra i rrënqethet dhe i mbushet me devotshmëri dhe mëshirë. Shpirti i tij fiton butësi dhe pastërti! Edhe Pejgamberi ynë (a.s.) i ka kaluar disa nga netët e Tij i mbytur në lot. Kryen adhurim, lexon Kuran dhe derdh lot i Dërguari i Allahut (a.s.). Edhe shoku i Tij më i ngushtë Ebu Bekri (r.a) kishte një zemër të tillë. Në mesxhidin që ndërtoi përpara shtëpisë së tij në Mekke, lexonte Kuran duke qarë. Vajza e tij Aishe (r.a) na e tregon atë si “një njeri me zemër të butë dhe sylagur”. Mirëpo këtë nuk mund ta shpjegosh dot me fjalë, nëse nuk e jeton, nuk e kupton.
Hadithi ynë fillon me materialen dhe mbaron me shpirtëroren. Në këtë fe, rëndësia që i jepet rregullimit të jetës së kësaj bote është po aq e madhe sa edhe rëndësia që i jepet forcimit dhe pasurimit të botës shpirtërore të njeriut. Me këtë hadith, i Dërguari i Allahut (a.s.) na ka paraqitur një manifestim të principeve universale të Islamit. Ky hadith është si një ylber që pasqyron shtatë ngjyrat themelore të diellit Islam. Ai nxjerr në pah ngjyrat që i jep Islami këtyre vlerave, që nga principi i lidhur me shtetin, marrëdhëniet shoqërore, kujdesi që duhet treguar në punë të mira dhe deri tek rëndësia që kanë marrëdhëniet e njeriut me Allahun. Nëse e marrim numrin shtatë si një kuptim figurativ të shumicës, pra simbolin që tregon një sasi të madhe, do të shikojmë se këto pika janë dimensione që zgjaten për tek principet e tjera.



Dr. Murat Kaja
Etika 138


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Intervistë në Tv Syri Vision: Kryetari i KBI Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta